STUDIM QË NDRIÇON MIRËFILLI VLERAT THELBËSORE TË KANUNIT

0
Anton Nikë Berisha - Kanuni

Prend Buzhala

Anton Nikë Berisha, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë”. Studim. Edhe me Parathâne të Fishtës të vitit 1933, botoi Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve – Shkup 2023.

Prend Buzhala
Prend Buzhala

Kur autori në studimin e tij “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë” thekson te teksti hyrës (“Fjalë paraprake”) se qëllimi i studimit dhe botimit të Kanunit nuk është për t’i zbatuar rregullat në kohën moderne, por për t’i kuptuar dhe ndriçuar trashëgiminë, pasurinë dhe veçantinë e popullit tonë shqiptar; ai këtë e bën edhe që të kem njohuri mbi rrjedhat kulturore dhe shpirtërore. I njohur tashmë si autor që këto veçanti t’i hulumtojë, qëmtojë e këndvështrojë edhe në punime me karakter studimor-letrar; ai këtë kërkesë, madje, e zbaton qoftë edhe kur i zgjedh e përgatit për botim veprat diskursive të traditës sonë letrare (shih titullin e veprës “Shqyptari dhe bota e tij” të Anton Harapit, botim i SHB “Faik Konica, Prishtinë, 2003).

Gjakues i përhershëm i këtyre traditave, ai i trajton ato nga disa qasje përmasore: nga ai i studimeve të letërsisë gojore, nga këndvështrimi i përqasjeve së kësaj tradite me njohjen dhe komunikimin me trashëgiminë kulturore. Autori thekson se botimi i Kanunit krijon mundësinë për studimin e mirëfilltë të tij; gjithashtu na e sjell në mbamendje rëndësinë e librave në jetën shpirtërore të një kombi.

Në këso rastesh, autori parapëlqen qasjen hermeneutike, duke përdorur mendimet e filozofëve si Gadamer dhe Folkner për të argumentuar se tradita është një forcë e gjallë që vazhdon të aktualizohet në përvojat e reja. Në këtë drejtim, ai e interpreton Kanunin si një trashëgimi të gjallë që vazhdon të jetë faktor ndikues në shoqërinë dhe kulturën shqiptare. Nga ana tjetër, duke përmendur kontributin e autorëve të tjerë si atë Pashko Bardhi dhe Faik Konica në përhapjen dhe pasurimin e kësaj trashëgimie, autori ka pikësynim kuptimin e qenësisë dhe vlerave kryesore të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Në fillim vë dy paratekste citimesh nga Atë Bernardin Palaj dhe Faik Konica, dy figura të rëndësishme në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, për të na dëftuar krahasimin e Kanunit me ligjet dhe traditat e popujve të tjerë evropianë. Futemi, kësisoj, në diakroninë dhe sinkroninë e kësaj trashëgimie, me një vlerësim të thuktë për thellësinë dhe vlerat klasike të Kanunit, duke e përkufizuar atë si një testament të trashëgimisë së shquar kulturore shqiptare (Palaj) dhe vlerësimin për Gjeçovin dhe punën e tij në mënyrë të qartë, të palodhur dhe të hollë në mbledhjen dhe analizën e Kanunit të Lekë Dukagjinit (Konica).

 

  1. Analiza të qëndrueshme dhe të gjithanshme

Te pjesa “Trashëgimia gojore: kohët e gjallimit dhe koha e shënimit” analizohet rëndësia e trashëgimisë gojore në kontekstin e kulturës dhe historisë shqiptare. E nis me një përmendje të tri elementeve kryesore të studimit të kësaj trashëgimie: kohën e gjallimit të dukurive, kohën e shënimin e tyre në formën e shkruar dhe rëndësinë e tyre si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore. Argumenton se studimi i trashëgimisë kulturore dhe letrare është i rëndësishëm për pasurimin shpirtëror dhe artistik të një kombi. Përmend vepra të famshme letrare si “Epin e Gilgameshit”, “Iliadën”, dhe “Vedat” si shembuj të vlerës së trashëgimisë së shkruar që ndikuan në zhvillimin e kulturës së popujve të ndryshëm. Në këtë kontekst, edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme, e cila duhet studiuar për vlerat që e cilësojnë.

