Deputeti Nikollë Camaj, një përfaqësues dinjitar i mbrojtjes e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi

0
122
Nikollë Camaj

Shkruan: Ramiz TAFILAJ, Houston, Texas – 13 Qershor 2023

Lajmin e mirë për fitoren e Shqiptarëve me 6 ulëse në Kuvendin disa etnishë të Malit të Zi (4 prej tyre të partive nacionale shqiptare) e pritëm me interes të veçantë dhe na përcjelli gëzim të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan të Huostonit e të Dallasit në Teksas dhe në të gjithë SHBA, sepse tashti ma shumë e ma mirë se asnjëherë tjetër në historinë politike postkomuniste të këtij shteti të vogël ballkanik do të jenë një fuqi, faktor, forcë politike përcaktuese në përbërjen e Parlamentit, në formimin e Qeverisë së re, në zhvillimet politike-diplomatike-ekonomike-sociale-kulturore-ushtarake në Malin e Zi.

Sot, dua të ndaj me Ju, zoti Nikollë Camaj, lumturimin tim për zgjedhjen Tuaj deputet meritor në Kuvendin e Malit të Zi, si një përfaqësues dinjitar i mbrojtjes e afirmimit të të drejtave universale, kushteteuese dhe etnike të Shqiptarëve në Malin e Zi, si një zë i fuqishëm me përvojë e dituri i Koalicionit tuaj trepartiak “Forumi Shqiptar”; si politikan i njohur shqiptar e kombëtar në 34 vite veprimtari politike, nga sekretar i parë i subjektit të parë politik shqiptar, Lidhjes Demokratike në Malin e Zi (LDnëMZ, themelue në Tuz, 09.09.1990), prej kohësh Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare në MZ (themelue në Tuz/Malësi), ma herët edhe kryesues i “Forumit Shqiptar” dhe i Kuvendit Komunal të Tuzit, po edhe si zyrtar i lartë në komunën e re me shumicë shqiptare të Tuzit, etj.

Dëshirojmë që Kuvendi i ri i Malit të Zi në seancën e tij më të parë të legjislaturës së re dhe Qeveria e re e Malit të Zi t’i vlerësojnë e t’i çmojnë  përpjekjet, kontributet, vlerat e meritat tuaja të veprimtarisë politike e shoqërore  në mbi 30 vite, duke iu dhënë Ju, vendin e funksione të merituara në legjislativ e ekzekutiv, pasi jeni një personalitet shumëdimensional, me integritet të lartë njerëzor e politik, keni një emër të mirë si njeri i traditës e bashkëkohësisë, si profesor në mbi 20 vite i letërsisë shqipe në gjimnazin e Tuzit, si politikan në dekadat e fundit, si përkthyes, si studiues, si publicist, si një personalitet mjaft i njohur e nderuar në Rajonin Ballkanik Shqiptar, në Mërgatën Shqiptare në Amerikë, ndër Shqiptarët në Europë.

I nderuari ynë, deputeti Nikollë Camaj, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të “Gazeta e Alpeve”– media PanShqipatre e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut), dua t’iu faleminderoj për punën Tuaj me plot përkushtim e sakrifica, me bashkëpunime cilësore, në detyrën tuaj misionare e vullnetare si Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi, duke arritë që kjo gazetë të jetë e dyta në Malin e Zi (pas “Koha Javore”) në shpërndarje ndër lexuesit shqiptarë në Tuz e Podgoricë, në Ulqin e Tivar, në Plavë e Guci dhe në Rozhajë, duke kontribuar me shkrime mjaft cilësore nga ana Juaj, duke u përpjekur që edhe kjo gazetë t’iu shërbejnë sa më shumë e më mirë integrimeve e zhvillimeve panshqiptare e ndërballkanike në Malin e Zi e në Sanxhak.

