Letër e hapur
PRESIDENTIT EMMANUEL MACRON
KANCELARIT Olaf SCHOLZ
– Është koha që Franca dhe Gjermania të dëshmojë drejtësi për Kosovën –
Ju përzgjodha për këtë letër, ngaqë e di peshën Tuaj brenda BE-së dhe më gjerë. Angazhimi Juaj President Macron dhe Kancelar Scholz, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e konsiderojmë si një nismë fisnike. Sepse ndërmjetësuesit Borrell dhe Laiçak dështuan, duke u pozicionuar njëanshëm në përkrahje të persekutorës Serbi, për ta anashkaluar dhe dëmtuar viktimën Kosovë.
E kuptojmë ngutinë e shteteve të Quintit, për ta qetësuar Ballkanin Perëndimor, duke e tërhequr Serbinë në Evropën Demokratike dhe shkëputjen e saj nga Rusia ekspasioniste e fashiste. Por, kjo nuk duhet të bëhet assesi në dëm të Kosovës, duke e bërë Serbinë hisedare në territorin e Kosovës.
Për këtë është zgjedhur mënyra përfide: Fillimisht, bërja e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, pastaj veprimet “alla Dodik”, si në Bosnje Hercegovinë, për ta bërë një -Republika Srpska-, me qëllim të shkëputjes të veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë.
Në harkun kohor prej tri dekadash, janë provuar disa faje, të cilat Qendrat e Vendosjes i kanë bërë ndaj shteteve tjera:
Presidenti Clinton e pranon fajësinë se bindi Ukrainën, për të hequr dorë nga programi bërthamor. Por, e pësoi me përgjakjen që i bënë Rusia sot Ukrainës.
Ambasadori Cristopher Hill thotë se “bëra gabim që lejova krijimin e Asociacionit, për 14 komunat serbe në Bosnje e Hercgovinë. Sepse, me gjithë garancitë tona, serbët atje themeluan Republikën e tyre dhe kërcënojnë me shkëputje nga Bosnja Hercegovina, për t`u bashkuar me Serbinë. Ndërkohë, “non grata” të DASH-it amerikan, Dodik e quan “letër higjenike!”
Plani i Presidentit Ahtisari rezulton të këtë qenë i ndikuar nga miqtë evropianë të Serbisë. Presidenti Clinton e pranoi se “nuk isha dakord me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë”.
Ngulmimi për ta bërë Kosovën multi-etnike, ishte marrëzi, kur dihet se 94 % e popullsisë të saj janë shqiptarë. Edhe pse e betë Kosovën multi-etnike në letër, me qëllim që t`u jipni më shumë të drejta minoriteteve në Kosovë, madje deri në cënimin e funksionimit normal të shtetit të Kosovës, siç është pamundësia e marrjes të disa vendimeve, -pa 2/3 (dy/tretat) e deputetëve të minoriteteve-, tani BE-ja kërkon krijimin e Asociacionit mono-etnik për serbët e Kosovës!?! Një kontradiktë e paakceptueshme! Pse bëhet dhe kujt i duhet kjo -lojë e përgjakshme-, kur dihet se kufinjtë nuk mund të ndryshohen pa luftë?!!
Pak histori:
Më 1878, kur Kongresi i Berlinit përgjysmoi territorin tokësor, të banuar, kryesisht, nga shqiptarët, duke ua dhuruar fqinjëve lakmiqarë ballkanas, Franca dhe Gjermania ishin pjesë e krimit, përkrah Rusisë cariste.
