16.6 C
Tirana
E shtunë, 26 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj THEMELE TË FORTA MBI TË CILAT MUND TË NGRIHET NJË KALA E...

THEMELE TË FORTA MBI TË CILAT MUND TË NGRIHET NJË KALA E QËNDRUESHME

0
Pashk Alia - Puka

RECENSË

– Puka: Enciklopedi gjeografiko – historike dhe etnokulturore (vepër shumëvëllimëshe studimore), Vëllimi i I – rë.
Gjurmime dhe Studime Gjeografike, i autorit Pashk Alia
–

Llesh Ndoj Nga LLESH NDOJ

Intelektuali dallon prej një nëpunësi tjetër të çfarëdoshëm, për faktin se sjellë vlera të paçmuara për shoqërinë e puna e tij e pa matur, e pa kërkuar dhe e pa paguar, mbetet gjallë tek njerëzit edhe kur ai nuk do të jetë më në mesin e tyre, qoftë si kujtesë njerëzore, qoftë si vepër e materializuar, apo si një libër i shkruar. Sidomos studimet për vendlindjen, kanë një rëndësi të vacantë, sepse fiksimi i një kohe të caktuar nëpër libra monografikë, për më tepër në periudhat e vrullshme, kur lëvizja demografike e popullsisë po i rrezikon seriozisht ato, duke i lënë “larg syve, larg zemrës”, kontributi intelektual i njerëzve me botime cilësore studimore e shkencore merr një peshë të jashtëzakonshme.

E tillë është ndërmarrja në proces e intelektualit e studiuesit pukjanë Pashk Mëhill Alia, i njohur për kujdesin e tij ndaj vlerave të trevës nga vjen e ku kanë jetuar të parët e tij brez pas brezi, por edhe për veprat e shumta të karakterit filozofik, eseistik, social e psikosocial të botuara deri më sot. Puna e autorit Pashk Alia është një ndërmarrje e tërë, jo thjesht një libër studimorë, e këtë deri më sot e kam mësuar nga bisedat e shumta me të, ndërsa tash edhe përmes xhevahirit të parë që i paraprinë kolanës së botimeve me të njëjtin emër: “Puka – Enciklopedi gjeografiko – historike dhe etnokulturore”.

Libri vjen si një botim mjaft cilësor, ka 485 faqe, me kapakë e lidhje të fortë dhe është realizuar në shtypshkronjën “Fiorentia” Shkodër, në muajin korrik 2026. Leximi i këtij libri thellësisht shkencorë, të bind se jemi përballë një prurje të rrallë, të vetmen në këtë nivel deri më sot për Pukën, e cila është një themel i sigurtë mbi të cilën do të lartësohet qëndrueshëm e gjithë kolana studimore e autorit Pashk Alia.Kur them prurje e rrallë, aspak nuk dua të them se studime gjeografike për Pukën mungojnë në vendin tonë. Përkundrazi, për shkak të pasurive të saj të shumta, të tilla ka mjaft, por studimi i Pashkut është i thellë, i gjerë dhe interdisiplinarë, si asnjë tjetër përpara tij.

Autori nuk mungon që në këtë vëllim të parë të na njohë me qëllimin e tij në këtë ndërmarrje të madhe e të rëndësishme, ku na bën me dije se ajo “…synon paraqitjen e plotë dhe të gjithanshme të hapësirës historike, gjeografike, shoqërore dhe kulturore të Pukës në rrjedhën e kohës.”(faqe 5). Një ndërmarrje kaq e gjërë dhe e thellë është e denjë për një akademi, jo thjesht për një individ. Autori është i ndërgjegjshëm se studime pjesore, qoftë edhe si materiali i vëllimit të parë me studime gjeografike, ka për Pukën edhe përpara tij, por ajo çfarë i jep përparësi këtij botimi është “…vrojtimi në terren…” (5), për të ndërtuar “…një tërësi enciklopedike që synon të shërbejë si referencë e qëndrueshme për studiuesit, institucionet dhe brezat e ardhshëm,…”, gjithnjë pa pretenduar që të sjellë një gjykim shterues, apo gjykim mbi gjykimet.

