FJALA QË SHKRUHET JETON GJATË

0
274
Sadri Rexhepi - Anton Çetta

Sadri Rexhepi dhe Anton Çetta

Zymer Mehani

Qenka e vërtetë thënia se ajo që shkruhet, jeton gjatë.

S’e di se si më ra në dorë një numër i gazetës “Rilindja”, i datës 23 tetor 1988, që para luftës botohej në Prishtinë, ku u ndala për ca çaste tek artikulli “Përdorimi i simboleve kombëtare të rregullohet me kushtetutë”. Duke menduar, doli se ky artikull ishte shkruar pasë muaj para se të suprimohej autonomia e Kosovës (28 mars 1989) nga shteti i Serbisë.

Artikullshkruesja I. Rexha, njoftonte se anëtari i Aktivit Politik të Kosovës, Riza Sapunxhiu, gjatë atyre ditëve paska folur për rëndësinë dhe procesin e ndryshimeve të projektamandamenteve në kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Ky emisar politik gjojase nuk e paska ditur se etëm ca muaj më vonë do të rrënohej kjo kushtetutë bashkë me suprimim të autonomisë së Kosovës…

Në këtë artikull, veçanërisht më la përshtypje fjala e prof.dr. Sadri Rexhepi, i cili në takimin e mbajtur në Prishtinë, gjithnjë sipas artikullit në fjalë paska thënë: “Përdorimi i flamujve të kombësive nuk krijon ndasi, por miqësi, prandaj kjio çështje duhet të rregullohet me kushtetutë:” Sa për sqarim, këtu ishte fjala për përdorim të flamurit kombëtar shqiptar nga shqiptarët e Kosovës dhe për flamurin turk nga komuniteti turk që jeton në Kosovë, që Serbia tentonte ta ndalonte tërësisht përdorimin e tyre.

Si gjithmonë, arsimtarët shqiptarë ishin dinjitozë dhe sypytrembur nga çdo kërcënim, kur ishte fjala për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, siç ishte edhe përdorimi i flamurit shqiptar. Një qëndrim prej intelektuali guximtar po e shprehte edhe prof. dr. Sadri Rexhepi, i cili kishte guxuar të thoshte para strukturave politiko-shoqërore të asaj kohe:

“Me ndryshime kushtetuese nuk duhet të cenohen të drejtat e ndonjë kombi a kombësie (duke aluduar për të drejtat e shqiptarëve), por të rregullohet planifikimi shoqërore, bashkëpunimi me botën, përdorimi i gjuhëve dhe të zgjidhet çështja e përdorimit të flamurit (kombëtar shqiptar). Kushtetuta duhet të plotësohet e jo të na kthejë prapa!”

Pra është ky një qëndrim kombëtar i një mësimdhënësi vizionar, i cili pati guxim të shfaqte pikëpamjet e tij për mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, në takimin e Komisionit Kushtetues të KSA të Kosovës.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, siç thotë filozofia popullore. Asokohe, vërtet ishte tejet e rrezikshme t’i kundërviheshe aparatit shtetëror, ngase pas kësaj pasonin represionet, maltretimet, besa edhe largimi nga puna, por edhe burgosja. Por, prof. dr. Sadri Rexhepi, nuk u step asnjëherë, por gjithnjë u bë gardian i të drejtës legjitime të shqiptarëve dhe të Kosovës gjatë viteve ’80, kur ishim nën Serbi.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.