Në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Gjermania shkëputet nga aleanca e mëparshme dhe rrjeshtohet përkrah Austro-Hungarisë, në mbrojtje të pavarësisë të Shqipërisë, të shpallur një vit më parë. Ndërkohë, Franca aprovoi konfiskimin e trojeve tjera shqiptare, përfshi edhe Kosovën, me trevat tjera shqiptare, përsëri Franca ishte aleate e Rusisë, përkatësisht e Serbisë.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria komuniste vendosi regjimin diktatorial. Gjatë luftës, ajo nuk bëri asnjë betejë ballore me pushtuesit italianë e gjerman. Por, bëri luftë civile kundër “Ballit Kombëtar” antikomunist. Prandaj, edhe pse, formalisht, i takonte Bllokut Antifashist, nuk gëzoi reparacionet, dëmshpërblimet e luftës. Vrasjet, pa gjyq dhe me gjyqe fiktive, ndaj kundërshtarëve ideologjik e politikë, i vazhdoi edhe pas luftës, duke i ekzekutuar e burgosur të gjithë deputetët demokratë. Në shenjë proteste, për fashistizimin e vendit, me vrasje, burgje, internime, duke i vrarë e lënë 6.000 intelektualë pa varr, SHBA, me aleatë, si Gjermania, Anglia e tjera, ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë staliniste e tej fashiste.
Ndërsa, Franca jo vetëm që nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, përkundrazi, ajo u përkujdes për shëndetin dhe dhëmbët e diktatorit filo-sllav Enver Hoxha!
Një gazetar i një medie prestigjioze, pyet një ministër francez: “Pse Franca, me aleatë, toleron bandën pushtetare të Enver Hoxhës, ta torturojë në dekada, popullin shqiptar në Shqipëri?!”
– Minstri francez përgjgjet me cinizëm: “Shqipërinë e kemi lënë si një muze të mjerimit në Evropë!”
Ja, deri ku arrinë mendësia e përfaqësuesit të Francës, dikur tempull i Revolucionit, lirisë, drejtësisë, barazisë në Evropë dhe mëtej në botë.
Në luftën, më saktë, masakrën e Serbisë në Kosovë, 1998-1999, edhe pse Franca, si anëtare e NATO-paktit, për herë të parë reflektoi dhe u rrjeshtua në krahun shpëtimtar të Kosovës, megjithatë, miqësinë me Serbinë nuk e harroi. Një oficer francez, pjesë e kontigjentit ushtarak francez, dekospiroi, spiunoi planet, veprimet goditëse të NATO-s, përgjatë bombardimeve në caqet vitale ushtarake në Serbi, Mal të Zi, Kosovë!!
Për hirë të unitetit të aleancës ushtarake, rasti i rëndë i tradhtisë, u tejkalua, u mbyll si një epizod skajor, eksepsion, përjashtues, edhe pse shumë domëthënës, në kuadrin e vijimësisë të një aleance, gjithnjë të ruajtur dhe besnike!
Franca në aleancë të fshehtë me Serbinë, kundër Kosovës!
E gjithë drama e sotme e Kosovës nismon me “miqësinë” e frengut Arnaud Danjean me Hashim Thaçin, në Zyrich dhe Gjenevë të Zvicrës, qysh para luftës. I pari që e zbuloi dhe e denoncoi këtë “miqësi”, ishte bashkëpunëtori i afërt i Hashimit, i ngarkuari me punë të Jashtme i LPK-së, Bardhyl Mahmuti.
Ndërsa shefi gjeneral i Shërbimit Sekret të Francës, Pierre Siramy, anëtar i DGSE, në një dokumentar Special, të “CANAL +”, thotë: “Hashim Thaçi është agjent i yni, agjent i Francës. Në historinë e rekrutimit të Thaçit është përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë Oficer Hulumtues për Çështje të Ballkanit”. Ai ishte dhëndër i Serbisë dhe e fliste gjuhën serbe.
Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), ishte organizatë ilegale, që veproi në Kosovë dhe Mërgatë. Dega e LPK në Mërgatë, përmes agjentëve të UDB-së dhe “diplomatëve” shqiptarë, pjesë e Sigurimit Sekret të Shqipërisë, u vu nën kontrollin e tyre. Disa nga krerët e LPK-së, tashmë, ishin agjentë të dyfishtë.
