KADRI MANI – PISHTAR I ARSIMIT, I BUTË ME NXËNËSIT, I EGËR ME PUSHTUESIN

0
314
Xhelil Rama

Xhelil Rama

Në 10-vjetorin e amëshimit

XHELIL RAMA

Edhe pse kanë kaluar 60 vite, nga njohja me Kadri Osmanin dhe shumëçka është harruar, megjithatë, po provoj të rikutjoj diçka për kolegun tim të veçantë, Kadri Osmanin-Manin. Fillimisht ka punuar mësues në fshatin Kolaj, në paralelen e shkollës amë, “Rilindja” të Keqekollës. Pastaj ka vazhduar punën si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qendër, në shkollën amë në Keqekollë, në periudhën e viteve 1964-1968. Angazhimi dhe kontributi i tij në profesion, ka qenë shumë meritorë dhe me përkushtim shpirtëror e patriotik. Profesionin e ka respektuar me seriozitet, jo vetëm si profesion, por edhe si mision në lëmin e arsimit dhe të kulturës.

Motivi i tij ka qenë i madh, por edhe nevoja për arsimtarë ka qenë e madhe. Duke qenë i vetëdijshëm për kushtet dhe kohën e vështirë kur, 95% e popullatës së Gollakut ka qenë analfabete, Kadriu është angazhuar, bashkë me trupin arsimorë, për të dhënë kontributin e duhur, në mënyrë që ta nxjerr popullatën nga terri i analfabetizmit shumëshekullorë. Kushtet kanë qenë të vështira, në mungesë të mjeteve dhe kabineteve shkollore. Megjithate angazhimi dhe vullneti i tij dhe i të gjithë arsimtarëve ka qenë i madh. Në këtë aspekt Kadriu ka qenë arsimtar i dalluar, me dijen dhe shkathtësitë e tij profesionale, ka arritur rezultate të dalluara.

Me iniciativën e Kadriut, shkollën amë në Gollakë, e kemi emërtuar Shkolla fillore “Rilindja”, Keqekollë. Kjo shkollë amë ka pasur në gjiun e saj 10 paralele në fshtatrat përreth: Prapashticë, Dabishevc, Hajkobillë, Gllogovicë, Balaj, Nishevc, Ballaban, Kolaj dhe Kurtaj, me gjithësejt rreth 3.000 nxënës dhe 120 arsimtarë dhe personel të shkollës. Ndërkohë, me iniciativën e Kadriut e kemi botuar revistën e shkollës me emrin “Ylli i dritës”, redaktor i së cilës ka qenë Kadriu. Shkolla ka pasur në program edhe aktivitete të lira: Grupin letrarë me emrin “Migjeni” edhe grupin e dramës, të cilat i ka udhëhequr Kadriu.

Kadriu ka qenë shumë i afërt me nxënës dhe i çmuar edhe nga prindërit e tyre. Gjithashtu Kadriu ka pasur autoritet dhe marrëdhënie të shkëlqyera, me rrethin shkollor, por edhe me mjediset tjera shoqërore të

rajonit. Kadriu ka qenë i dashur edhe për gjeneratat e reja – kalamajtë, me të cilët ka komunikuar dhe ju ka kënduar vargje të vjershave, duke i mësuar që edhe ata të recitojnë, si për shembull: “Jam i vogël kurgja s`di, veç dy fjalë për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Kudo që i ka takuar fëmijtë dhe brezin e ri, ju ka mësuar këso vjershash.

Kadriu ka qenë shumë real dhe i sinqertë, por edhe agresiv dhe intolerant, ndaj ngjarjeve dhe dukurive negative, për çka ka reaguar jo vetëm gojarisht, por edhe me shkrime në revista dhe në shtypin e kohës.

Me fjalë tjera Kadriu ka qenë një person me shpirt të pastër të intelektualit të lartë dhe patriotit të përbetuar. Kushdo që ka punuar apo ka pasur një takim rasti me Kadriun, do ta mbajë mend për një burrë trim, modest dhe i mençur Një intelektual i nivelit të lartë, me një përvojë nga jeta në kohë, situata e vende të ndryshme.

Mungesa e Kadriut e ka varfëruar artin, letërsinë, kulturën, shpirtin dhe bujarinë njerëzore si dhe humanizimin. Kadriu për ne është i pavdekshëm, sepse veprat e tij nuk vdesin kurrë, por gjithmonë do të jetojnë në kujtesën tonë.

Kadriun e kam pasur një prej shokëve më të ngushtë dhe bashkëpuntorin më të mirë të arsimit, në Shkollën fillore “Rilindja”, në Keqekollë, ku unë isha drejtor, por edhe shokun më të sinqertë në jetë. Për gjithëçka që ka bërë për arsimin, kulturën, për kombin dhe atdheun-Kosovë, i jemi mirënjohës dhe gjithmonë do ta kujtojmë me respekt.

Lavdi dhe falenderime përjetë – shoku im i veçantë, Kadri Mani!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.