MOS LUANI ME FATIN E NJË POPULLI!

1
402
Gjykata Speciale e Kosovës

Grup intelektualësh nga hapësirat shqiptare e diaspora i reagojnë Gjykatës Speciale

Që nga fillimi kemi përcjellë me vëmendje të gjitha proceset e udhëhequra që nga Dhomat e specializuara e deri të verdikti i fundit i Trupit gjykues të Gjykatës speciale në Hagë dhe jemi të obliguar moralisht e kombëtarisht të shprehim pakënaqësinë tonë për padrejtësitë që po u bëhen çlirimtarëve – pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së pari; prokuroria bashkëpunon, mbledhë e grumbullon “prova” nga shteti që është i njohur në tërë botën për krimet e kryera në Kosovë, më pas gjykata, në vend që të merret me fakte e prova të mjaftueshme për pafajësinë e çlirimtarëve, ajo merret me thashetheme të pakuptimta si: “me ka thënë njëri që i kish pas treguar gruaja…” e tjera që mund të jenë gjithçka vetëm prova për të dënuar JO!

Së dyti; tani që dënuat Salih Mustafen me 26 vite heqje lirie, për “krimet” e pa bëra. Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn i dënuat se i pranuan dokumentet sekrete të “prokurorisë speciale”, pa e gjetur e pa e dënuar njeriun që i nxori ato dokumente nga “dhomat e specializuara”, i dënuat në emër të popullit!  Shtrohet pyetja: Në emër të cilit popull?

Jo, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë populli nuk i dënon bijtë e bijat e veta që luftuan për lirinë e vendit. Pra populli shqiptar nuk dënon për hatrin e asnjë armiku, për tu bërë mik me të!

Nuk është për tu krahasuar në asnjë mënyrë, por vetëm sa për t’ia përkujtuar kësaj “prokurorie” dhe “gjykate” e besa edhe disa shpirtshiturve shqipfolës se, kriminelët serb për krimet e vrasjet e qindra mijëra shqiptarëve, u dënuan me aq pak vite, apo thënë troç u amnistuan, kurse çlirimtarët pa prova të qëndrueshme me dënime aq të larta! Si është e mundur kjo të ndodh në një gjykatë ndërkombëtare?! Vërtet duhet rishikuar punën e juaj, jeni apo s’jeni të aftë për të ndarë drejtësi!

Ju mund të dënoni çlirimtarët në emrin tuaj, të Serbisë e të bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës, por assesi në emrin tonë e të popullit, sepse ky popull, falë luftës çlirimtare të UÇK-së, sakrificës së tyre dhe ndihmës së madhe të NATO-së sot e gëzon lirinë.

Vetëm një drejtësi e çmendur, do të thurte disertacione që do të kompletonin një verdikt, që do t’i shpallte njerëzit e shtyrë që të rezistonin me armë kundër barbarisë serbe, në këtë rast çlirimtarët e luftëtarët e lirisë së Kosovës si kriminel lufte!

Reagimin e përkrahën:

  1. Akademik Skënder Kodra – Nju Jork
  2. Akademik Hakif Bajrami – Prishtinë
  3. Dibran Fylli, regjisor/aktor – Prishtinë
  4. Mejdi Alidemi, regjisor – Shkup
  5. Asllan Qyqalla – Fushë-Kosovë
  6. Dr. Lush Susa – Tiranë
  7. Jahja Lluka – Prishtinë
  8. Sejmen Gjokoli, Mjeshtër i Madh – Vlorë
  9. Jakup Ismaili – Prishtinë
  10. Bedri Halimi – Prishtinë
  11. Ramadan Selimi – Prishtinë
  12. Akademik piktor Idriz Berisha – Klinë
  13. Nexhmi Muqiqi – Prishtinë
  14. Bedri Tahiri – Vushtrri
  15. Adem Zhitopotoku, aktor – Mitrovicë
  16. Dr. Mustafë Haziri – Mitrovicë
  17. Perparim Uka – Fushë-Kosovë
  18. Hysen Gecaj, ish epror ushtarak – Prishtinë
  19. Shaban Baksi, muzikolog – Prishtinë
  20. Muhamet Ahmeti – Prishtinë

Si dhe shumë personalitete tjerë të jetës akademike, kulturore, letrare e artistike.

1 KOMENT

  1. Të nderuar intektualë, profesorë, doktorë të shkencave, piktorë, regjisorë e akademikë, ju përshëndes përzemërsisht, të gjithëve që e paskeni marrë mundin ta nënshkruani këtë reagim, kundërshti, protestë.

    Jam pakëz i habitur se nuk po shoh asnjë nënshkrues jurist, avokat, gjykatës apo prokuror, pse?
    Ndoshta pse ata janë njohës më të mirë të drejtësisë, prandaj edhe nuk e kanë nënshkrua këtë letër përkrahje për çlirimtarët dhe natyrisht kundër prokurorëve dhe gjykatësve.

    Të nderuar, asnjëherë populli nuk ka dënua, por në emër të popullit janë dënua burrat e atdhetarët shqiptarë në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri.
    Unë mendoj se ju, edhe akademikët nuk duhet të përziheni në organet e drejtësisë e as t#i shërbeni politikës së ditës.

    Ende nuk ka përfundua gjykimi i çlirimtarëve, ta presim fundin e pastaj pse jo, në rast se gjykata i dënon pa bazë, do të ankohen, në emër të çlirimtarëve avokatët më të njohur, qe i hëngr+en më tepër se 17 milone euro, para të taksapaguesve shqiptar të Kosovës.

    Fundi i fundit kjo gjykatë është e Kosovës dhe është votua me shumicë të votave nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
    Kjo gjykate ka disa specifika: selia është në Hagë dhe ka prokurorë e … gjykatës ndërkombëtare.
    Ta qesim dorën në zemër: cili polic, prokuror apo gjykatës shqiptar i Kosovës do të guxonte t’i arrestojë, akuzojë apo gjykojë çlirimtarët?

    Vetëm policët serbë e ndërkombëtarë, mund ta bënin këtë! /AÇ

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.