Lorenc Kaculini, Kryetar i Shoqates Filatelike Shkoder
Historia e Shkodrës është shkruar jo vetëm nga burrat e saj të shquar, por edhe nga gratë që, me dijen, punën dhe fisnikërinë e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore, arsimore, shkencore e qytetare. Artiste, piktore, mësuese, mjeke, sportiste e intelektuale të shquara kanë ndërtuar me dinjitet historinë e qytetit tonë të lashtë, duke dëshmuar se kontributi i gruas shkodrane ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë.
Më pak e njohur, por po aq domethënëse, është pjesëmarrja e grave në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë filatelike. Filatelia nuk është vetëm koleksionim pullash postare; ajo është histori, kulturë, edukim, kujtesë dhe një mënyrë e veçantë për të njohur botën. Edhe në këtë fushë Shkodra pati gra që e kultivuan këtë pasion me përkushtim. Ndër emrat më të njohur veçohen Gjystina Zadeja, Dr. Terezina Suma dhe, së fundmi, Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë, duke lënë pas kujtimin e një personaliteti të rrallë.
Kush ishte Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha?
Që në adoleshencë e deri në fund të jetës, ajo u dallua për karakterin e fortë, inteligjencën e spikatur, kulturën e gjerë dhe vullnetin e jashtëzakonshëm. Ishte një grua modeste, e urtë dhe me autoritet moral, që fitoi respektin e të gjithëve. Si gruaja e parë me titullin “Profesor” në qytetin e Shkodrës, ajo ia kushtoi mbi pesë dekada Universitetit “Luigj Gurakuqi”, duke edukuar me profesionalizëm dhe përkushtim dhjetëra breza studentësh. Për kolegët mbeti modeli i pedagoges së përkushtuar, ndërsa për studentët simbol i dijes, drejtësisë dhe qytetarisë.
Por krahas jetës universitare, Fatbardha Hoxha kultivoi me të njëjtën dashuri edhe një pasion të trashëguar nga familja: filatelinë. Ajo pati fatin të rritej në një familje arsimdashëse e të kulturuar, ku koleksionet filatelike dhe bisedat për pullat postare ishin pjesë e jetës së përditshme. Në shtëpinë e saj mblidheshin shpesh filatelistët më të njohur të Shkodrës. Vajza e vogël, me edukatën karakteristike të familjes, u shërbente me respekt, por njëkohësisht ndiqte me vëmendje çdo bisedë. Albumet e mëdha që hapeshin para saj, me pulla nga Shqipëria dhe vende të largëta, ushqyen një kureshtje që nuk do ta shoqëronte vetëm në fëmijëri, por gjatë gjithë jetës.
Kështu lindi një pasion i heshtur, por i thellë. Duke u rritur mes koleksioneve familjare, ajo njohu emisionet shqiptare, mësoi të dallonte seritë e rralla, memorizonte me lehtësi detaje filatelike dhe ndiqte me interes shkëmbimet ndërkombëtare. Ajo e kuptoi herët se filatelia ishte shumë më tepër se një koleksion; ishte një dritare drejt historisë, kulturës dhe marrëdhënieve mes popujve.

Korespondencat e saj të para filatelike nisën me vende të Evropës Lindore dhe veçanërisht me Kinën, ku kishte krijuar miqësi që nga vitet e studimeve universitare. Përmes këtyre lidhjeve ajo pasuroi jo vetëm koleksionin, por edhe horizontin e saj kulturor. Vlerësonte gjithmonë korrektësinë, edukatën dhe fisnikërinë e koleksionistëve me të cilët komunikonte, duke fituar prej tyre njohuri dhe përvojë.
Pas viteve 1990 angazhimi i saj në jetën filatelike u bë edhe më i dukshëm. Si anëtare e komisioneve organizuese të konferencave shkencore “Shkodra në Shekuj”, ajo kontribuoi me autoritet në sesionet e letërsisë, por ishte gjithashtu një mbështetëse e rëndësishme e sesioneve kushtuar filatelisë. Mendimet e saj ishin gjithmonë të argumentuara, të qeta dhe me frymë bashkëpunimi.

Prof. Dr. Fatbardha Hoxha mori pjesë në mbledhjet e Shoqatës Filatelike të Shkodrës, në ekspozita dhe aktivitete të shumta, ku dha mendime të vyera dhe këshilla dashamirëse. Ajo nuk kërkonte asnjëherë protagonizëm. Me maturinë dhe urtësinë që e karakterizonin, mbështeste çdo nismë që i shërbente zhvillimit të filatelisë shqiptare dhe edukimit të brezit të ri.

Veçanërisht në vitet e fundit të jetës ndiqte me interes zhvillimet e Filatelisë së Kosovës. Si një nga anëtaret e para të Klubit Filatelik të Kosovës, ajo krijoi një lidhje të veçantë me filatelistët kosovarë dhe mbajti një korespondencë të rregullt me kryetarin e klubit, z. Fahredin Kastrati. Ajo përgëzonte çdo sukses të tyre dhe gëzohej sinqerisht për zhvillimin e filatelisë shqiptare në të gjitha trojet.
Një dëshmi prekëse e këtij respekti të ndërsjellë është letra që Klubi Filatelik i Kosovës i dërgoi më 17 prill 2025. Në të, ndër të tjera, shkruhej: “…ju dërgojmë mirënjohje për mbështetjen…”. Këto pak fjalë kanë një peshë të madhe morale. Ato dëshmojnë se kontributi i saj ishte vlerësuar jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe nga komuniteti filatelik i Kosovës, i cili e konsideronte Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxhën një mike të çmuar dhe një mbështetëse të përhershme.

Njohuritë e saj nuk kufizoheshin vetëm te filatelia shqiptare. Ajo njihte mirë koleksionet e Kosovës, ndiqte zhvillimet e filatelisë evropiane dhe ishte gjithmonë e interesuar për aktivitetet ndërkombëtare, ekspozitat dhe emisionet e reja postare.
Në historinë e filatelisë shkodrane emri i saj qëndron me dinjitet si një nga gratë që dëshmuan se edhe bota e filatelisë ka pasur përfaqësuese të denja, të kulturuara dhe me vizion. Ato e shndërruan këtë pasion në një formë të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe të edukimit qytetar. Sot, kur kujtojmë Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxhën, nuk kujtojmë vetëm profesoren e shquar të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Kujtojmë një zonjë të rrallë, një intelektuale me autoritet, një mike të filatelistëve shqiptarë e kosovarë dhe një grua që, me urtësinë, modestinë dhe dashurinë për kulturën, la një trashëgimi të çmuar në historinë e filatelisë shkodrane. Emri i saj do të mbetet gjithmonë i lidhur me fisnikërinë, dijen dhe përkushtimin ndaj një pasioni që e jetoi me zemër deri në ditët e fundit të jetës.











