Lis Bukuroca
Albanologu Robert Elsie paska përkthyer një raport të oficerit nazist August Schmidhuberit i shkruar më 2 tetor 1944 në Bavari. Aty flitet për mungesë disipline te shqiptarët, për ikje nga fronti, për uri për të pasur municion, për mungesë respekti ndaj eprorit dhe se për të mbajtur 20 ushtarë shqiptarë të disiplinuar, duhen dy oficerë gjermanë.
Përkthimin e albanologut Rober Elsie kanë publikuar shumë gazeta shqiptare, pa asnjë vërejtje, pa asnjë kritikë! Domethënë, i kanë besuar të gjitha! Çfarë thotë “Duden” për nazizmin: “Lëvizje ekstreme politike, nacionaliste, imperialiste, raciste e themeluar pas LDB dhe e pranuar në Gjermani!”
Atë denigrim nacional shqiptar, gazetat tona kishin përkufizuar si: “Rrëfimi brilant i oficerit gjerman…!”
Ja mendimi i oficerit Schmidhuber përkthyer nga albanologu Elsie:
“Për shqiptarët, disiplinë do të thotë kufizim i lirisë… Ata kanë kohë. Nuk duan të luftojnë në formacione luftarake, por në bandat e tyre… Kur nis të bjerë shi, shqiptari e braktis pozicionin e tij. Kur errësohet, ai ikën dhe shkon në fshat për të pirë një gotë raki. Kur ka kaluar 12 ditë në detyrë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë, pa pyetur e pa marrë leje e mandej edhe mund të kthehet, por edhe jo… Shqiptari nuk e pëlqen stërvitjen dhe qitjen. Ajo çfarë ai do më shumë është thjesht të qëllojë me armë kurdoherë që kjo është e mundur, i fshehur, duke qëlluar i lumtur në ajër. Uria shqiptare për shumë e më shumë municion nuk ka kufij…”
“Kurajua dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Ti mund të vësh përpara dhe ta ndjekësh një shqiptar përgjatë rruzullit me një mortajë të lehtë. Ndërkohë që në sulm, ai nuk shtyhet shumë, deri aty ku gjen diçka për vjedhur apo plaçkitur. Sapo ka kapur dhinë, plugun apo rrotën e një makine qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi. Sa për mbrojtjen, shqiptarët janë ekstremisht nervozë nga zhurma e mortajave. Në kushte të tilla, është absolutisht thelbësore që korpusi i oficerëve drejtues të jetë i madh.
Për 20 shqiptarë të duhen dy oficerë gjermanë: një që t’i drejtojë dhe një tjetër që të hedhë sytë e t’i ruajë”.
Nuk ka asnjë dyshim se ka shqiptarë, siç portretizohen nga oficeri fashist. Nuk ka asnjë dyshim se te çdo komb ka njerëz të tillë. Nuk ka asnjë dyshim se krejt shqiptarët nuk janë të tillë, siç i vizaton një oficer, që ka ardhur nga Bavaria, i armatosur dhe i cili atyre ushtarëve u ka pushtuar vendin. Po a ishin vërtetë ata shqiptarë trima apo frikacakë, siç mendon ai oficer fashist, sa qenka aq e rëndësishme të përkthehet mendimi tij?
Trimëria shqiptare
T’ia nisim nga lart: „Shqiptarët disiplinën përjetojnë si kufizim lirie…“ Nuk mund të besohet se ka qenie të gjallë, e cila i nënshtrohet një komandimi, pezullimit të vullnetit të lirë, mundësisë për të marrë vendime për të lëvizur, që nuk do ta kishte përjetuar si kufizim lirie. Edhe kafsha e mbyllur në stallë përjeton mbylljen si kufizim lirie dhe shfaq shenja depresioni. Domethënë është e qartë se liria kufizohet, kur njeriu është është ushtar, por liria kufizohet edhe në punë, edhe në rrugë dhe njeriu mund ta përjetojë edhe si stres.
