Mësuesi model dhe njeriu me zemër të madhe, Hamdi Mansaku…

0
708
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

E shtunë data 29.07.2023. I motivuar për atë çka do të bëja, marr rrugën për në Zall-Dajt dhe takoj në shtëpinë e saj, Razie Mansakun,  bashkëshorten e mësuesit të ndjerë Hamdi Mansaku. Megjithëse e sëmurë dhe e thyer në moshë, ajo ka një memorje të shkëlqyer duke më dhënë detaje nga jeta dhe veprimtara e bashkëshortit të saj, Hamdiut.

-Faleminderit për interesimin më thotë, Razia, të jam shumë mirënjohës që interesohesh dhe vlerëson Hamdiun. Unë isha në Greqi te vajza dhe atje së bashku me të, shkruam disa shënime në lidhje me shkrimin… Nuk pata mundësi ti dërgoja – përfundoi ajo. Pasi pimë kafet dhe rakinë e servirur nga bashkëshortja e Albanit, filluam bisedën e cila zgjati në kohë. Gjatë bisedës ajo më tha se kam porosi nga vajza ime Merita që ta telefonoj, kur të vinit Ju. Mirë – i them unë, dhe kështu u bë. Pasi përshëndetëmi me Meritën, ajo më falenderon dhe më jep një opinionin të shkurtër për Hamdiun. Ajo ka mbi 25 vjet që jeton, punon dhe ka familjen e saj në Larisa të Greqisë.

Me mendje, zemër dhe shpirt është këtu në vendlindje, ku ndër të tjera, shton: “Babai im për mua ka qenë një prind i shkëlqyer, një njeri shembullor dhe me shumë vlera. Unë jam munduar të ecë në gjurmët e tij. Ai ka qenë një mësues, edukator dhe metodist shumë i mirë si mësues. Me këmbënguljen e tij mbarova shkollën e mesme pedagogjike dhe punova rreth 12 vjet në arsim në zonë dhe jashtë saj. Jam shumë krenare që jam vajza e tij. Mamin tim e ka pasur dhe e ka trajtuar si shoqe. Ne si fëmijë na ka trajtuar shumë mirë. Babi lexonte shumë dhe ishte njeri me zemër të madhe. Kam marrë shumë nga përvoja e tij në arsim pasi mësuesit e normales qenë shumë të kualifikuar nga ana metodike e shkencore. Mua më mungon  shumë babi, do e ndjej mungesën e tij sa të jem gjallë. Kjo është jeta…“.

Hamdi Mansaku lindi në Fshatin Zall-Dajt, 15.05.1939. Lindi në një familje të madhe, arsimdashëse dhe me tradita patriotike, atdhetare dhe kulturore. Familja e Beqir Mansakut ka qenë e njohur në zonën e Bendës pasi ishte në qendër të Lokalitetit të Shupalit, dhe ka pritur dhe përcjell njerëz nga Tirana Mati, Dibra, dhe krahina të tjera. Si e tillë familja e tij ka qenë me shumë influencë. Shtëpia e Beqir Mansakut ka qenë bazë e fuqishme e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare. Ajo  e ka mbështetur fuqishëm luftën. Po kështu kjo familje ka qenë bazë dhe mbështetje e fuqishme e pushtetit popullor të kohës për reformat dhe nismat e ndërmarra për rindërtimin e vendit dhe ndryshimet social-ekonomike të kohës.

Babai im, Zija Kabili 87 vjeç, kur e pyeta për Beqir Mansakun dhe familjen e tij, ndër të tjera shton: “Beqir Mansaku ka qenë shumë i përmendur në krahinë. Ishte derë e madhe, ishte gjithnjë shtëpi e hapur për jabanxhijtë dhe vendasit, qe shumë familje mikpritëse dhe sofra e tij rrinte gjithnjë shtruar për mysafirët. Ka ba vetëm mirë si kryetar këshilli. Ka qenë i lidhur me pushtetarët e kohës dhe kishte shumë peshë në krahinë dhe më gjerë. Ka ndihmuar ekonomikisht bashkëfshatarët e tij, ka ndarë gjyqe, zgjidhur konflikte dhe  pajtuar njerëz. Mua më ka ndihmuar, më ka marrë disa herë në shtëpi dhe më respektonte shumë prej dajës tim, Ymerit. Për mua ky qe një figurë e veçantë në gjithë krahinë“.

Vetë Hamdiu qe një fëmijë shumë i shkathët dhe i etur për shkollë dhe dije. Babai i tij, Beqiri, këmbënguli i dërgoj në shkollë të mesme 7 fëmijët e tij, dhe të gjithë ata e mbaruan arsim e mesëm. Ky qe një rast unik dhe i veçantë në atë kohë për një familje nga zona jonë në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar. Qe arritje pasi gjendja ekonomike dhe shoqërore e kushtet për shkollim në fshat e krahinë për periudhën e pasluftës qenë tepër të vështira. Hamdiu duke patur shumë vullnet dhe ndihmën e familjes mundi të shkollohet. Arsimin fillor e kreu në kodër Shupal me nota shumë të mira. Po kështu edhe shkollën 7-vjeçare e kreu me rezultate shumë të mira në fshatin Mojsit.