UDB-a, në koordinim me agjentët e saj, nga radhët e LPK-së, ekzekutoi disa krerë nacionalistë: Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, Vehbi Ibrahimin, Enver Hadrin dhe të tjerë. Organet kompetente gjermane i arrestuan agjentët e Serbisë dhe të Shqipërisë, njëherësh, pjesë e krimit faktik, por, për habi, i liruan “në mungesë provash?!” Ndërkohë, gjykata gjermane, për vrasjen e një disidenti kroat në Mynih, organizatorin e vrasjes, e dënoi me burg të përjetshëm.
Agjentët e dyfishtë, krerët e LPK-së, në mesin e mërgimtarëve të Kosovës, sabotuan fondet për mbijetesën e popullit të Kosovës, nën pushtetin serbo-sllavë, përgjatë dy dekadave. Grupit të hafijeve të hershëm të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar, iu shtuan edhe agjentë të rinj, Hashimi me shokë. Këta ishin më të zi se të vjetrit. Bënë puç në Kryesinë e vjetër të LPK-së.
Tirana zyrtare social-komuniste kushtëzoi marrjen e dhunshme të drejtimit të partisë (LPK-së); fletushkën “Zëri i Kosovës”; Fondin “Vendlindja thërret”, duke e bërë -të parë- kuadrin e PS-së, njeriun e SHISH-it dhe të SHIK-ut, njherësh! Edhe pse Kryesia e re e LPK-së, e akuzoi për tradhti Kryesinë e vjetër, të dy palët, agjentët e dyfishtë, të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar, u bënë pjesë, me agjitim, tashmë, me fletushkën të bërë gazetë “Zëri i Kosovës”, kopje e pistë e “Zëri i Popullit” dhe me praninë fizike, në përkalljen e Shqipërisë, në vitin 1997!!
Të paktën, 4 (katër) nga pretenduesit e themelimit të “UÇK-së” të LPK-së, dematojnë Hashim Thaçin:
- a) Hashimi nuk është themelues i UÇK-së;
- b) Asnjë strukturë partiake apo ushtarake nuk e ka emëruar Hashimin Drejtor Politik të UÇK-së;
- c) Askush nuk e ka zgjedhur Hashimin udhëheqës të delegacionit të Kosovës në Rambuje;
- d) Hashimi nuk është pjesë e luftës të “UÇK-së”.
- e) Askush nuk e ka autorizuar Hashimin, për ta lexuar deklaratën e shpalljes të Pavarësisë të Kosovës. sepse nuk po shpallej qeverua e pavarur, por shteti i Kosovës. Dhe, para tij ishin Presidenti i Republikës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës. Pra, marrja e kompetencave të huaja, ishte e turpshme. Hashimi donte të hynte, dhunshëm e turpshëm, në histori!
Pra, Hashim Thaçi nuk është as kreu dhe as bishti i UÇK-së, siç e kam thënë dhe përsëritur publikisht. Të gjitha këto atribute ia ka dhënë vetës, me këshillimin e agjentit të Shërbimit Hulumtues francez DGSE, Arnaud Danjean, shef dhe mentor i Hashimit.
Nga përgjimi i kuadrit të specializuar të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve, njëherësh, rezulton se agjenti Arnaud Danjean, i ishte bërë “pullë” Hashim Thaçit, duke e nxitur ta refuzojë dhe dështojë “Konferencën, përkatësisht, Marrëveshjen e Rambujesë”, gjegjësisht, nënshkrimin e saj, sepse këtë e priste Beogradi nga miku i tij, Danjean. Siç thotë politikani, përfaqësuesi i Shoqërisë Civile në Konferencën e Rambujesë, Veton Surroi: “Po të ishte dëgjuar Hashim Thaçi në Rambuje – lamtumirë Kosovë!”
Publicisti Surroi, si askush tjetër, në librat e tij, me tematikë para, gjatë dhe pasluftës, lakuriqësoi megallomaninë, injorancën, tradhtinë dhe hiçësinë e LPK-së, duke e mohuar, madje, tërësisht, ekzistencën e “UÇK-së” të LPK-së, e cila nuk arriti kurrë të angazhohet në Luftën e Kosovës, me formacionet e saja ushtarake. Realisht, LPK-ja, përkatësisht, “UÇK-ja” e saj, kishte “komandantë”, të vetëquajtur, por, pa ushtarë. Ushtarët ishin të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe këtë e pranojnë, të paktën, dy komandantë rezidentë në Kosovë, përgjatë luftës. Njëri pranon se 98 % të ushtarëve dhe tjetri qind për qind (%) të ushtarëve ishin nga radhët e LDK-së.
