27.3 C
Tirana
E enjte, 6 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Vajza e kulaku

Vajza e kulaku

0
Gjon Marku

nga Gjon Marku

  • tregim

Iljoni ishte në moshën kur nwpwr ëndrra kërkonte të bukurën e dheut, kur në deje ndizet gjaku i rinisë dhe trupin e pushton një bubërrim i ëmbël, që i jep vrull çdo ndjenje. Si një gotë e thyer durimi, aq sa donte t’i zinte me dorë rrufetë ndër qiej. Ende nuk i kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. Kishin kaluar vetëm pak muaj që kishte festuar të shtatëmbëdhjetat, por netët pa gjumë po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta të gjata, të mbushura me një shqetësim të ëmbël që as vetë nuk dinte ta emërtonte.

U shtri në krevat, u rrotullua si ngjalë sa në njërin krah në tjetrin, por gjumi nuk e zinte. Hodhi sytë nga hëna, që derdhte një dritë të butë të argjendtë mbi jastëk. Flokënaja e rrezeve të saj iu duk si flokët e Vilmës, të lëshuara mbi fytyrën e tij. Nuk arrinte ta kuptonte çfarë po ndodhte me të; ndjenjat i ishin ngatërruar aq shumë, sa edhe vetja i dukej e panjohur.

Atë mëngjes ishte zgjuar herët e kishte rendur nw dush ku kishte qwndruar gjatw. Kishte kaluar gati treçerek ore nën dush dhe po aq kohë duke u krehur e rregulluar, derisa ishte bindur se ishte gati. Hapi dritaren, sikur tw donte ta sillte më shpejt ditën. Mbi vetullën e malit hëna ende sodiste yllin e fundit, një yll çunak thellë në kupën e pastër të qiellit. Ishte i fundit yll që dukej, në atë të zbardhur dite në qiellin pa njolla që shuhej ngadalë në kupën e kthjellët të qiellit.

Nga dritarja e katit të fundit, ku banonte, vështrimin e hodhi mbi zabelin, ku pranvera kishte kishte zbuluar gjinjtë e shpërthyer me gjithë gjallërinë e saj. Burbuqet çelnin buzët, ndërsa gjelbërimi mbulonte çdo skutë.

Mëngjesi i asaj buzëpranvere mori jetë si një ylber brenda shpirtit të tij. Krojet gurgullonin ujë të kulluar, livadhet harlisnin me bar të njomë dhe shelgjet buzë lumit kishin veshur gjethin e ri. Po aq e gjelbëruar ishte edhe zemra e tij.

Mezi priste të vinte ora e mësimit, kur do të ulej pranë Vilmës në bankën e fundit. Herë pas here, fshehurazi, vështronte trupin e saj, ndërsa një çast më vonë sytë i iknin nga dritarja, drejt lumit që përshkonte qytetin. Integralet e matematikës nuk kishin më asnjë kuptim. Për të, Vilma ishte bërë një botë më vete, një bukuri e paprekshme. Donte t’i afrohej, por ndrojtja ishte po aq e madhe sa edhe dëshira. Tinëzisht shihte gjinjtë e saj si perla e sw brendwshmi ndizej prush. S’dinte nga t’ia niste, veçse tash ajo i dukej si një perlë e paprekshme. Megjithëse ndjente një dëshirë të pafund t’i afrohej, aq shumë ndjente dhe një ndrojtje për t’i folur e aq më tepër për ta prekur.

Ky ndryshim nuk i kishte shpëtuar mësuesit të letërsisë. Edhe pse kohët e fundit përgjigjet e Iljonit nuk kishin qenë si zakonisht, ai vazhdonte ta çmonte si nxënësin më të talentuar që kishte pasur ndonjëherë. Skicat dhe hartimet e tij përzgjidheshin rregullisht për gazetën e shkollës, ndërsa disa prej tyre botoheshin edhe në shtypin për të rinjtë. I pashëm, korrekt dhe mbi të gjitha i zgjuar, Iljoni mishëronte gjithçka që një mësues do të dëshironte të shihte te nxënësi i vet.