Trashëgimia shqiptare, ku hyn Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmban shtesa dhe ka pësuar ndryshime të shfaqura nëpër kohë dhe rrethana përkatëse. Duke e përshkruar këtë proces si një rrjedhojë e ndryshimeve që nga koha e lashtë dhe si një pjesë e pashmangshme e zhvillimit të trashëgimisë kulturore, ai përfundon se, për ta kuptuar këtë trashëgimi, duhet ta shohim atë si një përcaktim të formave origjinale të krijimeve të letërsisë gojore, që janë pasqyrim i një bote të lashtë dhe që mbetet e pa mbërrishme për ne. Si shembull konkret i kohës së gjallimit të trashëgimisë gojore në botën arbërore shqiptare, është përqasja e këngëve kreshnike. Këto këngë janë transmetuar gojarisht prej brezi në brez, përmes formës gojore dhe interpretimit të tyre nëpërmjet shfaqjeve të jetës së përditshme.

Pjesa tjetër “Shkasi i parë ose ndërliqësia e njohjes së varianteve”, e diskuton ndërlidhjen midis varianteve të ndryshme të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Autori në fillim thekson se rregullat e sjelljes dhe zakonet u zhvilluan në bashkësi vëllazërore ose fisnore nëpërmjet këngës dhe rrëfimit, dhe me kalimin e kohës ato u pasuruan dhe u përshtatën sipas rrethanave të ndryshme shoqërore dhe historike.

Nëpërmjet shembujve si publikimi i parë i shkruar për traditën zakonore në revistën “Albania” dhe citimi i Talesit të Miletit për shkaqet e lindjes së dukurive, autorit e ndriçon lidhjen e ngushtë midis rrjedhës së historisë dhe njohjes së varianteve të ndryshme të Kanunit të Lekë Dukagjinit; dëshmon se kjo ndërlidhje është e ndërlikuar për shkak të natyrës metaforike dhe të pakodifikuar në formë të shkrimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit e që e bën të vështirë zgjidhjen përfundimtare të çështjeve, duke përdorë shembuj të tjerë nga trashëgimia botërore për të na ilustruar se si rregullat dhe traditat zakonore ndikojnë në jetën e përditshme të një populli dhe si ato ruhen dhe transmetohen përmes konteksteve kohore. Rrjedha e varianteve të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ndikimi i tyre në jetën e popullit shqiptar, janë të pashmangshme dhe vazhdojnë të jenë të ndjeshme edhe në ditët tona.

I kësaj fryme shtjellimesh është edhe pjesa me titullin “Kanuni i Maleve dhe variantet e tjera”, i cili është një vështrim analitik i natyrës dhe rëndësisë së Kanunit të Lekë Dukagjinit (KLD) në kontekstin e varianteve; trajtohet dallimi midis KLD dhe varianteve të tjera të tij, duke theksuar se KLD është një shtesë e vonshme e Kanunit të Maleve. Shtjellohet rëndësia e materialeve të pashtjelluara të mbledhura nga Shtjefën Gjeçovi, duke sugjeruar se ato dëshmojnë për motërzime (variante) të ndryshme të Kanunit.

Pjesa më e madhe e analizës i është kushtuar materialeve të dorëshkrimeve të Gjeçovit. Duke theksuar se KLD mishëron mençurinë, në përfundim autori thekson rolin e filozofisë dhe përvojës jetësore në kanunet shqiptare, duke sugjeruar se ato përmbajnë një pasuri të thellë kulturore dhe shpirtërore. Përgjithësisht, kjo pjesë ofron një analizë të qëndrueshme dhe të gjithanshme të natyrës së Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të varianteve të tjera, duke nxjerrë në pah rëndësinë e tyre për kuptimin e trashëgimisë juridike dhe kulturore shqiptare.

