SHAMITË OBSKURE DHE ANAKRONIZMI I KRYEMINISTRIT KURTI

0
1109
Albin Kurti - me shami

IDRIZ ZEQIRAJ

Kthimi i kryeministrit Kurti ke shamitë, përkrah temës madhore të reciprocitetit, deri në njohje reciproke me Serbinë, sikur zvetnoi edhe vet takimin e pritshëm dialogues. Prej më shumë se një shekull, shteti shqiptar është sekular, shteti i ndarë nga feja dhe anasjelltas. Propozimi i kryeministrit, për të ndërhyrë dhe ndyshuar ligjin ekzistues, për mbulesën me shami të vajzave, është anakronik, paradoksal dhe në kundërshti të hapur me aspiratat e popullit, që Kosova të bëhet pjesë e qytetërimit evropian.

Deputetja Duda Balje, të cilën e admiroj, për qasjet e përgjegjshme në Kuvend, kësaj radhe ia huqi! “Nuk e paramendoj një muslimane pa shami”, – thotë ajo! Barrën që merr zonja Balje, kur flet në emër të grave muslimane, në rastin konkret, boshnjake, lë ta shohë vetën, që zbulon gjoksin deri në maje të cicave të saj! Prandaj, t`i lërë demagogjitë dhe t`i kontribuojë emancipimit të botës femërore, sepse, të paktën, në Ballkan, gjinia femërore, gruaja, krijesë e njerëzimit, është poshtëruar bollshëm, madje, ndër shekuj.

Është e pafalshme, deri në marrëzi, për një kryeministër modern, bashkëkohor, si Albin Kurti, t`i dëgjojë kërkesat-pallavra, të muhaxhedinëve, të tipit “hoxhë” Shefqet Krasniqit, me shokë, të cilët ngulmojnë t`u mohojnë lirinë edhe vajzave -fëmijë, duke ua lidhë – spicë – kokën me shami. E gjithë kjo që bënë talebani Krasniqi, me shpurën e tij, përfshi edhe kryemyftiun e Kosovës, Naim Tërnava, është politikë e porositur, nga qarqe armiqësore ndaj Kosovës.

Vajzat shkollare, në veçanti, ato në shkolla të mesme, duhet të veshin uniformat e nxënëseve shkollare. Prandaj, nuk ka përcaktim moshe, sepse vajzat shkollare të mesme, mund të jenë edhe 19 vjeçare… Dhe, çështjen e uniformës, duhet ta këtë parasyh, qysh tani, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për të shuar shpresat horrake dhe kundra-kombëtare të disa predikuesëve batakçinj dhe rrast të dyshimtë, që manipulojnë në emër të fesë, islamit.

“Hoxhë” Shefqeti është bërë yll i televizioneve në Kosovë! Ai që i shpuri në plumb, në luftërat fetare, në botën arabe, qindra djemë të indoktrinuar me islamin e dhunshëm, në vend që të zinxhirosej dhe të mbahet prapa grilave, tani mbanë “nasihat” dhe predikon mohimin e lirisë, për gjysmën e popullsisë të vendit. Cytja për një vepër penale, siç është shkuarja ilegale në luftra të pista fetare, me pasojë vdekjen, dënohet, të paktën, me 15 vjetë burg.

Kujtoni kriminelët fetarë shqiptarë, me mesazhet e inçizuara në vendet arabe dhe të dërguara televizioneve të botës, kur prisnin kokën një të riu 16-vjeçar, me hanxhar, në emër të “Allahut”, në emër të islamit “paqësor”! Dhe kërcënonin shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë në botë, se do “t`ju tmerrojmë edhe në gjumë, edhe në ëndrrat e juaja”! Bota demokratike i dëgjonte mesazhet e trishta dhe ua faturonin, përgjithësueshëm, shqiptarëve, si kriminelë!

Udhëheqësi reformator, i pagëzuar -babai i Turqisë-, Kemail Ataturk, plot 100 vjetë më parë, urdhëroi me ligj, heqjen e ferexheve dhe mbulesat e tjera. Fanatikët e mykur e primitiv, reaguan se “po rrënon moralin e femrave turke, duke i bërë kurva”! Përgjigja e prerë e Kemail Ataturkut ishte se “mbulesa nuk e mbron moralin e femrave muslimane. Por, edhe sikur 1 (një) milion kurva të dalin, nesër, rrugëve të Turqisë, ia vlen heqja e mbulesave dhe nuk e zbehin aspak moralin e femrave tona. Përkundrazi, liria e dinjiteti i vajzave, grave, nënave turke, do të jetë më i plotë, të cilat do të vazhdojnë të ripërtrijnë brezat e Turqisë moderne”, – shprehej i bindur, në të drejtën e vendimit të tij, sa demokratik, aq edhe njerëzor, reformatori historik, Kemail Ataturk.

Personalisht, vlerësoj intelektualitetin, zgjuarësinë e kryeministrit, Albin Kurti. Andaj, kam besim edhe në vendimet e tij. Por, trajtimin absurd e skandaloz të shamive, e marrë si një lajthitje, padyshim, e rëndë. Por, shpresoj se do ta bëjë “una gentile retirata”, siç thonë italianët, një tërheqje xhentile, të mençur.

Por, besimin e madh, rezervë, e kam tek vajzat dhe nuset aktiviste dhe luftarake të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës “GUXO”, se nuk do të lejojnë mohimin e të drejtës elementare, në emër të fesë, të simotrave gjinore të tyre. Edhe flokët janë hirë i bukurisë femërore. Ato janë art shtesë, në kokat e femrave, të këtyre krijesave hyjnore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.