E dyta: “Nuk duan të luftojnë në formacione luftarake, por në bandat e tyre…” Formacione luftarake nuk ishin ato. Ato ishin banda naziste, formacione pushtuese dhe se shqiptari nuk dëshironte të luftojë në atë përbërje, tregon vetëm trimërinë e tij dhe gjakimin ndaj lirisë. Bandat e tij, nuk ishin banda, por formacione çlirimi, kurse ato të oficerit gjerman nga Bavaria, ishin banda terroriste, që atij shqiptari, i kishin pushtuar atdheun. Pra, ishte trimëri e madhe të refuzohej pjesëmarrja në atë zogori nazistësh. Trimëri e madhe ishte refuzimi i urdhrit, zbatimi tij, ishte pasojë e frikës.
E treta: “Kur ka kaluar 12 ditë në detyrë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë, pa pyetur e pa marrë leje, e mandej edhe mund të kthehet, por edhe jo…”
Se shqiptari braktis ushtrinë pushtuese pas 12 ditëve, tregon se ai nuk ndjehej i obliguar të veprojë në një armatë naziste dhe se pas 12 ditëve, ka kuptuar se ka bërë atë që nuk duhej dhe pasi i kujtohet atdheu, ai largohet dhe një ikje e tillë, pa leje, që kudo konsiderohet si dezertim, nuk bëhet kurrë nga frikacaku, por vetëm nga trimi. Ikja nga një ushtri naziste duke ditur pasojat, nuk është frikë, por është trimëri e madhe. Për të marrë atë vendim, duhet guxim ose moskokëçarje tepër e madhe.
E katërta: “Kurajua dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Ti mund të vësh përpara dhe ta ndjekësh një shqiptar përgjatë rruzullit me një mortajë të lehtë…”
Heroizmi dhe guximi shqiptar, i ravijëzuar nga një fashist, është sikur sot të shkruante një oficer i kalifatit, mercenar, për mitin e trimërisë te sirianët. Ata nuk duan trimin e huaj në shtëpi dhe nëse nuk mund ta luftojnë, arratisen. Kjo është ecuri njerëzore dhe logjike. Trimëria e një populli nuk vihet në peshore objektive dhe nuk ka asnjë vlerë, kur ajo shkruhet nga pushtuesi. Aq më pak kur ajo shkruhet nga një oficer i ideologjisë ndër më sataniket, që ka zbuluar në historinë e tij njerëzimi.
Oficeri fashist gjerman ka njohur atë brigadë që ka pasur nën pushtet të vetin, por ai nuk flet vetëm për ata ushtarë viktima, ai flet për krejt popullin shqiptar dhe thotë: ”heroizmi i shqiptarëve.” Për nga natyra e detyrës dhe vullnetit për ta përmbaruar atë, kuptohet se oficeri gjerman nuk ishte asgjë tjetër, pos një psikopat nazist, i cili dinte të shkruajë.
Po, a duhej përkthyer mendimi i një oficeri dhe kujt i nevojitej ai? A duhet përkthyer mendimet e Arkanit për shqiptarët? A është i rëndësishëm për një popull që jeton në paqe, t’i sillen mendimet e barbarëve për ta? Kujt i nevojiten dhe çfarë rëndësie ka ajo? Ai artikulim racist, në Gjermani, nuk do t’ishte bërë publik, sepse është shkrim shovinist dhe jo i një dijetari, por i një oficeri frikacak gjerman, që nuk ka pasur guxim ta braktisë armatën kriminele, armatën e plojave, armatën barbare. Edhe sot ka njerëzor që braktisin formacionet e Kaliftatit, por asnjë njeriu nuk i shkon mendja t’i quajë ata frikacakë dhe askujt nuk i bie ndërmend të përkthejë teoritë e oficerëve të Kalifatit për popullin sirian.