Iljoni, edhe pse e kishte hedhur vështrimin përjashta dritares dhe vështronte rrjedhën e lumit, mendjen e kishte aty, tek shoqja ngjitur, së cilës ndjente se duhej t’i thoshte diçka, por që nuk guxonte dhe nuk dinte si t’ia thoshte.

– Iljon, – i pëshpëriti Vilma dhe, kur s’mori përgjigje, i ra lehtë me bërryl.

– Ki mendjen! Mësues Niko po të vështron edhe pse nuk po të flet. Pastaj ti s’e ke mendjen fare në mësim.

Kishte kthyer kokën dhe sapo gjithçka ishte normalizuar, ishte ai që i kishte rënë asaj me bërryl diku afër belit. Vështrimet e tyre kishin kryqëzuar dhe mbetën pezull.

– Vilma… dua të bisedoj me ty për diçka shumë të rëndësishme, – tha ai me një zë të ulët që i dridhej lehtë.

Ajo vuri re fytyrën e skuqur dhe sytë e tij të mbetur mbi fletore, sikur nuk guxonin ta ngrenë shikimin Kaloi edhe ajo ditë mësimi, e turbull sidomos për Iljonin. Por as Vilma nuk ndihej më si më parë. Nuk guxonte ta shihte drejt në sy, as t’i fliste me lirshmërinë e zakonshme, e jo më t’i bënte shaka. Një ndjenjë e re i kishte pushtuar të dy dhe i kishte bërë të heshtur.

Te porta e shkollës u ndanë si çdo ditë. Iljoni e ndoqi me sy derisa ajo humbi pas pallateve. Dita kaloi turbull për të dy. Vilma nuk guxonte më ta shihte drejt e as t’i bënte shaka si më parë; të dy ishin mbështjellë befas nga një heshtje e re, e ndryshme nga ajo e mëparshmja.

Pas mwsimit u ndanë te porta e fakultetit, por ai e vështroi gjatë, sa e humbi mes rrugëve të qytetit. Pastaj ia dha vrapit pas saj dhe, kur ajo hyri në shtegun që të çonte lart, drejt shtëpisë së saj në kodër, e thirri.

Ajo u ndal.

– Dëgjo, Vilma… – fjalët nuk i dilnin të plota e mbeteshin pwrgjyswm.

– Të dua, Vilma, – tha më në fund, dhe ajo e kuptoi menjëherë sa kishte vuajtur për ta thënë atë fjali të vetme.

Ishte një fjali e vetme, por ai ndjeu sikur kishte derdhur gjithë shpirtin në ato tri fjalë. U ndanë pa thënë më asgjë. Asnjëri nuk guxoi ta shihte tjetrin në sy, ndërsa secili mori rrugën drejt shtëpisë.

Atë natë Vilma u përpëlit gjatë në shtrat. Gjumi nuk i erdhi. As Iljoni nuk mbylli sy. Nata u duk e pafund për të dy. Kur erdhi mëngjesi, në bankën e fundit të klasës kishte lindur një marrëdhënie e re. Zemra e Vilmës po dorëzohej para djalit më të admiruar të shkollës, ndërsa edhe Iljoni nuk mund ta fshihte më ndjenjën që po e pushtonte.

Kaluan dy-tri ditë në atë heshtje të ëmbël, ku mjaftonte një vështrim për të thënë gjithçka.

– Më prit te shelgu, Iljon, – i pëshpëriti Vilma në pushimin e gjatë.

Ai mezi priti të mbaronte ajo ora e sapo ra zilja, mori çantën dhe doli.

– Ku po shkon, Iljon? – e pyeti një nga shokët.

– Më dhemb koka. Nuk ndihem mire– kështu që unë po iki se nuk ndjehem mirë dhe kishte dalë.

Kjo nuk kishte ndodhur kurrë – që Iljoni të linte një orë mësimi – dhe të gjithë e besuan. Askush nuk dyshoi.

