28.3 C
Tirana
E martë, 16 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NE MUNDEMI

NE MUNDEMI

0
Elife Luzha - gruaja

Autore:
Elife LUZHA

Miq të dashur,

Duke qenë se zëri im, në rrethana të ndryshme kohore dhe shoqërore, jo gjithmonë ka gjetur hapësirën e duhur për t’u dëgjuar në publik – pa qenë e prirur të shtyhem me bërryla – shfrytëzova rastin që, gjatë prezantimit të librit tim me poezi “Mos ma vrisni lotin” në Malmo të Suedisë, përtej programit të paraparë, të ndaj disa mendime për gruan krijuese në shoqërinë shqiptare.

Isha shumë e lumtur që pata mundësinë të shpreh, sado shkurt, atë që më rëndonte në shpirt.

Në vijim po sjell fjalën time.

Të dashur të pranishëm,

Jam e nderuar që ndodhem sot midis jush për të promovuar librin tim më të ri me poezi “Mos ma vrisni lotin”. Natyrisht, unë nuk do të flas për librin, sepse për të flet lexuesi dhe kritika, por dua të ndaj disa mendime për gruan si krijuese.

Në Kosovën e pushtuar nga Serbia, breza të tërë u desh të sakrifikohen dhe flijohen për lirinë e saj. Janë të njohura sidomos vitet e ’80-ta, me kthesën e madhe që bëmë në historinë e përpjekjeve për lirinë e Kosovës, e cila u finalizua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare.

Gjatë viteve ’80-të, unë përjetova burgosjen, përjashtimin nga shkolla, por edhe izolimin në shtëpi. Kam përjetuar edhe tragjedinë e poezive të mia të para, të cilat, gjatë një bastisjeje, policia pushtuese m’i mori dhe nuk m’i ktheu më kurrë.

Gjithsesi, katrahura nëpër të cilën po kalonin shqiptarët e robëruar linte vragë të pashlyeshme, sidomos te krijuesit e letërsisë, apo te bota më e ndjeshme e kombit, siç thuhet për poetët.

Poeti i shquar danez, Niels Hav, në një poezi të tij, poetët i quan “paraprijës të agimeve”. Kjo shtresë e popullit të Kosovës goditej sipas një strategjie të mirëplanifikuar nga pushtuesit serbë, edhe për faktin se, siç thotë një mendimtar anglo-amerikan, “letërsia është shpirti i kombit, kurse shkrimtari antena e racës”.

Me gjithë disa përpjekje për emancipimin e gruas, gjendja e saj në shoqërinë tonë vazhdon të mbetet e rëndë. Pabarazia në familje, niveli i ulët i arsimimit dhe i punësimit, varësia ekonomike dhe privimi nga vendimmarrja në politikë, janë vetëm disa nga aspektet e shëmtuara të kësaj gjendjeje.

Kur flasim për arsimimin e gruas, dua të kujtoj Indira Gandin, udhëheqësen e parë grua në Indi, e cila në një nga fjalimet e saj ka thënë: “Arsimimi i gruas është më i rëndësishëm sesa i djemve”. Është kështu, jo vetëm se femrat bëjnë gjysmën e shoqërisë njerëzore, por edhe për faktin që ato kanë rol të veçantë në edukimin e brezave.

Gjendjen e rëndë të gruas shqiptare në përgjithësi, asaj krijuese në veçanti, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, e ka trajtuar gjerësisht në veprën e tij, duke e parë atë që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Ai kujton përpjekjet e grave krijuese, si të poeteshës Safo, për një vend midis familjes së të mëdhenjve. Kadareja krijueset e letërsisë shqipe i quan “zonja të vogla të letërsisë”, për arsye se ato nuk mund të bëhen “të mëdha” përmes ndikimeve apo “bërrylave” të burrave. “Ato, thotë Kadare, nuk ankohen për mosvëmendjen e shtypit e as për ndihmën që nuk iu vjen nga asnjë drejtim”, duke shtruar edhe pyetjen:

“Po si e përballojnë vallë, vetëm, ndikimin e botës letrare, të voglat?”

Gruan krijuese shqiptare Kadareja e krahason me xixëllonjat. Sepse sipas mjedisorëve, thotë ai, “xixëllonjat” shfaqen brenda një kohe shumë të shkurtër midis pranverës dhe verës, dëshmi kjo për pastërtinë dhe harmoninë e një mjedisi. Ndryshe, “po të zotërojë ndotja përreth, xixëllonjat nuk shfaqen”. Kështu ndodh edhe në stinët letrare, thotë Kadareja. “Kur helmet dhe urrejtjet shtohen në stinët letrare, është e kotë të shpresosh për zonjat e vogla të letrave, ato ikin”.

Po të analizojmë gjendjen e gruas shqiptare, në veçanti të asaj krijuese në Kosovën e pasluftës, përfundimi do të ishte tepër i dhembshëm. Këtu nuk është vendi që të ndalem në hollësi, as të rendis të gjitha pengesat dhe sfidat në rrugën e emancipimit dhe të avancimit të gruas në shoqërinë tonë, por duhen inkurajuar edhe disa përpjekje shpresëdhënëse në ndryshimet pozitive që po ndodhin në procesin e barazisë gjinore te ne.

Nevoja për këto ndryshime nuk është vetëm çështje vetëdijeje, por edhe legjislacioni dhe nuk duhet kuptuar si dhuratë, por si e drejtë e patjetërsueshme.

Roli i vetë grave në këtë proces është i pazëvendësueshëm dhe vendimtar. “Po, ne mundemi” (Yes, we can!), thoshte Barak Obama gjatë fushatës së tij presidenciale në SHBA.

Barazia gjinore dhe fuqizimi i gruas në shoqërinë tonë nuk është vetëm nevojë e grave, por nevojë e gjithë shoqërisë. Është një mundësi që duhet bërë realitet dhe sa më parë, aq më mirë. Ne mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë. Nuk duhet lejuar hipokrizia që, siç thotë Kadareja, gruaja “në art të himnizohet, ndërsa në jetë të keqtrajtohet”.

Ju falënderoj për vëmendjen!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.