Foto: Prof. Alban Dibra
Njëzët e katër orë në shërbim cilësor ndaj pacientëve
Nga Gëzim Loka
Sot, në këtë katrahurë përbaltje të gjithçkaje, herë me të drejtë e herë për inerci, ku mjekësia shqiptare është ndër më të goditurat dhe pjesë e një stigmatizimi të shtypit e mediave, nxjerrja në pah e figurave që përcjellin një model përkushtimi e shprese për qytetarët është detyrë e gjithëkujt, që e prek dhe e përfiton këtë model.
Një nga ata që e preka me duart e mia dhe e ndjeva me zemrën time të sëmurë këtë model shërbimi e përkushtimi ndaj pacinetit jam dhe unë, autori i këtyre radhëve…
Në të gdhirë të 23 janarit 2023, më kapi një dhimbje e fortë gjoksi dhe këputje krahësh.
Kjo u shoqërua me një dobësi të theksuar të trupit dhe pafuqi për të qëndruar në këmbë, çfarë më detyruan që të paraqitem tek urgjenca në Spitalin “Nënë Tereza”, ku pas ekzaminimeve të rastit më çuan në sallën e operacionit, për të më bërë operim po atë ditë, por për shkak të gjendjes time tejet të rënduar, operacioni u krye pas tre ditësh, pra me 26 shkurt.
Unë vuaj nga zemra tash njëzët e dy vjet, ku i jam nënshtruar një operimi në Spitalin e Aviacionit Grek nr.251 Athinë, në tetor të vitit 2001. Pas kësaj jam paraqitur në këtë spital disa herë për kontroll si dhe kam bërë koronaren në Turqi, në Spitalin GATA në Ankara, në vitin 2011.
Gjatë kësaj sfide të re që mu desh ta përballoja para rreth një muaj, dua të hedh disa radhë mirënjohje zemre për Prof. Alban Dibra, i cili drejton me profesionalizëm shërbimin e Kardiologjisë në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë dhe mentoron ekipin ekselent të Hemodinamikës, në shërbim 24/7 për interventet kardiake me metoda të avancuara.
Kisha dëgjuar fjalë shumë të mira për Prof. Alban Dibra, por kur e preka vetë përkujdesjen shembullore të tij dhe të stafit që ai drejton ndaj meje dhe ndaj gjithë pacientëve që më rastisi të shikoj në këtë betejë time për jetën, u ndieva vërtet i prekur, i emocionuar dhe mirënjohës, shumë mirënjohës.
Gadishmëria e tij dhe e ekipit që ai drejton për të qenë njëzet e katër orë në dispozicion të pacinetëve, vërtet të mrekullon e të mbushë me shpresë për të ardhmen e mjekësisë shqiptare, që të mbështetet e të ecë përpara sipas modelit që ofron Prof. Alban Dibra dhe kolegët e tij të nderuar.
Prof. Dibra gëzon respekt dhe vlerësim tek të gjithë pacientët që iu ka shërbyer, tek kolegët, studentët e Fakultetit të Mjekësisë ndër vite dhe tek të gjithë ata të sëmurë që kanë prekur me dorë dhe zemër përkushtimin e tij, që është një model që duhet ndjekur.
Gjithçka në shërbimin e Kardiologjisë, që drejton Prof. Alban Dibra, është në vendin e vet dhe me predispozitat maksimale për shërbim të shpejtë e të kualifikuar, të cilin e shikon tek çdo punonjës, që nga infermieret e gjer te sanitaret.
Pastërti, rregull, disiplinë, përkushtim në punë, këto i vëren gjatë gjithë kohës dhe kjo tregon se këtu punohet me përgjegjësi dhe emocion pozitiv dhe jo sa për të kaluar radhën, siç ndodh jo rrallë me shumë mjekë dhe me një pjesë të konsiderueshme të shërbimeve spitalore.
Këtu iu shërbehet cilësisht e gjatë njëzet e katër orëve pa ndërpreje të sëmurëve, të cilët ndihen mirë dhe iu ngjallet shpresa për shërim të shpejtë e të plotë, çfarë është një nga premisat për rehabilitim real dhe afatgjatë të pacientëve.
Fjalët më të mira dua të them dhe për Dr. Edison Katana, i cili më ndoqi së bashku me ekipin e tij në disa vizita dhe këshillime mjekësore, duke treguar gadishmëri e profesionalizëm, por mbi të gjitha trajtimin e pacientit me respect e humanizëm.