Vilma mbeti e vetme në bankë, e paqetë, duke kërkuar një justifikim për t’u larguar. Nuk rrinte dot e qetë. Nuk përqendrohej. Mendjen e kishte vetëm te shelgu, ku ai po e priste. Po të kërkonte leje për të dalë, të gjithë do të çuditeshin. Ç’duhej të bënte?

Në atë çast hyri mësuesja e biologjisë dhe nisi apelin.

– Iljoni, ku është? – kishte pyetur ajo.

Zemra e Vilmës u drodh sapo dëgjoi emrin e tij.

– I dhimbte koka, mësuese. U largua.

– Thuajini të vijë pasdite në konsultimet për olimpiadën e biologjisë

Pastaj mësuesja njoftoi se dy orët e ardhshme do t’i zhvillonin në natyrë, për të studiuar disa nga bimët endemike të zonës.

Vilma nuk priti më. Gjeti një justifikim, kërkoi leje dhe doli me nxitim. Vrapoi drejt shelgut.Iljoni po e priste.

Pa thënë asnjë fjalë, ajo iu hodh në qafë. Ai e shtrëngoi fort dhe e puthi gjatë. Më pas ecën dorë për dore mes arave, ku Iljoni kishte mbledhur për të luleshtrydhe të egra. Pasditja kaloi pa u ndier. Kur erdhi çasti i ndarjes, Vilma i la mbi buzë një puthje të lehtë.

Një orë më vonë, të dy ishin ulur sërish në konsultimet për olimpiadën e biologjisë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Ishte fundjavë dhe fati deshi që konsultimet për olimpiadën t’i mblidhnin sërish pranë njëri-tjetrit. Pas tyre u drejtuan te shelgu lotues, vendi që tashmë ishte bërë streha e dashurisë së tyre. Më pas rendën arave duke mbledhur luleshtrydhe të egra. Herë ndaleshin për të qeshur, herë për t’u puthur, derisa mbërritën në buzë të pyllit të lisave.

Fundpranvera i kishte veshur drurët me gjelbërim, ndërsa bukuria e Vilmës dukej sikur i jepte dritë gjithë atij peizazhi. E kujt i kishte hije si asaj bukuria, e luleve të fundpranverës.

Iljoni këmbënguli të futeshin mes lisave. Vilma ngurroi për një çast, por buzëqeshi dhe vrapoi para tij. Ai iu vu pas. Kur e arriti, e përqafoi me butësi. Zemrat u rrihnin me të njëjtin ritëm, ndërsa puthjet u bënë gjithnjë e më të gjata. Në atë vetmi të mbuluar nga gjelbërimi, dhe as vetë s’e dinte se si ishte gjendur sipër trupit të saj që dridhej, ashtu si dhe ai, teksa e puthte me gjithë shpirt. Pastaj dorën kishte filluar ta rrëshqiste në trupin e saj e kishte filluar të bubërronte me mollëzat e gishtave në gjinjët e saj të fryrë. Krojet dhe lugjet i kishte mbuluar blerimi. Kështu ata kishin jetuar çaste të këndshme dashurie me njëri-tjetrin dhe i kishin zbuluar njëri- tjetrit të fshehtën e magjisë së seksit. Ishte një çast që do t’i shoqëronte gjatë gjithë jetës.

Ajo si një nuselalë që vjedhurazi kërkon të fshihet nëpër hithra mundohej t’i fshihej tërthoras shikimit të tij.

Ai iu afrua përsëri dhe e puthi lehtë. E prapa asaj puthje ajo kishte lëshuar një “oh” të thellë.

– “Ah ç’jeni ju djemtë, ç’jini kaq të liq”. – mërmëriti ajo me një buzëqeshje të përzier me turp.

A thua se ai vetëm kishte mëkatuar, si t’ia kishte rrëmbyer me zor ato momente të magjishme. E a thua se ata nuk kishin qenë njësoj lakuriq para njëri-tjetrit e para Zotit. Po gjithsesi me të qeshur ai ia kishte pritur si të ishte një engjëll: ma fal mëkatin e dëshirave të marra. Dhe prapë dorën e kishte zatetur në gjinjtë e saj si perla të bardha.

