23.6 C
Tirana
E martë, 6 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kritika sociale dhe stoicizmi etik në poetikën e Zyhdi Dervishit

Kritika sociale dhe stoicizmi etik në poetikën e Zyhdi Dervishit

0
Zyhdi Dervishi

Sadedin Mezuraj

1. Motivet dhe fryma meditativo-filozofike

Në peizazhin e poezisë shqiptare të shekullit të njëzetë dhe sidomos asaj bashkëkohore, autorët më të spikatur, me pak përjashtime, përgjithësisht vijnë nga fusha e formimit filologjik dhe letrar. Zyhdi Dervishi, si autor i gjashtë librave poetikë, në profilin e tij profesional përfaqson një nga sociologët më të shquar të tranzicionit postkomunist.

E theksojmë këtë fakt si një veçanësi krahasuar me profile të tjera poetike në aeralin kulturor shqiptar, por jo domosdoshmërisht si përjashtim në botën letrare:John Keats u formua si kirurg, Frederik Shiler studioi mjekësi, Lewis Carroll-ishte matematikan dhe logjicien, William C. Williams ishte mjek profesionist, Novalis studioi për inxhinieri minierash, Georg Trakl studioi për farmaci etj.

Si bashkëstudent në degën e filozofisë në vitet 70-të, kujtoj Zyhdiun si student të shkëlqyer dhe një person humble- i vetpërmbajtur-një cilësi e rrallë kjo në botën shqiptare, të cilën Faik Konica do ta karakterizonte me dy tipare karakteriale- kapardisje dhe fodullëk.

Duke qënë modest, Zyhdiun poet në ato vite do ta “zbuloja” rastësisht në faqet e ish gazetës Studenti, ku kishte botuar disa poezi të cilat, parë në retrospektivë, përmbanin skeletin formalo-strukturor të krijimtarisë së tij të ardhshme poetike.

Teorikisht, poezia si gjini e letërsisë, edhe pse mban firmën autoriale, nuk mund të jetë në të gjitha aspektet dhe elementët e saj një autobiografi e autorit në vargje. Ashtu sikurse jo çdo ndodhi e jetës përbën një fakt sociologjik, edhe çdo fakt i jetës personale nuk kthehet domosdoshmërisht në akt të ligjërimit poetik. Megjithatë, formimi solid kulturor filozofik dhe profili i lartë si studiues serioz i sociologjisë, doemos do reflektoheshin në tipologjinë, rrafshin tematiko-përmbajtësor, strukturën dhe frymën e poezisë të lëvruar nga Zyhdi Dervishi.

E endur në laboratorin krijues të autorit, pëlhura tekstuale e poezive ndërthur përjetimet e subjektivitetit, si pasqyrë dhe reflektim i kompleksitetit të realitetit në të cilin gjallon subjekti lirik. E parë në këtë këndvështrim, poezia e Zyhdi Dervishit shpaloset si përjetim personal i përvojës, i formimit kulturor dhe reflektim i bashkëkohësisë si realitet social, politik dhe kulturor.

Gjykuar nga larmia e motiveve dhe spektri fenomenologjik i tematikave sociale, poezitë e librit Hakerat e mjegullës, përgjithësisht janë të rrënjëzuara në aktualitetin social, plot paradokse, trauma, trazime shpirtërore dhe pështjellime etike. Spektri motiveve përfshin një larmi qasjesh dhe refektimesh rreth hipokrizisë sociale, mosmirënjohjes, deformimeve dhe metamorfozave morale, spërdredhjes së njeriut sipas situatave dhe mungesa e dinjitetit dhe burrërisë, tjetërsimi, narcisizmi dhe vaniteti njerzor, mercenarizmi, psikologjia e turmave, shpërfillja e njeriut idealist dhe traditave heroike, pasojat e pandemisë, falsiteti dhe vetrupërimi njeriut të zhveshur nga skurpujt moralë etj.

