Alfons AL Zeneli
Para disa ditësh ishte dita ndërkombëtare e Shtypit të Lirë. Pata shkruar me mllef e revoltë mendimin tim për lirinë inegzistente të mediave në Shqipëri. Shikoni moderatoret, spikeret e lajmeve dhe ato të motit. Të gjitha të punësuara sipas kritereve antropologjikë. Nuk gjen asnjë me numur cicash nën 4.5. Të gjitha dekolte, të gjitha me minifunde mini. Ky trend tragjik shënon fillimin e fundit të sigurtë të vlereva estetike dhe kulturës në tërësi.
Për fat të keq, një pjesë e rëndë e fajit apo e krimit që po kryhet rëndon mbi mediat. Mediat janë shndërruar kaherë në avanguardë e së keqes. Nëse në organizmin e shoqërisë shqiptare ka masa tumorale, ajo më e rrezikshmja është padyshim media. E potencova këtë fakt sot, pasi 11 maji është dhe dita e themelimit të gazetës së parë të pavarur në Shqipëri, gazetës Koha Jonë.
Duke qënë një nga themeluesit e saj, e ndjej të natyrshme të shkruaj shpesh aq më tepër në raste përvjetorësh. Në vitet e parë kjo gazetë i zbardhte faqet e saj modeste me germat e së vërtetës dhe me pasionin e dëlirë të gazetarëve… derisa një ditë ra “pandemia” e frrokçupizmit, e cila me shpejtësi asfiksoi çdo vlerë profesionale dhe morale.
Mjafton të kujtojmë se çfarë shkruhej aty në vitet ’96-99. Po sjell vetëm një sekuencë. Në një shkrim të atyre kohëve, sharlatani i rraskapitur Frrok Çupi shkruante se luftëtarët e plagosur të UÇK, që po trajtoheshin nëpër spitalet e Tiranës nuk ishin shqiptarë por muxhahidinë nga Jemeni.
Pra, bënte qartë detyrën për ta paraqitur luftën e shqiptarëve si xhihad islamik, detyrë të cilën e merrte përditë në ambasadën e Greqisë dhe atë të ish-Jugosllavisë, ku kryente funksionin e mazhordomit. Po e njëjta histori e dhimbshme i ka shoqëruar edhe mediat e tjera. Sa me shumë janë rritur ato aq më shumë janë lidhur në aleanca të pista me politikën dhe mafian të cilat tashmë janë pothuajse e njëjta gjë.
Të gjitha mediat kryesore sidomos ato vizive janë të përlyera në batakun kutërbues të kambizmit të imoralitetit. Kjo është arsyeja që ato nuk kanë asnjë lloj kredibiliteti moral e besueshmërie në publik pavarësisht audiencës.
Në këtë përvjetor të gazetës së parë të pavarur postdiktsturë, nuk më mbetet tjetër veçse gotat e gostisë t’i trokas me fotot e nostalgjisë. Tani pak gjëra kanë mbetur nga koha e nderit dhe pasionit gati naiv.
Tani nuk ka më “sokratë”. Kemi vetëm një fermë gjigante, ku nxin përturpshëm shkëlqimi i dhjamit të derrave të vetëkënaqur.