KU JEMI ME EDUKIMIN STATISTIKOR ?!

0
423
Hysen Kobellari

Nga Dr. Hysen Kobellari

“Statistika është shkenca e arsyetuar e fakteve”
Edmond Potonie

“Bota orjentohet nga Opinionet dhe drejtohet nga Klikimet;
në formimin e Opinioneve ndikojnë edhe Statistikat…”

1.

Ne jemi dëshmitarë se të gjitha mediat, gati përditë japin informacione dhe bëjnë komente dhe analiza, duke e filluar lajmin me: “Sipas të dhënave të INSTAT-it…”; “Sipas burimeve nga EUROSTAT-i…” Në përputhje me këtë, mund të themi se të dhënat statistikore, si burim informacioni, të përdoruar nga masmedia përgjithësisht në kohën tonë janë bërë më të njohura për njerëzit se sa në të kaluarën, por po bëhen gjithashtu përditë gjithnjë edhe më të besueshme …

Të gjithë e dimë, ose së paku duhet ta dimë se ç’janë Statistikat, cili është INSTAT-i (Instituti i Statistikave) apo EUROSTAT-i (Drejtoria e Përgjithshme e Statistikave në Komisionit Evropian e vendosur në Luksenburg); madje edhe fëmijët e shkollës duhet të kenë njohuri fillestare për dhe mbi Statistikat …

“Misioni i INSTAT-it është të prodhojë statistika asnjëanëse, transparente dhe të përditësuara, të cilat ndihmojnë në gjykimin e përdoruesve mbi proceset e zhvillimit e transformimit në fushat ekonomiko-sociale brenda vendit. Si institucioni që disponon burimin më të madh të informacionit statistikor në Shqipëri, INSTAT përpiqet t’u përgjigjet kërkesave gjithnjë e në rritje të përdoruesve për vendimmarrje, kërkime dhe arsimim në Shqipëri. Gjithashtu, INSTAT ndihmon komunitetin e interesuar ndërkombëtar nëpërmjet sigurimit të informacionit statistikor relativ, të sigurt dhe të krahasueshëm.”

Le të kujtojmë se INSTAT-i po bëhet gati njëshekullor (fillesat i ka në vitin 1924)

Nuk e teproj nëse pohoj se elementët e parë të statistikave kanë lindur bashkë me njeriun; pasi u krijua njeriu i parë dhe lindi nevoja për të menduar dhe shqiptuar numurin 1 (një), Krijuesi e pikasi se këtij krijimi i mungonte diçka serioze, thelbësore – kjo ishte mungesa e vazhdimësisë, prandaj prej njëshit, krijesa e dytë, dha mundësinë për të menduar e shqiptuar qënien e numërit 2 (dy), si fillesë e shumimit, vazhdimësisë së jetës dhe si bazë e komunikimit …

Statistika është shkenca që studion marrjen, organizimin, analizimin dhe interpretimin e ndryshimeve sasiore në zhvillimin e shoqërisë, të ekonomisë, të kulturës etj., duke mbledhur të dhëna numërore për to, të cilat grupohen e përpunohen me metoda të veçanta. Statistika gjithashtu paraqet tërësinë e të dhënave numërore të mbledhura nga një fushë e jetës ose e ekonomisë ose për një dukuri të renditur sipas një kriteri të caktuar. Statistika nuk është degë e matematikës, por konsiderohet si një degë e veçantë për shkak të karakterit shumëdisiplinar.”

Statistikat janë dëshmitare të zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe të vetë njeriut.

“Nëse mblidhen të dhëna të mjaftueshme çdo gjë mund të mbrohet me metoda statistikore” (Arthur Bloch)

Statistika është bazë logjike për atë që dëshiron të logjikojë. Është më pa sy ai që nuk dëshiron të shikojë megjithë se i ka sytë, se sa ai që nuk ka sy, nuk shikon dot, po ka dëshirë të shikojë …

Shërbimi statistikor në Republikën e Shqipërisë realizohet nga:

  • Instituti i Statistikave (INSTAT);
  • Agjencitë Statistikore të ngarkuara me ligj për prodhimin e statistikave zyrtare;
  • Departamentet e statistikave në ministri dhe institucione të tjera qendrore;
  • Persona juridikë e fizikë

