Ëndërra e një Diktatori!..

0
Lutfi Coka

Lutfi Coka

Tregohet se një udhëheqës, që jetonte në një vend shumë të largët, ishte diktator dhe shumë i ashpër me popullin e tij. Drejtësia ishte fjalë që kishte dalë nga fjalori i tij. Ai ishte dhënë vetëm pas qejfeve të veta dhe njerëzve të tij, ndërkohë, që populli vuante të zezat e ullirit.

Një natë, diktatori ynë sheh një ëndërr të çuditshme. Ai sheh dy hëna që përplaseshin me njëra-tjetrën! Kjo ëndërr filloi t’i përsëritej herë pas here, derisa filloi t’a shohë çdo natë. Sa herë që shkonte të flejë, ëndrra me dy hënat që përplaseshin me njëra-tjetrën do i shfaqej, gjë e cila filloi t’a frikësojë.

Për shkak të frikës atë filloi të mos e zërë as gjumi. Një ditë i lindi një ide; të këshillohet me interpretuesit e ëndrrave në godinën e tij qeveritare. Ku i dihej, ndoshta ndonjëri prej tyre mund t’i jepte zgjidhje. Menjëherë organizoi njerëzit e tij dhe pothuaj të gjithë interpretuesit e ëndrrave, që gjendeshin në shtetin, u sollën në pallatin qeveritar. Pasi e dëgjuan ëndrrën, të gjithë u pajtuan se interpretimi i vetëm i saj ishte se pas 30 ditësh diktatori do të vdiste.

Kur e dëgjoi këtë, shtangu në vend dhe frika iu shtua akoma më shumë. Menjëherë urdhëroi që të gjithë interpretuesit të arrestoheshin dhe tha:”Nëse pas tridhjetë ditësh nuk kam vdekur, do t’u vras të gjithëve!”

Ato ishin tridhjetë ditët më të vështira në të gjithë jetën e tij. Ai i kaloi në ankth të thellë, depresion, pagjumësi, mungesë oreksi … Ai nuk mendonte dot për asgjë përveç kalimit të atyre tridhjetë ditëve të tmerrit.
Ditën e tridhjetë, Ai vdiq!

Pasi përfunduan të gjitha ceremonitë e varrosjes së tij, u kurorëzua një udheheqes tjetër. Me të filluar të ushtrojë kompetencat e veta, ai mblodhi interpretuesit e ëndrrave dhe i emëroi këshilltarët e tij personalë, pasi besonte se ata dinë gjithçka.

Njëri nga mjekët e tij i tha:”Lartmadhëria juaj! Interpretuesit që keni zgjedhur nuk dinë gjithiçka dhe nuk mund t’a parashikojnë të ardhmen. Sipas autopsisë së diktatorit të vdekur, ai nuk vdiq për shka të ëndrrës, por për shkak të depresionit, ankthit dhe mos ngrënies për tridhjetë ditë. Ai vdiq për shkak se e besoi interpretimin e asaj ëndrre!”

Idetë dhe bindjet negative që mbartin për veten, apo dhe për të tjerët, ndikojnë negativisht në jetën tonë, ato mund dhe të vrasin! Prandaj mos ua vi veshin gjithçkaje që thuhet. Ka njerëz që janë mjeshtra në përcjelljen e ideve dhe mendimeve negative, duke t’a përmbysur jetën kokë e këmbë. Caktoje rrugën tënde, bëj përpjekje për realizimin e ëndrrave dhe objektivave të tua!…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.