Për rolin e varianteve dhe motërzimeve autor thotë: “Edhe pse ka ndryshime midis varianteve të KLD, të gjitha ato mbajnë një theks të veçantë në ruajtjen dhe ndërhyrjen në jetën shoqërore dhe familjare”; ose për rëndësinë e Dorëshkrimeve të Gjeçovit: “Materiale të pashtjelluara nga Gjeçovi tregojnë për shtesat dhe komentet e autorit lidhur me institute të ndryshme kanunore, duke sjellë një ndriçim më të thellë të disa aspekteve të jetës shoqërore dhe juridike.”; ose, më në fund, edhe për mishërimin e mençurisë dhe filozofisë në kanunet tona: “Kanunet shqiptare përmbajnë elemente të mençurisë dhe filozofisë, duke përfshirë një përvojë jetësore mijëvjeçare, duke e bërë atë një pasuri të rëndësishme kulturore dhe shpirtërore.”

 

  1. Interpretim i thelluar i lashtësisë së Kanunit dhe i vlerave të tij

Pjesa me një rëndësi të veçantë është ajo me titull “Lashtësia e Kanunit të Maleve”, në të cilin këndvështron dhe vlerëson vjetërsinë e Kanunit të maleve dhe të Kanunit të Lekë Dukagjinit në kontekstin e të drejtës zakonore shqiptare. Kjo analizë na vë në pah lashtësinë e rregullave dhe zakoneve të përmbledhura në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe kanuneve të tjera, duke i vënë në kontekstin e shoqërive pa organizim shtetëror dhe jetës së lashtë. Është dëshmi e një trashëgimie të thellë kulturore dhe shpirtërore. Ndërkaq, kur jep vlerësime dhe krahasime me traditat dhe zakonet e popujve të tjerë, si me romakët, grekët dhe japonezët e lashtë, ai këtë e bën për t’i theksuar ngjashmëritë dhe ndryshimet në sistemet e tyre të drejtësisë dhe kulturës shoqërore. Analiza përqendrohet në strukturën e shoqërisë dhe bashkësisë fisnore, duke e krahasuar atë me strukturat e popujve të tjerë antikë dhe duke e lidhur atë me rregullat dhe zakonet e Kanunit të maleve.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një vepër e qenësishme jo vetëm në rrafshin e së drejtës zakonore dhe ndriçimin e një varg dukurish që e bënin jetën e njeriut në të kaluarën e largët, por edhe për në rrafshin filozofik, sociologjik, letrar dhe gjuhësor”, – me këtë aspekt autori merret te pjesa “Kanuni – përligjje e pasurisë etnike, kulturore dhe shpirtërore të arbërorëve – shqiptarëve”. KLD ngërthen në vete një varg vlerash e çështjesh që meritojnë të studiohen nga rrafshe e pikëvështrime të ndryshme, nga studiues të mirëfilltë të shumë fushave, edhe të specialistëve të një fushe. Pra, teksti i KLD ofron një lëndë sa të gjerë, aq dhe të pasur e me vlerë si për juristin, për etnologun, për etnografin, për sociologun, për gjuhëtarin, për studiuesin e letërsisë.

Nëpërmjet shembujve dhe citimeve, bëhet një analizë e thellë e rëndësisë së disa koncepteve të Kanunit, si besa, nderi, mikpritja, dhe pranimi i mysafirit, duke i lidhur ato me karakteristikat morale dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet përjetimeve si ajo e Uc Lleshit, shfaqet edhe rëndësia e pranimit të mysafirit në traditën shqiptare dhe pasojat e mosrespektimit të kësaj tradite. Kjo e bën kanunin jo vetëm një kodeks ligjor, por gjithashtu një testament të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve dh për ndërthurjen e thellë të vlerave etnike, kulturore dhe shpirtërore.