E pranojnë themeluesit e “UÇK-së” të LPK-së, të paktën, 4 (katër) syrësh, edhe përsëritur publikisht, se “UÇK-ja” e LPK-së dhe lufta u sabotua. Rrjedhimisht, tradhtia ndodhi dhe përmendin 4 (katër) emra, sipas pozitave fiktive që mbanin: Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin dhe Kadri Veselin. Me zemratë të veçantë këtë tradhti e denoncon dhe dënon ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi, i cili shton se “Komunikatat, në emër të SHTAB-it të UÇK-së, nuk janë shkruar nga BANHOFËT!”
Ndërkombëtarët, përkatësisht, NATO me “Apaçët” saj, çliroi Kosovën, në kufinjtë e saj klasik, ekzistues, sepse ish-Republikat, Krahina e Kosovës dhe Provinca e Vojvodinës, të cilat përbënin Federatën Jugosllave, kishin kufinjtë strikt të përcaktuar administrativ. Atëherë, pse kontigjenti i KFOR-it francez e zbriti kufirin në Urën e Ibrit, përkatësisht, përgjatë Lumit Ibër, gjë që një lëvizje e tillë e kufinjëve, nuk ndodhi në asnjërin, tashmë, shtete të ndara nga Jugosllavia?!
Kriminelët serbë në veriun e Mitrovicës, sulmuan shqiptarët vendorë, në shtëpitë e tyre, duke vrarë një duzinë dhe duke përzënë disa mijëra të tjerë, me qëllimin ultra-fashistë, ta ndryshojnë stukturën e popullatës në atë zonë. E gjithë kjo plojë ndodhi në praninë e ushtarëve francezë, ndërkohë që ishin zotuar për të mbrojtur popullatën, pa dallim përkatësie nacionale, fetare, ngjyre apo ideologjie. Megjithatë, u bënë spektatorë gjakftohtë, përballë krimeve makabre. Protestuesit shqiptarë dhe minoritetet tjera jo serbë, nga pjesa jugore e Mitrovicës, u bllokuan nga ushtarët francezë ke Ura e Ibrit.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli mbajtën fjalimet e tyre mashtruese, me premtimin se, “së shpëjti do t`ju kthejmë në shtëpitë tuaja” në veri, gjë që nuk ndodhi asnjëherë deri më tani. Dhe, vrasjet, rrahjet brutale dhe dëbimet individuale e grupore vazhduan dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Kosova kurban i komandantëve të “UÇK”,
të shantazhuar me dosjet e krimeve serike
Disa nga komandantët e “UÇK-së” të LPK-së, të etur për pushtet, u zhytën në krime vrastare, të kundërshtarëve politikë, kryesisht, ushtarakëve të FARK-ut; bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve të luftës; kuadrove të hershëm të LPK-së, rivalë të mundshëm në të ardhmen, brenda llojit, si dhe të aktivistëve të së djathtës shqiptare të Kosovës.
Të gjitha këto krime të LPK-së së djeshme, përkatësisht, të PAN-it të sotëm, janë “një e fshehtë publike”, sepse janë krime masive, gjysmë legale, jo 100 e as 200 vrasje politike, por, sipas llogaritjeve, kapin shifrën e disa qindra personave, të ekzekutuar ditën për diell dhe natën në errësirë.
Ndoca vrasje u bënë ende pa filluar lufta. U shtua numri i vrasjeve, me urdhër të SHTAB-istëve të “UÇK-së” të LPK-së, madje me lista emërore morbide, të bëra në vilat e Bllokut të Zi të Tiranës. Pas lufta ishte e frikshme, jo vetëm për kuadrot e LDK-së, por edhe për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me veprimet fashiste, të bandës të Qeverisë të Përkohshme të Hashim Thaçit, e kopjuar, besnikërisht, nga junta ushtarake, ultra fashiste të partizanëve të Enver Hoxhës. Emërtesa – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, siç e cilëson bandën e qeverisë në fjalë, Prokurori amerikan Xhack Smith, është adekuate e saktë.
