19.2 C
Tirana
E premte, 13 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Poezi nga Elife LUZHA

Poezi nga Elife LUZHA

0
Elife Luzha - libra

Elife LUZHA

VROJTIM

Ndër thirrma ezanesh e kambanash gufmojnë bestytnitë
Qielli bujtinë e agimeve nga re të plumbëta zijohet
Bukuri femërore nën shami mbulesë errtane shëmtohet
Mbetje të lindjes me pupla engjëlli mbështillen dyzohen

Vullnete të pështirura përtëriten dizajnojnë fate
Si lumenjë akujsh ligatinat vërshojnë rrëke
Ëndrrat flatrathyera mbetur nën bar myshku vdiren
Duke u përimtësuar deri në grimca të pakuptimit

KOHË KUTURU

Kur bie nata
Nën shkëlqimin e yjeve ëndrrat zgjohen
Botët ndeshen në kalendar pa numra
Mes përplasjesh trishtuese a të gëzuara
Sa lozonjare mendja
Pa u ndier vallëzon nëpër kohëra
Kur zgjohet dita
Krejt ngjyra jete dritëbardhëza vjen
Me gjurmë lapsi mbushet kalendari
E zezë e kuqe jargavan a blu
Vijëzohen ditët sipas sërës
Të trilluara a reale
Kushedi
Në zinxhir misteresh ngjan jeta
Në këto kohë kuturu

ASNJËJËSI

Si rrjedhë lumi më vërshuan mendimet
E një përroskë më rrjedh ballit dhimbjes
Koha e verbër gërryen gjithçka gjen
Vitet shndërrohen në numra apokaliptikë

TURBULLIRË

Fushave blerore
Mjegullturbullta shtrirë
Fijëza të zbehta drite
Mezi çajnë ajrin
Shikimi i hinktë tretet
Hapësirave të mugëta
Kudo erë myku e bloze
Klithje egërshane hedhurina
Kuisje qensh të pastrehë
Perandori llumi
Babëzi trishtimi
Varur në fije peri rri
Si shëmtirë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.