PËRSIATJE PËR VËLLIMIN POETIK “DRITËHIJET E ZEMRËS” TË POETIT FETAH SHEHOLLI

0
282
Fetah Sheholli - Dritëhijet e jetës

Zymer Mehani

Hyrje

Fetah Sheholli botoi librin e tij të parë në vitin 2019. Ai ka shkruar për më shumë se 50 vjet, i ndarë midis vendlindjes dhe Zvicrës, ku jeton aktualisht prej 30 vitesh.

Para se të kontaktoja me vargjet e këtij autori, më interesonte nëse ai i kushtonte rëndësi të veçantë formës apo përqendrohej kryesisht në përmbajtjen, dhe u binda se vërtet ai u kushton rëndësi të madhe që të dyjave (formës dhe përmbajtjes) dhe shpreh ndjenjat e tij kryesisht në vargje të lira apo gjysmë të lira.

Unë po përpiqesha të hulumtoja motivikën dhe tematikën e poezive të tij dhe të mësoja se si u zhvillua indi i tij krijues përgjatë viteve. Meqë autori në fjalë jeton në Zvicër, në këtë shtet të përbërë nga 26 kantone dhe i rrethuar me tri kombe të mëdha, më interesonte nëse tek ai vërehet ndikimi i atyre kulturave në shkrimet e tij, apo mund të ketë ndonjë lidhje ndërtekstuale me veprat e autorëve të atjeshëm.

Është rregull sipas urdhrit teoriko-letrar se në poezinë moderne duhet të vendoset, dhe në fakt po bëhet gjithnjë e më shumë ndarja e autorit nga subjekti poetik, prandaj mundësinë e kësaj ndarjeje u mundova ta praktikoj edhe unë tek autori Sheholli, që shquhet për ekspresivitetin e artit të tij.

Përfshirja e elementeve biografike dhe autobiografike në poezitë e Shehollit është e pamundur të mos hetohet. Poezitë e tij jam përpjekur t’i analizoj së pari nga përmbajtja dhe në harkun e asaj  përmbajtjeje jam përpjekur të nxjerr notën e tyre kritike, universale dhe diskurset të cilat i hapin ato.

Kjo përmbledhje poetike përbëhet nga 93 poezi, dhe një prozë poetike, të cilat  janë të ndara në pesë pjesë. Poezitë janë shumë të larmishme. Poezia më e gjatë është ajo me titull: KOSOVË KRENARE, KREJT E SHKALLMUAR, (f. 81), ndërsa më e shkurtra KALËRIM FURTUNASH (faqe 25). Poezitë e tjera përbëhen nga strofa me numër të ndryshëm vargjesh ose nuk ndahen në mënyrë strofike. E njëjta gjë ndodh edhe me gjatësinë e vargjeve, të cilat në mënyrë arbitrare janë të gjata, sepse autori ritmin e poezive nuk e lidh me rrokjet.

Një mjet i shpeshtë poetik te disa poezi të përmbledhjes DRITËHIJET E ZEMRËS janë pyetjet retorike dhe përgjigjet retorike, si në poezitë: HOMERI SHQIPTAR, ABSURD KOHE, NËPËR RRATHËT E FERRIT-FITIMTARË etj.

Ato lënë përshtypjen e nevojës së subjektit lirik për të folur nganjëherë me veten, por edhe me ndonjë person tjetër, dhe ky është një mjet që tërheq vëmendjen e lexuesit, sepse ai mund të identifikohet me situatat e bisedës duke i pranuar ato, ose i refuzon, por sigurisht që mendon për to dhe kështu kalon nga pozicioni i leximit pasiv në pozicionin aktiv.

Tematika dhe motivika

Poezitë e përmbledhjes DRITËHIJET E ZEMRËS u përkasin temave të së kaluarës dhe të aktualitetit. Vend qendror në të gjitha temat janë raportet e autorit dhe të popullit që i përket, në situata të ndryshme me të tjerët. Poezitë janë të motivit atdhetar, të kurbetit, poezi sociale etj.

Motivin e lashtësisë dhe të qëndresës autori e paraqet nëpërmjet simbolikës së kullave shqiptare, të ndërtuara me gurët e vjetër e të mbrojtura me eshtra atdhetarësh qe 2000 vjet, deri te epoka ademjashariane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Poezi me elemente autobiografike, ndër tjerash është ajo me titullin KONFONTIM ME UDBASHHËT, por dromca autobiografike hetojmë edhe te disa poezi tjera të këtij vëllimi poetik.