Gjithashtu e çmojmë shumë edhe pjesmarrjen tuaj elitare si një ndër përfaqësuesit kryesorë të Shqiptarëve në Malin e Zi në veprimtaritë kombëtare, ndërballkanike e ndërkombëtare të “Gazeta e Alpeve”, si në “Takimi i Madh i Shkodres” me 23 tetor 2021, ku mbajtët edhe një kumtesë me mjaft interes kombëtar e rajonal; në “Takimin e Parë të Plavë-Gucisë”(2019) dhe  në “Takimi i Dytë i Plavë-Gucisë” (2021)-ku në këtë të fundit e mbajtët Fjalën e Hapjes; në “Takimi i Madh i Prishtinës” (13 maj 2022)- ku edhe përshendetët në emër të Shqiptarëve në Malin e Zi; në “Kuvendin e Madh të Ulqinit” (29 prill 2023), ku e mbajtët Fjalën e Mbylljes të këtij Kuvendi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik.

Meqë po flasim për “Kuvendin e Madh të Ulqinit” dua të them edhe një herë tjetër, se kishim kënaqësi të madhe kur në sallën e Kuvendit e ndamë Çmimin e Lartë “Fisnikëri Shqiptare” për babain Tuaj, Rrok Pjetër Zeku i Camajve të Hotit e Tuzit/Malësisë, me motivacionin: “Personalitet i profilit e formatit të lartë për burrërinë tipike malësore, për virtytin e shquar njerëzor të humanizmit, për aktin fisnik të 19 dhjetorit 1972 të pajtimit të dy familjeve në Tuz deri përtej sakrificës;  për vajtimet (brimtaritë) e tij me famë që kanë hyrë dhe në botime antologjike të Shqiptarëve në Malin e Zi”. Edhe më e madhe ishte kjo kënaqësi e imja dhe e ne të gjithëve në Kuvendin e Madh të Ulqinit, kur djali i juaj, Dr. Klement Camaj– profesor i rregullt në “University of the West Scotland” në Londër, e mori këtë vlerësim të madh për gjyshin e tij të nderuar e të paharruar.

Edhe tek ky fakt i 29 prillit 2023 në Ulqinin historik, kulturor e turistik, pashë edhe një herë tjetër, se ndër breza genesh jeni një familje e mirënjohur në Malësi e Shqiptari; me tradita, virtyte, vlera atdhetare kombëtare dhe njerëzore; që rrezatoni me kontributet tuaja në Tuz e Malin e Zi, në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe me djalin tuaj Klementin, në  Shtetet e Bashkuara me vllaun tuaj elitar, dr. Pashko R. Camaj i Federatës PanShqiptare “Vatra”, i mjekësisë amerikane, i Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Ju, të gjithë si familje, ndër breza, jeni një familje e nderuar shqiptare, por edhe një familje anglo-saksone, që i shërbeni Kombit Shqiptar, miqësisë me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, me botën Euro-Atlantike.

Në përfundim të kësaj letre urimi, të kësaj mirënjohje, më lejoni miku im i çmuar, deputeti ynë i nderuar, Nikollë Camaj, që t’iu uroj suksese në detyrën e lartë si përfaqësues i Shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi, si përfaqësues i të gjithë Shqiptarëve në trojet etnike në Malin e Zi, i Shqiptarëve në mërgatat shqiptare në Amerikë e Europë dhe kudo tjetër; i të gjithë shqiptarëve në shekuj që kontribuan për këtë vend e kohë, për viset etnike shqiptare në Malin e Zi.

Unë e di, i nderuari ynë, deputeti i ri Nikollë Camaj, se në Kuvendin e ri keni shumë përgjegjësi e mjaft angazhime të larta e të përditshme si përfaqësues i Shqiptarëve, si përfaqësues i partive nacionale shqiptare, i Forumit nacional Shqiptar, në mbrojtjen e realizimin  e të Drejtave të Shqiptarëve në Kuvendin dhe në republikën  e Malit të Zi, po jam e mbetemi të bindur  se  do t’ia dilni me sukses të plotë, në bashkari me deputetët e tjerë shqiptarë e me partitë e tjera shqiptare nacionale e qytetare, në kryerjen e këtyre detyrave misionare, kombëtare shqiptare, euroatlantike.


Ramiz Tafilaj  Drejtor i Përgjithshëm i “Gazetës së Alpeve”,  është aktivist shqiptaro-amerikan që jeton e vepron në Houston, TX. Për kontributin e tij për kauzën kombëtare, ai është nderuar edhe nga Presidenti i SHBA-ve me Medaljen e Arritjes Jetësore. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe mban Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Dërgoi për publikim, Ramiz Lushaj, gazetar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.