Vijimisht ai oficer ka qenë frikacak i madh, jo mirëpo krejt gjermanët, sado shumica që i janë nënshtruar atyre urdhrave, ishin frikacakë, por malësori shqiptar, nuk ia ka palluar fashizmit dhe ka strehuar hebrenjtë duke rrezikuar jetën e vet. Ata oficerë ishin frikacakë gjermanë, që zvogëluan Gjermanin për 100.000 km katrorë. Dhe, ishte trimëri e madhe të refuzohej urdhri tij, sepse paguhej me jetë, me ekzekutim.
E pesta: “Ndërkohë që në sulm, ai nuk shtyhet shumë, deri aty ku gjen diçka për vjedhur apo plaçkitur. Sapo ka kapur dhinë, plugun apo rrotën e një makine qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi…”
Këtu kemi inversion të normave morale, çfarë ishte normale për nacional-socializmin. Plaçkitës nuk ishte shqiptari në tokën e vet dhe ai oficer, nuk mund të dinte a ishte dhia apo lopa e tij, por plaçkitës ishte ai që kishte ardhur i armatosur nga nga një vend i largët dhe priste pasion mazohist për pushtimin! Apo jo zoti Robert Elsie?
Ai oficer gjerman ka ditur se në anën tjetër, kishte shqiptarë të disiplinuar që po luftonin pushtimin vendit. Që luftonin atë oficer dhe ideologjinë e tij koloniale dhe raciste. Aty mund të lexohej trimëria shqiptare. Nuk mund të shkruhet për trimërinë shqiptare në cilësinë e kolaboratorit, madje edhe të pritet pasion për ta shtypur vetveten dhe vrarë formacionet e rregullta shqiptare, që luftonin ideologjinë e atij oficeri nazist.
Përfundim: Nuk ia vlen të humbet kohë më tepër me hartimin e një oficeri fashist. Nuk ia vlen, sepse pushtuesi nuk mund të flasë në mënyrë objektive për të pushtuarin dhe revolta shqiptare, liria tij për të refuzuar ato urdhra, është tregues i pa kequptime se shqiptari nuk trembej, nuk kishte frikë dhe se do të kishte ndjekur fashizmin me një mortajë rreth e rrotull botës. Se miti i trimërisë shqiptare është shkruar nga ata që kanë parë si mbron atdheun, jo si ndihmon pushtimin zoti Elsie! Në Gjermani konsiderohen heronj ata që kanë pasur guxim të refuzojnë urdhrat naziste. Në Gjermani nderoheshin dhe dekoroheshin ata njerëz largpamës, që ishin aq trima sa të dezertonin nga një bandë terroriste, që quante veten formacion i rregullt me Vlad Draculea të Austrisë në krye.
Zakonisht në Gjermani, nuk riprodhohen mendimet fashiste, sepse ishin pikëpamje të një epoke primitive njerëzore. Nuk nxirren jashtë konstatimet e tyre, por citohen një apo dy fjali. Pse? Sepse nuk janë shkencore. Nuk mund të jenë objektive! Mendimet e tyre janë dhunimin i civilizimit, dhunim i arsyes dhe janë skica të një epoke me të cilën Gjermania turpërohet. Ashtu siç është sot Gjermania, do të kishte dekoruar ata shqiptarë, që kanë pasur guxim të ikin dhe kështu të dobësojnë lukuninë naziste.
Albanologu i nderuar ka bërë një gabim të madh, që ka publikuar atë shkarravinë naziste, atë bërllok gjykim pa i bërë një vështrim kritik në fund. Atë përkthim e kanë publikuar shumë gazeta shqiptare dhe e besojnë shumë antishqiptarë. Një albanolog që merret me përkthimin e mendimeve të Arkanit për shqiptarët, len të nënkuptohet edhe një mungesë subtile të respektit ndaj sedrës nacionale të një populli.
Ai hartim nazist, nuk flet për një brigadë, por me zell përpiqet të rrënojë sedrën, integritetin dhe dinjitetin e shqiptarëve si komb!
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK