Nënë Tereza e Kalkutës (L) ecën me Roger Schutz-Marsauche, themelues dhe predikues i komunitetit Taize, gjatë pelegrinazhit të saj në Taize më 23 tetor 1983.
(LUC NOVOVITCH/AFP nëpërmjet Getty Images)
LIBRA
TheEpocTimes.com – Michael Cook – 26 janar 2022 – Përktheu Arben Çokaj
Dhimbja e pafund e historisë shqiptare dhe dhembjet e errëta të të afërmve të saj farkëtuan karakterin e saj
“Me gjak jam shqiptare. Nga shtetësia, indiane. Me besim, jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës. Për sa i përket zemrës sime, unë i përkas tërësisht Zemrës së Jezusit.”
Kjo autobiografi modeste nuk mund t’i takonte askujt tjetër veç Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza. Shumë kohë përpara vdekjes së saj në 1997 dhe ngritjes së saj në statusin e një shenjtoreje katolike në vitin 2016, ajo i magjepsi biografët. Intervista e Malcolm Muggeridge në studion e BBC-së në Londër në vitin 1968, e ndjekur nga një dokumentar i vitit 1969 i filmuar në Kalkuta dhe një libër i vitit 1971, “Diçka e bukur për Zotin“, nisi atë që pothuajse mund të përshkruhet si një industri e Nënë Terezës.
Gëzim Alpion është një akademik me origjinë shqiptare në Universitetin e Birminghamit në MB, interesat e të cilit përfshijnë sociologjinë e fesë dhe të famës. “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj” është libri i tij i dytë për bashkatdhetaren e tij të famshme. Ai konsiderohet si “autori më autoritar në gjuhën angleze” për të dhe “themeluesi i Studimeve të Nënë Terezës” – edhe pse ai nuk ndjek asnjë besim, duke e përshkruar veten si një “racionalist shpirtëror“. Të tjerë kanë shkruar për veprat e saj të mira dhe shpirtërore, por Alpion shqyrton identitetin e saj shqiptar.
“Mother Teresa: The Saint and Her Nation” nga Gëzim Alpion.
(Bloomsbury Academic India, 2020)
Ky kënd harrohet pothuajse gjithmonë, pasi Gonxhe Bojaxhiu u largua nga shtëpia e saj në Shkup (i cili sot është kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut) kur ishte 18 vjeçe. Sot ajo është plotësisht e identifikuar me Indinë.
Ajo kurrë nuk e kishte imagjinuar se njerëzit do ta konsideronin atë si shqiptaren më të madhe, që nga kryekomandanti luftarak dhe patrioti mesjetar Skënderbeu (1405–1468). Në fakt, Alpion zbuloi se ajo i ishte betuar mamasë së saj, kur u largua se “nuk do të flas kurrë shqip derisa të takohemi përsëri”.
Bojaxhiu e mbajti atë premtim, brenda kufijve të qytetërimit. Ajo nuk e pa më kurrë nënën e saj. Ajo kishte një kushërirë dhe motër të birësuar, Filomena, të cilën e donte shumë, dhe që emigroi në Australi. Ajo e vizitoi atë në vitin 1969 dhe këmbënguli të fliste anglisht, edhe pse Filomena nuk e kishte zotëruar kurrë gjuhën si duhet. Edhe gjatë tetë udhëtimeve të saj në Shqipëri në fund të jetës së saj, ajo foli në anglisht.
Alpion e zbuloi këtë mister duke rishikuar dhimbjen e pandërprerë të historisë shqiptare dhe duke gërmuar në sfondin e shenjtores në të dy anët e familjes së saj.
Shqiptarët nuk mund të kujtojnë një të kaluar të lavdishme si një perandori e fuqishme, siç mund të bëjnë vendet e tjera të vogla evropiane – bullgarët, armenët, grekët apo lituanezët. Pushtimet dhe persekutimet periodike nga serbët dhe turqit kanë bërë që valët e emigrantëve shqiptarë të ikin nga lindja dhe perëndimi. Në Siri, ka – ose ka qenë, përpara kaosit të luftës së saj civile barbare – komunitete të vogla shqiptarësh etnikë të njohur si arnautët. Në Itali, ka mjaft fshatra të vegjël shqipfolës për të justifikuar dy peshkopë katolikë të ritit bizantin, shqipfolës.
Njerëzit me prejardhje shqiptare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në histori. Përveç Skënderbeut dhe Kemal Ataturkut, Alpion ka bërë një rast për aventurierin korsikan Napoleon Bonaparte. Dhe ka pasur katër Papë nga Shqipëria ose me prejardhje shqiptare, më së fundmi pontifi i shekullit të 18-të Klementi XI (i cili lindi si Giovanni Francesco Albani).
Në shekujt e fundit, shqipfolësit janë shtypur mes serbëve dhe grekëve ortodoksë dhe turqve myslimanë, gjë që është për faktin se vetëm rreth 10 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë aktualisht identifikohen si katolikë romakë. Serbët donin që shqiptarët të bëheshin ortodoksë dhe turqit donin që ata të bëheshin myslimanë. Fatkeqësisht, për shekuj me radhë Vatikani, i cili ndodhet pikërisht përtej detit Adriatik, nuk ishte i përgatitur për të mbrojtur katolikët shqiptarë, sipas Alpion. Kishte peshq më të mëdhenj për të skuqur – një ofensivë sharmi me serbët.
Spastrimet etnike dhe masakrat vazhduan në shekullin e 20-të. Në fund të viteve 1950, qeveritë e Jugosllavisë dhe Turqisë bënë një pakt që do të lejonte mërgimin e 1 milion shqiptarëve në Turqi. Në fund, rreth 100 mijë u dëbuan. Ishte “trafikim njerëzor i miratuar nga shteti i popullsisë së … rajoneve të tëra të një kombi të lashtë, homogjen,” thotë Alpion.
Çfarë lidhje ka ky sfond i zymtë me Nënë Terezën?
Alpion ka gërmuar thellë në historinë e saj familjare dhe ka zbuluar se ajo është e njollosur me gjak dhe nacionaliste. Ai është i pari që publikon detajet skicuese.
“Toka e Shqipërisë! … përkujdesëse e ashpër e njerëzve të egër!” këndoi poeti anglez i shekullit të 19-të, Lord Bajron. Ai nuk e kishte gabim. Stërgjyshi i Bojaxhiut nga nëna, Pjeter Bardhi, u vra në gjakmarrje. Djali i tij, gjyshi i Bojaxhiut, Ndue, u hakmor ndaj tij dhe u vra nga ana e tij. Djali i Ndues, Gjon, xhaxhai i Bojaxhiut, ishte një tjetër viktimë e gjakmarrjes.
Nënë Tereza flet në një konferencë shtypi në Uashington më 13 qershor 1986 për punën e saj me fëmijët, lebrozët dhe viktimat e SIDA-s. (DON PREISLER/AFP via Getty Images)
Dhe pastaj ishte nacionalizmi i zjarrtë i babait biznesmen të Bojaxhiut, Nikollës. Ai punoi për të promovuar arsimin në gjuhën shqipe dhe loboi që shkollat shqipe të mos mbylleshin nën presionin serb. Ai madje arriti të sigurojë financime për shkollat ekzistuese dhe për hapjen e shkollave të reja. Ai kundërshtoi krijimin e Mbretërisë së Jugosllavisë, e cila pushtoi territorin shqiptar pas Luftës së Parë Botërore.
Kjo ndoshta çoi në vdekjen e tij. Në vitin 1919, biznesi i tij falimentoi dhe jo shumë kohë më pas, ai u helmua pas një takimi politik në Beograd, Serbi. Orët e tij të fundit ishin ankuese dhe traumatizuan familjen, përfshirë edhe 9-vjeçaren Gonxhe.
Alpion beson se edhe emri i Gonxhes ishte një gjest nacionalist. Në shqip do të thotë “syth trëndafili” ose “lule e vogël”. Kur ajo lindi në vitin 1910, si nacionalistët sllavë, ashtu edhe autoritetet osmane nuk e pranuan përdorimin e gjuhës shqipe. Emërtimi i vajzës së tyre të mitur Gonxhe ishte “një akt i vogël por domethënës sfide“, sipas Alpion. Dhe emri i saj i pagëzimit, Agnes, ishte në mënyrë të dukshme katolike romake.
Ky sfond i errët ishte, siç thonë – ose thoshin – “formues karakteresh“, për Gonxhe Bojaxhiun. Por në vazhdën e Luftës së Parë Botërore, kishte më shumë për të ardhur. Vëllai i nënës së saj, Marku, një biznesmen i begatë, kishte katër fëmijë. Së pari, njëri nga djemtë vdiq nga gripi spanjoll, më pas babai zemërthyer. Ky grip mori edhe një vajzë tjetër, burrin e saj dhe një vajzë tjetër. Më në fund, Gonxhe Bojaxhiut i vdiq gjyshja. Mbijetoi vetëm Filomena, e cila erdhi të jetonte me Gonxhen dhe nënën e saj Rozën.
Nënë Tereza (R) i jep bekimin e saj një fëmije në Shtëpinë e Dhuratës së Dashurisë më 20 tetor 1993, në Singapor. (ROSLAN RAHMAN/AFP via Getty Images)
Alpion beson se këto përvoja të hidhura të fëmijërisë, e përgatitën Bojaxhiun për thirrjen e saj në Misionarët e Bamirësisë.
“Ishte gjatë atyre viteve të trazuara të formimit në Shkup, që filloi mirënjohja e përjetshme e Gonxhes ndaj Jezusit,” shkruan ai. “Ky ishte gjithashtu momenti kur ajo filloi të mendonte se mënyra më e mirë, për të treguar mirënjohjen e saj, ishte të ndihmonte njerëzit në ankth. Kjo ishte një nga arsyet pse ajo zgjodhi Indinë si destinacion kur mësoi për të varfërit e saj nga misionarët ballkanikë që kishin shërbyer atje.»
Të gjitha këto informacione të reja sugjerojnë se Gonxhe Bojaxhiu ishte e përgatitur mirë për atë që mistikët katolikë e quajnë “nata e errët e shpirtit“, në të cilën ajo u trondit nga dyshimet për ekzistencën e Zotit dhe providencën e tij të dashur gjatë viteve të saj të gjata si murgeshë.
Askush nuk dyshoi se Bojaxhiu ishte një grua e jashtëzakonshme. Ky studim i hulumtuar në mënyrë skrupuloze tregon se ajo ishte edhe më e jashtëzakonshme nga sa mendonim. Siç shkruan Alpion, “Jeta, shërbimi dhe trashëgimia e Nënë Terezës tregojnë nevojën për të përfshirë “gratë” në pretendimin e Thomas Carlyle se “historia e botës nuk është veçse një biografi e burrave të mëdhenj“.
Ky artikull u botua fillimisht në MercatorNet.