Mbasi mbaroi arsimin bazë vazhdoj studimet në Shkollën Normale të Elbasanit. Shkollën për mësuesi ai e mbaroi në vitin 1956 me rezultate të mira. Më pas Hamdiu, si edhe gjithë normalistët e tjerë,  kreu disa kurse plotësuese me afate kohore të ndryshme. Si u bë një mësues e metodistë i  mirë kualifikuar dhe nxori nxënës shumë të mirë në vite… Mbyllja e shkollave pedagogjike në vitet e demokracisë, mua si mësues, më ngjalli shumë dhimbje për dëmet që i solli arsimit, dhe njëkohësisht edhe neveri për vendimmarrësit e papërgjegjshëm për mbylljen e tyre…

Mbas mbarimit të shkollës Hamdiu emërohet mësues në shkollën 7 -vjeçare Mojsit dhe këtu punoi deri në vitin 1960. Si kolegë pune pati ndër të tjerë edhe mësuesit Xhemal Koçi, Islam Mema, etj. Nga viti 1961-1963 punoi në shkollën fillore Mal-Gjepal. Atje u prit shumë mirë nga banorët dhe punoi me pasion me nxënësit. Banorët e Mal-Gjepalit qenë shumë mikpritës dhe e respektuan Hamdiun. – Edhe sot, ne si familje mbajmë lidhje me disa njerëz të Mënerit të Epërm – thotë bashkëshortja e tij, Razia. Në vitet vitet 1963-1965 ai punon si mësues në shkollën 7-Vjeçare Vilëz. Për këtë Razia, shton: – Diu më ka thënë: “Në Vilëz nxënësit ishin të interesuar për arsim. Kolegët ishin të përgatitur dhe patën  rezultate të mira me nxënësit. Po kështu kishim marrdhënie shumë të mira edhe me prindërit. Atje kam ndenjur tek familja e Beshir Gjikolës. Ata më ka mbajtur si djalin e tyre në këto vite”.

Në vitin 1966 Hamdiu emërohet mësues në Shkollën Bastar i Mesëm dhe punon një vit atje. U prit mirë nga kolektivi mësues-nxënës dhe u dallua për punë e përkushtim me nxënësit. Për këtë, Razia, citon: “Në Bastar ndenji tek familja e Mustafa Kabilit dhe u trajtua shumë mirë prej tyre. Edhe sot falë kësaj kemi marrdhënje shumë të mira me këtë familje”. Në vitin 1967 kryen e shërbimit ushtarak në Berat. Shërbeu në armën e artilerisë si komandant toge. Atje pati sjellje shumë të mirë dhe u dallua për rregull e disiplinë dhe përvetësimin e programit ushtarak. U shpërblye disa herë me leje dhe u vlerësua me fletë nderi. Në vitin 1969 ka punuar në shkollën vartëse Maricaj, Zall-Bastar. Atje rrinte tek familja e Ibrahim Likallës. Në vitet 1970-1971 ka punuar mësues i ciklit fillor në shkollën vartëse Shupal-Kodër, të fshatit Zall-Dajt.Për Hamdiun kjo ka qenë periudha më e bukur e jetës së tij pasi erdhi mësues në shkollën e fshatin të tij të lindjes, Shupal…

Në vitet 1971-’72 punoj si mësues i ciklit fillor në fshatin Dajt. Në vitet 1973-’76 Hamdiu u emërua në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar, Zall-Dajt. Edhe këtë detyrë Hamdiu e kreu me sukses të plotë. U përball me pengesat dhe vështirësi të kohës dhe doli mbi ato. Zgjidhi shumë halle e probleme të njerëzve e sot mbahet mend vetëm për mirë nga komuniteti. Ai qe një njeri me shpirt të madh dhe i prirur për të bërë vetëm mirë. Për këtë djali i tij Albani, pohon: “Babai im kur ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkuar ka ndihmuar shumë familje për shkollimin e fëmijëve të tyre me arsim të lartë. Ai kishte lidhje, miqësi dhe marrdhënie shoqërore dhe familjare me shumë pushtetar, drejtues partie dhe të organizatave shoqërore. Të gjithë këtë reputacion ai e shfrytëzoj vetëm për mirë. Dha shumë leje pasaportizimi për në Tiranë dhe vetë nuk pronoj kurrë të ikte nga vendlindja.

Me ne qe shumë kërkues dhe na trajtonte edhe si shokë. Jam shumë krenar për Të”. Në vitin vitin1977 me kërkesë të tij, Hamdiu, emërohet mësues në shkollën vartëse Dajt. Punoi me përkushtim deri në vitin 1990. Në vitet1990-1991 ka punuar si mësues në shkollën fillore të lagjes Hysaj, ku doli edhe në pension. Hamdiu e donte shumë vendlindjen dhe gëzohej shumë kur bëhej ndonjë gjë pozitive për të. Me datën 23.08. 2009 bëmë një takim me të, te rrapi shkullor në Zall-Dajt, me të në kuadër të shkrimit të historisë së krahinës, së bashku me kolegun dhe bashkëautorin tim, Hysen Hysa²³.