Portreti i nënës

Kjo figurë tejet e dashur për çdo person përmendet në ca poezi të poetit Fetah Sheholli, pa e përshkruar  në detaje si nënë, jeta e përditshme e së cilës do të ishte e stërngarkuar me shumë detyra të mëdha e të vogla, si qepjet, larjet, gatimet, pazari, sepse ajo e mëkoi dhe e përkëdheli të birin (vetë autorin) vetëm për nëntë muaj. Prandaj, poeti s’e pat fatin që edhe ai të zgjohej e të binte me të dhe të rritej afër saj, e cila  ndoshta duhej t’i rregullonte pantallonat e fëmijëve, duke ua arnuar në gjunjët e tyre të grisur, të qepte lecka etj.

Poeti nëpërmjet vargjeve me elemente autobiografike do të na njoftojë për fatin e tij të pafat:

Shpata e mosfatit më goditi rëndë
Ende pa i ndërruar hapat
Mbeta pa ninulla dhe pa këngë…

Pa lulakun lidhur rreth trupit
M’u ndryshua ritmi i jetës
Herët ia dhashë lamtumirën djepit.

Valët e Rekës së Vogël, mua bonjakut
Më bëheshin melodi gjumi
E kur i përbiroja vrimat e gardhit
Vizgat e therrave e të hithave
Më mbeteshin shpinës dhe barkut».

(Poezia NËNË, U BËRA MËSUES)

Poezitë dedikuar nënës, ku ravijëzohen kujtimet për të, pra janë: DUART E VDEKURA, NËNË, U BËRA MËSUES dhe MALLI PËRVËLUES, që vërtet janë tre xhevahirë mrekullues poetikë.

Ai flet me nota elegjiake për mallin që ia shkakton mungesa e nënës:

Mallëngjehet syri, mallëngjehet zemra
Për ty – nënë që aq fort të deshta,
Mbushem me vaj – shpërthej me lot
Për ty nënë, që s`të shoh n`këtë botë.

(Poezia DUART E VDEKURA)

Dhe vërtet është e dhimbshme, kur poeti shprehet:

Mbeta veç ëndërrimtar syhapur
Duke bredhur shtegut…
Lidhur peng kujtimi
Për mallin e pashuar
Për shumë dashuri e për pak përkëdhelje
Pa asnjë fotografi
Imagjinatë e nisur, e lodhur, e stërlodhur
Ditën me diell e natën pa hënë
Si dukej fytyra jote, nënë ?!…»

(Poezia MALLI PËRVËLUES)

ngase, siç e përmendëm edhe një herë tjetër,  fati deshi që nga ajo (nëna) poeti të mëkohej vetëm 9 muaj.

Për të mos rënë në pesimizëm, e tash në moshë të pjekur, poeti merr kurajë dhe e “njofton” të ëmën:

Nënë, u bëra mësues!
Eh, po të ishe gjallë do të gëzoheshe shumë
Lotët e gëzimit do të të rridhnin si lumë
E në përqafim të ngrohtë do të më thoshe:
“Biri im, përballë grushtave të jetës
Dole fitues!

(Poezia NËNË, U BËRA MËSUES)

Por valët e kurbetit, me t’u trazuar qielli i Kosovës (në vitet ‘90), do ta marrin me vete, për ta degdisur edhe subjektin lirik (autorin) larg atdheut, ku kujtimet e malli për nënën s’do t’i ndahen për asnjë çast:

Zhagaz kapërcej pragun e derës
Pres dhe pres…
Kot pres…
Ngrohtësinë e krahërorit të nënës

(Poezia ATJE MË GËZOHET ZEMRA)

Përmbledhja me poezi DRITËHIJET E ZEMRËS  është vëllimi i dytë i autorit. Poezitë nuk janë shkruar në formë të rreptë vargjesh, si linja jambike[1] ose në forma klasike poetike, siç është p.sh. soneti. Vargjet nuk janë të lidhura në mënyrë silabike[2], prandaj te disa poezi ndryshon edhe skema e rimës.

Motivi atdhetar

Në kryqëzimin e motiveve dhe temave, vendin qendror në përmbledhjen poetike “Dritëhijet e zemrës” e zë tema me motivin atdhetar. Poezi me këtë motiv janë: BETIM PARA SHQIPES SË SHENJTË, UNË JAM KËTU, KULLAT TONA, FRËNGJITË E KULLAVE TONA, UÇK-ja MADHËSHTORE, ÇLIRIMTARËT-DRITË E DIELLIT, AGU ILIRISË, TRI GERMA-ZJARR LIRIE e disa të tjera. Mesazhet që autori jep nuk janë shprehimisht të frymës militante, ngase ato nuk e  sulmojnë tjetrin apo të tjerët, por vetëm rrëfejnë për bëmat e tyre antihumane ndaj shqiptarëve, duke përmendur anët negative të tyre.