Poema përmbyllëse e librit “Rënjë dhe lule ulliri” shpalos idenë se poezia nuk është një zbavitje dhe stolisje intelektuale por lind si reagim shpirtëror, estitik dhe moral i poetit-intelektual përballë vujatjeve, dhimbjeve, padrejtësive sociale, në një “kohë hibride plot me viruse”.

Nëse problematikat sociale të tranzicionit të rrokopujshëm prof. Zyhdiu në librat e tij studimorë i shqyrton përmes lenteve sociologjike, në gjashtë librat me poezi të botuar prej tij, realiteti me dramat dhe dritë-hijet e tij, vjen përmes përftesave të filtruara në thjerrëzat e holla poetike

Prof. Sadik Bejko-me shqisën e mprehtë të studiuesit të letërsisë, në një shkrim rreth poezisë së Z.Dervishit, konstaton se poezia e këtij autori fshikullon me ironi e satirë deformimet sociale dhe karakteriale të njeriut të tranzicionit, por pa rënë në nihilizëm; motivet poetike rrokin zezonat, llahtaritë, metamorfozat dhe fëlliqsitë e shpirtit njerzor, por pa rënë në pesimizëm.

Nisur nga ky konstatim udhërrëfyes i prof. Bejkos, do të vinim në evidencë një nga tiparet më esenciale të poetikës së Zyhdi Dervishit dhe, ndoshta dhe veçanësinë e profilit të tij poetik- me tehun e kritikës sociale, autori demaskon deformimet sociale dhe njëkohësisht lartëson stoicizmin etik, si busull morale e njeriut, përballë vorbullave të realitetit tjetërsues.

Libri Hakerat e mjegullës është i strukturuar në shtatë cikle dhe përmban edhe një poemë përmbyllëse. Sikurse dhe titulli librit, edhe titujt e cikleve poetikë ( Balsami i reve; Ngërdheshje të demonëve; Cikloni i kometave vetmitare; Akrepat e tersit; Ujëvara të përmbysura; Nudo të vetëturpëruara; Metastazat e errësirës) janë të formuluar me tharm metaforik dhe si të tilla, i shërbejnë lexuesit si vatra orientuese të rrafsheve semantikë të motiveve petikë.

Edhe titulli Hakerat e mjegullës është një gjetje e bukur që i shkon përshtat filozofisë së përmbajtjes së librit dhe mbart nënkuptimet në rrafshin metaforik, social , politik dhe estetik. Në kuptimin literal, hakerat në kibernetikë janë ata që thyejnë kodet dhe hyjnë në sisteme të mbyllura për të zbuluar informacionin e fshehur. Mjegulla simbolizon paqartësinë, misterin dhe velin që fsheh realitetin. Në planin metaforik, “hakeri” sinjifikon figurën e njohjes, misionarin e zbulimit të së vërtetave, në një realitet të mistifikuar dhe mjegulluar nga propaganda, iluzionet, spektakli dhe demagogjia.

Në një rrafsh më të tërthortë politik, “hakeri” simbolizon poetin sfidues të një rendi të caktuar , të atij rendi që “tjerr” mjegullat e mbulimit të plagëve të realitetit social. Në rrafshin filozofik, titulli librit mbart idenë e trascendencës, ku hakeri është subjekti që sfidon kufijtë dhe kërkon të kapërcejë mjegullën për të arritur tek e vërteta –një mision që na kujton Sokratin e lashtësisë –filozofin në kërkim të së vërtetës.

Poezia e Z. Dervishit përfaqson tipologjinë e poetikës lirike refleksive, me tone etike dhe meditativo-filozofike. Në themel të kësaj tipologjie poetike qëndron përqasja dhe bashkimi i dy mënyrave të të menduarit-kritika e mprehtë e deformimeve morale të njeriut të tranzicionit postkomunist dhe dimensioni reflektimit të thellë etik dhe sarkatstik. Këto dy mënyra të menduari -ose këro dy qasje poetike-kur takohen në vetëdijen e ndjeshmërisë poetike, prodhojnë estetikën e kritikës sociale dhe distancimit etik të subjektit lirik nga realiteti si negativitet, shëmtim, padrejtësi, pangopësi materiale, makutëri dhe molepsje morale.