Ndër të tjera, ai tha: “Po vijnë dy miqtë e mi nga Bastari… E di, ju keni punën e historikut, por pa pirë kafe, asnjë muhabet nuk bëhet…”. Dhe kështu u bë. Pasi pimë kafet, në përfundim e sipër morëm bllokun e shënimeve dhe stilolapsin, dhe bëmë një bisedë të shtruar me Hamdiun. Si kuadër dhe intelektual Hamdiu na dha shumë të dhëna me vlerë për Zall-Dajtin dhe fshatrat e tjerë të krahinës. E takuam edhe mëpas, por nuk diskutuam rreth jetës dhe veprimtarisë së tij…

Gjatë punës së gjatë në arsim në fshatrat e zonës ai është dalluar: Për korrektësi në punë, këmbëngulje për të i’a qëllimit me nxënësit e Ciklit Fillor, për profesionalizëm në metodat e mësimdhënjes, për nivel në përgatitjen ditore me nxënësit, për kërkesë të lartë llogarie ndaj vetes dhe nxënësve, për komunikim të mirë me nxënësit dhe komunitetin, dhe rezultate të mira me nxënësit ku ka punuar. Hamdiu qe shumë i dashur dhe i respektuar për nxënësit, kolegët e punës, prindërit. Të gjithë sot e kujtojnë me nostalgji, e vlerësojnë shumë dhe flasin me shumë respekt për të. Mësues si Hamdiu, lenë gjurmë në ardhmërinë e brezave…

Në aspektin familiar, Hamdiu dhe bashkëshortja e tij Razie Moqi Mansaku, kanë  lindur dhe rritur tre fëmijë. Vajza e tij Merita ka ndjekur rrugë e të atit. Në bisedën e gjatë me Razien për Hamdiun, ajo mes dhimbjes për ikjen e tij të parakohshme, dhe krenarisë që ishte gruaja e tij, shton:”Me Hamdiun jam njohur në moshë të re tek shtëpia ime. U dashuruam dhe më kërkoj edhe në shtëpi. Njerëzit nuk pranuan pasi isha e fejuar herët, ndaj u martova pa dasëm dhe dëshirën e prindërve. Erdha në një derë dhe familje të madhe dhe jam përshtatur më së miri. Hamdiu më ka trajtuar si shoqe. Unë e kam respektuar shumë atë, prindërit e tij dhe gjithë familjen dhe farefisin. Kemi pritur e përcjell një numër të madh njerëzish; nga krahina jonë, nga Dibra, Mati, etj.

U kemi dhënë bukë dhe sistemuar në shtëpi ata. Kemi pritur edhe shumë kuadro partie dhe pushteti, si: Fadil Paçramin, Ndue Marashin, Beqir Ballukun, Haxhi Lleshin, Abdyl Këllezin, dhe shumë të tjerë. Hamdiu qe zemërmirë. Ai kishte një bibliotekë shumë të mirë në shtëpi dhe lexonte shumë. Një gjë shumë pozitive e tij ka qenë se i donte shumë njerëzit dhe i ndihmonte pa interes ato. Ai në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar i ka ndihmuar shumë njërëzit dhe pa asnjë ryshfet në këmbim të nderit që u bënte. I vetmi “ryshfet” që mund të pranonte Diu, ishte se mund të hante ndonjë drekë apo darkë dhe të pinte ndonjë gotë raki. Asgjë më shumë. Ai qe njeri, prind, bashkëshort dhe mësues shumë i mirë”.

Sa e gjallë Hamdiu është vlerësuar për punën e bërë nga ish nxënësit dhe komuniteti. Njëkohësisht është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të II-të. I është akorduar edhe titulli “Mësues i Dalluar”. Këshilli i Komunës Zall-Bastar më 26 nëntor 2012, vendosi që Shkollës 9 -Vjeçare Zall-Dajt, ti vihet emrin e birit të fshatit dhe mësuesit të pasionuar, Hamdi Mansaku. Shkolla nga kjo datë është emërtuar; Shkolla 9-Vjeçare “Hamdi Mansaku” Zall-Dajt. Ku është një vlerësim i merituar për të.

Ndërron jetë në moshën 71 vjeçare më 14 .01. 2010. Përcillet me nderime për në banesën e fundit nga familiarët, miq, shokë dhe kolegë të tij. Hamdiu iku nga kjo jetë duke lënë modelin e një njeriu dhe mësuesi të mirë. Komuniteti i zonës  e kujton me respekt mësuesin që punoi një jetë në arsim, e kujton si kuadër dhe veprimtar në shërbim të tij. Le të shërbejë edhe ky shkrimi im i vonuar, si një homazh dhe nderim për Hamdiun, si vlerësim i njerëzve me vlera, si fiksim në memorje për brezat që do vijnë…

Ibrahim Kabili
Zall-Bastar, më 29.07.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.