Një vështrim analitik për librin “Parajsa mbi tokë” të poetit Nikolin Sh. Lëmezhi

0
114
Nikolin Sh. Lëmezhi - Parajsa mbi tokë

Nikolin Sh. Lëmezhi Poeti Nikolin Sh. Lëmezhi vjen para lexuesit të tij me vëllimin poetikt ”Parajsa mbi tokë” si një mesazh i lidhjes shpirtërore të njeriut me Krijuesin përmes një sërë sentencash poetike. Ai vetë jeton nën shëmbëlltyrën e Mësuesit, ndaj edhe predikon edhe tek të tjerët një jetë të pastër dhe shembullore. Kështu, tek poezia Në shtëpinë e Atit tim… mes të tjerave shprehet:

Këtu ku jeta është në plotësi,
do të pres,
i rrethuar nga asgjë tjetër
përveçse nga gëzimi i plotë
e nga lumturia
që ma premtoi Mësuesi.

Ndërsa tek poezia me titull Pastërtia në mes të tjerave shprehet kështu:

Prandaj Mësuesi tha:
“Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin”. Sigurisht, me fjalën ”Mësuesi” ai ke në mendje Jezusin, ndaj aty-këtu edhe e zëvendëson këtë term me emrin e Profetit. Kështu na jepet edhe tek poezia Të jetoj si Ti!

Jo vetëm do të lutem
me stilin tënd,
o Jezus,
por edhe do të jetoj,
sipas stilit tënd,
në gjithçka,
gjersa të mund të rrezatoj,
asgjë tjetër,
përveç pranisë shëndetsjellëse
të Atit tënd.

E do të jem kështu
një lumë i qetë lumturie
për këtë njerëzim,
që si Ti e dua, o Zot!

Tek poezia Gjërat që nuk thuhen shprehet kështu në përfundim të saj:

Në fund
duhet të zbatohet sentenca e Mësuesit:

“Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve,
që t’i shohin veprat tuaja të mira…”

Nga ana tjetër, duke cituar fjalët e Jezusit drejtuar njerëzve, ai, tek poezia Besueshmëri nënvizon fort:

Me të drejtë Mësuesi tha:
“Pra, nëse e sjell dhuratën tënde
për ta kushtuar në lter
e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje,
lëre dhuratën tënde aty para lterit,
shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd

e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!” që do të thotë se njeriu së pari duhet të jetë i pastër shpirtërisht, para se t’i drejtohet Zotit me lutjet e tij. Ai duhet që të mendojë së pari ku janë gabimet që ka kryer dhe t’i ndreqë ato para se t’i lutet Atit Qiellor për ta shëlbuar atë.

Një sentecë tjetër poetike mbi konceptin e lidhjes Zot-Jezus-njeri na jepet edhe tek poezia Një ku shprehet:

Nxënësi
është Një me Mësuesin,
krejt ashtu siç është Një
edhe Mësuesi me Atin e Tij,
deri në atë pikë,
saqë edhe nxënësi
mëson të bëhet Një me Atin.

Më në fund,
ashtu siç duhet të ndodhë,
nxënësi, Mësuesi dhe Ati,
do të jenë Një: Tre në Një.

Duke e shikuar me më shumë vëmendje, autori në shumë poezi të këtij vëllimi poetik i drejtohet Atit Qiellor, ndërsa Jezusi është Ai që bën ndërmjetësimin e Tij me njeriun dhe poeti është mjaft i lumtur që jeton nën shembullin dhe Mbretërinë e Tij.

Ashtu si edhe në vëllimit tjetër poetik pararendës, edhe në këtë vëllim poetik e ka ngritur në kult konceptin ”Heshtje” ku ai do që njerëzit ta pranojnë rrugën e Atit Qiellor me përvujtësi e me dashuri, pse vetë Ati Qiellor është dashuri:

Dashuri, drejtësi e mëshirë

Ai që drejton,
nëse s’gabon.
Nga Zoti shpërblehet,
me çdo mirësi.
Sepse, Ai vetë
është dashuri.

