SHTAB-ISTËT E “ROGNER”-it SABOTUAN LUFTËN DHE E PENSIONUAN UÇK-në E TYRE, ENDE PA HYRË NË LUFTË!

0
337
Shtabi i Rognerit

Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Azem Syla

IDRIZ ZEQIRAJ

“Krerët e UÇK-së”, nuk kanë qenë as koka dhe as bishti i UÇK-së, sepse nuk kanë qenë pjesë e luftës”!

Komandanti markant i Kosharës heroike, Gjeneral Hisen Berisha, rishtar i organizuar në PDK-e, ka befasuar skajshëm, me përzgjedhjen e tij partiake. Ndonëse i pakonsumuar, energjik dhe gojëtar i zhdërvjelltë, ka paraqitje të shpeshta publike, në veçanti, mediale. Shumë aktiv në agjitimin partiak, në përpjekje për ta përmirësuar imazhin e përtokur të PDK-së, fort të përfolur për krime seriale dhe hajni industriale zyrtare.

Dihet angazhim luftarak për çlirim dhe liri i Gjeneralit. Si pinjoll i Familjes luftarake e fisnike të Agës së Rashkocit, tradita vazhdon. Por, liria pa demokraci, është e mangët, është “një përrallë dimri”! Kosova u përgjak nga bijtë e saj bastardë, duke ua ngrirë buzëqeshjen shqiptarëve të kudondodhur.

Në nëntorin e vjemë, u takuam në Koshare me Gjeneralin, kur po i jipnim lamturmirën një djalit tonë, ish-ushtar në luftën e Kosharës.  – Gjeneral Berisha, preferoni t`ju quajmë Komandant apo Gjeneral, – e pyeta unë? – Ju, modestisht, u gjegjet: “Si të dëshironi”. Nuk e zgjata më tej, sepse ishte rast i rëndë mortor. Mendja më shkoi tek disa komandantë, të cilët, në mënyrën më të vrazhdët e bizare e keqpërdorën, deri në përdhosje këtë emërtesë shumë domëthënëse. Dëshmi të krimeve janë varret, bustët, pllakat përkujtimore e deri shtatoret e kolegëve Tuaj FARK-istë; kuadro dhe veprimtarë të LDK-së; si dhe viktimat, brenda llojit, kuadro të hershme të LPK-së.

Tashmë, soldateska serbo-sllave ishte përzënë nga Kosova, nga NATO-pakti. Vrasja e shqiptarëve vazhdonte të bëhej nga shqiptarët. Për këto krime, kryeministri në ekzil, Dr. Bujar Bukoshi, alarmoi botën, përmes mediave më prestigjioze botërore, si “Nju Jork Times” amerikane, “Der Spiegel” gjermane dhe të tjera.

“DER SPIEGEL”- citon kryeministrin Bujar Bukoshin: “Pas luftës u bënë spastrimet më mizore, në mesin e shqiptarëve, me pretekstin se ishin “bashkëpunëtorë të serbëve”, krerët e UÇK-së likuiduan kundërshtarët e tyre politikë. Numri i viktimave është mbi 1.000″. E gjithë akuza ishte në adresë të Hashim Thaçit, meqë ishte vetemëruar drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së!?

Gazeta amerikane “NJU JORK TIMES”, intervistoi kryeministrin Bukoshi: “Të gjithë në Kosovë e dinë, por askush nuk guxon të flasë për këtë, krimet. Hashim Thaçi, Rugovën, Bukoshin  dhe Komandantin e FARK-ut, Rrustem Berishën, i ka cilësuar “tradhtarë që së shpejti do të dënohen”!

Huqja e parë e Gjeneral Hisen Berishës

Me zellin e kërkuar, për të dhënë kontributin e tij, në subjektin politik, rishtaz të aderuar, PDK-e, Gjenerali Hisen Berisha, ka nismuar përpjekjen për legalizimin dhe rehabilitimin të Organizatës ilegale e kriminale SHIK. Është e saktë se kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, i kërkoi bashkëpunim Presidentit Rugova, lidhur me SHIK-un. Por, ishte tepër vonë, sepse krimet makabre, tashmë, kishin ndodhur. Dhe, kushti “vogël” i Dr. Rugovës, ishte ringjallja e viktimave të SHIK-ut!

