15.3 C
Tirana
E shtunë, 31 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj “AKORDET E KOSOVËS” – NJË TRADITË MUZIKORE QË PËRJETËSOHET NË PULLËN POSTARE

“AKORDET E KOSOVËS” – NJË TRADITË MUZIKORE QË PËRJETËSOHET NË PULLËN POSTARE

0
Pullë - Akordet e Kosovës

Besnik FishtaBesnik Fishta

Këngët mund të mbeten në kujtesën e njerëzve, por kur një traditë muzikore përjetësohet edhe në një pullë postare, ajo fiton një tjetër mundësi për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë.

Më 30 tetor 2026, Prishtina bëhet sërish qendra e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të jetës muzikore kosovare. Festivali “Akordet e Kosovës”, një veprimtari që ndër vite ka krijuar identitetin e vet dhe ka fituar një traditë të vlerësuar nga publiku artdashës, rikthehet për të sjellë në skenë muzikën, interpretimin artistik dhe emocionet që e kanë shoqëruar këtë festival në kujtesën e disa brezave.

Festivale të këtij niveli nuk janë thjesht veprimtari të përkohshme artistike. Ato përfaqësojnë një shtyllë të rëndësishme të historisë kulturore të shoqërisë sonë, duke pasqyruar zhvillimin e muzikës shqiptare, ndryshimet në shijet e publikut dhe kontributin e çmuar të krijuesve e interpretuesve në formësimin e identitetit artistik kombëtar. “Akordet e Kosovës” mbart jo vetëm kujtimin e skenës dhe të këngëve që lanë gjurmë, por edhe lidhjen e thellë emocionale të publikut me një traditë që meriton të ruhet me fanatizëm dhe të përcillet te brezat e ardhshëm.

Pikërisht në këtë kontekst historik dhe kulturor merr një rëndësi të veçantë vendimi i Postës së Kosovës, përmes Filatelisë së saj, për t’i kushtuar festivalit një emision të posaçëm pullash postare, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Promovimi i këtij emisioni në natën e parë të festivalit përbën një mënyrë domethënëse për të lidhur dy forma të fuqishme të komunikimit: artin e tingullit dhe atë të imazhit dokumentar.

Pulla postare nuk është vetëm një objekt me vlerë koleksionimi apo një mjet tradicional i shërbimit postar. Ajo është një dëshmi e gjallë e kohës, një arkiv i vogël por madhështor i ngjarjeve, personaliteteve dhe vlerave që një vend dëshiron t’i ngulitë në kujtesën kolektive. Në këtë kuptim, emetimi i dedikuar “Akordeve të Kosovës” e nxjerr festivalin nga kufijtë e ngushtë të sallës së spektaklit dhe e katapulton atë në një hapësirë më të gjerë komunikimi mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet qarkullimit postar, ky përkushtim artistik udhëton përtej kufijve të Kosovës, duke u shndërruar në një ambasador të trashëgimisë sonë muzikore.

Seria filatelike, e shoqëruar me zarfin e Ditës së Parë (FDC), merr kështu një domethënie që shkon përtej aspektit estetik. Ajo dokumenton një moment pikant të jetës kulturore dhe i dhuron festivalit një formë të re përjetësimi. Për koleksionistët, ky emision përbën një pasuri të re me vlerë të lartë; për studiuesit, dëshminë e qartë të vëmendjes institucionale ndaj kulturës; ndërsa për publikun e gjerë, një kujtim të prekshëm të një tradite që refuzon të shuhet.

Bashkëpunimi ndërmjet Postës së Kosovës dhe RTK-së mbetet gjithashtu një shembull kuptimplotë i bashkëveprimit institucional. Kur institucionet kulturore, mediatike dhe postare bashkojnë energjitë, promovimi i vlerave kombëtare fiton peshë dhe depërton më lehtë te publiku. Në epokën e digjitalizimit të shpejtë, ku çdo gjë duket se shfaqet e shuhet në ekranet dixhitale, pulla postare ruan magjinë e prekshmërisë dhe jetëgjatësinë dokumentare. Ajo mbetet dëshmia fizike që mund të ruhet ndër breza.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.