Në librin e parë janë paraqitur një volum i madh njohurish, kryesisht të karakterit gjeografik e fizik për rrethin e Pukës, “…një pjesë e konsiderueshme e të cilave ofrohen për herë të parë për çdo nivel lexuesi…”, gjë që e thekson pa ekuivoke edhe Prof. Dr. Trifon Ziu, redaktor shkencor i këtij vëllimi (13), dhe që e përligj nevojën për këtë libër studimorë shkencorë, por edhe synimin apo qëllimin e autorit për të mbushur hapësirat bosh të derisotme, e për të përmbushur misionin e tij intelektual, si bir i denjë i Pukës. Jemi përpara, jo një studimi të thjeshtë, apo një studimi për grada, por autori sjell përmes tij “…një risi, sepse në mjaft raste lidh vlerat e elementëve gjeografikë me ndikimin e tyre në jetën njerëzore të banorëve…” (13), duke analizuar marrëdhëniet reciproke që krijohen midis karakterististikave të një territori të caktuar e banorëve të tij, të cilët i përshtaten atij dhe e përshtatin atë. Ky studim e arrin qëllimin e tij më të lartë, edhe duke mos qenë i përsosur, pasi çdo banorë i atij territori “…ndjen kënaqësi dhe ndjehet krenar për teritorin e krahinës së tij,…” (14). Fjalët e autorit Pashk Alia bëhen plotësisht të besueshme e marrin peshë, sepse ai është njohës i mirë i kësaj treve, por edhe sepse “…ka zhvilluar ekspedita gjeografike pa numërim…”, duke mbledhur e paraqitur një material shumë të pasur gjeografik (15).

Autori i librit dhe i kolanës studimore në proces, pasi e shkeli me këmbë “të zbathura” të gjithë terrenin e larmishëm të Pukës në përmbushje të detyrave shtetërore që ka mbajtur, jo thjesht si vizitor, u dashurua me të por edhe i vuri pikëpyetje gjithçkaje që pa e dëgjoi, e tash, i rritur fizikisht, i shkolluar dhe i pjekur shkencërisht, por me dashurinë e pandryshuar të fëmijës për prindërit, iu kthye atij vendi plot bukuri e legjenda, t’i rishohë shkencërisht shumë pjesë të tij, e t’u japë një shpjegim shumë pikëpyetjeve që kishte ngritur nga memoria vizuale e ruajtur mrekullisht, por edhe nga leximet e shumta, takimet e vëmendshme me banorët e çdo zone e hulumtimet nëpër biblioteka, që s’kanë të numëruar.

Libri i parë të krijon përshtypjen e qëndrueshme e të arësyeshme se e ka bërë këtë gjë me disiplinë të hekurt shkencore, me një metodologji rreptësisht të mirëcaktuar, me shtrirje në të gjithë gjerësinë e në thellësinë maksimale të mundshme, përmes logjikës e deduksionit, duke bërë një punë të paimagjinueshme për një individ të lirë, të cilin se thërret askush në këtë detyrë, përveçse ndërgjegja e tij e detyrimi për të mos qenë thjesht një kalimtar rastësor në rrugët e jetës. Nga ana tjetër, puna e autorit Pashk Alia nuk ka vetëm vlera teorike dhe akademike. Ajo vlen edhe për të përshtatur politikat ekonomike e qeverisëse lokale e kombëtare, që ai vend e ajo pasuri e rrallë të mos braktiset përfundimisht, por as të mos mbetet një vend i banueshëm për lëmoshë, ose për pamundësi alternativash, pasi në studimin e tij autori zbulon para lexuesve pasuritë mbi e nën tokësore e mundësitë e shumta që ai vend të ofron për jetesë, duke dhënë herë pas here, por pa i nxjerr ato në plan të parë, edhe rekomandime të vlefshme.

Në fokusin e punës së autorit nuk vjen Puka si një enklavë apo një teritor i shkëputur e i izoluar natyror e shoqëror, por Puka “…në kuadrin e Shqipërisë Veriore dhe të hapësirës më të gjerë dardano – ilire” (21). Kjo përmasë e bën studimin e tij edhe më të vlefshëm, edhe me më shumë gjerësi përdorimi, qoftë për qëllime shkencore, studime të thelluar, studime pasuniversitare e doktorature, për qëllime mësimdhënie e përdorime praktike. Sipas studiuesit Pashk Alia, Puka është “…një laborator natyror dhe historik…”(23), i përshtatshëm për studime ndërdisiplinore që reflektojnë shumë më gjërë se Puka administrative, në të gjithë hapësirën gjeografiko – fizike e historike të rajonit verior, se ajo paraqet “Diversitet të lartë gjeomorfologjik,…”, me prani të mikroklimave, me ruajtje të formave tradicionale të vendosjes, me dëshmi vijimësie pa shkëputje të jetesës e me një prani të lartë të gjeomonumenteve natyrore, objekt dhe përligjje, por edhe synim kontributiv i këtij studimi kompleks (23), për të cilin autori është mbështetur në një qasje metodologjike ndërdisiplinore e rreptësisht shkencore.