Në poezinë tjetër, Lidhje që liron, duke shprehur ndjenjat e tij të lumturisë që vjen nga lidhja me Atin Qiellor, shpërthen në një deklamacion shpirtëror:

Lidhja me Ty
është e vetmja lidhje që nuk robëron,
por liron;
nuk verbon, por ndriçon;
nuk lëndon, por shëron;
nuk huton, por zgjon!

Sa e bukur kjo tërheqje, o Atë!

Shpirti im ka nevojë për Ty!

Heshtjen, jo vetëm e quan diçka të veçantë së cilës i ka ngritur një kult, jo vetëm e shkruan si një emër të përveçëm gjithnjë me shkronjë të madhe, por atë e quan diçka hyjnore, diçka të shenjtë që duhet mbajtur gjithmonë si pjesë të jetës. Nga kjo, ashtu siç e cilësuam, e ka trajtuar në shumicën e poezive të këtij vëllimi poetik ku në një pjesë të tyre e ka vendosur që në titull. Që në hyrje të këtij libri është paraqitur sentenca:

«Shënim: Autori ka preferuar që fjalën Heshtje ta shkruajë gjithmonë me të madhe gati sikur të ishte një emër i veçantë i Zotit». Pra, siç shihet, vetë autori prononcohet për kultin e kësaj fjale të veçantë për të.

Mësuesi na ftoi të kthehemi:
Kjo është Rruga!
Nga jashtë brenda,
nga larg afër,
nga zhurmë në qetësi,
nga fjalë në Heshtje,
nga dje dhe nesër, tani. Siç shihet, për poetin Mësuesi dhe Heshtja janë dy gjëra që udhëheqin jetën e tij, rrugëtimin e tij.

Tek poezia Në Heshtje shprehte kështu për nocionin Heshtje:

Në Heshtje*
gjithçka gjen zgjidhje.
Në një poezi tjetër shprehet:
Kur njeriu
e ndien nevojën të flasë
duhet të konsiderojë
se ka diçka që nuk shkon,
e të marrë masat që të lirohet.
Kur të jetë i lirë
nuk ka nevojë të flasë
sepse Heshtja
thotë gjithçka
që është e nevojshme
për t’u thënë.

Edhe në një sentencë tjetër poetike shprehet:
Nëse dikush
nuk të kupton
kur ti rri në Heshtje,
nuk do të të kuptojë
sado që ti të flasësh!

Tek poezia Heshtja është gjithmonë më e mira shprehet kështu në mes të tjerave:

”Kur nuk kupton,
Heshtja është më e mira;
kur kupton gjëra të reja,
Heshtja është më e mira;
kur ngrihesh e kur bie për të fjetur,
Heshtja është më e mira;
në udhëtim e në kthim,
Heshtja është më e mira;
kur e ndien fort nevojën për të folur,
Heshtja është më e mira;.,..” pra për çdo gjë, Heshtja është më e mira.

Duke e pasur si busull Heshtjen në jetën e tij, ai nuk ngopet së thurur varegje për të, ndaj tek poezia e mëposhtme shprehet:

Heshtja që e dua

Do t’i thur
vargje Heshtjes,
e s’do të resht
së lëvduari Atë,
me gjithë qenien time,
por në Heshtje,
derisa të hesht përgjithmonë.

Në këtë vëllim poetik, përveç trinomit: Ati Qiellor, Jezusi, Heshtja, zënë vend edhe poezi lirike mjaft të bukura dhe me mjaft sens poetik. Tema e familjes është trajtuar tek poezia:

Vëllezërve Lekës e Bardhokut për të cilët shpreh lumturinë e tij me rastin e martesave të tyre:

Sa jam i kënaqur,
shpirti seç më gëzohet.
Sepse në këtë ditë,
vëllai im martohet.

Të kemi hare,
të gëzojmë këtë ditë.
Se dhëndrin kemi Bardh
e nusen kemi Dritë. 