Morali, edhe pse historikisht është i ndryshueshëm, edhe në modernitet, përtej relativizmit dhe koncpteve neoliberale të lirisë, mbetet një dimension ontologjik i qenies njerzore. Aristoteli në Etikën Nikomake virtytet i shikon si përsosmëri të qëllimit njerëzor, ndërsa Kanti e konceptoi moralin në bazë të detyrës dhe imperativat kategorikë, si shprehje e normave universale. Filozofia ekzistencialiste e Sartre thekson rëndësinë e lirisë si zgjedhje dhe përgjegjësi personale. Në shoqërinë postmoderne të relativizmit moral dhe pasigurisë, përballë krizës së vlerave dhe kaosit konceptual, njeriu nuk është i thirrur të jetë i përsosur, por të jetë i përgjegjshëm në zgjedhjet dhe sjelljen e tij. Kjo porosi morale duket se buron nga poezia e kritikës sociale të Zyhdi Dervishit, por jo përmes moralizimeve abstrakte dhe patetizmit gërthitës.

Një nga lejtmotivet e librit Hakerat e mjegullës është liria, e plazmuar në mjaft poezi si përqasje medituese dhe frymë. Liria nuk predikohet por shpaloset si përvojë etike e brëndshme, si liri e fituar nëpërmjet vetësakrifikimit dhe përkushtimit në shërbim të shoqërisë dhe përulësisë, përballë utilitarizmit pragmatist të shoqërisë moderne , në një bote të zhurmshme, me fasada të ndritshme dhe bosh nga brenda. Poezinë me titull Liria ime (f.59) mund ta konsiderojmë si shprehësi të këtij lejtmotivi dhe manifest moral të njeriut të lirë shpirtërisht.

Poezia përfaqson autoportretin moral të autorit dhe është e ndërtuar mbi antitezën implicite midis dhënies/përkushtimit dhe mungesës së vlerësimit nga shoqëria. Koncepti lirisë ndërtohet mbi paradoksin filozofik – vetëm ai që nuk është rob i lavdisë dhe nderimit, përjeton ndjesinë e të qënit vërtet i lirë. Fjalët e thjeshta mbartin një fuqi aforistike : Në lirinë time jam i lirë. Në thelb kemi të bëjmë me një poezi të vetëdijes për lirinë që lind nga brënda, si dimension moral i qenies. Poezia bart frymë stoike dhe ekzistencialiste dhe na kujton vetpërmbajtjen përballë botës materiale, të predikuar nga Epiktepti, Mark Aurelius dhe stoikët e tjerë të filozofisë antike greke dhe romake.

Në ndonjë poezi, autori , përmes kontrastit , shpreh zhgënjimin e tij në raportet me “dheun mëmë”: Dheu im, të desha si nënë/por më ke dhunuar shpesh/edhe si njerkë e pështirë ( f.123). Përtej zhgënjimit personal, poezia përcjell shpërfilljen dhe fatin e keq të mjaft intelektualëve, një dukuri që rikthehet përherë si mallkim , pvarësisht sistemeve politikë.

I hedhur në një botë të sunduar nga kaosi moral dhe kriza e vlerave, poeti ka vetëdijen se, edhe pse nuk mund të ndryshojë botën, si qytetar dhe intelektual ka detyrën të demaskojë deformimet sociale, të mos bëhet pjesë e llumit dhe zullumit dhe të ruaj distancimin e tij përmes stoicizmit etik. Në mesin e një bote me vlera të deformuara, Poeti shpall kredon e tij etike: Për të mos ulur kokën/për të mos ulur kokën përballë tiranisë së çdo pushteti/dhe halabakërisë së çdo pornoshteti/ në çdo akt e skenë të jetës /zgjodha të luaj role asketi. (f. 53)

Stoicizmi dhe asketizmi janë dy boshtet e qëndresës së intelektualit dhe poetit në kohë të vështira, kur gjithandej “ shkreton shkretëtira”.