“Me ty do të kryejmë punë shumë shpejt”,- i tha Hashim Thaçi, në telefon, Kolonel Ahmet Krasniqit. Dhe, pas pak javësh, Koloneli u ekzekutua! A vritet Ministri i Luftës, në vlugun e luftës?! Dhe, kjo ka mjaftuar që Dr. Rugova të refuzojë çfarëdo bashkëpunimi me SHIK-un, njëjtë siç veproi dhe refuzoi Qeverinë e Përkohshme të Hashim Thaçit.

Huqja e dytë e madhe e Gjeneral Hisen Berishës,
është deklarata në seancën e Kuvendit:

“Albin, përmbylle problemin me Serbinë, ashtu siç e solli Hashim Thaçi pavarësinë”!?

Thënë troç, Thaçi nuk e ka sjellur pavarësinë. Përkundër, me arrivizmin, karrierizmin e tij të shfrenuar, bëri atë që nuk i takonte, lexoi, dhunshëm, Deklaratën e Pavarësisë, me mendjen e tij fyçkë, se do të hynte në histori, si Ismail Qemali!

Më 17 shkurt 2008, nuk po pavarësohej Qeveria, por, Shteti i Kosovës. Atëherë, pse duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë kryeministri, kur në sallë ishte shefi i shtetit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi?! E pakta që mund të bënte presidenti Sejdiu dhe deputetët e LDK-së, duhej të kundërshtonin dhe reagonin, deri në lëshimin e sallës kuvendore. Pikërisht, ambicia karrieriste e shpuri Hashimin në krime.

Sipas gjeneral Berishës, “Hashim Thaçi e solli pavarësinë“!?

“Nxirr një kashtë, e dalin gjashtë”, – thotë urtësia.

1) “Hashim Thaçi e solli pavarësinë”, ndërkohë që të gjitha veprimet e tij, dëshmojnë të kundërtën, sepse filloi me sabotimin e unifikimit të faktorit ushtarak, rrjedhimisht, të luftës për çlirim;

2) “Hashimi themelues i UÇK-së”, – thonë tellallët e tij. Por, 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së  të LPK-së, e demantojnë, publikisht, duke faktuar bindshëm, se ai nuk ka qenë pjesë e themelimit të UÇK-së;

3) “Hashimi drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së”! Por, Asnjë forum partiak apo ushtarak, brenda apo jashtë Kosovës, nuk e ka zgjedhur apo emëruar atë, në atë post;

4) “Hashimi kryetar i Delegacionit të Kosovës në Rambuje”, rrenë e kulluar. Sipas dëshmive nga Rambujeja, po të dëgjohej Hashimi, lamtumirë Kosovë! Pra, nuk do të kishte as liri dhe as pavarësi të Kosovës. Në mes tjerëve, këtë e thotë, zëshëm, edhe delegati në Rambuje, Veton Surroi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi dhe pjesëmarrës të tjerë. Mujëshoria dhe rrugaçëria e kuqaloshëve lëpëkeistë, e lënë pa kryetar Delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Amerikanët ngulmonin për aprovim të marrëveshjes, por, Thaçi kundërshtonte, ngaqë i bënte presion miku i tij freng, Danjear Arnaud, kuadër i Shërbimit Sekret francez, DGSE, njëherësh, dhëndër i Serbisë;

5) “Në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, po gjykohet UÇK-ja vet!” Realisht, nga katër të izoluarit në Hagë, tre prej tyre nuk kanë qenë as koka dhe as bishti i UÇK-së, sepse nuk kanë qenë fare pjesë e luftës. Këtë të vërtetë absolute, e ka pranuar, madje publikisht, edhe vet Hashim Thaçi: “Unë kam qenë larg frontit të luftës”.

Përkundrazi, 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, akuzojnë SHTAB-istët e “Rogner-it”, “Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, se, “në koordinim me Shërbimet Informative, të disa shteteve armike të Kosovës, sabotuan luftën në Kosovë”. Dy javë më parë, është ritransmetuar (reprizë), në televizionin – T7 – PRESSING”, deklarata e Jakup Krasniqit, i cili e akuzonte Hashim Thaçin me shokë, për sabotim të luftës dhe tradhti kombëtare.

