Zymer Mehani
(Kur shkollat shqipe në Kosovë u mbyllën padrejtësisht nga Serbia)
Në kohën kur nuk lejohej që asnjë student e profesor të afrohej drejt dyerve të Fakultetit Filologjik, (1991), kundruall kësaj vatre arsimore mbaheshin tubime të qeta të studentëve e prindërve të tyre, ashtu siç mbaheshin edhe në oborrin e Gjimnazit Matematiko-Natyror “Xhevded Doda” (ku sot gjendet katedralja, në Prishtinë), po ashtu dhe në oborrin e shkollës fillore “Aca Maroviq”( tash SHFMU “Faik Konica”, në Prishtinë). Tubime të tilla përfundonin me intervenim të policisë serbe, të shumtën e herave. Nxënësit, studentët, por edhe mësimdhënësit mbanin në duar pankarta, në të cilat shkruhej “Duam shkollë”, të shkruara në gjuhën shqipe dhe angleze prej nxënësish, por edhe prej mësimdhënësish atdhetarë, siç ishte profesori ynë i historisë, Sadri Rexhepi (sot dr. shkence).
Jemi edhe vetë dëshmitarë se si policët serbë futeshin në turmat e protestuesve dhe i urdhëronin nxënësit e studentët të shpërndaheshin. Më kujtohet një moment, kur nxënësit e Gjimnazit “Xhevdet Doda” të kryeqytetit, me pankarta në duar u nisën dhe dolën nga oborri i shkollës, duke brohoritur : “Duam shkollën shqipe”. Ata dolën në trotuar, kundruall shkollës së tyre dhe vazhduan marshimin drejt qendrës së qytetit të Prishtinës. Edhe pse dihej qartë se në këso rastesh pësonin nxënësit, studentët, arsimtarët, po edhe të tjerët që kërkonin arsimin dhe shkollën shqipe, prapëseprapë revoltat nuk ndaleshin.
Pra, pësonin kolektivet e shkollave, ku gjendej ndonjë parullë me motive kombëtare, ashtu siç pësonin edhe hartuesit e teksteve, ku përmendej atdheu ynë amë, Shqipëria apo ndonjë hero kombëtar yni. Kësofare, rezistenca në shkollat shqipe nuk ndalej, por sa vinte e rritej më shumë, siç ishte rasti, kur nxënësit shqiptarë të disa shkollave të Prishtinës e të Podujevës, kishin bojkotuar procesin mësimor për shkak të përjashtimit të bashkëmoshatarëve të tyre, edhe ata nxënës, të cilët psh. kishin brohoritur “Kosova republikë!” Personalisht do ta përmend shokun tim të gjimnazit, Nexhmi Jashari, të cilin e mbyllën në burg për disa muaj, duke ia humbur të drejtën e shkollimit!…
Reprersioni ndaj mësuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve, por edhe prindërve të tyre, në formë zinxhirore vazhdonte, duke nisur me përndjekje politike të mësimdhënësve dhe gjithë atyre që ndihmonin rritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në shkolla, duke i ftuar në të ashtuquajturat “biseda informative” nxënës, studentë dhe arsimtarë shqiptarë, pastaj me dofarë diferencimesh, të ashtuquajtura ideo-politike nëpër shkolla e në fakultete, e hapi tjetër do të ishte edhe burgosja e të gjithë atyre që kishin bërë “vepër penale apo kundërvajtëse”.
Politika shoviniste nuk kënaqej me kaq. Këtë fakt e dëshmon më së miri rasti i helmimeve masive të nxënësve shqiptarë gjithkah në shkollat e Kosovës, për ta arritur kulminacionin me mbylljen e shkollave shqipe dhe ruajtjen me polici, nën masa të dhunshme të dyerve të shkollave ku mësohej shqip!…
Represioni ndaj shkollës shqipe, ndaj mësimdhënësve e nxënësve shqiptarë po kalonte nëpër forma e faza të ndryshme, siç ishin vrasjet, plagosjet, dënimet me burg për vepra “penale” e “kundërvajtëse”, izolimet, helmimet misterioze të nxënësve nëpër shkolla, përjashtimet nga shkolla, suspendimet nga studimet e largimet nga puna, deri te masat e dhunës psikike e fizike, nëpërmjet “bisedave informative” në organet e sigurimit, ku askush nuk kalonte pa maltretime psikike dhe fizike, vetëm e vetëm për t’na nënshtruar e treguar se ne shqiptarët në “Kosovë e Metohi” mund të jetojmë vetëm si qytetarë të rendit të dytë…
Punëtorëve të arsimit, si dhe punëtorëve tjerë shqiptarë që u përjashtuan nga puna, iu ndërpre shfrytëzimi i mbrojtjes shëndetësore dhe i sigurimit social, me arsyetimin se ata nuk po ndanin kontribute për mbrojtje shëndetësore, e cila iu mohohet edhe anëtarëve të familjeve të punëtorëve të arsimit dhe atyre të përjashtuar nga marrëdhënia e punës. Një gjë e tillë i ndodhi edhe prof. Dr. Sadri Rexhepit, i cili na riktheu në kohë, me një artikull të tij, të botuar në gazetën “Bujku, të datës 4 tetor 1991, ku flet për mbylljen e shkollave shqipe në kryeqytet dhe për protestat e nxënësve e të prindërve, e që zë i fuqishëm kundër kësaj padrejtësie ishte edhe vetë ai.
Nderim dhe respekt për të gjithë ata që mbajtën gjallë arsimin shqip gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Kosova po lëngonte nga kthetrat gjakatare të armikut shekullor!
U prehshin në amshim nxënësit dhe arsimtarët dëshmorë e martirë të shkollës shqipe përgjatë viteve 1989-1999!…