Ajo mbështeti kokën në kraharorin e tij. Nuk kishte më fjalë. Mjaftonte heshtja.

U kthyen në shtëpitë e tyre me një ndryshim që të dy e ndienin pa ua thënë njëri-tjetrit. Atë natë, Iljoni nxori nga rafti një libër vjetër poezie dhe lexoi një varg që i dukej i shkruar posaçërisht për ditën që sapo kishte jetuar..

Mbaj mend kur mëkatova për së pari

Me dorën, si rreth levës s’Arkimedit,

M’u shkund mes manushaqeve nektari

E unë pa mend po i vij rreth planetit…

Qëndroi gjatë mbi ato vargje. Pastaj e futi librin në çantë. Kishte vendosur që të nesërmen t’ia lexonte Vilmës.

Atë natë u shtri me sytë drejt qiellit. Yjet i dukeshin më të afërt se kurrë. Në mendje i rikthehej çdo çast i ditës, ndërsa flokët e Vilmës ngatërroheshin me degët e shelgut në përfytyrimin e tij. E shtrëngoi jastëkun pranë vetes, sikur të ishte ajo e cila për të tashmë ishte si një mriz zanash.

Kështu jeta e tyre mori një rrjedhë tjetër, dhe ai nuk arrinte më ta fshihte ndjenjën që e kishte pushtuar.

***

Në prag të përfundimit të vitit shkollor, mësuesi i letërsisë, tashmë drejtor i shkollës, i kërkoi Iljonit të paraqitej në zyrën e tij sapo të mbaronte mësimi.

Iljoni e ndjeu menjëherë se diçka nuk shkonte. Megjithëse kishte rezultate të shkëlqyera, një parandjenjë e rëndë nuk po i ndahej. Gjithsesi pasi kishte mbaruar mësimin u drejtua për në drejtori.

Ndërkohë, Vilma rendi drejt shelgut, ku takoheshin çdo ditë. Vendi iu duk i zbrazët. Priti gjatë, por Iljoni nuk erdhi.

– Dëgjo, Iljon, – nisi drejtori me një ton të qetë. – Unë të respektoj dhe të vlerësoj shumë.

Iljoni e dinte këtë. Për të, drejtori kishte qenë gjithmonë më shumë se një mësues; kishte qenë këshilltar, madje edhe si një prind.

– Më duket se je dashuruar.

Iljoni uli kokën. Fytyra iu skuq.

– Nuk ka asgjë të keqe në këtë, – vazhdoi drejtori. – Por kam përshtypjen se nuk e ke njohur mirë vajzën.

– Si? – pyeti Iljoni, i tronditur.

Për herë të parë ndjeu dëshirën ta kundërshtonte. Madje t’i përplaste derën dhe të largohej. Por qëndroi.

– E kuptoj që është e vështirë ta dëgjosh, por Vilma nuk është vajza e duhur për ty.

– Si? – ndërhyri Iljoni. Zëri i tij ishte i prerë, sikur donte t’i thoshte: Mjaft! E tepruat.

Drejtori e pa për disa çaste në sy.

– E di që nuk kam të drejtë të ndërhyj në jetën tënde. Por nuk mund të rri i qetë, kur di disa gjëra që duhet t’i mësosh. Vajza që përcjell çdo ditë nuk i përshtatet familjes sate.

– Pse? – mërmëriti Iljoni.

– Do ta them hapur, sepse të dua si djalin tim. Ajo ka një biografi që, në kohët që jetojmë, do të të kushtojë shtrenjtë.

Iljoni nuk foli.

– E sheh kullën në majë të kodrës?

Ai pohoi me kokë.

– Ajo është kulla e kulakut. Vilma është vajza e atij njeriu.

Fjalët ranë mbi të si një goditje.

Iu tha fyti. Një lëmsh i rëndë i mbërtheu frymëmarrjen. Për disa çaste nuk dëgjoi më asgjë. Në mendje i kaluan vetëm dy gjëra: familja e tij, e lidhur fort me partinë, dhe detyra që mbante si sekretar i rinisë së shkollës.

Drejtori e kuptoi tronditjen.

