Z. Agim Ademi, kryetar i FFK-së, duke e nderuar me mirënjohje futbollistin dhe pedagogun e njohur llapjan Selatin Vokrri.
NGA ARIF EJUPI
Lajmi mbi vdekjen e Selatin Vokrrit, ish-futbollist i dalluar i Llapit të Podujevës dhe Vëllaznimit të Gjakovës, është pritur me dhembje e pikëllim jo vetëm në Kosovë, por edhe në Diasporë, ku ai kishte shokë e miq të shumtë.
Selatin Vokrri lindi më 1mars të vitit 1947 në fshatin Sfeqël të Podujevës .Babai i tij Rizahu me dëshirën e vetme që t’u krijojë kushte sa më të mira djemve të tij, Abdullahut, Bejtushit; Selatinit dhe Muhametit, në fillim të viteve të 50-ta,vendoset në qytezën e Podujevës.
Shumë shpejt Rizahut do t’i bëhet krah i fortë Abdullahu, i cili me mjaft sukses i kryen të gjitha nivelet e shkollimit,duke e arritur edhe gradën e doktorit të shkencave të Pedagogjisë në Universitetin e Kosovës.
Abdullahu duke e parë gjendjen e rëndë në shkollat e Llapit, së bashku me disa kolegë edhe pse kishin mundësi punësimi në Prishtinë, do ta fillojnë punën prej mësimdhënësi në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, tani“ Aleksandër Xhuvani”
Ai në këtë gjimnaz do të punojë deri në vitin 1975 si ligjërues i lëndëve: Sociologji, Filozofi, Psikologji dhe Logjikë.
Qysh në rininë e hershme ai së bashku me Hajrush Ramën, Rifat Blakun, Fitim Domin-mixhën Ramë etj, do të luajnë në Klubin Futbollistik të Llapit të Podujevës.
Rrugën e sukseseve të Abdullahut do ta ndjekin edhe vëllezërit e tij më të rinj Selatini dhe Muhameti.
Selatini krahas mësimeve në Normalen e Prishtinës do të luajë në KF ”LLAPI”. Ai qysh në ndeshjet e para bije në sy me lojën e tij të shkëlqyeshme. Në shenjë nderi dhe respekti të gjithë në Llap, filluan ta thërrisnin shkurtas Seli.
Selatini shumë shpejt do të jetë edhe golashënuesi më të mirë i KF. Llapi, të shumtën e kohës anëtar i Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës.
Loja e tij e bukur i çonte në stadiumin e qytetit në Podujevë, pleq e të rinj. Ai në Llap debutoi përkrah futbollistëve 4-5 vjet më të moshuar si: Fazli Llugaliu, Rifat Raçi, Bedri Muçolli, vëllezërve Hashim e Bislim Aliu, Ahmet Haxhiu, Shaban Hajrullahu, Ejup Bekteshi, Shaban Hajdari, Idiz e Sylejman Mehmeti etj.
Selatini dhe i vëllai i tij Muhamet Vokrri me lojën e tyre brilante skuadrën e Llapit e bëjnë “arrë të fortë “ për të gjitha ekipet e Kosovës.
Selatini falë golave të tij të bukura dhe lojës plot aksione do të jetë edhe në ballinat e gazetave të kohës në Kosovë.
Falë formës së tij të shkëlqyeshme më 1969, kalon së bashku me portierin e Llapit, Mirko Kecojeviq në Vëllaznim të Gjakovës.
Ai edhe në këtë skuadër tregon formë të shkëlqyer. Vëllaznimi gjatë viteve 1971-1972,do të bëjë gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë-grupi i Lindjes.
Meqenëse, Seli ishte shumë i lidhur me Llapin, s’ do të lëvizte dot nga ai. Por, gjatë qëndrimit në Gjakovë, ai do t’i kryejë edhe studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike.
Atje edhe do të martohet me Zojen e cila si infermiere e kualifikuar vite me radhë dha kontribut të madh në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë.