2. Tiparet stilistike dhe strukturore

Lënda poetike e plazmuar në librin Hakerat e mjegullës, e parë në tërësinë e saj në aspektin stilistik, përfaqson një poezi lakonike, të ngjeshur në mendim dhe skurpuloze në formë. Nga pikëpmja formale, autori në përgjithësi procedon përmes strukturës poetike me dy strofa të ndërtuara mbi bazën e antitezës, paradoksit, kundërvënies dhe kontrastit.

Sikurse kemi përmendur, poezia e Z. Dervishit i përket lirikës sociale, me tone kritike dhe meditativo-filozofike. Ndonjëherë kjo tipologji poetike shpaloset në forma aforistike, me nota ekszistencialiste, thekse të forta sarkastike, madje me tone proteste, duke patur si model dhe ndërlidhje intertekstuale me Fishtën satirik dhe Migjenin-poetin e revoltës dhe kritikës sociale.

Strukturat lakonike të procedimit poetik i japin fjalës peshë konceptuale. Poeti shmang zbukurimet e tepërta ornamentale dhe qasjeve poetike, falë figuracionit artistik, imazheve dhe imagjinatës krijuese, u jep dimension simbolik. Falë kësaj disipline logjike, ekonomisë së fjalës dhe thellësisë së mendimit , vargjet në disa raste marrin trajtat e sentencave filozofike: Dheu im, mokër e vështirë/ bluan dhe kockat e bijve të vet më të mirë (f.120) ;

Njeriu i zbrazët-tullumbace e fryrë me gazrat e kotësisë/rreket të ngjitet majëmaleve të lavdisë (f.195)

Tropet poetike më të preferuara mbi të cilat ndërtohet struktura figurative dhe rrafshet semantike të poezive janë kontrasti, antiteza, pralelizmi dhe paradoksi. Strukturimi poezive përmes këtyre qasjve i jep poezive dimension estetik dhe skurpulozitet formalo-gjuhësor. Edhe pse në disa raste poezitë bartin një notë pesimizmi subtil, në përgjithësi në këtë libër, sikurse dhe në botimet e mëparshme, poezia e Zyhdi Dervishit përcjell frymën e humanizmit, të angazhimit qytetar dhe intelektual, larg sentimentalizmave dhe unit solipcist që vërtitet rreth vetes. Poezia e

Dervishit është kritikë socile dhe kambanë, thirrje për rizgjimin dhe ripërtëritjen morale të shoqërisë.
Hera herës, autori përmes symprehtësisë së sociologut, na zbulon një realitet dystopik, ku apokalipsi duket se ka ardhur dhe ferri është bërë fytyra e kësaj bote: Bota e mbidheshme-/më e ferrshme se ferri f.80). Eshtë një botë e krisur, e fragmentuar, e fëlliqur, e dreqëzuar, ku “nuk lindin më fëmijë/por manekinë (f.117)

E vetmja rrugëdalje mbetet arratisja nga ky realitet. Ndoshta në një moment pafuqie dhe i dorëzuar, imagjinon të pamundurën: Me shpatat e vetëtimave/kupën e qiellit dua ta gris/…nga e çara do të arratisem/ se nuk kam fuqi që në këtë dreqo-botë/ kaq të lerosur/të bëhem pis (f. 54). Përmes këtij përfytyrimi imagjinativ, autori shpreh protestën e tij ndaj botës së lerosur dhe katranosur si mosmëkeq. Por poeti njëkohësisht ka vetëdijen (Dilemë mes planetesh-f.64.) e njeriut dhe qytetarit të rrënjosur në këtë realitet si “kronikan i eksodit” dhe ikjeve të njerëzve të dorëzuar para këtij realiteti shpresëvrasës.