Katër nga themeluesit e UÇK-së së LPK-së, publikisht, por edhe 14 të tjerë privatisht, e pranojnë se UÇK-ja e tyre, kurrë nuk arriti të futet në luftë, me formacione ushtarake, sepse u sabotua nga shpura e SHTAB-istëve të “Rogner-it”. Rrjedhimisht, kjo UÇK-e u pensionua në Tiranë, ende pa hyrë në luftë! Dhe, më kujton një UÇK-në e grupit tonë ilegal, të kryesuar nga veprimtari dhe burgaxhiu politik Kadri Os(Mani), në vitet `60-a, e cila mbeti në letër, pa u provua në luftë. Por, ne nuk sabotuam, nuk tradhtuam. E shumta, e humbem një pjesë të jetës burgjeve.

Fatmirësisht, Kosova pati një UÇK-e tjetër, UÇK-në e themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova, më 1991, me emërtesën plotore e kuptimore – Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës – (FARK), që realizuan betejen e suksesshme të Loxhës, të udhëhequr nga Kolonel Tahir Zemaj; Luftën profesionale ushtarake në Koshare dhe guerilen aktive, të prirë nga Sali Çekaj në Dukagjin; Adem e Hamëz Jashari në Drenicë; Zahir Pajaziti në Llap e Gollak; Ahmet Hoxha në Anamoravë e Karadak. Për të vazhduar me luftën legale çetanike, anekënd Kosovës.

Këshillat mirëdashëse të Gjeneral Berishës

Këshillat e Gjeneral Berishës, për kryeministrin Albin Kurti, duhet marrë si mirëdashëse, nisur nga personaliteti i një Komamdanti të suksesshëm, në luftën për çlirim dhe të Gjeneralit komandues profesional dhe edukues aktiv në paqe. “Albin, bëjë diçka të madhe, të mbetësh në memorjen e historisë për vlera”, – këshillon ai.

Por, duhej të shtonte edhe këto këshilla: Të mos bëjsh kurrë krimet që bëri Hashim Thaçi:

  1. Eleminimin fizik të kundërshtarëve politikë, për të marrë pushtetin me dhunë e përgjakje;
  2. Pazaret e pista, me francezët dhe serbët në veriun e Mitrovicës, për rrjedhojë dëbimin e 12.000  shqiptarëve nga vatrat e tyre dhe premtimin e rrejshëm se “do t`ju kthej në shtëpitë tuaja”;
  3. Pranimin e 6 pikëshit të Baki Munit:
  4. “Fusnota”;
  5. Heshtja për 12 hektarët, të uzurpuar nga Manastiri i Deçanit, duke e lakuar rrugën – kodra pas bregut -, për të cilën Vuçiq thotë se “jemi dakorduar me Thaçin, duke vijëzuar rrugën tjetër”.
  6. Dhënia e 2.500 hektarëve tokë FYROM-it;
  7. Faljen e 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi;
  8. Nënshkrimin  e “Zajednicës;
  9. Blerja e deputetëve, duke u dhënë poste diplomatike dhe privilegje të tjera, për të realizuar zgjedhjen banditeske president të vendit;
  10. Hapja e çështjes të kufijëve, deri në kulmoren – lobimin e paguar për ndarjen e Kosovës, duke e kthyer çështjen e Kosovës në parapavarësi!

PAN-i ia la “këmbë e arushës” LVV

Renditëm vetëm disa nga të bëmat e Hashim Thaçit, të cilat dëmtuan, skajshëm, Kosovën, për dy dekada radhazi. Dëmi i shkaktuar Kosovës, nga Hashimi dhe banda e tij PAN-iste, ka bllokuar Kosovën, jo vetëm ekonomikisht, por, mbi të gjitha politikisht. Po veçojmë dy çështjet aktuale, bllokuese të dialogut me Serbinë:

a) 12 hektarët, hapësirë tokësore, e pretenduar nga Manastiri i Deçanit, aprovimi në heshtje i Hashimit, siç e denoncoi, madje publikisht,  presidenti Vuçiq, se “jemi dakorduar me zotin Thaçi, për ta devijuar rrugën klasike anash Manastirit, duke e lakuar pas kodrave, duke i lënë pronë të Manastirit, hektarët e pretenduar”!