Me shumë sens është trajtuar edhe tematika shoqërore. Kështu, atë e shqetëson mungesa e lirisë dhe zjarri i luftës që merr jetë të pafajshme deri edhe të fëmijëve. Kjo është paraqitur me nota mjaft elegjiake sidomos tek poezia: Irma, shkëndijë për një botë të re. Mes të tjerave paraqet:

Çfarë bëri Irma e vogël, o Zot,
si guxuan t’ia vrasin fëmijërinë?
Ndriçoni, o yje, lulëzo, o tokë!
Është çuar njeriu, të hajë njerinë.

O motër Irma, më thuaj një fjalë,
më thuaj një fjalë, pashë emrin tënd!
Se valët e gjakut, sa s’më mbytën,
dhe zhurma e plumbave po më çmend.

dhe në mbyllje të kësaj poezie me gjashtë strofë hedh thirrjen e tij për paqe:

Ndaluni, ndaluni o zemërgurë,
një gjë ju kërkojmë, t’na dëgjoni pak!
Mjaft më luftëra, vini paqe,
se bota e mjerë po mbytet në gjak.

Kundër dhunës dhe vrasjeve ai ngrihet me të gjithë forcën e shpirtit të tij sidomos tek poezia Mos i vritni Nënat! që është një Elegji për Liridona Ademaj, vrarë pabesisht nga burri i saj me një vrasës me pagesë. Që në fillim i drejtohet Hyjit me këto fjalë:

Zot i madh e i bekuar,
nëse Ti je dashuri,
kjo dhimbje e njerëzimit,
a mund të ketë kufi?
A mund të vritet Nëna,
˗ pyesin zemrat tona?
Siç bënë me dy të shtëna,
për motrën Liridona. e diku më tej shton:

Mos i prekni Nënat,
se të shenjta ato janë!
Mos i vritni zemrat,
që botën në dorë e kanë! 

Duhet shtuar këtu se në përgjithësi, poezia e tij paraqet botën e tij prej njeriu të lidhur ngushtësisht me Atin Qiellor, ndaj edhe tek poezitë me karakter shoqëror do ta lidhë edhe me një jetë tjetër përtej botës ku jetojmë. Kjo paraqitet edhe aty ku poezia e tij përshkruan natyrën si tek poezia e mësipërme ”Mos i vritni Nënat” që është e dukshme në strofën e parë, por edhe në mbyllje të kësaj poezie citon:

Shpirti yt n’paqe pushoftë,
ty të duam shumë Liridona.
Prindërit Zoti t’i ngushëlloftë,
      rrofsh gjithmonë në zemrat tona!

Në këtë vëllim poetik nuk mungon poezia me karakter patriotik, ndaj ai na paraqet edhe një dashuri sublime për Shqipërinë siç na e përshkruan tek poezia Janë shqiptarët për ty Shqipëri!

”Shqipëri, o Nënë e shenjtë,
n’historinë tënde të rrallë.
Do të jem unë bir i denjë,
do të jem një gur i gjallë.” shprehet ai që në krye të kësaj poezie e në fund e përmbyll me këto vargje plot frymëzim:

Sa t’jen’ dielli edhe hëna,
sa të jetojë kjo njerëzi,
sa t’ketë bij lindur nga nëna,
janë shqiptarët për ty Shqipëri!

Pra, siç shihet, në këtë vëllim poetik, aty-këtu ka trajtuar edhe motive të tjera krahas atyre fetare. Një e tillë është edhe poezia plot frymëzim Flutura…

Një mëngjes nëntori,
mbi një gjethe të zverdhur.
Një flutur e bukur,
kishte rënë e vdekur.

                      Më kujtohet flutura,
                      kur ishte e gjallë.
                      Oh, sa e këndshme,
                       ç’bukuri e rrallë!

Përgjithësisht, stili i tij i të shkruart nuk është i prirur drejt një poezie klasike, por më së shumti janë vargje të lira pa rima e pa metrikë strikte me numër të rregullt rrokjesh në vargje, çka i jep një lirshmëri vargëzimi e frymëmarrje me diapazon më të gjerë.