– Hajde të pimë një kafe.

Dolën bashkë. Biseda vazhdoi gjatë. Drejtori i shpjegoi gjithçka me durim, sikur donte ta përgatiste për një vendim që do t’i ndryshonte jetën. Në fund i ofroi edhe një ponç dhe e përcolli deri te hyrja e pallatit.

– T’i thashë këto tani, sepse pasnesër fillojnë provimet dhe rrugët tona do të ndahen. Megjithatë, nëse ke nevojë të flasësh, dera ime do të mbetet gjithmonë e hapur.

***

Vilma u kthye në shtëpi vonë. Kishte pritur gjatë te shelgu, por Iljoni nuk kishte ardhur.

Të nesërmen ishte dita e fundit e shkollës.

Kur u panë në oborr, ajo e kuptoi menjëherë se diçka kishte ndryshuar.

– Pse nuk erdhe dje? Të prita gjatë.

– Më prit pas mësimit – tha ai dhe pasi i ktheu shpinën u drejtua për nga hyrja e shkollës.

Një mjegull e hollë ngjitej nga lumi drejt qytetit. Atij iu kujtua dita e parë kur kishte përjetuar atë magji seksi.

“Mjegulla fsheh gjithçka,” mendoi ai. “Edhe diellin… edhe mëkatin.”

Pas mësimit u takuan te shelgu. Por këtë herë nuk ishte ai Iljoni që ajo njihte ishte vërtet tjetër njeri.

– Pse nuk më the se ishe vajza e kulakut? – tha ai me një zë të ftohtë. – Më ke gënjyer.

Vilma shpërtheu në lot.

Për të, ato muaj kishin qenë periudha më e bukur e jetës. Vetëm ai kishte mundur ta bënte të lumtur.

– Të kam dashur me gjithë shpirt, Iljon…

Ai e ndërpreu.

– Edhe unë të kam dashur. Por këtu rrugët tona ndahen përgjithmonë.

Ajo e pa me sy të përlotur.

– Po sikur të më lejojnë të vazhdoj universitetin?

Iljoni nuk u përgjigj.

U kthye dhe u largua.

Vilma mbeti vetëm nën shelgun lotues.

***

Pak muaj më vonë Iljoni nisi studimet universitare.

Ndërsa Vilma endej korridoreve të një hoteli në Tiranë, duke pritur të takonte Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Besonte se vetëm ai mund t’i jepte të drejtën e studimit.

Nuk arriti ta takonte kurrë.

Pas dy muajsh pritjeje u kthye e thyer në fshatin e saj. E caktuan të punonte në kooperativën bujqësore. Dimri po afrohej dhe, si “vajzë kulaku”, e priste puna më e rëndë: hapja e kanaleve.

Që nga ajo ditë, jeta e saj mori një drejtim krejt tjetër.

Sa herë i kujtohej Iljoni, lotët i mbushnin sytë. Kishte ditë të tëra kur nuk bënte gjë tjetër veçse jetonte me kujtimet.

Ngjitur me qytetin nisi ndërtimi i një fabrike. Në atë kantier punonin kryesisht njerëz me “biografi të keqe”, të përndjekur nga regjimi.

Punëtorët e Ndërtimit Industrial e ndalonin shpesh Vilmën. Njëri pas tjetrit i premtonin ndihmë, punë ose një rrugëdalje. E dëshpëruar dhe pa shpresë, ajo u kap pas çdo mundësie. Por çdo shpresë shuhej sapo lindte. Në fund mbetej vetëm me poshtërimin. Disa prej tyre, pasi kishin përfituar prej saj, e largonin me sharje, duke e quajtur edhe “lavire”.

Çdo ditë zhytej më thellë në një ferr, nga i cili nuk po gjente dot dalje.

Ndërkohë vendi po hynte në një kohë tjetër. Erërat e ndryshimit kishin filluar të frynin.

Iljoni, tashmë student në vitin e dytë, ishte lidhur me një vajzë tjetër. Këtë herë, para se t’i hapte zemrën, kishte pyetur gjatë për familjen dhe të afërmit e saj. Kur të djeg qumështi, i fryn edhe kosit.

