Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 72-vjeçare, në spitalin e qytetit Biel/Bienne të Zvicrës, ka ndërruar jetë veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Islami, i njohur ndër bashkëveprimtarët dhe miqtë e tij edhe si Adem Stanishori.
Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta na e kumtoi nipi i tij, Selman Hasan Kllokoqi, gjithashtu veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare gjatë fundit të viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80 në Gjenevë.
I tronditur thellë nga humbja e njeriut të tij të dashur, Selmani, me emocione dhe dhembje të papërshkrueshme, kujton:
“Ademi ishte njeriu që na hapi dyert e shtëpisë dhe të zemrës. Ai jo vetëm që na strehoi, por u përkujdes edhe për të na siguruar vende pune, mua dhe shumë bashkatdhetarëve të tjerë që ishim të përndjekur nga UDB-ja jugosllave. Në kohët më të vështira, kur kishim nevojë për mbështetje dhe siguri, Ademi ishte gjithmonë pranë nesh.”
Lajmi për vdekjen e tij u prit me pikëllim të thellë nga të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, të bashkëpunonin dhe të ndanin me të idealet e lirisë.
Adem Islami i përkiste atij brezi atdhetarësh që çështjen kombëtare nuk e kishin vetëm bindje, por mision jetësor. Ai ishte i përkushtuar me gjithë qenien e tij ndaj çlirimit të Kosovës. Për këtë ideal nuk kurseu as mundin, as kohën dhe as pasurinë. Gjithçka që kishte, e vuri në shërbim të Kosovës dhe të njerëzve të saj.
Bashkëveprimtari i tij, z. Elfi Agushi, i prekur thellë nga kjo humbje, shprehet:
“Ademit të gjithë i kemi borxh. Deri në ditët e fundit të jetës së tij, ai nuk kurseu asgjë për të na përkrahur dhe ndihmuar. Ishte njeri i fjalës, i besës dhe i veprës, një atdhetar që gjithmonë i vendoste interesat e Kosovës mbi interesat personale.”
Të gjithë bashkëveprimtarët e kujtojnë Ademin si njeri të guximshëm, bujar, solidar dhe të palëkundur në bindjet e tij atdhetare.
Në kujtesën e shumë veprimtarëve të asaj kohe ka mbetur edhe vetura e tij BMW, me ngjyrë të verdhë, me të cilën ai përshkonte qindra kilometra për të marrë pjesë në demonstratat dhe manifestimet e organizuara në mbështetje të Kosovës.
Së bashku me veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, si Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Zija Shemsiu, Xhafer Shatri, Kadri Abdullahu, Shyqeri Ukshini, Ejup Ahmeti, Hasan Mala, Ismet Rashiti, Hasan Kadriu – Presheva, Elfi Agushi, Enver Abdullahu, Zahide Xhimshiti-Abdullahu, Saime Jusufi, Gafurr Çalaj, Ilaz Bajrami – Devaja, Jakup Halimi, Qamil dhe Januz Salihu, Shabi Hajdini, Sami Kurteshi, Sami Tusha, Selman Hasan Kllokoqi e shumë të tjerë, Adem Islami dha një kontribut të çmuar në organizimin dhe pjesëmarrjen në protestat e demonstratat e mbajtura në Zvicër, në Republikën Federale të Gjermanisë, në Belgjikë, Austri dhe Francë.
Këto tubime, të organizuara në rrethana të vështira politike dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të shërbimeve sekrete jugosllave, kishin një qëllim të përbashkët: ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe kërkesën për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Në këtë rrugëtim të gjatë e plot sakrifica, një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe bashkëshortja e tij, Miradia, e cila për vite me radhë, me bujari dhe përkushtim të rrallë, hapi dyert e shtëpisë dhe shtroi sofrën për bashkëveprimtarët e Ademit.
Shtëpia e tyre ishte më shumë sesa një strehë familjare. Ajo ishte një vatër mikpritjeje, solidariteti dhe atdhedashurie, ku gjenin mbështetje e ngrohtësi njerëzore shumë bashkatdhetarë të përndjekur, të cilët ishin detyruar të largoheshin nga vendlindja për shkak të veprimtarisë së tyre politike dhe kombëtare.
Adem Islami, si i përndjekur nga UDB-ja jugosllave, për vite të tëra e përjetoi rëndë mallin për vendlindjen. Deri në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb, atij iu mohua mundësia të kthehej lirshëm në tokën e të parëve.
Megjithatë, largësia fizike nuk e ndau kurrë nga atdheu. Kosovën e mbajti gjithmonë në zemër, në mendje dhe në çdo veprim të tij.
Sot, me ndarjen nga jeta të Adem Islamit, Kosova humbi një bir besnik, mërgata shqiptare një veprimtar të palodhur, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëveprimtarët një njeri të dashur e fisnik.
Emri dhe vepra e tij do të mbeten pjesë e kujtesës së atyre që, në vitet më të vështira, sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ademi nuk kërkoi lavdi, mirënjohje apo shpërblime. Shpërblimi më i madh për të ishte ta shihte Kosovën të lirë.
Të gjithë ne që e njohëm dhe e çmuam veprën e tij, lutemi që shpirti i tij të gjejë paqe të përjetshme dhe trupi i tij të prehet i qetë në dheun e Kosovës, të cilës ia kushtoi jetën, mundin dhe pasurinë.
Lamtumirë, Adem Islami – Adem Stanishori!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty dhe për veprën tënde atdhetare!
Familjes Islami, bashkëshortes Miradie, të afërmve dhe të gjithë bashkëveprimtarëve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Arif Ejupi
Gjenevë, 30 tetor 2026