Megjithatë, jo në pak raste i është drejtuar formës klasike të poezisë e mjaft prej tyre i kemi paraqitur si shembuj edhe më lart, siç janë: Vëllezërve Lekës e Bardhokut, Irma, shkëndijë për një botë të re, Mos i vritni Nënat, Flutura…, Janë shqiptarët për ty Shqipëri, si dhe: Nënë Tereza, Lajmi më i Mirë, Lavdi, Ty, o Atë, Të falem, o Zoja e Shqipërisë, Gëzimi im i plotë, Fëmijëzit e mi…, Harro, që të jetosh, Një jetë për Dashuri…, etj.

Nga ana tjetër, poeti përdor mjaft bukur figuracionin letrar dhe mjete të dendura stilistike. Aty gjenden plot metafora, por edhe krahasime mjaft të bukura si dhe epitete metaforike. Kështu, tek poezia Vëllezërve Lekës e Bardhokut, gjejmë një lumë plot me krahasime të bukura si: sytë si rrush të zi; si të ishte zambak; Faqet porsi mollë; si të ishte bletë; që porsi zambakë,/ me vuajtje i rritët!; etj., por ka përdorur aty edhe metafora të bukura si: jeta u shkoftë n’gëzime!; mbarë gjithmonë të shkoni, ndonjë epitet të bukur metaforik si: vëllai im i shtrenjtë, Sa i mirë dhëndri,/ artist me të vërtetë, etj.

Edhe tek poezia Dashuri në Shkodër gjejmë një varg të bukur metaforash si: liqeni reflekton, dy lumenj i bashkon, një zemër mediton, hëna hesht e ndriçon. Krahasime të shumta gjejmë edhe në disa poezi të tjera e mjafton të paraqesim këtu poezinë Të sotmen jetoj ku në pak vargje gjejmë plot krahasime mjaft të bukura si: Si zogjtë e maleve,/ në këngën e tyre; / si dallgët e detit,/ përmes kaltërsive;

si malet e vjetra,/ të durueshëm e të qetë;/ si kodrat, si pemët,/ si lulet e çelura; etj. Kështu, edhe tek poezia Flutura: ajo ndalet përmbi lule si valë dashurie, një krahasim i bukur metaforik ky i përdorur mjeshtërisht nga poeti, por aty gjejmë edhe plot epitete mjaft të bukura si: gjethe të zverdhur./ Një flutur e bukur, / kishte rënë e vdekur,/ kur ishte e gjallë. /Oh, sa e këndshme,/ ç’bukuri e rrallë! për fluturën e mirë., si dhe metafora: kishte rënë e vdekur; qielli ishte nxirë. Natyra mbante zi.

Tek poezia me titull Irma, shkëndijë për një botë të re, duke mos e marrë në konsideratë dhe analizuar të gjithë figurat letrare, aty gjejmë një metaforë të bukur dhe një pyetje retorike të shkrirë në një: Çfarë bëri Irma e vogël, o Zot, / si guxuan t’ia vrasin fëmijërinë? Edhe tek poezia Janë shqiptarët për ty Shqipëri gjejmë mjaft epitete metaforike mjaft të bukura si: Nënë e shenjtë, /n’historinë tënde të rrallë./ Do të jem unë bir i denjë,/ do të jem një gur i gjallë./ Ti je Nënë gjithmonë me nder, / ti je toka e larë me gjak. / E pamposhtur je përherë, Tokë hyjnore, kaq e vjetër, etj.

Për t’i dhënë një kolorit sa më të gjërë poezisë së tij, poeti ka thirrur në ndihmë edhe plot mjete stilistike shumë të bukura si anaforat, apo enumeracionet poetike mjaft të gjetura. Përsëritja e thjeshtë, gjithashtu zë vend të dukshëm, sidomos aty ku ai do që ta theksojë rëndësinë e termit a objekti që ka në qendër të vëmendjes së tij siç është fjala ”Heshtje”, apo Ati Qiellor që në të shumtën e poezive i ka si objekt shpirtëror e poetik. Kështu, te poezia Në Heshtje e gjejmë këtë term të përsëritur disa herë në të gjithë poezinë: Në Heshtje

