Ngritja e ish-luftërarëve të UCK-së në protesta kundër qeverisë është një manipulim i turpshëm i “politikanëve” të etur për pushtet. Mos guxoni të abuzoni me UÇK-në politikanë dëshrak opozitar të Kosovës! UÇK-ja ishte, është dhe do të mbetet krenaria jonë kombëtare. Pa UÇK-në Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë dhe pavarësinë e saj. Pa UÇK-në Kosova do të ishte akoma nën Serbi. Ajo ishte faktori kryesor që ngriti në luftë atdhetarët shqiptare kundër Serbisë. UCK-ja bëri të mundur sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, në bombardimet kundra Serbisë. Lufta e UÇK-së qe e lavdishme. Ajo së bashku me NATO-n solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo qe ngjarja më e rëndësishme kombëtare pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Lufta e UÇK-së u drejtua nga Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët e saj. Në mendimin tim komandantët e saj e kryen më së miri detyrën e tyre në luftë. Secili prej tyre ka veprimtarië e tij në luftë dhe ndihet krenar për kontributin e dhënë. Gjykimi kolektiv i ish komandantëve në Hagë me akuzën e “Strukturës së organizuar kriminale” është një akt makabër, një padrejtësi historike ndaj UÇK-së dhe komandantëve të saj. Ish-komandantët mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe mos veprimet e tyre në luftë por nuk duhet të gjykohen me këtë aktakuzë kolektive të ngritur nga Gjykata Speciale e Hagës. “Çuditërisht” kjo gjykatë po gjykon çlirimtarët dhe ka harruar kriminelët serbë që bënë gjenocidin e tmerrshëm në Kosovë dhe gjetkë…
Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi e organizuar nga kjo gjykatë. Për disa nga ish-komandantët, unë kam vërejtjet e mia të shprehura hapur, por absolutisht jo për luftën, por për paqën. Ata e “shpërdoruan” lirinë dhe paqën për feude dhe pasuri… Për këtë ato duhet të gjykohen dhe të shpronësohen nga Gjykatat e Kosovës dhe jo nga ajo e Hagës. Jo vetëm kaq, por drejtësia kosovare duhet t’u konfiskoj pasuritë e paligjshme dhe t’ja kalojnë shtetit… Disa ish-komandantë u pasuruan në mënyrë abuzive.
Ata u larguan nga baza që i mbështeti këtë luftë, u larguan nga bashkëluftëtarët e tyre të luftës. Një pjesë të luftëtarëve të lirisë i lanë në mjerim të plotë… Aq sa kam lexuar në shtyp rezulton se mbi 50 persona ish-luftëtar të UÇK- kanë bërë vetëvrasje nga gjendja e vështirë ekonomike dhe lënja e tyre në harresë… Kjo ka ndodhur gjatë kohës që Kosovën e drejtonin ish-komandantët të konvertuar tani në drejtues shteti dhe institucionesh. Këta kanë emra dhe mbiemra dhe nuk mund ti përgjithësojmë.
Por logjikshëm mund të themi, kjo është liria? Kjo është drejtësia? Për këta luftoi UÇK-ja? Për këtë u flijuan 13-14 mijë vetë në luftën e fundit në Kosovë? Natyrish që, jo! Për këto dhe shumë gjëra të tjera di këto, ish-komandantët u ndëshkuan me votë nga populli. Ai në mënyrë demokratike mandatoi qeverinë e re, Kurti. Kjo qeveri mori vota “plebishitare” nga populli i Kosovës falë keqëqeverisjes së LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe Nismës… Në vend të një reflektimi objektiv të liderëve të ri dhe të bashkëpunimit për interesat kombëtare, ata i fusin “shkopinj” nën rrota të Qeverisë Kurti.
Jo vetëm kaq, por inkurojojnë, ngrejnë dhe hedhin në protesta edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, kundra tij. Ky veprim ëshë manipulim skandaloz dhe shërbimi më i mirë që i bëhet listës “Srpska” dhe Vuçiçit. Ky veprim është i papranueshëm dhe shumë naiv. Unë shpresoj se ish-luftëtarët e lavdishëm të UÇK-së do të ndërgjegjësohen dhe nuk do të bien “preh” e liderve të ri për rrëzimin e Qeverisë Kurti për interesa pushteti.
Ish-luftëtarët e UÇK-së duhet të ngrihen për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura dhe ta detyrojnë Kurtin të plotësojë një më një kërkesat e tyre ekonomike dhe sociale që u takojnë. Mendoj se nuk duhet të ngrihen për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, pasi bashkë me “ardhjen” në pushtet të “ishëve” mund të vijë edhe lista “Srpska”. Ajo ishte edhe më parë me paraardhësit e tyre. Pakica serbe në veri nuk mund të diktoi politikat e Serbisë në Kosovë.
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 04.08.2023