Kur s’ka patur mundësi t’i qartësojë gjërat teorikisht, ka shkelur terrenin, ka pyetur banorët, ka studjuar me këmbë e me mjete logjistike shpella, kala, varreza e vendbanime të vjetra. Ka ndodhur që sapo e ka mbaruar një ekspeditë, i ka rilindur një pikëpyetje e re, e përsëri është zhytur me studime në biblioteka, në kontaktet fizike me njerëz, që janë arkivë e gjallë e historisë, e me rilevime e studime të përsëritura në terren. Asgjë që s’e ka bind autorin, nuk na paraqitet prej tij për të na bindur ne lexuesve edhe kur vjen në përputhje me shkrime e studime të autorëve të tjerë. Këtu qëndron jo vetëm bazueshmëria, por edhe epërsia e padiskutueshme e studimit të Pashkut.

Asgjë nuk lind nga hiçi, as nuk bëhet një hiç! Këtu s’bën përjashtim as studimi i studiuesit Pashk Alia. Ai e njeh këtë aksiomë të përjetshme, ndaj edhe nuk pretendon as të vendosë gurin e parë, as të vendosë çatinë e përjetshme në lëndën e tij studimore për një çështje kaq të gjërë, të thellë e shumëdisiplinore. Referencat shkencore tek studimet pararendëse mbeten shumë domethënëse, por ai synon që atyre t’u “shtoje veten” qoftë vetëm si gjykim, qoftë edhe vetëm si prani e prekje me dorë e gjësë, qoftë nga hulumtimi praktik e me mjete shkencore të gjithçkaje që e paraqet në studim, e gjithnjë me “veten pukjane”, kur bëhet fjalë për konkluzione e rekomandime që vijnë sa nga “laboratori studimor” i tij, po aq edhe nga “laboratori shpirtëror” i një biri të denjë që lindi, u rrit, punoi e kontribuoi duke jetuar në ato zona, e ku edhe sot larg tyre ëndërrat e bartin atje, fjetur e zgjuar.

Ky studim synon edhe majën shkencore edhe kuptueshmërinë e gjerë për shtresat e lexuesve, duke e përfaqësuar plotësisht vetë autorin si një nga studiuesit e mirëformuar, e mirëshkolluar, njohës i traditës dhe shkencës, me një përvojë të gjatë ndërveprimi me malet, e komunikimi vijues me njerëzit, njeri fisnik e bujar. Ai, për t’a bërë të kuptueshëm materialin e tij studimorë, e ka “copëtuar atë” me ndarje didaktike në kapituj, tema, tituj e nëntituj, duke i ardhur në ndihmë si lexuesit kurioz, ashtu edhe mësuesve të historisë e studiuesve të ndryshëm. Gjithçka në këtë libër vjen e ilustruar bukur me foto, skica, statistika e harta shkencore, të gjitha origjinale e cilësore. Të bie në sy fakti se vetëm në këtë vëllim libri ka 242 ilustrime si më sipër, gjë që e bën materialin më të prekshëm e më gjurmëlënës tek lexuesi e përdoruesi.

Autori e konsideron Pukën administrative e teritorin e saj të lidhur ngushtë e organikisht me zonën e Shkodrës në perëndim, me Tropojën në veri, me Kukësin e Mirditën në lindje dhe me Vig e Lezhë në jug. Emrin e saj ai e lidh me Apicarien e lashtë, apo me Via Publica dhe rreth saj ballafaqon mendimet e mjaft studjuesve shqiptarë ose jo, duke veçuar mes tyre atë të Eqerem Çabejt. Ai thekson se “Pozita gjeografike e bën Pukën një nga zonat më të larmishme dhe interesante,…”, që vjen edhe si një parapërgatitje për çfarë na pret në vijim, por edhe si justifikim i mundit, djersës, energjisë e mjeteve financiare të angazhuara prej tij në këtë ndërmarrje të posaçme. Autori ndjehet krenar për Pukën e këtë krenari ia përcjell edhe lexuesit kur shkruan për “Tri të papriturat e këndshme…” që të ofron si me magji (44), e që i rrjeshton si: “…çdo pjesë e teritorit të saj…, duket sikur… takohet me horizontin”, se “… kudo ku gjendet popullsia pukjane kupton se gjuha e pukjanëve është bujaria dhe mikpritja, doket, traditat, zakonet, ritet e mbi të gjitha, liria dhe krenaria e pukjanëve, janë gjëja më hyjnore.” dhe se “…shumatorja e ngjarjeve historike…” e kanë bërë Pukën “…një krahinë të pamposhtur” (45).

