METAFORA E DETIT

0
554
Mehmetali Rexhepi

MOTIVE TË MADHËRISHME

METAFORA E DETIT

Meti Rexhepi

erdha te djersa jote prej jodi
me dy dete në ballë nën qepallë
ëmbëlsinë e damarëve të tokës
papërfillshëm ua njelmësoje
e dukej se ta sillnin kot atë shije
të kaltrën ta përhirtin avujt e djersëve vetjake
prej teje bashkat e bardhë-hirta
të mbushura me afshin e lëngshëm
dhe për habi nuk e marrin njelmësinë
të cilën e ke në buçimë
në pështymën tënde të trazimit

*
sapo të hysh prekë syprinën e rrëqethjes së parë
të rrethojnë muskujt ujorë dhe çelë të kaltrën riparë
t’i lypin vrimat për mbushje
natyrshëm zbrazësinë e pushton
nuk mund t’i frysh kosit
derisa tambli i njelmët
t’i kishte djegur buzët
si nuk ia qëmtoje dhe përkufizoje as një metaforë
kurdoherë cektësia të shpie në thellësi
pastaj thellësisë ke për t’ia lypur fijen trishtuese
për mbështjellje boshtit të shpresës brisk-topitur

*
gjakoja t’ia përkufizoja mendjes
metaforën e dendur si deti
pa të çara e vrima
as kur zhvendos tërmeti
shtrëngatat ia trazojnë valëzimet
zemërata dallgësh pështyjnë shkëmbinjtë dhe grimcojnë
gjymtyrë stomesh gdhendin e lëmojnë
durimi shekullor i shpatit i lë gjymtyrët e shtatit
tërhiqet dhe shtrihet poshtë dallgëve që godasin
duket se krejtësisht ishte ngrënë por nuk i bëhet vonë
për përftimin e cekëtinës mbi detin ende ruan ëndrrën

*
uniteti i ujit i kthehet shtratit
baticë-zbaticat shkundin amullinë
thellësitë tua aq fort shtrëngojnë muskujt
pa rënkuar mbajnë mijëra tonë anijesh mbi shpinë
hulli shkume hapen para-prapa në çast mbyllen
tërësi muskujsh që nuk prehen zgjaten lakohen
nuk këputen porse durimin valë-valë shtrojnë
veçse edhe në një vrimë gjilpëre
gishtërinjtë ujorë i fusin
menjëherë vrimë-gjilpëra bëhet shteg i hapur
deri tek porti a do t’ia dalë fundosja ose ankorimi plagë hapur

Durrës, më 8-10 gusht 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.