Para krijimit të shtetit shqiptar më 1912 shërbimi statistikor nuk ekzistonte.
Në vitin 1924 për herë të parë u krijua një zyrë statistikore që mbante evidenca të ndryshme ekonomike pranë Ministrisë së Botorës (mirëmbajtjes së rrugëve) dhe Bujqësisë. Veprimtaria e kësaj zyre kufizohej në inventaret bujqësore që përfshinin numrin e bujqëve dhe llojin dhe sasinë e shfrytëzimit të tokës me bimë bujqësore e blegtorale, si dhe në disa statistika të cekta mbi industrinë, tregtinë, eksport-importet dhe çmimet. Për herë të parë shërbimi statistikor në Shqipëri është institucionalizuar me Dekretin nr. 121, dt. 8/04/1940.

Sistemi statistikor në shtetin shqiptar është themeluar me Vendimin nr. 35, dt. 13/01/1945 me krijimin e Drejtorisë së Statistikës të atashuar pranë Këshillit të Ministrave. Më vonë kjo drejtori kaloi nën varësinë e Komisionit të Planit të Shtetit.

Sot, në zbatim të ligjit nr. 17, datë 05.04.2018 “Për statistikat zyrtare”, ky sistem përbëhet nga një numër institucionesh të ngarkuar për prodhimin e statistikave zyrtare dhe institucione të tjera, publike ose jo, të cilët nxjerrin statistika të fushave të ndryshme për monitorimin apo zbatimin e politikave të veta zhvilluese. Sistemi Kombëtar Statistikor e ushtron aktivitetin në përputhje me ligjin e lartpërmendur dhe Programin shumëvjeçar të Statistikave i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Përgjegjës për zbatimin e Programit dhe monitorimin e Sistemit Statistikor është Instituti i Statistikave (INSTAT) si institucioni kryesor prodhues i statistikave zyrtare.

2.

Edukimi statistikor i njerëzve të shoqërisë sonë mbi rëndësinë e të kuptuarit, realizimit, përdorimit dhe dobisë së statistikave është një nga përparësitë kryesore, pasi statistikat janë dëshmi shifrore të historisë së shoqërive tona ndër vite dhe na ndihmojnë të orjentohemi për të ndërtuar politika, projekte dhe të marrim nisma për të ndërtuar një ekonomi kombëtare e familjare të bazuar në fakte dhe parashikime të qëndrueshme.

Edukimi mbi statistikat në botë dikur ka qenë pronë vetëm e studiuesve, politikanëve, filozofëve, etj., pra vetëm i një elite të vogël. Pas 1950-ës në Angli statistikat u përfshinë në plan-mësimet e matematikës së shkollës së mesme, të lidhura ngushtë me studimin e probabilitetit dhe të orjentuara në teori (me vëmendje të veçantë në studimin e provës së Hipotezës); pas viteve 1970-të statistikat u përfshinë në plan-mësimet e shkollave fillore, duke u përqëndruar në format grafike të pasqyrimit, si një mënyrë më e lehtë e të kuptuarit të shifrave të mbledhura, ku në Europë u shfaq projekti i madh zhvillimor  që u quajt “puna me të dhënat numerike”

Edukimi statistikor është një sistem veprimesh për njohjen e publikut të gjerë me informacione dhe njohuri statistikore, të cilat nevojiten për të kuptuar apo për të qënë në gjendje të gjykojnë nëse një njoftim, një numër a shifër, një çmim, grafikë, tabelë me të dhëna numerike,etj., është e arsyeshme, e besueshme, apo jo. Për një qytetar të thjeshtë, edukimi statistikor është i rendësishëm në tre drejtime :

Së pari: Si nevojë për të kuptuar në jetën e përditshme shifrat dhe faktet numerike që pasqyrojnë jetën ekonomike e shoqërore në të gjitha aspektet;

Së dyti: Si domosdoshmëri për të parashikuar vendime personale e familjare dhe si një mjet për të ushtruar kontroll demokratik mbi administratën publike, politikën, etj.;

Së treti: Për të planifikuar dhe realizuar zhvillimet e ardhshme ekonomiko-shoqërore në planin kombëtar, personal dhe në përshtatje me globalizimin e ekonomisë, zhvillimet teknologjike dhe të ardhmen e një bote pa pengesa kufitare, për të përdorur gjerësisht potencialet, aftësitë e pashtershme të njeriut në dobi të përmirësimit të jetës së tij dhe të përparimit të shoqërisë ku ai jeton …

Po si është gjendja e Edukimit Statistikor në vendin tonë sot dhe si janë parashikimet për të ardhmen ?!

