Sigurisht, po i ndjek me shqetësim të shtuar revoltat studentore si dhe mbarë-shqiptarëve kundër elitës së Tiranës, në fakt sekt-zullumqarësh, që gjatë 35 viteve, privatizuan politikën, përmorën Republikën, grabitën pronat, përdhosën vuajtjet, luftën dhe shpresat për demokraci, barazi para ligjit, në ekonominë e tregut, etj.
Në pamundësi për t’iu përgjigjur studiove TV, aq më pak për të replikuar me mitomanë të sëmurë, analist të gjithëditur si dhe me hijenat politike të rraskapitura nga uria bollshevike për ta marrë apo mbajtur qoftë edhe me gjak pushtetin, po paraqes: “përmbledhje me 5-gjetje dhe reciprokisht 5-rekomandime strategjike”:
Gjetja Nr. 1: Studentët, diaspora dhe shqiptarët, po përballen me krizën më të rëndë politike që ka mbërthyer vendin prej 1992: “Demokraci/Opozitë fasadë; shteti i dështuar nga fuqia staliniste e mbi-Pushtetit dhe korrupsioni i pushtetarëve të lartë; pa folur për mavro-kuvendin e listave me kusare Balluku, vartësit e Gaze-Muleshit, Zengjinetë, etj ordinerë, që: ‘gëzojnë edhe nga veshët kur u del emri për Deputetë, Ministra, Ambasadorë, Drejtorë, President, etj.”! Thënë këto, kjo elitë-sojësëzësh me “meritokraci” mbetet më e neveritura që ka qeverisur shqiptarët në 114 vjet!
Për ta ilustruar, sjell në vëmendje që studentët dhe intelektualët e pa-kapur nga politika e vjetër, mposhtën jo vetëm Autokratin Vučič (ish-ministrin e propagandës së Millosheviçit, si dhe për 14 vite Nr. 1 i Serbisë), por edhe gjunjëzuan pronarët e opozitës me mbeturinat më të egra të radikalëve serb, duke imponuar ata të shkriheshin nën siglën e listës dominuar (90%) prej tyre.
Këshilla Nr. 1: Ndaj ashtu si edhe në Beograd, studentët dhe shqiptarët do duhet të përballen PA ASNJË KOMPROMIS jo vetëm me “(1) fuqinë staliniste të mbi-Pushtetit dhe shtetare/ët e korruptuar”, por edhe me: “(2) Opozitën e katandisur në kompani private të falimentuar (si berberi Korçës); të braktisur nga elitat fisnike dhe demokrate/ët; e neveritur nga shqiptarët, si dhe e izoluar nga SHBA, UK dhe Perëndimi”, pa llogaritur skutha port-Halesh si dhe kryetarët e partive pa anëtarë, por me shumë dëngla dhe mëkate.
Gjetja Nr. 2: jo pa qëllim sjell në kujtesën e shqiptarëve që koston për pasojat e rebelimit 1997; grushtit të dështuar të shtetit 1998; vrasjeve të 21 Janarit 2011, si dhe qindra revoltave të dhunshme, pra për mijëra jetë të humbura dhe qindra miliardë € vijojnë ta paguajnë qytetarët e zakonshëm. Ndërsa politikanët përgjegjës, janë ricikluar, si dhe me hijenat dhe sekserët rrotull tyre, kanë pushtuar sistemin, pra partitë, shtetin, drejtësin, kadastrat, doganat, etj duke vjedhur me tendera dhe investime strategjike pasuritë kombëtare si dhe shpresat për ardhmërinë euroatlantike të shqiptarëve.
Këshilla Nr. 2: Duke marr shëmbull fitoren me fuqinë e votës të studentëve në Serbi, përsëris edhe më fort thirrjen ndaj të rinjve, studentëve dhe qytetarëve me arsye të shëndoshë, që të distancohen nga axhendat ekstremiste, si dhe të ndalin pa pakushte dhunën barbare kunder bankave, gjykatave, bizneseve, pronave publike, Institucioneve dhe Policisë së Shtetit, pasi këto akte jo vetëm e nxijnë imazhin e vendit, por dhe rrezikojnë seriozisht ta vrasin misionin e shenjtë të kësaj revolte.
Gjetja Nr. 3: përkundër domosdoshmërisë ulëritëse që ka RSh për rotacion politik si dhe barrës së dështimeve dhe korrupsionit të pushtetarëve të lartë gjatë 13 viteve që lamë, Kryeministri në detyrë: “i ka në xhep mbi 84 deputetë”; çka u konfirmua edhe në miratimin e reformës territoriale ! Nga ana tjetër, 4 humbjet radhazi, njëra më turpëruese se tjetra, kanë ardhur nga mungesa e besimit të demokratëve dhe neveria e shqiptarëve ndaj pronarëve të ish-PD, ose pushtuesve të Opozitës zyrtare.
