Melisa Braci
Dje, si një “kirurg” pasionant, ndërtoi Shqipërinë moderne: rrugët, universitete, spitale, infrastrukturën dhe më e rëndësishmja – institucione të qëndrueshme. Sot, si roja e fundit e ndërgjegjes së kombit, që po përballet me dekadencën morale dhe institucionale, ai po tenton të ringrejë atë që shumë e kanë humbur: dinjitetin e këtij populli. Ai është i njëjti, por koha ka ndryshuar, dhe me të është rritur edhe barra që këto zgjedhje mbartin. Ai (ose “Ay” siç jeni mësuar ta dëgjoni) është Sali Berisha.
E dini cilit brez politik i përket Sali Berisha !?
Brezi i Margaret Thatcher, Helmut Kohl, Merkel, Harper, Silvio Berlusconi dhe George H. W. Bush. Një brez i lindur nga krizat e mëdha dhe për kriza të mëdha. Atij brezi që e kuptonte se politikbërja, ndryshe nga politikthënia, është për burrështetas — jo për menaxherë imazhesh.
Ndërsa shumë nga këta liderë sot ose nuk jetojnë më, ose janë tërhequr në kolltuqet e kujtimeve, mbase edhe sepse kishin kë të linin pas, ose thjeshtë sepse rehatia e karrigeve prej “senatorësh” është shumë më e thjeshtë se përpjekjet për të luftuar për një kauzë, ose dhe sepse ikën me akuza, Sali Berisha, si i i moçmi më i ri i këtij brezi po rihidhet në sulm.
Kush do ta kishte menduar, katër vjet më parë, në kohën kur Partia Demokratike mundohej t’i vishte “xhaketën e Kryeministrit” një trupit politik pa shtyllë, që në vitin 2025 shpresa e vetme për të djathtën dhe për Shqipërinë do të mbante sërish të njëjtin emër me të cilin nisi ora e parë e lirisë në këtë vend: Sali Berisha?
Sali Berisha vendosi, me kosto të madhe, të bënte kthesën më të fortë politike, personale e partiake.
Arriti të rehabilitojë figurën e tij në kulmin e aktivizmit. E shpallën “non grata” në pikën më pasive të tij. E përjashtoi nga partia e tij , ai që e mbështeti më shumë. E lanë pa vulë, pa zyra.
Sot, ai po ringre figurën dhe integritetin me përballje. Kjo nuk është vetëm histori qëndrese, është një provë e gjallë se ai që arrin të rimarrë nderin e vet, mund të rikthejë dhe nderin e një kombi të tërë.
Ai nuk është simbol nostalgjie, por provë e gjallë se forca, kur vjen nga ndërgjegjja, nuk mplaket kurrë. E në këtë betejë të fundit, ai nuk lufton për të kthyer kohët, por për t’i dhënë të ardhmes një drejtim më të mirë.
Sepse kjo nuk është një garë mes të vjetrës dhe të resë – por një përballje mes themelit dhe fasadës. Dhe pikërisht këtu lind kontrasti i pamohueshëm: dikotomia e thellë mes klasit shtetformues të Berishës dhe estetizmit të zbrazët të Edi Ramës.
Berisha është njeriu i fjalës që mbart peshë dhe kujtesë – ndërsa Rama është mjeshtër i fjalës që krijon tymnajë, iluzion, dekor. Ndërkohë, që njëri premton spitale, shkolla, rrugë, institucione, reforma , tjetri ngjyros fasada, prish teatro dhe bën skenografi. Shqipëria e Berishës është Shqipëria e themeleve; Shqipëria e Ramës është Shqipëria e zbukurimeve të përkohshme, ku ngjyrat mbulojnë rrënimin, ku drita e projektorëve kamuflon errësirën e dështimit shtetëror.
Këto zgjedhje nuk janë aspak të thjeshta për Sali Berishën.