Në pjesën e fundit me titullin “Çka dëshmon gjuha e Kanunit të Lekë Dukagjinit?”, autori na ofron një interpretim të thelluar të rëndësisë së gjuhës së Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ndikimit të tij në trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore të popullit tonë. Theksohet se i Kanuni dëshmon shprehjen e thellë të identitetit dhe të zakoneve, duke shërbyer si një kod moral dhe kulturor që e shoqëron jetën e përditshme dhe vendos bazën e drejtësisë të një shoqërie. Teksti përfshin mendimet e disa studiuesve të shquar për gjuhën dhe stilin e Kanunit, duke theksuar veçoritë e rëndësishme stilistike dhe leksikore të përdorura. Përveç kësaj, prezantohet një shkallë e gjerë e shprehjes gjuhësore që përdoret në tekst, duke përfshirë formulat e qëndrueshme, interpretimin e tyre dhe përshkrimin e riteve. Përfundohet me një vlerësim se sa rëndësi ka të kthehemi dhe të merremi me to.

 

  1. Çka na thonë Fishta, Konica dhe atë Pashk Bardhi?

Në fund të librit vijnë dy shtojca: “PARATHÂNE E FISHTËS DHE PUNIMET E ATË PASHK BARDHI DHE FAIK KONICA PËR ATË SHTJEFËN GJEÇOVIN” dhe shtojca 2 “MENDIME TË ZGJEDHURA NGA KANUNI I LEKË DUKAGJINIT”.

Fishta paraqet disa argumente dhe analiza për ta vlerësuar rolin dhe ndikimin e këtij kanuni në shoqërinë shqiptare. Ai e fillon me një shpjegim të etimologjisë së fjalës “kanûn” dhe lidhjen e saj me traditën dhe ligjet gojore të shqiptarëve. Përse Kanun quhet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”?

Ka shpjegime të ndryshme, duke përfshirë edhe atë se Lekë Dukagjini do të ketë qenë personi i parë që e mblodhi dhe e kodifikoi Kanunin. Nga ana tjetër, Fishta argumenton për vlerën juridike të Kanunit, sidomos gjatë periudhës së pushtimit otoman. Citon shembuj historikë për të dëshmuar se Kanuni kishte një autoritet të vërtetë dhe ishte i detyrueshëm për popullsinë, ndërsa administrata otomane ishte përpjekur të zbatonte taksat dhe ligjet e tyre jashtë kufijve të Kanunit. Analizon se si Kanuni reflekton vlerat dhe moralin e shoqërisë shqiptare dhe si ai ka qenë një nga bazat e ligjit të shoqërisë së organizuar në kohët e pasqyruara në tekstin e tij. Fishta diskuton etimologjinë e fjalës “kanûn”:

“Fjala kanûn s’ká dyshim, se etimologisht rrjedh prej fjalet greqishte χανών, qi don me thânë: mastár – njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta.”

Dhe pohon më tutje për emërtimin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”:

“Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue…”

Ose për vlerën juridike të Kanunit në histori:

“Nuk ká dyshim pra, se ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, kohen e pushtimit otoman në Shqypní, ká pasë vlerë juridike e âsht njefë per ligjë civile detyruese nder male të Mishkodres e në Dukagjin.”

Kanuni në kontekstin e kulturës dhe gjyqësorit: „Duket pra mirfillit se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet qi kombi shqyptár âsht barbar e qi nuk âsht i zoti me u qeverisë në vedvedi i pamvarshem.”