UNMIK-u, me shefin e tij Michael Kouchner, bënte sehir, ai e dinte se Hashimi është agjent i Francës dhe përqafohej, deri në puthje, me atë. Asfare nuk i bënin përshtypje vrasjet politike, pothuajse, të çdoditshme. Ndonëse vrasjet ishin gjysmë legale, policia arrestonte vrasësit individual e gruporë faktik. Kinse i hetonte, me ditë, javë e muaj dhe “i lironte për mungesë faktesh!” Ndërkohë, grupi kriminal vriste ndonjërin nga mesi i tyre dhe krimi i faturohej të vrarit.
Në prillin e 2003, në Kompleksin Memorial në Koshare, shefja ime e Emërgjencës, Sabahate Tolaj, e vrarë në cilësinë e Hetuesës Speciale, së bashku me Isuf Haklaj, tashmë, Heroinë dhe Hero të Kosovës, më thoshte: “E bëjmë gadi dosjen e krimit, pothuajse, të gatshme për Gjykatë. UNMIK-u na e merr dosjen nga dora, e futë në kasafortë dhe kurrë më nuk hapet! Dhe, na jep një dosje tjetër për trajtim!
Hashim Thaçi ishte në dijeni se fati i tij, me bashkëpunëtorë në krime, është në dorën e Serbisë, ngaqë ajo posedonte dosjet me krimet numerike të tyre. Hashimi, me PAN-in e tij, provoi dhe dështoi në zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Ai me komandantët e tij të inkriminuar, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, u dakordua të zbatojnë planet e Serbisë në kurriz të Kosovës, deri në ndarjen e saj, në këmbim të lirisë së tyre personale e grupore.
Serbia vepron, organizon protesta të dhunshme të mars-prillit 2004, në Kosovë, përmes agjentëve të saj, brenda partive-banda të PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA, për qëllime politike, ku u vranë 19 persona dhe u dogjën shtëpi e kisha ortodokse serbe. Policia e UNMIK-ut arrestoi kryesuesit e protestave vandaliste, disa krerë të OVL të UÇK-së të komunave, si dhe disa kryetarë lokalë të partive të PAN-it, por jo edhe shefat e tyre, hafije të Serbisë. Pas pak muajsh, i liroi, pa i kërkuar llogari Beogradit, edhe pse e dinte se qëndronte prapa këtyre protestave vandaliste të përgjakshme
Për këtë BE-ja, ndërkombëtarët penalizuan, padrejtësisht, Kosovën, duke kërkuar dhe bërë decentralizimin e pushtetit lokal, përkatësisht, duke krijuar fshat e komunë serbe, për të ardhur tek kërkesa absurde – krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe-, që është bërë “Thembra e Akilit” për shtetin e brishtë të Kosovës.
Thaçi, me porosi të Serbisë, dialogun Teknik e shëndrroi në Politik
Përtej një dekade vazhdon dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e përfaqësuesëve të BE-së. Filloi si dialog teknik dhe Serbia, me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Hashimit dhe të përfaqësuesëve të BE-së, e ktheu në dialog politik. Këtë e arriti Serbia përmes pengut të saj, rrast të shantazhuar, Hashim Thaçi dhe veglës së tij, Edita Tahiri, e cila mashtronte opinionin se “dialogojmë vetëm për çështje teknike!?”