Është e çuditshme të dëgjosh Berishën e 2025-ës që flet për demokraci, mision dhe shpresë të fundit, kur Berisha i 2005-ës , 2009- ës e 2013-ës kryefjalë kishte : 0 tolerancë ndaj korrupsionit dhe rrugë (dhe pse ishte në qeveri).
Në fakt, në këto fjalëkyçe tregohet më së miri se ku ka rënë sot Shqipëria: të diskutohet demokracia, misioni i “ i të riut më të vjetër” në skenën aktuale politike dhe shpresa e fundit për opozitën që të mbijetojë.
Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, Sali Berisha nuk ka përballë një parti rivale, por një aparat. Një sistem që nuk qeveris më, por sundon. Ku tenderët janë më të rëndësishëm se kushtetuta, ku oligarkët vendosin mbi fatet ekonomike, ku drejtësia është kthyer në vegël të pushtetit dhe ku dënimi politik zëvendëson çdo gjykim të drejtë e të pavarur.
Prej më shumë se një dekade, Shqipëria ka hyrë në një fazë rrëshqitjeje të shpejtë: drejt kapjes së shtetit. Dhe kjo nuk është më as çështje ideologjie, as gare partiake. Kjo është çështje mbijetese për republikën. Sepse kur institucionet i shërbejnë një njeriu dhe jo qytetarëve, fjala “shtet” humb çdo kuptim.
Në këtë realitet, çdo qytetar — i djathtë, i majtë, gri, i zhgënjyer — duhet të pyesë veten: nëse nuk e ndalim tani këtë rrënim, kur do ta ndalim? Dhe kush do ta ndalojë?
Jo ata që heshtën për të ruajtur rehatinë. Jo ata që i përdorën idealet si trampolina për pushtet personal. Dhe jo ata që presin me duar në xhepa që bota të ndryshojë vetë. Dhe jo ata që kërkojnë perfeksionin. Kërkimi i perfeksionit në këtë rast është alibia e dorëzimit.
Do e ndalin ata që kanë guxim. Ata që, edhe pse të lodhur, nuk janë të dorëzuar. Ata që ngrihen jo sepse janë të përsosur, por sepse nuk durojnë dot më shuarjen e një sistemi të ngritur me mund, apo më keq shuarjen e një kombi. Dhe Sali Berisha është i tillë.
Rikthimi i Sali Berishës nuk është thjesht një kapitull i ri politik. Është një akt shpengimi kombëtar. Është thirrja e fortë për një ringritje morale në një kohë kur Shqipëria është kthyer në tokë të zaptuar. Sepse ajo që ndodh sot nuk është më thjeshtë qeverisje e keqe – është një teatër grotesk ku Edi Rama i ka marrë peng institucionet, ekonominë, drejtësinë, median dhe ndërgjegjen e shoqërisë. Ka ndodhur ajo që s’duhej të ndodhte: shteti është tretur në emrin e një njeriu të vetëm.
Edi Rama nuk është më kryeministër: është sistem. Një sistem i ngritur mbi frikë, mbi servilizëm, mbi propagandë dhe mbi përjashtim. Demokracia është shndërruar në koreografi, zgjedhjet në formalitet, qytetari në telespektator. Fjala e lirë është mbytur jo me plumb, por me përbuzje.
Më 11 maj, nuk është një votim i zakonshëm. Është provë zgjimi. Është thirrje për kthjellim. Sepse nëse nuk ndodh tani, do të bëhet vonë. S’mund të presim që të marrë flakë kulmi për të kuptuar që shtëpia digjet. Më 11 maj, vota për Sali Berishën është votë për Shqipërinë që nuk pranon të dorëzohet. Është votë kundër arrogancës. Kundër krimit të mbuluar me fjalë të ëmbla. Kundër një elite që thotë “kaq kemi”, kur kombi meriton më shumë. Është votë për drejtësi, jo për revansh; për liri, jo për hakmarrje; për përballje, jo për pajtim të rremë.
Mos rrini me duart në xhepa e me zemrën në grykë !