Prandaj, oshilacionet dëshpëruese të Supremit hallemadh [vizë me 6 milion $ për foto në korridoret e konventës Republikane, edhe pse mbetet non grata në faqen e DASH dhe nuk ftohet në festat zyrtare (!!); broçkullat për listat e hapura, kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale, etj]; i gjej si përrallën me ujkun e vjetër/rraskapitur, pas derës së mbyllur të studentëve, ose më qartë si: “zvarritje mjerane për t’u ri-faktorizuar si entitet politik me Kryesi, Këshill Kombëtar, por që mbeten vetëm roje e nderit të Doktorrit, si dhe vegla poshtëruese për vartësit/et e Gaze-Muleshit”!
Këshilla Nr.3: në fakt kriza i ngjan arrës së kalbur, të mbështjellë nga dy gjysmat e saj. Ndaj, për ta realizuar misionin (tejkalimin e kësaj elite të diskretituar), e përsëris që studentët dhe shqiptarët do duhet të përballen jo vetëm me makinerinë staliniste të mbi-pushtetit por edhe me opozitën e falimentuar dhe neveritur.
Gjetja Nr. 4: përtej thirrjeve “Rama dhe Berisha në burg”, pavarësisht që/nëse “e urrejnë”, e vetmja palë për zgjidhjen mbetet, Kryeministri Rama, pa të cilin nuk bëhet qeveri teknike, as ndryshohet ligji famëkeq i zgjedhjeve të 2025, as ka garanci për zgjedhje të ndershme dhe kështu as tejkalohet kriza politike që ka gjunjëzuar Shqipërinë! Ndërkohë që ish-PD/opozitën ose kompaninë e falimentuar si e berberit të Korcës nuk e çmoj si faktor, por vetë-problemin e përdhosjes së opozitarizmit, njëherësh dhe ½ e krizës politike në vend.
Ndoshta për shkak të “mallkimit nga lufta mes vedit” apo ambicjeve cinike ka një nxitim për të vetëshpallur kandidaturat për qytetarin Nr. 1 të Tiranës, nga Braçe, Qorri, Binaj, Hasimaj, etj) !? Por nëse studentët ose kushdo nga protagonistët e revoltës nuk e vendosin mbi të gjitha Shqipërinë, nëse nuk do të legjitimohen dhe nuk do t’i imponohen KM -Rama si opozitë e vetme zyrtare, për rrjedhojë, nëse p.sh. për ligjin e reformës zgjedhore do ti lejojnë të bëjnë pazarin e radhës (PS me +84 vota ndaj Opozitës fasadë/PD), pra pa konsideruar studentët/protestuesit si faktor përcaktues, fatëkeqësisht kjo revoltë është e destinuar të dështojë me sukses !!
Këshilla Nr. 4: duke mbajtur në konsideratë mësimet nga rezistenca 2 vjeçare dhe fitorja e studentëve të Beogradit, mbetet “domosdoshmëri kritike” ngritja sa më shpejt më mirë e një “Bordi Përfaqësimi të Revoltës (BPR)”, i cili duhet gjithëpërfshirës, me personalitete të pa-kapur nga politika e vjetër, si dhe reflektojë thelbësisht besimin e qytetarëve dhe partnerëve strategjikë, SHBA, NATO &BE.
Për më tej, mbetet përgjegjësi e BPR t’u prezantojë shqiptarëve një projekt serioz për transformimin e revoltës në lëvizje politike, p.sh., “Lëvizja për Shqipërinë e Re (LPShR)”. Ndërsa me tej, do duhet që me fuqinë e revoltës popullore të imponohet si “Opozita Zyrtare e RSh”, duke hedhur në koshin e plehrave ligjin famëkeq [miratuar me konsensusin e turpit mes dy aktorëve të krizës politike – PD/PS], si garanci kritike/shpresëdhënëse për fitoren me vota të shumicës qeverisëse në zgjedhjet e parakohshme.
Gjetja Nr. 5: mbetet me peshë kritike që kjo revoltë qytetare të mos shpërdorohet për: “interesat sllavo-serbe, kineze, as për mëndjet terroriste të llojit Beleri, as për interesat e Rusisë, vendeve armiqësore apo të aleancave të vjetra, në betejën anti-Trump dhe antikombëtare njëherësh”, por të fokusohet në forcimin e partneritetit strategjik ShBA dhe integrimin në BE.
Këshilla Nr. 5: përtej adresimeve burokratike të përgjegjësive europiane (si p.sh., raportet qesharake të OSBE/ODIHR-it për hapa para/mbrapa në 35 vjet zgjedhje), mbetem shpresëplotë, si dhe i bëj thirrje edhe publikisht Ambasadorit të SHBA, Ret. Gen. Enric Wendt: “për t’i mbështetur jo Partitë Politike por shqiptarët në tejkalimin e këtij udhëkryqi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe të një aleati me peshë për mbrojtjen e supremacisë, si dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike të USA-së në rajon dhe Mesdhe”.
Gjithësesi uroj që kjo revoltë të shërbejë si këmbanë zgjimi i vetëdijes kombëtare dhe përgjegjësive qytetare për t’ju përbashkuar misionit të shenjtë te shqiptarëve: “tejkalimin e krizës së rëndë politike si dhe rikthimin e RSh në shinat e demokracisë funksionale dhe vlerave euroatlantike (USA/NATO/BE)”!
* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert përSigurisnë Kombëtare,
Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.
(Kordinator i ish-PD-së për të njëjtat çështje)!