Presidenti i shantazuar Hashim Thaçi, me shokët e tij të krimeve numerike, i ndodhur në siklet të madh, nga hetimet që bënte Prokurori Xhack Smith, për krimet e luftës dhe të pasluftës, përmes diplomatëve ambasadorë, të prirë nga Vlora Çitaku, intensifikoi lobimin, madje me pagesë të majme, për ndarjen e Kosovës. Lobuesit e dikurshëm për çështjen e Kosovës, tani u bënë argatë të Hashimit, për zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Me Vuçiqin e kishte bërë pazarin, të cilin, për opinionin e shpalosi, shelegu i Hashimit, spiuni i hershëm i Serbisë, Baton Haxhiu, në T7, emisioni “PRESSING”, me drejtues Leonard Kërçukun:
1) Veriu i Mitrovicës t`i lihet Serbisë;
2) Të zhbëhet Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë;
3) Të bëhet falja e krimeve reciproke dhe pajtimi Kosovë-Serbi.
Për ndarjen e Kosovës ishte pajtuar edhe këshilltari me pagesë i Serbisë, amerikani Richard Grenell. Ardhja e Albin Kurtit në pushtet e shqetësoi Grenellin. Ai e shpërfilli Kurtin dhe flirtoi me LDK-në dhe PAN-in. Në mënyrë mafioze dhe arbitrare i dha urdhër LDK-së, që brenda javës ta prishë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe, ashtu u bë! Ishte goditja fatale, jo vetëm për dy partitë në koalicion, por edhe për Kosovën.
Serbisë nuk po i shkonte “muhabeti” me kryeministrin Kurti. Si në kor, reagoi katërsha e parë e Beogradit zyrtar: Vuçiq, Bernabiq, Daçic, Vulin: “Me Thaçin dhe Haradinaj merreshin vesh, me Kurtin nuk bisedohet!”
Njeriu i parë i BE-së, Borrell dhe disa ndërmjetës të tjerë, përkrah Serbisë!
Kurti nismoi reciprocitetin me Serbinë, kalimin kufitar me dokumente të njëjta, targat dhe të tjera. Reagimi nga pala serbe ishte i sertë. BE-ja, ndërkombëtarët, “Kosova ka të drejtë, por, të mos politizohen targat, sepse ato janë teneqe!” Në fakt, targat ishin pjesë e sovranitetit, pasi serbët, në veçanti, ata në veriun e Kosovës, deklaronin hapur se “nuk e njohim pushtetin e Kosovës, jemi me Serbinë, president e kemi Vuçiqin!”
Bandat serbe provokonin, deri në plagosjen e policëve të Kosovës. Mjaftoi arrestimi i një krimineli dhe ata të protestonin, të barrikadonin. Përfaqësuesit e BE-së, në ndërmjetësim të dialogut, kishin mirëkuptim për bandat e veriu dhe akuzonin qeverinë Kurti “për provokimin e serbëve! Serbët kanë drejtë të vënë barrikadat, thonin ndërkombëtarët”. Dhe, kjo i trimëroi bandat, duke shtuar barrikadat edhe në rrugët dytësore e tretësore.
KFOR-i dhe EULEX-i përsërisnin deklaratat klishe: “Jemi këtu për mbrojtjen e të drejtave të njriut dhe lëvizjen e lirë të njerëzve!” Ndërkohë, barrikadat shkëlen të drejtat elementare të lirisë dhe të lëvizjes, për një muaj radhazi. Edhe ushtarët e KFOR-it ecnin në këmbë, në rrugët dhiare e mushkatore. Rast unik në botë! Evropa dhe bota u dorëzua para bandave serbe të veri” Tmerr e marrëzi!!
“Të bëhet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me njohjen “de jure” të Kosovës-, – thanë personalitetet e BE-së dhe SHBA-së, përfshi edhe Presidentin Biden. Për çudë, u pishmanzuan, “jo, Serbia nuk po pranon, atëherë vetëm njohje “de fakto”. As këtë nuk e pranoi dhe as marrëveshjet tjera nuk i nënshkroi Vuçiq! “Të vazhdohet edhe pa nënshkrim”,- thanë Lajçak e Borrell. Nga Brukseli, u kalua në Ohër, si simbolikë e një marrëveshje të brendshme maqedono-shqiptare, dikur në Maqedoni. Edhe këtë marrëveshje e dështoi Serbia. Ajo nuk pyeti as për platformëm-shpresë për zgjidhje të dyshës së fuqishme evropiane, Macron-Scholz! Një mujëshi dhe poshtërim i radhës ndaj Evropës dhe botës, nga ana e Serbisë!