Edhe pse shoqëria ka progresuar në rrafshin e teknologjisë digjitale, me kompjutera, internet dhe celularë, poeti konstaton me dhimbje se falë këtij komunikimi të shumëfishuar, atmosfera po helmohet nga thashethemet nëpër bare e kafene. Kjo situtaë e shtyn të pyes: Jemi në ditën e mbrame të një kohe të perënduar/ apo në fillimet e një epoke të re? (f. 84)

Kjo tipolgji poetike , edhe pse ruan gjurmët e hetimit sociologjik, nuk mbështetet në konstrukte të thata teorike, por shpaloset si reflektim që lind nga përvoja dhe vetëdija, si përjetim ekzistencial që përçon ndjenja, tensione dhe ngre pyetje për kuptimin e jetës, për njeriun, shoqërinë dhe moralin e saj. Në këtë perspektivë, subjekti lirik është nyja ku ndërlidhet meditimi personal me përgjegjësinë morale.

Në këtë tipologji poetike, pathosi është ndjenja që rrjedh nga përjetimi brëndshëm, ndërsa etosi përfaqson dimensionin etik, qëndrimin moral që e orienton poezinë drejt një vizioni filozofik dhe etik të botës. Në këtë kuptim, poezitë e Z.Dervishit në këtë libër nuk jnë vetëm reflektim personal, por edhe përftesa për një reflektim moral për lexuesin. Pathosi rrjedh nga tematika, nga përballja kritike me kohën, me humbjen e ekuilbirtit të shoqërisë dhe nevojën për një etikë të lirisë, si brendësim i imperativave kategorikë në epokën postmoderne të relativizmit moral.

Kredoja poetike dhe morale e autorit shpaloset qysh në poezinë pararendëse të cikleve poetike… Për fluturime. Në një botë ku ka njerëz “që capiten si hije/nëpër llucë e baltë” dhe “ të tjerë që vetëndihen gjigandë/ndonëse i mbulojnë /hijet xhuxhe të stërkave”, (f. 13-14) poeti shpall misionin e tij të fluturimit drejt lartësive të virtytit dhe kërkimit të mundimshëm.

Subjekti lirik-dhe nën maskën e tij-vetë poeti- ndjehet i tëhuajëzuar dhe vetmuar në një botë ku duket “shkreti ..dhe shkretëtirë në çdo anë”(f.37) dhe në “kohën e kërrusur prej absurdit”. Autori me pak penelata sintetizon fatin e idealistit të në një shoqëri pragmatike dhe pa moral, duke nënvizuar vetminë dhe stoicizmin si armë qëndrese: Idealisti është përherë i vetëm/ Të gjithë përreth/e kanë tradhëtuar (f.104). Në kushtet e një shoqërie me moral të molepsur prej ligësisë, autori vetminë e shikon si një fortesë mbrojtëse dhe distancim prej të keqes që“vrapon çmendurisht”: Vetëm akrepat e dhimbjeve/të shumëfishta që më kafshojnë/ çdo pjesë të qënies time/ma largojnë disi vetminë (f.45)

Një aspekt tepër i veçantë i poetikës së Zyhdi Dervishit është përkujdesja për fjalën, përzgjedhja e kujdeshme e leksikut në funksion të veshjes sa më estetike të poezisë, ku spikat aktivizimi metaforave, hiperbolave, sinegdodës, aliteracionit, asonancës dhe figura të tjera të efektit tingullor. Në rrafshin gjuhësor ajo që bie më sëshumti në sy në poetikën e këtij autori është dhuntia e krijimit dhe aktivizimit të një fondi të begatë me neologjizma dhe fjalëformime (diamantfismëria, peshërëndë, majëmalet, vetëverbëri, kodërvarri, kockëtrazuar, shpirtkatran, dallgëtrazuar, shpirtfismëria etj). Në larminë e mjeteve poetike, metaforat e zgjeruara përshkojnë gjithë materien poetike dhe shpalosin estetikish imagjinatën krijuese të Zyhdi Dervishit.

Me krijimtarinë e tij letrare-poetike në gjashtë libra të botuar, sociologu i shquar Zyhdi Dervishi tashmë ka krijuar një profil të spikatur dhe të dallueshëm në peizazhin e poezisë së re bashkëkohore shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.