Nga GJON MARKU
- tregim
Im biri është student. Ditën që e shtrova motrën time në spital, më dha çelësin e shtëpisë ku banon, sepse do të duhej të rrija disa ditë në Tiranë. Doja vetëm të pushoja dy a tri orë, të lahesha pak dhe të ktheheshim përsëri pranë saj.
Në shtëpi nuk ishte askush. Mbi tavolinën e dhomës, mes disa librave të hapur, gjeta një fletore. Ishte ditari i njërit prej shokëve të dhomës së tim biri. Nuk e kisha ndërmend ta lexoja, por faqja e hapur ishte e shkruar me një dorë që dridhej pak, dhe sytë m’u ndalën aty vetë.
Atje shkruhej:
* * *
…Sonte jam vetëm në shtëpi.
Jashtë, nata ka rënë ngadalë mbi qytet, ndërsa brenda mureve të kësaj dhome heshtja është më e rëndë se zakonisht. Jam student. Një prej atyre të rinjve që mbajnë në çantë libra, në xhepa pak para dhe në mendje një të ardhme që gjithnjë e më shumë i ngjan një rruge pa dalje.
Dy shokët e mi të banesës i kanë rrahur në protestën e fundit. Edhe vajzën që dua e kanë goditur. Dhe unë? Unë jam këtu, përballë mureve, me duart bosh dhe me një mendje që nuk di të pushojë.
Më shfaqet vazhdimisht imazhi i atij studenti që u përball me gjashtë policë. Pastaj fytyra e një të riu tjetër, me këmbën e thyer, i shtrirë përdhe, ndërsa uniformat mbi të vazhdonin të binin si çekanë mbi një trup të pafuqishëm.
I shoh të gjitha këto dhe pyes veten: po të isha unë ai student? Po të isha unë ai djalë me këmbën e thyer? Po të isha unë ai që sot kërkon një dorë ndihme, ndërsa bota kalon pranë tij?
Nuk di çfarë të bëj. Të ngrihem e të bërtas, të dal në rrugë, të përballem apo të hesht?
Ndihem si një zog i plagosur nga furtuna. Kam ende krahë, por nuk di nëse mund të fluturoj.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, as në anën tjetër jeta nuk po më shkon mirë. Dashuria është bërë një shqetësim tjetër, një derë tjetër që nuk po arrij ta hap. Gjithçka duket sikur po më rrëshqet nga duart.
Por kjo dhimbje nuk ka filluar sonte.
Babai im mori rrugët e mërgimit. Ishte i mirëshkolluar, por jeta nuk i dha mundësinë që dija e tij të bëhej buka e familjes. Mori dheun e huaj që unë të mos detyrohesha ta bëja të njëjtën gjë. Shkoi larg me një dëshirë të vetme: të më shihte të arsimuar.
Gjithmonë më thotë:
– Shkollohu, bir. Unë po punoj për ty, ti shkollohu.
Dhe unë po shkollohem.
Por ndonjëherë, kur kthehem nga puna dhe hap librat, më kap një mendim që nuk më lë të qetë: mos vallë edhe unë, një ditë, do të përfundoj duke mbajtur një diplomë në njërën dorë dhe një valixhe në tjetrën? Mos vallë ky karton, për të cilin po sakrifikojmë kaq shumë, do të mbetet vetëm dëshmi se dikur kam ëndërruar të jetoj ndryshe?
Babai nuk e di sa shumë punoj. Madje ai nuk dëshiron që unë të punoj fare. Nuk ia them. Ai vazhdon të besojë se detyra ime është të studioj, ndërsa unë vazhdoj të punoj që t’ia lehtësoj barrën, qoftë edhe pak. Nuk dua t’ia rëndoj shpirtin një njeriu që e ka kaluar jetën duke mbajtur mbi supe barrën time.
Ndërkohë, gjyshja dergjet në shtrat. Sëmundja po ia tret ditët, ndërsa ne përpiqemi t’ia blejmë ilaçet dhe t’ia zgjatim edhe pak qëndrimin mes nesh. Çdo ditë është një pritje. Çdo telefonatë mund të sjellë një lajm që askush nuk dëshiron ta dëgjojë.