Duke mos qenë specialist, porn një njohës amator i zellshëm i fushës, unë nuk di të them se si qëndron studimi i Pashkut në raport me shkencën gjeografike, por mua më ka çuditur argumentimi i thellë prej tij i të ashtuquajturit “djepi gjeologjik” i Pukës, ku siç kuptohet lehtë ky kapitull vjen jo si një trajtesë për të kaluar radhën, apo për të mbushur faqet e librit, por është pararendës logjik e argumentues i pasurive minerare e rezervave të tyre në rrethin e Pukës, ku autori Pashk Alia shfaqet njohës e vlerësues kompetent kur flet për “…rreth 14 milion tonë” të tilla, duke ia bërë të ditur lexuesit edhe një statistikë të plotë nga burime zyrtare për çdo vendburim. Interesant, i thellë e i plotë vjen në libër trajtimi relievit dhe i veçorive të tij gjeografike, të cilat ishin “…arsyet që të parët, … lakmuan territoret…e Pukës…”(85), ndër të cilat autori rendit lartësinë mbi nivelin e detit, me një mesatare prej 787 metrash, gjë që e bën atë “një antenë” natyrore, apo “një podium” që bie në sy…, por edhe sepse teritori i saj mundëson “…të ketë shumë më shumë dritë se sa pjesët e tjera…” dhe se terreni “…është i pasur me ujëra.”, për të vijuar me faktin se “Nëntoka pukjane është një thesar i vërtetë…”, se teritori i saj paraqet një biodiversitet të lartë e të përshtatshëm për jetesë, e deri për zhvillimin e sportit, gjuetisë, turizmit etj.

Studiuesi Pashk Alia, me disiplinë shkencore e sipas një platforme rigorozisht të paracaktuar, nuk le jashtë vëmendjes asnjë element gjeografik, e shoqëron trajtimin e tyre me foto origjinale, skica e të dhëna autentike e statistikore, ballafaqohet me literaturë të bollshme (kur ka të tillë) dhe paraqet pikëpamajet e tij dhe konkluzionet shkencore, duke e bërë materialin shumë të konsoliduar, të besueshëm në tërësinë e tij, dhe konkluzionet jo lehtë të kontestueshme. Për çdo bllok malorë ai sjell një kombinim të të dhënave gjeologjike, relievit, të dhënave gjeografike, zonat e banuara, kushtet klimatike, zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë, florës e faunës e ndikimin e tyre reciprok, kushtet e jetesës, turizmin e gjithçka tjetër.

Një trajtesë me shumë rëndësi vjen në libër ajo për monumentet që autori i klasifikon në natyrore (gjeomonumente, biomonumente e hidromonumente) dhe monumente historiko – kulturore, ku rendit ato arkeologjike, arkitektonike, shpellat si objekte natyrore, kështjellat e qytezat mesjetare etj. Libri përmban përshkrim të hollësishëm të burimeve ujore, ujësjellësave e krojeve, fushave, gropave e hurdhave (tokësore e ujore), livadheve, pyjeve e kullotave, duke e bërë studimin e tij tepër integral, megjithëse studimi i tij “…nuk synon të mbyllë diskutimin…, po t’a hapë atë mbi baza të sigurta,…, pasi njohja e territorit “…është kushti i parë për çdo njohje tjetër” (476).

Natyrshëm që leximi im është i përciptë, për shkak të kufizimeve profesionale e të njohurive të cunguara të fushës, por duke mbetur i tillë edhe pas këtij leximi, mund të them me bindje se libri i autorit Pashk Alia, jo vetëm më futi natyrshëm në botën e pafundme të gjeografisë, tokës e nëntokës së saj, por edhe më bëri për vete, më bëri të ndjehem pak më shumë pukjanë sa ç’ndjehem deri tash, për shkak të lidhjeve të shumta krahinore, etno – kulturore, miqësore, shoqërore e fqinjësore që ndan krahina nga vij me atë të Pukës, por më bëri edhe pak më krenar, nisur nga premisa se Puka “e Pashkut” ka edhe kontributin e një pjese qënësore të “Mirditës sime”, ku mali legjendar i Munellës mbetet jo vetëm kufiri ndarës, por edhe kufiri përbashkues, e ku kontributet e njerëzve rreth saj janë bashkëjetuese e mirëkuptuese me zonën tjetër etnike pukjane.

Njohja personale me autorin më bëri që të mos lodhem së lexuari, e më barti natyrshëm tek vlerësimi i punës së tij si të barazvleshëm me nje akademi, të krahasueshme me punën e çdo punëtori e studjuesi të palodhur shkencorë, tek shpirti i tij atdhetar e tek kontributi i çmuar që jep në shumë fusha, duke u nisur nga parimi: Mos pyet çfarë bëri atdheu (vendlindja) për ty, por pyet çfarë bëre ti për atdheun (vendlindjen)!

Libri i studiuesit të apasionuar Pashk Alia mbi gjeografinë e Pukës, le pas shumë më pak pikëpyetje për t’u sqaruar dhe hap shumë më tepër horizonte të kthjellta për të tashmen e të ardhmen, duke u bërë burim të dhënash, udhërrëfyes metodik e xhevahir i rrallë për këdo që ka interes ndaj kësaj fushe e kësaj zone të bukur e plotësisht shqiptare.
Urime mik! Krenar për ty dhe për punën tënde.

Lezhë, më 22 shtator 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.