Në disa poezi të këtij motivi mjaft mirë paraqitet qëndresa shqiptare ndër shekuj nëpërmjet fjalëve-simbol: kulla, frëngjia, lisi etj.

Ja si shprehet poeti për këtë qëndresë:

Herë i rrëzbitur e herë i ngjallur
Herë i lodhur e herë i trashur
Nga furtunat që të përlanë
E rrezet e diellit që jetim s‘të lanë

Erdhën rrebeshet sikur dallgë deti
Nepërkat të gjuan me shigjeta helmi
Fort ta kërrusën majën drejt dheut
Por trupi mori fuqinë e Anteut

Shumë bajlozë të shkelën tokën
Zjarr i At-Dheut ua hangër kokën
Jo, kurrë nuk mposhtet Dardania
Derisa damarët njom Shqiptarësia

(Poezia LISI MËKUAR MIJËRA VJET)

Edhe te poezia KALËRIM FURTUNASH, që është antologjike, autori i paraqet tri priudha historike, nëpër të cilat kaluan shqiptarët dhe Kosova:

Nëpër ré të shprishura
Rrezet përbirohen
Plagët na shtohen…

që është periudha mes viteve 1968 (demonstratat për flamur kombëtar)-1981 (Pranvera e Zgjimit, demonstratat për Kosovën Republikë).

Koha është e trazuar dhe në mugëtirë:

Natë pa hënë
Në gurë të shpuar
Dëgjohen shembjet
Na shtohen dhembjet…

…kur mbi shqiptarët u shtua represioni shtetëror serbo-jugosllav (1981-1990); për të arritur në periudhën, kur në qiellin tonë:

U zbrazën furtuna e rrufe
Dielli u verbua
Jeta rrjedh pa ne…

Janë këto vitet 1990-1999, kur ndodhi okupimi klasik i Kosovës, e që bijtë e bijat më të denjë të saj, në atë fundshekull zhvilluan luftën çlirimtare, nën emblemën me tri shkronja të arta: UÇK, që është vetë dielli ynë.

Të motivit atdhetar në përmbledhjen në fjalë shquhen edhe disa poezi dedikuese për dëshmorët, si për Zahirin, për Hakifin dhe për Edmondin; pastaj për Ilir Konushefcin e Hazir Malën; për Tahir Sinanin dhe për invalidët e luftës.

Të tilla janë: HOMERI SHQIPTAR (dedikuar poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës), HAPI SHTEGUN E LIRISË (Zahir Pajazitit), SHTEGTAR HEROIZMI (Hakif Zejnullahut), LIDHUR NYJË IDEALI (Edmond Hoxhës), SHKELËN BJESHKË E THYEN KUFIRIN (Ilir Konushefcit e Hazir Malajt), TRIM ME KATËR ZEMRA (Tahir Sinanit) etj.

Pra, në disa poezi autori lidhet me dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë, disa prej të cilëve i kishte edhe nxënës (dëshmorin Ali Ajeti e Zahir Pajaziti), duke i trajtuar heroizmat e tyre me çiltërsi, por gjithashtu, bashkë me kujtimet, ruan një respekt të veçantë për ta. Këtu duhet përmendur poezia e autorit,  dedikuar nxënësve të tij, tani dëshmorë të kombit: NXËNËSIT E MI (Ali Ajetit e Zahir Pajazitit) dhe poemthi NXËNËSIT E MI JANË VETË EPOKA.

Motivi i kurbetit

Pothuajse të gjitha poezitë e pjesës: PEHATJE NË DALLGËT E MALLIT janë me motiv të kubetit (mërgimit), si: PARALIZË TRURI, SHTEGTIM ËNDRRE, ATJE MË GËZOHET ZEMRA, UDHËTIM MALLI, MË KA MARRË MALLI, LOTËT E SHTËPISË e ndonjë tjetër, ku poeti Fetah Sheholli, vërtet ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin nëpërmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun.

Mërgimtari, në poezitë e autorit, para se të ketë një jetë e qetë, kalon një jetë të mundimshme, është me mendje të trazuar, plot ndjenja, ngase është shkëputur nga trungu (nga atdheu).