gjithçka gjen zgjidhje.
Në Heshtjen e përjetshme

banon Ati; …këtë Heshtje,…Ti Heshtje e ke, etj., apo tek poezia Heshtja është gjithmonë më e mira ku e gjejmë këtë term disa herë të përdorur pothuajse në çdo dy vargje të saj, si një refren i veçantë përmbyllës: Heshtja është më e mira; ndërsa tek poezitë e tjera gjejmë shpesh edhe anafora të veçanta. Kështu, mund të marrim si shembull poezinë Lutje për zgjim ku në disa vargje të saj gjejmë të përsëritur në fillim të çdo varguy fjalën ”zgjo!”

….Zgjo jetën që ka fjetur në mua!
Zgjo dritën!
Zgjo dashurinë!
Zgjo përkujdesjet!
Zgjo zgjuarsinë!
Zgjo pastërtinë!
Zgjo ndjenjat për shenjtëri
….Zgjo mahnitjen për mrekullitë e tua!
Zgjo mallin për të jetuar për Ty.

Siç shihet, aty kemi një enumeracion anaforash. Po kështu edhe në mjaft poezi të tjera gjejmë anafora dhe përsëritje të shumta si në poezinë Nuk di…

O Zot!
Nuk di Të të shoh,
nuk di Të të njoh,
nuk di Të të pranoj në jetën time,
nuk di Të të falënderoj,
nuk di Të të dashuroj., ku në vazhdim do ta gjejmë të përsëritur edhe në vargje pasuese të cilat nuk po i paraqesim të gjitha këtu.

Shpesh poeti thërret në ndihmë eksklamacione shpërthyese që i jep forcë ndjenjës së tij në mjaft poezi. Këtu po sjellim disa prej tyre marrë si shembull nga poezia Harro, që të jetosh:

Është bukur, oh sa bukur të kujtosh,…
Është bukur, oh sa bukur të kujtosh,… që përsëritet në fillim të çdo strofe të kësaj poezie. Tek poezia Sa i ëmbël ky pranim ka përdorur, gjithashtu këto eksklamacione:

Oh, sa i ëmbël ky pranim,
o Atë i shenjtë, o Zoti im!, si dhe tek poezia Lajmi më i Mirë: Oh, sa e bukur jeta me gjithë këtë bekim,

Tek poezia Apostulli i gëzimit gjejmë një varg enumeracionesh si: edhe kur ka shi, breshër, borë dhe stuhi, si dhe tek poezia Harro, që të jetosh kemi këtë enumeracion: Kur për shtëpinë, fshatin e fatet e Atdheut, ndërsa tek poezia Më e mira gjejmë:

Më e mira që mund të bëjmë,
më e madhja që mund të bëjmë,
më e bukura, më e dashura,
më e lavdishmja
që ne mund të bëjmë, etj. Tek poezia Dedikim… gjejmë edhe këto enumeracione:

për ty që gjendesh / në mesin e kontrastit/ të ligështisë e të forcës,/ të luftës e të paqes,/ të territ e të dritës,/ të pikëllimit e të gëzimit: që ndryshe mund t’i quajmë edhe enumneracion antonimesh, apo kontrastesh.

Në përfundim mund të themi se ky vëllim poetik mund të lexohet me një frymë, jo vetëm nga vlerat poetike që ka, por edhe për mesazhin që autori kërkon të përçojë tek lexuesi i tij. Ai, megjithëse me prirje fetare kristiane që përcaktohet nga rrugëtimi që i ka caktuar jetës së tij, kërkon që ta tregojë qartë mendimin e tij për të gjithë lexuesit të çdo feje e ideje se rruga më e mirë është ajo që Ati Qiellor kërkon nga çdo njeri, rruga e mirësisë dhe e dashurisë njerëzore, rruga e vëllazërimit dhe e paqes, pa luftëra e pa gjakderdhje të panevojshme. Poezitë e tij kanë karakter edukativ, ndaj duhen lexuar nga të gjithë.

Tom Gjokhilaj
Londër, më 21 mars 2024.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.