MIRËNJOHJE PËR JU DIASPORË (MËRGATË)!

0
493
Ferit Hoxha - me flamur

Nga Ferit Hoxha

Po e nis këtë shkrim me thënien “ Njerëzit që mbartin vlera dinë të vlerësojnë dhe të tjerët”! Mirënjohja është virtyti më i lartë njerëzor që duhet të na shoqërojë gjatë gjithë jetës sonë.

Njeriu gjatë gjithë jetës së tij mundohet që me punën që bën e me veprat që lë pas, të bëhet gur themeli për vlera pozitive e të jetë udhërrëfyes në misionin e tij.

Personalisht gjatë karrierës sime jam vlerësuar nga shumë institucione të ndryshme si ato shtetërore, ashtu edhe nga shoqëria civile. Në shenjë modestie e që të jem i sinqertë me veten e me të tjerët, jam më i kënaqur kur vlerësoj të tjerët (sigurisht për kontributin dhe vlerat që mbartin), sesa të vlerësohem nga të tjerët  (ndoshta në këtë pjesë jam më i zoti e fjalët më vijnë më thjesht, më lirshëm e më bukur).

Mirënjohja që m’u dha nga Diaspora me motivacionin:

“Për një kontribut të madh për ruatjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.  Bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha trojet shqiptare dhe diasporën”, më nxiti që të shprehem në lidhje me këtë temë, si dhe për të vënë në dukje edhe një herë domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile të trojeve shqiptare me shoqatat dhe organizatat e ndryshme që operojnë në çdo vend të botës ku ka shqiptarë.

Një nga shoqëritë që ka dhënë një kontribut të vyer për shqiptarët e Diasporës është edhe Shoqata Iliria P. F. Gjermani.  Kjo shoqatë e karakterit atdhetaro-kulturor, prej 21 vitesh ushtron aktivitetin e saj me qendër në Pforzheim, Shtutgart të Gjermanisë, ku në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera ka organizuar aktivitete të shumta artistiko-kulturore, simpoziume të ndryshme e deri në mbledhjen e ndihmave për luftën për çlirimin e Kosovës e në disa raste edhe për shtresa në nevojë gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së vetë shoqatës.

Vlen për të sjellë në qendër të vëmendjes se disa intelektualë dhe atdhetarë të tjerë, kanë themeluar edhe Parlamentin Paqësor të Kombit Shqiptar me qendër në Gjermani që drejtohet nga Kryetari z. Can Tahiri.

Ky Parlament tashmë ka degët e veta edhe në disa shtete të tjera në Evropë e më tej, në Kosovë me Kryetar z. Sherment Pantina, në Shqipëri me Kryetar z. Ferit Hoxha, N/Kryetar znj. Flutura Maçi, Sekretare znj. Prenda  Sejdiu, dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë znj. Kozeta Zavalani dhe z. Ilmi Kurti, Presidente Nderi znj. Margarita Xhepa (NDERI KOMBIT).

Së  shpejti do te formohen dhe Grupi Parlamentar Paqësor për Maqedonin  Veriut dhe Grupi Parlamentar Paqësor për Malin  e  Zi dhe tek Arbrëshët e Italis.

Është momenti për të vlerësuar nga çdonjëri prej nesh, rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare që nga shtetformimi i kombit shqiptar e deri në ditët e sotme.

Historia ka vërtetuar se shqiptarët nuk kanë reshtur së kontribuari me mundësitë e tyre duke e shfaqur me forma të ndryshme me anë të lobingjeve, protestave para kancelarive të huaja, botimeve dhe shkrimeve të ndryshme për Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, të Malit Zi, për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe deri për çështjen Çame.

Janë të shumta raste ku mund të përmendet roli e kontributi i padiskutueshëm i mërgatës shqiptare, por për një moment le të ndalemi vetëm në kontributin dhe pjesëmarrjen e saj të drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare të Kosovës. Ata e “prishën” rehatinë e tyre, që sigurisht me mundim dhe sakrificë e kishin arritur dhe iu bashkuan kësaj lufte si me të ardhurat e grumbulluara prej dekadash, ashtu edhe me pjesëmarrjen e tyre fizike në front të luftës edhe pse ishin të ndërgjegjshëm se mund të mos ktheheshin shëndoshë nëpër familjet e tyre.

E për fat të keq një pjesë jo e vogël e tyre, dhanë jetën për çlirimin e Kosovës duke i bërë pishtarë të një lirie kombëtare.

Pra, në shenjë vlerësimi nuk mund të lë pa përmendur punën e palodhur të emigrantëve shqiptarë në ndihmë të ekonomisë së familjeve shqiptare pas nëntëdhjetës në veçanti si dhe të zhvillimit ekonomik për të gjitha trojet shqiptare.

Do ishte i pamundur ky “bum ekonomik” pa kontributin e drejtpërdrejtë të emigrantëve shqiptarë duke treguar kështu genin njerëzor që na karakterizon ne shqiptarëve.

Ne e duam atdheun, e duam vendlindjen pavarësisht sa larg trojeve tona jetojmë, pavarësisht kushteve ekonomike në të cilat ndodhemi e për këtë mjafton t’i hedhim një sy ndërtimeve e rindërtimeve të shtëpive të emigrantëve (mërgatës), të shohim bizneset e tyre të hapura në trojet shqiptare, të shohim bregdetin, për të vërtetuar atdhedashurinë që kanë për vendlindjen, le të kujtojmë këtu radhët e gjata që mërgata kalon nëpër dogana vetëm për të festuar festa të ndryshme në vendlindjet e tyre, kontributin e tyre në çdo rast fatkeqësie fizike, tërmeti, zjarri, përmbytjeje,hapjen e shkollave shqipe nëpër vendet ku ka shqiptarë, ruajtjen e kulturës, zakoneve e traditave shqiptare etj. Këto dhe shumë të tjera edhe një herë tregojnë vlerat njerëzore dhe tiparet që mbartim prej shekujsh, e që për fat të mirë po kultivohen edhe te brezi ri.

Por a mjafton vetëm mirënjohje dhe falenderime me fjalë apo me nderime të ndryshme në lidhje me këtë? Sigurisht që jo! Sigurisht që përtej vlerës së tyre unë mendoj se ne të gjithë duhet të bëjmë detyrat tona për të drejtat e diasporës, mërgatës, emigrantëve (pavarësisht emërtimit) si për të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare dhe lokale, ashtu dhe të përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet drejtuese dhe parlamentare.

Kjo është një e drejtë kushtetuese që për fat të keq deri tani u është mohuar nga të gjithë aktorët e politës shqiptare në të dyja anët e kufirit.

Unë “shfrytëzoj” këtë shkrim për t’u bërë thirrje në radhë të parë institucioneve shtetërore që të marrin hapin e duhur për plotësimin e të drejtave të diasporës dhe të gjitha shoqatave të ndryshme që operojnë në trojet shqiptare, si dhe shoqërisë civile që të japim kontributin tonë për zgjidhjen e kësaj kauze, si detyrim sa kushtetuese dhe njerëzore.

Vetëm vendosja në pah e këtyre vlerave, do të bëjë që ne të ndihemi të barabartë mes nesh në të drejtat e detyrimet që kemi ndaj kombit tonë si bij të denjë të tij!

Me respekt Ferit Hoxha!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.