Në vitin e fundit të studimeve, një pasdite, para godinës së Qytetit Studenti, iu shfaq papritur Vilma.

– Iljon… kohët kanë ndryshuar. Tani nuk jemi më “kulakë”.

Ai buzëqeshi hidhur.

E dinte se jeta e kishte goditur rëndë. E shihte në fytyrën e saj se nuk ishte më vajza që kishte njohur dikur.

– Kam ardhur të të them se ndoshta mund t’i rikthehemi kohës sonë.

Iljoni heshti për disa çaste.

– Vilma, ajo kohë ka qenë e bukur, sepse e kemi jetuar me gjithë shpirt. Por ajo ka marrë fund. Jeta na ka çuar në drejtime të tjera.

– Unë të kam dashur vërtet.

– Edhe unë, – tha ai qetë. – Kurrë nuk jam shtirur.

Sytë e saj u mbushën me lot.

– Ti më more virgjërinë… dhe bashkë me të ma vrave ëndrrën më të bukur.

Iljoni uli kokën.

– Mjaft, Vilma… Mos e kthe më pas kohën gjithçka i përket së shkuarës sonë të largët.

– Jo! – shpërtheu ajo. – Tani pushteti nuk do të jetë më i njerëzve të tu. Do ta paguani edhe ju atë që na keni bërë, e unë do të bëj gjithçka që ta shkatërroj jetën tënde, ashtu siç ma shkatërrove ti jetën time.

Ai nuk reagoi menjëherë.

– Besoj se kjo si shpërblim i asaj që më ke dashur me gjithë shpirt, apo jo? Hajde të të përcjell drejt stacionit të autobuzit, e të të them diçka tjetër që nuk paskam mundur të ta them deri më sot.

– Pushteti vjen e ikën. Unë nuk e dija kush ishe. Nuk kam qenë unë ai që i vendosa njollat mbi familjen tënde.

– Por ti u bëre pjesë e tyre! – tha ajo me zërin që i dridhej. – Ti më ke vrarë ëndrrën time e tash do të dalësh i larë, ti e bashkë me ty njerëzit e tu që për dekada na kanë shtypur e shkatërruar, burgosur e dënuar si mos më keq. Njerëzit e tu mbanin fjalime boshe kur njerëzit e mi s’kishin asnjë të drejtë.- Ti vazhdove universitetin, ndërsa unë hapja kanale e shtypur, e poshtëruar, e zhgënjyer. Ti ndërtoje jetën, ndërsa unë humba timen. Tani kërkon të dalësh i pafajshëm?

Iljoni ngriti sytë.

– Nuk dua të dal i pafajshëm. E di se të kam lënduar. Por nuk mund ta kthej më kohën. Nuk mund të ta kthej virgjërinë…

U ndal një çast.

– …ashtu siç nuk mund të ma kthesh as ti timen.

Në zërin e tij nuk kishte ironi. Kishte vetëm lodhje.

Vilma nisi të qante e denes.

Iljoni u kthye dhe u largua pa ia zgjatur dorën.

Atë mbrëmje nuk shkoi te e dashura. Nuk shkoi as në mensë. Endej vetëm nëpër kampusin studentor, duke luftuar me kujtimet.

Të nesërmen mësimi pothuajse ishte ndërprerë. Studentë të shumtë po niseshin drejt Durrësit. Tragetet mbusheshin me njerëz që kërkonin një jetë tjetër përtej detit.

Edhe Iljoni kishte shkuar në port bashkë me të dashurën.

Mes turmës dalloi Vilmën, që shtyhej për t’u ngjitur në traget.

Për disa çaste mbeti i ngrirë. Pastaj u kthye nga vajza që kishte pranë.

– Kthehemi.

– Pse? – e pyeti ajo e habitur.

Ai hodhi edhe një herë sytë drejt tragetit.

– Kjo nuk është rruga jonë. Ne duhet të mbarojmë studimet.