Dhe mendja më shkon te gjyshi. Te fjalët e tij, te zëri i tij, te ajo urtësi e vjetër që sot më duket më e rëndësishme se çdo diplomë. Një herë, kur fliste për emigrimin dhe për ata që largoheshin nga vendi, më tha:
– Ju mund të ikni, por varret kujt do t’ia lini, bir?
Atëherë nuk e kuptoja plotësisht. Sot, kur e ndiej veten të huaj në vendin tim, kur shoh të rinjtë të dhunuar dhe prindërit të detyruar të marrin rrugët e botës, fjalia e tij më kthehet në mendje si një kambanë që bie në mes të natës. Kujt do t’ia lëmë varret, gjysh?
Po shtëpitë? Po kujtimet? Po rrugicat ku kemi luajtur fëmijë? Po lisat nën hijen e të cilëve kanë pushuar të parët tanë? A duhet të ikim të gjithë? Apo duhet të rrimë edhe kur të qëndruarit bëhet një formë tjetër dhimbjeje?
Sonte, përballë vetmisë, e pyes veten: të iki apo të rri? Të ngrihem apo të hesht? Të përballem me padrejtësinë apo të ruaj veten nga një dhunë që mund të më marrë gjithçka?
Nuk kam përgjigje. Kam vetëm një zemër të lodhur, disa libra të hapur mbi tavolinë, një telefon që pres të bjerë dhe fytyrat e njerëzve të mi që më shfaqen njëra pas tjetrës.
Nuk dua të bëhem hero i një tragjedie. Nuk dua të jem as viktimë e heshtjes. Dua vetëm të jetoj. Të shkollohem dhe të kem mundësi të punoj në vendin tim. Ta shoh babanë të kthehet një ditë jo si emigrant, por si njeri që ka përfunduar udhëtimin e tij. Ta shoh gjyshen të buzëqeshë. Të mos kem frikë për shokët e mi kur dalin në protestë. Të mos kem frikë për vajzën që dua kur ecën në rrugë.
A është shumë të kërkosh një jetë me dinjitet? Ndoshta jo. Ndoshta kërkojmë vetëm atë që duhej të ishte e jona që në fillim.
Ngrihem nga karrigia dhe shikoj nga dritarja. Qyteti vazhdon të jetojë. Diku dikush qesh, dikush qan, dikush kthehet nga puna, dikush përgatitet për një ditë tjetër. Ndërsa unë qëndroj këtu, duke u përpjekur të kuptoj ku mbaron dhimbja ime dhe ku fillon dhimbja e këtij vendi.
Pastaj më kujtohet përsëri zëri i gjyshit: «Ju mund të ikni, por varret kujt do t’ia lini, bir?»
Nuk e di nëse do të largohem një ditë. Nuk e di as nëse do të mund të qëndroj. Por një gjë e di: nuk dua që varret të mbeten kujtimi i vetëm i një vendi që nuk arriti t’i mbante bijtë e vet gjallë, të lirë dhe me dinjitet.
Dhe sonte, në këtë dhomë të heshtur, nuk kërkoj asgjë më shumë se një degë ku të pushoj.
Sepse edhe zogjtë e plagosur kanë nevojë për një degë. Jo për të vdekur mbi të, por për të marrë frymë, për të shëruar krahët dhe për të provuar edhe një herë fluturimin…
* * *
E mbylla fletoren ngadalë dhe e vura aty ku e kisha gjetur, sikur të kisha frikë se do ta prekja një plagë të hapur. Pas dritares, Tirana vazhdonte të gumëzhinte, e pandjeshme ndaj gjithë këtyre mbrëmjeve ku të rinjtë ulen vetëm me pyetjet e tyre.
Mendova për motrën time, që pushonte në atë shtrat spitali. Mendova për birin tim, që e kishte hapur derën për mua pa e ditur se çfarë heshtjesh fshihte kjo shtëpi. Dhe mendova se ky djalë i panjohur nuk kishte kërkuar shumë: një degë, vetëm një degë.
U ktheva në spital. Atë natë, për herë të parë pas shumë kohësh, e mbajta dorën e motrës pak më gjatë se zakonisht. nw kokw m buqisnin fjalwt e sttudentit tw panjohur. “ …Sepse edhe zogjtë e plagosur kanë nevojë për një degë. Jo për të vdekur mbi të.
Por për të marrë frymë, për të shëruar krahët dhe për të provuar edhe një herë fluturimin.”