Popi i Manastirit, i koordinuar me Beogradin, ka arritur t`i bindë Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, përkatësisht, Shtetet e Quintit, për të ndëprerë nismën e ndërtimit të auto-rrugës,  në vijën e rrugës klasike, që lidhë dy fshtrat e Deçanit, për të vazhduar në çarjen e bjeshkëve dhe shrytëzimin e tyre, nga komuniteti i Deçanit me fshatrat e tij. Për rrjedhojë, është stopuar edhe ndërtimi i auto-rrugës, tashmë, të filluar, që lidhë Kosovën, nga Deçani, përshkon Plavën, Gucinë, vazhdon sipër luginës të Valbonës në Shqipëri, për të kaluar përmes Mbishkodrës, duke u lidhur me bregdetin Adriatik. Pra, kjo auto-rrugë mundëson një lidhje të tri shteteve dhe shkurton rrugën për në Detin Adriatik.

b) Çështja e Asociacionit, Bashkësisë të Komunave me shumicë serbe, nënshkrimi i kësaj Marrëveshje më 2013 dhe 2015, si dhe ratifikimi në Parlamentin e Kosovës, me nismë e mbarim, me Hashim Thaçin protagonist, përbën fajësi të rëndë, me elemente të tradhtisë kombëtare. Kjo marrëveshje u bisedua dhe u realizua në rrethana konsirative, pa asnjë konsultim me strukturat partiake apo shtetërore.

Dialoguesit e përzgjedhun nga Hashimi, edhe pse nuk përfaqësonin askënd, pothuajse, të marrë nga rruga, mashtronin, gënjenin popullin se “po bisedojmë vetëm çështje teknike dhe assesi politke”, ndërkohë që bënin të kundërtën. Nga ana tjetër, pazaret e pista me Vuçiqin i bënte personalisht Hashimi. Klasa politike e Kosovës e dinte inkriminimin faktik të Hashimit dhe shantazhin që i bënte Serbia, me dosjen voluminoze. Dhe, megjithatë heshte. Madje e bëri edhe president të vendit! Njerëzit e shantazhuar, nuk duhet kalaveshur me poste shtetërore. Aq më parë kur këtë porosi e dha edhe Presidenti Rugova: “Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet në poste, sepse është i dëmshëm për Kosovën”.

Nga kjo plasje zemre, LVV qendisi murët, bulevardët, sheshet e Kosovës me apelin-kushtrim: “Një popull s`i nënshtrohet një njeriu”, – me dedikimin e drejtëpërdrejtë për të gjithë-pushtetshmin e Kosovës, Hashim Thaçin. Thirrjen drejtuar shqiptarëve, LVV e lëndëzoi me protestën madhore, të organizuar në metropolin e Kosovës, Prishtinë. Megjithatë, PAN-istët, në aleancë, i shtrënguan radhët, sepse kishin ndërvartësi reciproke në krimet serike, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë dhe hajninë galopante zyrtare.

Edhe Serbia manifestoi simpati të hapur, duke i krijuar dy qeveri të harrnuara PAN-iste. Zyrtarët e Beogradit nuk e fshehin simpatinë për qeveritë e shkuara të PAN-it, sepse “me Thaçin dhe ekipin e tij, merreshim vesh mirë, ndërsa me Kurtin nuk bisedohet”, – thonë ata! Ata sollën peshqesh edhe dosjet në OVL të UÇK-së, për t`i dështuar dëshmitarët e Hagës. Tashmë, maskat kanë rënë. Gjykata Speciale nuk qenka e Serbisë, por, thjesht, e Kosovës, e cila nuk u besohet shqiptarëve, të cilët e kanë rrënuar, qëllimshëm, sistemin e drejtësisë në vend, për të mos pasur mundësi të hetohen e ndëshkohen, për krimet dhe hajnitë e bëra.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.