Ai, në të vërtetë, i kishte përfunduar studimet. Kishte mbetur vetëm edhe dy ditë banor i Qytetit Studenti, ndërsa e dashura e tij ishte ende në vitin e tretë.

– Si? – e pyeti ajo e habitur, kur ai këmbënguli të largoheshin nga porti.
– Kthehemi.
– Po pse? -ti këmbëngule aq shumë?
– Kthehemi! – përsëriti ai prerazi.

* * *

Tre vjet më vonë, Iljoni u përzgjodh bashkë me disa shokë kursi për një specializim pasuniversitar në Danimarkë.
Avioni u ngrit nga Rinasi dhe mori drejtimin për në Vjenë.

Nga dritarja ai shihte Shqipërinë që zvogëlohej poshtë. Lumenjtë gjarpëronin mes maleve, ura mbi Mat shndriste në diell, ndërsa qytetet dukeshin si lodra.

– Atje kam mbaruar shkollën e mesme, – i tha shokut pranë.

Ky e pa me buzëqeshje.

– Iljon a ke pasur ndonjë të dashur, – e kishte pyetur ai beftë. Avioni çante mes qiellit, por Iljoni në vend të përgjigjes kishte zgjedhur heshtjen. Kishte filluar të shalonte në kujtesën e vet kujtimet e së shkuarës.

Në vend të përgjigjes, Iljoni heshti.
Iu rikthye dita nën shelgun lotues. Puthja e parë. Ndarja. Zyra e drejtorit. Lotët e Vilmës. Trageti që largohej nga Durrësi.
Pastaj ju bw se dëgjoi përsëri zërin e saj:

“Unë do të bëj gjithçka që ta shkatërroj jetën tënde, siç ti ma shkatërrove jetën time”, iu bë se i foli ajo.

Ç’dreq kujtimesh kishte menduar e në fakt kishte fajësuar me vete shokun e tij të fakultetit që e kishte pyetur për të dashurën e tij të hershme.

* * *

Kishin pesë orë kohë, kështu që të gjithë së bashku dolën të bënin një shëtitje nëpër Vjenë. Pastaj u kthyen në aeroport, prej nga në mbrëmje, morën avionin për në Kopenhagë.

– Iljoni, duket se diçka e ngacmon, se si ishte në avionin e linjës Tiranë – Vjenë. Në fillim m’u duke shumë i gjallë, pastaj u bëre si një gur varri i heshtur kishte mendur shoku i tij .

– Ndoshta kam përjetuar ndjesinë e fluturimit të parë me avion, – tha Iljoni si të donte ta hiqte qafe. Gjithnjë dhe çdo gjë ka një herë të parë, -tha ai duke kujtuar fluturimthi Vilmën dhe përjetimin e mëkatimit përsëpari.

Tjetri nuk foli dhe pse nuk kishte marrë vesh se ku gjuante fjalia e Iljonit.

– Më dukesh i shqetësuar, – i tha sërish shoku. – Në fillim ishe plot humor, pastaj u mbylle krejt mos do rrish ashtu si gur varri dhe nw linjwn Vjen -Kopenhagen.

Iljoni buzëqeshi lehtë.

– Ndoshta është fluturimi im i parë…

Pastaj shtoi me zë të ulët:

– Disa gjëra ndodhin vetëm një herë në jetë.

Shoku nuk e kuptoi se për çfarë e kishte fjalën.

* * *

Pasi mbërritën në Kopenhagen dhe u stabilizuan në hotel u mblodhën të gjithë në sallonin e hotelit ku një flokëverdhë daneze me trupin e gjatë e me një hijeshi zane u solli disa harta të Kopenhagës. Kjo rrugë të çon te shtëpia Botërore e Sindikatave. Kjo rruga tjetër të çon në Universitetin e Kopenhagës. Kjo rruga këtu të dërgon në stacionin e trenit. Kjo rruga këtu me të verdhë është rruga e kabareve dhe e dyqaneve të seksit. Kishte vijuar shpjegimin e saj flokëverdha. Këtu keni dhe kartëvizitën e hotelit dhe nëse diku nuk orientoheni, atëherë mund të merrni taksi dhe të riktheheni këtu.