Edhe poezitë e pjesës: VARGJE THUMBUESE, janë interesante dhe të realizuara bukur. Në këto poezi autori fshikullon pamëshirshëm  pseudoppatriotët lakmitarë e hajna, bajraktarizmin; të gjitha botëkuptimet, të metat, gabimet dhe makutërinë e mëhershme të pseudopolitikanëve dhe të atyre të aktualitetit të këtij nënqielli, për të cilët autori do të thotë se janë:

Pushtetarë e lakmitarë
Intrigantë e hileqarë
Injorantë e batakëqinj
Rrenacakë e zhurmaxhinj

që për interesa të tyre të ngushta:

Ranë n’ujdi si në kor
Para popullit u bënë hor
Paqësorë dhe titistë
“Luftëtarë” dhe puçistë

(Poezia UJDI PËR HAJNI)

Por ata s’janë vetëm, ngase përveç tyre:

Janë ca trima e trimëresha
Sypatrembur e hundlesha
Drejt Kuvendit sikur flutur
Të pispillosur, ulur bukur!

(Poezia «VEÇ PËR JU E LODHIM KOKËN»)

Ata s’ndalen dot, por:

Turr e vrap për kolltuk
Hiç me dro e pa turp
S’lodhin kokën për meritë
Gjuajnë bërrylaz e rrinë n’pritë

Ngase janë:

Lakmitarë për pushtet
Për vetveten e jo për shtet
Nuk e duan qesen thatë
Asnjë cent për fukaratë

(Poezia URIA PËR PUSHTET)

Porse, kungulli s’shkoka gjithmonë mbi ujë, si thotë populli. Prandaj edhe kësaj klase të pandërgjegjshme poshtetarësh u vije fundi në çastin:

Kur sovrani me grusht godet
Kthen drejtësinë në vend të vet
Lakmitarët i shkel, i zhvesh
I dërmon, i bën përshesh…

(Poezia KUR GODET SOVRANI)

Poeti Sheholli pamëshirshëm do t’i fshikullojë edhe përgojuesit, shpifarakët e thashethemxhinjtë, që s’pushojnë asnjëherë duke njollosur, baltosur e damkosur çdo gjë të dëlirë, të çiltër e me vlerë, që është arritur me djersë, besa edhe me gjak.

Ata janë:

Lukuni faqezbuluar e në maskaradë
Diellin rrezatues duan ta bëjnë natë
Gjuajnë pezhgve e fundërrina sikur qyqarë
Për të baltosur rrjedhën e Lumit krenar

Këta dallkaukë të gatuar prej një brumi
Rrufeshëm i mori lumi i mbuloi llumi
Sa bukur në ballë u rri damka e ligështisë
Dallgë e kulluar i hodhi në batakun e historisë”.

(Poezia RRJEDHA E PASTËR BILUR)

Pra, përpjekjet e tyre të pështira janë të destinuara të dështojnë.

Dhe fare në fund

Disa poezi janë formuar në strofa që nuk janë të lidhura rreptësisht, ndërsa vargjet kanë një numër të ndryshëm rrokjesh dhe strofat mund të ndryshojnë në numrin e vargjeve brenda një poezie të vetme. Poashtu gjuha e  poezisë së poetit Sheholli është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet janë të thurura bukur dhe të pasura me figuracion poetik. Autori krijon me mjeshtri simbolin, personifikimin, epitetin, polisindentin, por duket se antitezën e ka shumë në qejf, të cilën e realizon me gjeturi të jashtëzakonshme artistike. Fjala vjen: thuajse krejt poezia “Tri germa – zjarr lirie” është e ndërtuar mbi shtratin e antitezës.

Ja, si vjershëtari, përmes kësaj figure poetike, e portretizon UÇK-në, si shpresë të madhe dhe shpëtimtare të popullit tonë:

Në sytë e lodhur-vetëtimë
Në veshët e mbyllur-bubullimë
Në barin e tharë-vesë
Në errësirën me ujq-shpresë

Ballit të katilëve-plumb
Buzëve të ardhacakëve-shkrumb
Korbave të zinj-theqafje
Idealeve të çlirimtarëve-fitore

(Poezia TRI GERMA – ZJARR LIRIE)

Po e përfundojmë këtë vështrim me konstatimin tonë se edhe vetë titulli i librit është figurativ (një antitezë), që shpreh bukur disponimin shpirtëror të poetit për atdheun. Drita, këtu, mendojmë ne, paraqet harenë, gëzimin dhe ngazëllimin e pamatshëm e të madh të poetit mërgimtar për fitimin e lirisë, ndërsa hijet shënjestrojnë pakënaqësinë, të zgjatur deri në zhgënjim, për vrasjen e shpresës së të rinjve në Kosovën e lirë.

Zymer Mehani, Besianë, më 10 maj 2023


[1] fjalë dyrrokëshe me theks në rrokjen e dytë.
[2] rrokjesore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.