Edukimi statistikor në vendin tonë është në nivele fillestare në përmirësim, por me të ardhme të mirë drejt ngritjes drejt nivelit mesatar. Këto vitet e fundit edukimi statistikor, si pjesë e kulturës dhe e edukimit të përgjithshëm ekonomik ka patur përmirësim të ndjeshëm, të dukshëm. Shtyllat e veprimit për të realizuar një edukim statistikor bashkëkohor janë : Bashkëpunimi institucional, Hapësira shkollore, Vizitat mësimore-zbavitëse në shkolla, Konkurstet trainuese-shpërblyese; Organizimi i Ngjarjeve muzikore, pikturike, sportive me element të statistikave, forumet, panairet, etj., Përdorimi për popullin e sidomos rininë i E-Learning në mënyrë masive dhe argëtuese, si pjesë e jetës intelektuale, etj.

Pjesë e edukimit statistikor janë të gjithë njerëzit, por në veçanti mësuesit, administrata e të gjitha niveleve, fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të mesme e të larta, përdoruesit e internetit dhe të rrjeteve sociale dhe punonjësit e mediave të të gjitha llojeve, që kanë ndikim të dukshëm në masën e njerëzve.

Duke filluar nga viti 2020, INSTAT është bërë pjesë e nismës europiane të “Edukimit Statistikor” duke vënë në punë njohuritë fillestare të statistikave për popullin, veçanërisht për studentët e nxënësit në faqen zyrtare të saj www.instat.gov.al, me botimin e revistës shkencore “Kërkimi”, botimin e Vjetarit Statistikor çdo vit, duke kryer vizita nëpër shkolla e insitiucione të ndryshme, ku zhvillohen biseda me karakter njohës, studimor, etj.

Rezultate e kësaj pune të gjithanshme, në vazhdimësi, janë të dukshme, të prekshme, optimiste dhe inkurajuese. Kjo punë duhet vazhduar me seriozitet e durim.

3.

Këtë vit, në muajt në vazhdim, ose më saktë këtë vjeshtë, INSTAT-i ndodhet përballë një sprove të madhe; është përballë një ngjarjeje me të vërtetë historike: Kanë nisur përgatitjet për të realizuar me sukses nga 18 shtatori deri në muajin tetor 2023, CENS-in, numërimin e Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri, i cili do të jetë i 12-ti, që kur vendi ynë u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923, pra, një shekull më parë.

“ Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka planifikuar të kryejë censin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2023. Censi i Popullsisë dhe Banesave  do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë universale bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhen e të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave  do të marrë në konsideratë në masën më të madhe të pyetjeve thelbësore, duke marrë parasysh dhe kërkesat e përdoruesve vendas, rekomandimet e fundit ndërkombëtare, në veçanti rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat) si dhe duke përfshirë ato që lidhen me cilësinë e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale. “

Censi 2023 është një Aksion i Madh Kombëtar dhe si i tillë duhet vlerësuar nga çdo qytetar, jo vetëm për faktin se qytetarët janë të detyruar me Ligj të përgjigjen dhe të japin të dhënat e parashikuara në formularin e fiksuar në tabletat elektronike, por edhe sepse është detyrë qytetare dhe atdhetare që të ndihmohen me të gjitha mundësitë anketuesit, të cilët do të kryejnë, do të realizojnë këtë punë të vështirë, por edhe të domosdoshme, duke shkuar shtëpi më shtëpi për të mbledhur informacion, me rendësi të madhe për ecurinë me sukses të punës së INSTAT-it në të ardhmen, në shërbim të rritjes së edukatës statstikore të njerëzve dhe të kulturës ekonomike në përgjithësi.

Ndihmojeni INSTAT-in në këtë ndërmarrje të madhe e të vështirë, që të jeni të gjithë vazhdimisht të ndihmuar prej këtij institucioni, me shërbime cilësore dhe të dobishme për jetën tuaj !

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.