Beogradi zyrtar në koordinim me Moskën, urdhëruan serbët e veriut t`i braktisin të gjitha zyrat në veriun e Kosovës, përfshi policinë, gjyqësinë, parlamentin dhe administratën vendore. Kërkonin më çdo kusht e çmim kaos e gjakderdhje, me qëllim të përfitimit politik, deri në shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Ky qëllim do të arrihej përmes – krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe -! Krejt njësoj si në “Republika Srpska” në Bosnje dhe Hercegovinë. BE-ja, me ndërkombëtarët tjerë, si papagaj, përsërisnin plotësimin e këtij kushti fatal për Kosovën.
Ndërkohë që, personalitetet evropianë e botërorë; gazetarë e analistë prestigjiozë, përcjellës të rrjedhave politike ballkanike, evropiane dhe botërore, i bënin thirrje BE-së, SHBA-së dhe Kosovës, “mos pranoni kushtin kriminal të Serbisë, – krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe -, sepse kjo është nismë e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, respektivisht, bllokim i sovranitetit të Kosovës, në perspektivë shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë.
Këto qëllime, tashmë, janë bërë publike nga Komisioni i minoritetit serb, në “Draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Kosovë”, ku kërkohet autonomi territoriale dhe referendum të serbëve të Kosovës”! Dhe, këtë “Draft-statut”, sa të poshtër, aq edhe kriminal serb, të hartuar në Beograd e Moskë, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, cinikisht e pacipërisht, e quan “nismë të mirë për dialogimin e mëtejmë!” Më qartë nuk ka se si të pranohet, nga përfaqësuesi i dialogut, më sakt, nga BE-ja, ndarja dhe aneksimi i një pjese të territorit të Kosovës nga Serbia!!! Ndërmjetësues e jo mahi!?
Për muaj të tërë Veriu i Kosovës u la në mëshirën e kriminelëve serbë, duke e bllokuar qeverinë e Kosovës për çfarëdo ndërhyrje, për t`i dhënë fund kaosit, anarkisë, terrorit të bandave serbe, të cilat vazhdonin të digjnin veturat dhe të dëmtonin pronat e serbëve vendorë, kryesisht, të opozitës serbe, duke mos lejuar asnjë bashkëpunim me pushtetin dhe qeverinë e Kosovës.
Ndërkombëtarët u pajtuan të mbahen zgjedhjet komunale në katër komunat e veriut të Kosovës. U njoh edhe rezultati i zgjedhjeve ligjore e demokratike. Por, Beogradi zyrtar nuk i njohu dhe urdhëroi bandat, për bllokimin dhe pushtimin e zyrave komunale.
Ndërkombëtarët, pothuajse, -en bloc- u pajtuan me Vuçiqin, përveç Anglisë, e cila ishte përkrah Kosovës. Përpjekja e Qeverisë të Kosovës, të ushtrojë sovranitetin edhe në këtë pjesë të Kosovës, duke i vendosur kryetarët komunalë në zyrat e tyre, hasi në kundërshtinë e bandave të armatosura, të dërguara nga Serbia, enkas, për të shkaktuar rrëmujë e gjakderdhje.
Zullumi kulmoi më 29 maj 2023, në veriun e Mitrovicës, kur bandat e milicisë fashiste të Beogradit sulmuan ushtarakët e KFOR-it, Policinë e Kosovës, gazetarët, qytetarët vendorë. Breshëri gurësh, stupca e plumba plagosën tej 30 ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës, gazetarë dhe qytetarë të tjerë. Një ushtarit hungarez iu amputua edhe këmba, e goditur nga plumbi.
Shqiptarët e kudondodhur e përjetuan rëndë, lotuan me dhimbje, si për djalin e tyre, sepse ai ishte në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Në këtë krim njerëzor, u bë pjesë edhe BE-ja, me aleatë, sepse pas çdo eskalimi dhe përshkallëzimi të dhunës të bandave serbe në veri, në kundërshti të qeverisë të Kosovës, i përligji veprimet dhe dhunën e bandave serbe, të ndërsyera nga Beogradi zyrtar dhe personalisht presidenti Vuçiq!