Me largimin e gjakovarëve nga Liga e Dytë Federative e ish-Jugosllavisë, Selatin Vokrri, rikthehet në Llapin e tij të dashur, ku do qëndrojë deri në vdekje.
Ai përveç lojës prej futbollisti e trajneri në skuadrat Llapi e Besiana, deri në pension të merituar punoi edhe si mësimdhënës në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” të Podujevës.
Ngjarje që s’do të harrohet kurrë me Selatinin si kryeprotagonist është edhe ajo e viteve 1973-1974.
Falë golit të tij të shënuar nga penalltia kundër Rudnikut, të Kishnicës, që përbëhej kryesisht nga futbollistë serbë Llapi, rikthehet triumfalisht në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Serbët të njohur me vandalizmin e tyre në shenjë pakënaqësie e patën sulmuar fizikisht arbitrin dhe takimi qe ndërprerë.
Pastaj, Komisioni i Garave këtë ndeshje e pati regjistruar me rezultatin 0:3 në favor të Llapit të Podujevës.
Llapjanët jo vetëm që rikthehen në shoqërinë e më të mirëve por synojnë edhe titullin e Kampionit në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës. Ata në Kampionatin e viteve 1975-1976 zënë vendin e tretë duke i tubuar 36 pikë.
Seli tregohet mjaft i suksesshëm edhe si trajner. Nën udhëheqjen e tij dhe të Z. Hashim Aliu,nxënësit e shkollave të Podujevës, më 1976 në garat e mbajtura në Çakovec të Republikës së Kroacisë e gjunjëzojnë në gjysmë finale Kroacinë me 4:1.
Kurse, në Finale edhe Serbinë, 3:0. Ky turnir në të cilin merrte pjesë edhe Fadil Vokrri, ishte një shkëndijë paralajmëruese që ai në të ardhmen do të jetë njëri nga futbollistët më të mirë, në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Fadili e kishte Selatinin axhë e bashkëlojtar. Ata në Llapin e Podujevës luajtën së bashku goxha kohë.
Në saje të tyre dhe sulmuesve të tjerë si: Shukri Shabani, Emin Simnica, Bastri Muçolli; Islam Ajeti, Izeir Mustafa etj, Llapi e kishte sulmin më efikas në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Seli me sukses do ta kryejë edhe detyrën e trajnerit në KF “Besina”e formuar më 1995.
Ai si profesionist i vërtetë do të bashkëpunojë ngushtë me z. Ertan Xhihiq, afarist i njohur në komunën e Podujevës.
Xhihiq, që i dha të gjitha për t’u krijuar kushte sa më të volitshme pune futbollistëve të Besianës, duke i njohur cilësitë e trajnerit Selatin Vokrri, ia lë atij duart e lira.
Puna serioze dhe e pandërprerë e Selit më 2001-2002,kurorëzohet me sukses. Skuadra e Besianës e drejtuar nga ai bëhet Kampione dhe fituese e Kupës së Republikës së Kosovës.
Selatin Vokrri në cilësinë e kryetranjerit të Besianës, nga e majta, rreshti në këmbë.
Seli për kontributin e tij dhënë futbollit e sidomos atij në Llap, nga instanca të nivelit qendror e lokal, është shpërblyer me mirënjohje të shumta.
Agim Veliu, ish-kryetar shumëvjeçar i Podujevës i ndanë si dhuratë simbolike z. Selatin Vokrri, një palë këpucë sportive.
Selatini si gjithnjë modest shpreh konsideratën e tij të lartë dhe ndihet i kënaqur që sporti në komunën e Podujevës, po gjen mbështetje.
Selatin Vokrri ishte i orientuar mirë edhe kombëtarisht. Ai si 21 vjeçar dënohet me një muaj burgim, nga regjimi komunist i ish-Jugosllavisë, si pjesëmarrës i demonstratave studentore të organizuara më 27 Nëntor 1968,në komunën e Podujevës.
Prandaj, Selin të gjitha duhet ta kujtojmë si njeriun që i dha shumë Sportit dhe Arsimit në Llap e Kosovë.
ARIF EJUPI