Fishta flet për shkallët e ndryshme të kulturës dhe “gjytetnís së popujve” në kontekstin e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe përdor analogjinë midis trupit dhe shpirtit: “Kshtû, per analogí, âsht njapernja edhè Shteti. Shpirti i Shtetit âsht popullsija perkatse, e trupi, pershtrimenija toksore mbrenda kufîjve të caktuem e të njoftun.” Po ashtu, përshkruan katër shkallë të ndryshme të kulturës dhe gjytetnís së popujve, duke filluar nga kultura kristiano-okcidentale, e cila përmban parime të njohtura prej Vedave dhe së Vërtetës hyjnuese, deri te kultura e popujve të tjerë që nuk e bazojnë moralin e tyre në parime të zbuluara.

Ai vë në dukje se kjo popullsi ishte ndikuar nga kontaktet me vende të tjera dhe kishte zhvilluar një kulturë të veçantë, por mbetej nën influencën e traditave fetare dhe trashëgimisë kulturore të mëparshme. Zbërthen praktikën e punës së gjakut nën Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe argumenton për ligjshmërinë e saj, duke e kundërshtuar idenë se ky veprim shënon barbarinë e kombit. Fishta thekson edhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike të popullit shqiptar, duke e vlerësuar atë si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe përcjellë për tek brezat e ardhshëm.

Te këto shtojca përfshihet edhe vlerësimi i Faik Koniztës për atë Gjeçovin në shkrimin “Ca Kujtime Mbi Át Gjeçovin”, i cili është një përshkrim i ndjeshëm dhe i admirueshëm për personalitetin e këtij françeskani. Ai e përshkruan Atë Gjeçovin si një njeri që fitonte besimin dhe dashurinë menjëherë, duke treguar për ndikimin e fuqishëm që ai kishte në të tjerët. Përshkrimi i famullisë ku rronte ky frat, është një shprehje e përulësisë dhe pastërtisë së karakterit të tij, që e bën atë të respektohet dhe të admirohet.

Po ashtu, edhe pjesët e zgjedhura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, shfaqin disa prej ligjeve dhe mendimeve të rëndësishme që rregullojnë jetën shoqërore dhe juridike në kulturën shqiptare tradicionale. Bie fjala, si këto:

“Kisha shpatë e konop s’ká.”

“Gruja s’bjen në gjak.”

“E mira e perbashkët i paravêhet dâmit të veçanët.”

“Mbrenda kufinit të huej nuk mundet me hî kush per gjojë; po muer két guxim kush, gjoia i ndalet e kthehet në shpi pá gjâ.”

“Beja e Shqyptarit ká dý pûnë para sŷsh: a) thrret Perendín në dishmí të së vertetës, b) i nënshtrohet randimit të ndeshkimevet të perjetshme e giobës së kohshme kah kanûja.”

Këto citate të zgjedhura nga KLD shfaqin një pjesë të asaj që Kanuni synon të bëjë: të rregullojë marrëdhëniet shoqërore dhe të promovojë drejtësinë dhe rregullin. Disa prej tyre tregojnë për respektin ndaj grave dhe për mbrojtjen e tyre në shoqëri. Ligji për mosndërhyrjen në punët e Zotit dhe për nënshtrimin ndaj ligjit të drejtësisë, shfaq një përmbajtje të thellë fetare dhe morale në kanunin shqiptar. Pjesët tjera tregojnë rëndësinë e bashkëpunimit dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, si dhe rëndësinë e të mirës së përbashkët, thekson vlerat e solidaritetit dhe bashkëpunimit në shoqëri, sidomos në lartësimin e kodit të besës shqiptare.

Pjesët e zgjedhura shprehin një gamë të gjerë vlerash, si integriteti moral, drejtësia, respekti për traditën, besën etj. Vlera e tyre është e rëndësishme për t’i kuptuar thellësisht normat, vlerat dhe etikën e kulturës së lashtë shqiptare.

Çdo citat a thënie e zgjedhur, përfaqëson një udhëzim të përditshëm moral dhe shoqëror për individin dhe shoqërinë në tërësi, duke kultivuar një klimë të respektit dhe ndërgjegjësimit të përbashkët, siç janë këto:

Respekti për miqtë dhe mikpritja: “Miku nuk mûnd të hîjë në shpi, pà bâ za n’oborr.”

Vendosja e vlerave morale mbi çdo gjë: “Çmimi i jetës së nierit âsht nji, si per të mirin si edhè per të keqin.”

Drejtësia dhe barazia: “Kanûni i Malevet të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nierit.”

Mbrojtja e miqësisë dhe besës: “Kush vret mikun në besë, grihet, giobitet, digjet e xieret prej vendit.”

Respekti për mikun dhe shtëpinë: “Shpija e Shqyptarit âsht e Zotit e e mikut.”

Kujdesi për të drejtat e të tjerëve: “Dami ká çmim, por jo giobë. Dami ká çmim, por jo pushkë.”

Rregullimi i mosmarrëveshjeve: “Fjala e rândë nuk bâhet në kuvend” tregon se diskutimet dhe mosmarrëveshjet duhet të trajtohen me respekt dhe në mënyrë të qetë, duke i shmangur konfliktet dhe grindjet publike.

Mbështetja për të sëmurët dhe të dobëtit: “Miku të lodhun do t’i vîhet rreth me të pritun me nderë.” – tregon vlerën e mbështetjes dhe solidaritetit ndaj atyre që kanë nevojë, duke e përcaktuar këtë si një detyrë morale dhe shoqërore për të gjithë.

“Miku, edhèpse xên kryet e vendit në shpi a kûdo, kurr s’prîn, por do t’i prijsh.” – thekson rëndësinë e të mbajturit të fjalës dhe përmbushjes së premtimit, si shenjë respekti dhe integriteti.

“Kush vjedhë Shpín e strajcen e mikut, kanûja i kà caktue per giobë ‘faqen e zezë’ e âsht i hjedhun prej kuvendit e gjyqit.” – thekson rëndësinë e respektimit të pronës së tjetrit dhe dënimin e vjedhjes, duke e shfaqur këtë si një shkelje të rëndë të ligjit dhe moralit.

Kush e ep fishekun, gjakun e bân të ve’n.” – thekson rëndësinë e mbrojtjes së miqësisë dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve, duke treguar se shkelja e besimit dhe agresioni ndaj një miqësie është e papranueshme.

“Me çue gjind per besë âsht kanû, me dhânë besë âsht detyrë e burrní.” – thekson se përmbushja e premtimit dhe përmbajtja e besës është një detyrë morale për secilin individ, duke e cilësuar atë si një cilësi thelbësore të karakterit dhe integritetit.

“Dorzânë e bestàr nuk- hîn kush me pare.” – tregon rëndësinë e mbrojtjes së të dobëtëve dhe të të pafajshmëve në shoqëri, duke u shmangur nga veprimet e padrejta kundër tyre.

Kuptimi i ligjit dhe rëndësia e drejtësisë: “Kush e vret mikun në besë, grihet, giobitet, digjet e xieret prej vendit.” – thekson se ata që shkelin rregullat e shoqërisë dhe veprojnë kundër ligjit, duhet të përballojnë përgjegjësinë dhe dënimin, duke treguar kështu rëndësinë e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit pa përjashtim.

Zbatim i rregullave të respektimit të shtëpisë: “Duert në treveze i lán i zoti i shpís, mandej miku.”- përmbledh rregullat tradicionale të mikpritjes në kulturën tradicionale shqiptare.

 

  1. Kuvendi sipas Kanunit

Në çdo shoqëri, procesi i vendimmarrjes në kuvend është një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe për mirëqenien e të gjithë banorëve. Në kulturën e traditës shqiptare, rregullat dhe traditat e kuvendit janë thelbësore për ruajtjen e rendit dhe harmonisë në shoqëri. Thënia “Fjala e rândë nuk bâhet në kuvend” përmban një parim të rëndësishëm të rregullave të sjelljes dhe respektimit të fjalës së rândë. Kjo frazë thekson se në kuvend duhet të nderohet një nivel i caktuar i sjelljes dhe komunikimit, duke shmangur fjalët e rënda dhe ofenduese që mund të shkaktojnë konflikte. Nëse një person ndërhyn në kuvend me fjalë të tilla, do të përballet me pasoja ligjore, siç shpreh citati: “Kanûja s’bân qi të shahet kush në kuvend, po bâni kush két pûnë, do të giobitet mjé në 5 desh”.

Komunikimi i hapur dhe i respektueshëm është thelbësor për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të arritur marrëveshje të përbashkëta.

 

  1. Disa përveçime të tjera

Në kontekstin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, vlerësimi i mikut dhe mikpritja kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e harmonisë dhe stabilitetit në shoqëri. Kanuni përcakton disa rregulla dhe parime që duhet të ndiqen për të mbrojtur miqtë dhe për të siguruar një ambient të mbarështuar shoqëror. Mikpritja, në anën tjetër, është një vlerë themelore në traditën shqiptare, e cila shpreh dashurinë dhe respektin ndaj mysafirëve dhe të huajve.

Studiuesi Anton N. Berisha nuk e ka përzgjedhur më kot edhe shkrimin e A. P. Bardhit, O. F. M. “Shënjime biografike mbi Át Shtjefën Konstantin Gjeçov”, për faktin se shënimet janë autentike dhe ofrojnë një pamje të ngjarjeve dhe kontributit të shquar të atë Shtjefën Gjeçovit në jetën nacionale dhe kulturën shqiptare. Duke filluar nga origjina e tij në Janjevë të Kosovës dhe rrugëtimin e tij për të marrë mësimet e larta në fusha të ndryshme, nga filozofia dhe teologjia deri tek arkeologjia. Të dhënat dëshmojnë për  një shtegtim intelektual dhe kulturor tejet të pasur. Në veçanti, ky tekst ndriçon rolin e shumëfishtë të atë Shtjefën Gjeçovit, edhe për të mbledhur fjalë dhe fraza të popullit shqiptar dhe punën si meshtar dhe udhëheqës fetar.

 

  1. Studim që paraqet një kontribut të rëndësishëm

Ky studim, me përzgjedhjet që bën, paraqet një ndër kontributet më të rëndësishme e më të vyeshme në letrat tona. Libri na ofron një perspektivë të re dhe një këndvështrim të thukët për ta kuptuar dhe për t’i analizuar kulturën, identitetin dhe traditat tona në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ka një gërshetim të shumë fushave të dijes që autori na i sjell në tryezën e leximit: studime nga letërsia popullore dhe nga etnografia, nga antropologjia kulturore dhe nga historia, nga strukturat sociale, fetare dhe kulturore, që kanë ndikuar në formimin e kodit jetësor e etik shqiptar, nga ato linguistike e deri te aspektet psikologjike të sjelljes së njeriut shqiptar në zhvillimin e kulturës dhe shoqërisë sonë.

Pra, vepra shquhet për qasje ndërdisiplinore. Anton N. Berisha përdor një stil të qartë dhe të kuptueshëm për lexuesit nga të gjitha sferat që ta kuptojnë kompleksitetin e lëndës së trajtuar. Kanunit i janë bërë shumë studime e përqasje si nga studiuesit shqiptarë, ashtu edhe nga të huajt. Se Kanuni është një tekst i hapur dhe me vlera shumështresore, na e dëshmon më së miri studimi Anton Nikë Berishës.

Vepra “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë” është një shembull me vlerë se si një autor i qaset Kanunit nga shumë aspekte e fusha të dijes, duke na dhuruar një studim me vlera dhe duke ofruar një pamje të thellë dhe të gjithanshme të trashëgimisë dhe traditës sonë zakonore.

Maj-qershor 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.