“Të dënohen dhunuesit, në protestën e paprovokuar të 29 majit”,- tha Borrell dhe ndërkombëtarët e tjerë. Policia Kosovës arrestoi disa protestues të vrazhdët, “të zënë me pelë për dore”, me gurë, stupca e plumba! Borrell dhe ndërkombëtarë të tjerë, u penduan çfarë thanë dje, amnistuan, madje, pa kërkuar falje fare banda zyrtare e Beogradit, e prirë nga presidenti Vuçiq. Dhe, për habinë e të gjithëve, e dënuan dhe e ndëshkuan Kosovën me sanksione. Bota demokratike nuk u pajtua me këtë marrëzi zyrtare të BE-së dhe të disa ndërkombëtarëve, andaj reagoi në mbrojtje të Kosovës-viktimë, duke kërkuar ndëshkimin e Serbisë provokatore dhe persekutore.
Të nderuar President Macron dhe Kanzelar Scholz,
Më ndjeni për zgjatjen, por, e pashë të arsyeshme të bëj një përvijim kronologjik të trishtë historik të Atdheut tim-Kosovë, duke e thënë vetëm të vërtetën, madje në shkallën sipërore.
Tani është radha e Juaj të vendosni drejtësi, për të mirën e popullit serb dhe atij shqiptar, që është në interes jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës dhe me gjerë në botë. Shembulli tragjik i Kosovës dhe Bosnjes dje, si dhe i Ukrainës sot, duhet të jetë pikënisja e Juaj, për një zgjidhje të drejtë, të paanshme, të qëndrueshme, të bashkëjetesës në fqinjësi korrekte.
Njohja reciproke e dy shteteve, Kosovë-Serbi dhe largimi nga agjenda e dialogut, bisedimeve për Asociacionin, madje, i çfarëdo forme dhe varianti qoftë ai, duhet të jenë guidë dhe moto, për zgjidhjen e problemit të shtisur nga Serbia dhe të dramatizuar, artificialisht, nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë.
Referenca tek – Klausula Sic Stantibus Rebus”, si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik. Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një “Republika Srpska”, e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.
Rrethanat e ndryshuara, nga koha e bërjes të kësaj marrëveshje fatale ndërkombëtare, janë evidente, të dukshme: Ministri i Jashtëm, kryeministri e më pas, presidenti Hashim Thaçi, me disa komandantë të tjerë, ishte i shantazhuari me dosje kriminale vrastare nga Serbia, edhe pse viktimat e tij, janë, kryesisht, shqiptarë të Kosovës, kundërrshtarë politikë të tij dhe të disa komandantëve kriminelë të PAN-it të tij.
Në përpjekje për të shpëtuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ai aprovoi dhe firmosi Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e bërë Serbinë hisedare në sundimin e Kosovës dhe mëtej aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia. Thaçi, me bandat e tij, me krime e terror, mori kompetenca tej mbretërore dhe bëri veprime fatale ndaj Kosovës, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, siç është tjetërsimi i tokave të Kosovës.
Një arsye shtesë është se Serbia dhe serbët e kudondodhur, kanë festuar ngulmimin e krijimit të Asociacionit nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, si krijimin e një “Republika Srpska”, të dytë në Ballkan, pas asaj në Bosnje e Hercegovinë. Madje, duke projektuar krijimin e “Botës serbe”, e cila, së bashku me “Botën ruse”, pretendojnë ta sundojnë jo vetëm Ballkanin, por, edhe më gjerë Evropën dhe botën!
Lexoni, gjykoni dhe vendosni, Ju, të nderuar President Macron dhe Kazelar Scholz!
Shpresoj dhe besoj në mirëkuptimin Tuaj!
Me respekt dhe konsideratë të lartë për Ju!
Idriz Zeqiraj, gazetar