Sapo ajo u largua, shoku i Iljonit qeshi.

– Atë rrugën me të verdhë do ta vizitojmë, apo jo?
– Mjaft, ore ti, – foli tjetri nëpër dhëmbë.

* * *

Kështu nisën ditët dhe netët në Kopenhagen. Ishte nata e tretë kur Iljoni falë këmbënguljes së shokut të tij të fakultetit u gjend bashkë me të në rrugën e “ndaluar”. Ecnin me makinën e marrë me qira.

– Ja prostitutat e para, – tha shoku i Ilionit. Tjetri nuk donte, t’ia dinte kishte ardhur këtu veç prej tij që donte të shuante kuriozitetin. Makina ecte ndërsa prostitutat sapo shoferi ndalonte shpejtësinë, afroheshin drejt xhamave.

– Ikim, – tha Iljoni, – besoj e shuajte kuriozitetin.
– Edhe pak, – tha tjetri.

Makina vijoi rrugën.

Në një kthesë shoferi pothuajse e ndali krejtësisht shpejtësinë. Një femër trupgjatë e shalëdalë u drejtua drejt saj. Iljoni shquajti qartë fytyrën e Vilmës që vinte drejt tyre.

– Ndalo, – i tha shoferit.
– Nuk besoj se ke dëshirë të shkosh me prostituta Iljon, – ndërhyri shoku i tij.
– Pusho, – tha Iljoni prerë dhe i bëri me dorë shoferit të ndalonte.

Vilma ishte ndaluar para xhamit të makinës.

– Putanë, – mërmëriti shqip kolegu i tij.
– Pusho mor idiot, – foli Iljoni.
– Ti Iljon? – pyeti shqip Vilma.
– Futu në makinë! – foli tjetri.
– Jo, – mërmëriti Vilma.
– Futu në makinë të shkojmë diku të pimë një kafe, Vilma.
– Jo Iljon, rrugët tona janë ndarë njëherë e mirë. Unë vij me ju po të më paguani.
– Vilma ne erdhëm këtu që të shuajmë kuriozitetin, jo për ju, gjithsesi u takuam.

Tjetri nuk po kuptonte asgjë.

– Futu në makinë, – tha Iljoni.

Vilma filloi të qante. U drejtuan në kafene.

– Ti më shkatërrove jetën, – i ishte drejtuar ajo. – Si mund të bëja unë ndryshe. Ti ishe më i pashmi nga djemtë e shkollës sonë, që më more gjithçka kisha. Pastaj ndoqe rrugën tënde duke më lënë në mes të rrugës. Kohët ndryshuan po çfarë të bëja unë të pastroja baltën e kanaleve apo të shkolloja vëllezërit e motrat që ishin një tufë pas meje e nuk kishin bukë të hanin. Të kam parë kur u ktheve i shoqëruar nga një femër në portin e Durrësit. Jam e sigurtë që edhe ti më ke parë. Kanalit të Otrantos kam qarë pa fund, pastaj dihet se përfundova rrugëve. Të gjithë jetojnë mirë atje, unë u dërgoj para që të shkollohen dhe jetojnë si gjithë të tjerët, që jeta të mos u thyhet në mes si mua dhe u ngrit të ikte.

-Ti ke ardhur këtu për të studiuar. Unë duhet të kthehem në punë rrugët tona janë ndarë njëherë e përgjithmonë.

Hodhi një vështrim të fundit drejt tij.

– Rrugët tona janë ndarë përgjithmonë. Bëri disa hapa, pastaj u kthye edhe një herë.
– Mos u përpiq më të më kërkosh, Iljon.

U largua pa e kthyer kokën. Iljoni mbeti ulur. Filxhani i kafesë ishte ftohur.
Për herë të parë e kuptoi se njeriu mund të mos jetë fajtor për një sistem, por të mbajë mbi vete një pjesë të pasojave të tij.
U kthye në hotel me hapa të rëndë.
Atë natë nuk e zuri gjumi.
Në heshtje pranoi se edhe ai mbante pjesën e vet të fajit në dramën e Vilmës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.