Vështrim për vëllimin poetik “Rrugëve të mia” të poetes Ymrije Beqiri

0
Ymrije Beqiri - Rrugëve të mia

Zymer Mehani

(PRINTING PRESS, Prishtinë, 2023)

Rrëfimi poetik në vëllimin “Rrugëve të ma” i poetes Ymrije Beqiri është përgjithësisht subjektiv dhe i sinqertë, prandaj me të drejtë këtë autore do ta quajmë poete trajtash, pohimesh, botëkuptimesh e vegimesh ndjenjore, ngase ajo çdo motiv që e trajton në poezitë e saj, këtë gjë e bën e ngazëllyer, ndonjëherë edhe e dëshpëruar, me afsh dhe pasion, madje edhe me një tonalitet unikat, sidomos kur e trajton motivin e dashurisë. Por, poetja me ndjenja të veçanta do të vargëzojë edhe për atdhedashurinë, për viset shqiptare, figurat historike kombëtare etj., me ritmin e vargut gjithnjë të gjallë.

Motivet që trajtohen në këtë vëllim poetik janë i dashurisë, i atdheut, motivi i kurbetit, social etj. Por, autorja në këtë vëllim identifikohet me vargun e motivit të dashurisë.

Poezia e Ymrije Beqirit, na bën të ditur se kemi të bëjmë me një individualitet të veçantë poetik, me një krijuese botëkuptimi të veçantë, me një entuziaste, e cila shpesh është në gjendje që t’i përziejë ankimin dhe ngazëllimin (te motivi i dashurisë), shpresën me zhgënjimin (te motivi social), dashurinë me urrejtjen (te të gjitha motivet) etj. Prandaj, poezitë e saj gjatë leximit vërtet na dhurojnë emocione të flakta dhe na rrëmbejnë gjithsesi me hovin e tyre.

Meqë autorja Ymrije Beqiri pothuajse është në hapat e sigurt drejt shtegtimit poetik, mund të themi se poezinë e saj duhet ta vështrojmë ashtu siç është, duke e veçuar atë që është më interesante, më aktuale dhe më e vlefshme, e që është gjuha dhe figuracioni poetik, që librit ia shton vlerën.

Vëllimi poetik “Rrugëve të ma” është konceptuar me poezi të dashurisë, me poezi të atdhedashurisë, me poezi të kurbetit, me poezi sociale, me poezi kushtuese dhe me poezi motivesh të ndryshme.

Kjo përmbledhje poetike e poetes Ymrije Beqiri është kontribut modest i autores që premton dhe është dëshmi e mjaftueshme për të na bindur se autorja tanimë vargun di ta gdhend më me kujdes, duke e ngritur në nivel paksa më të lartë, po ta krahasojmë me vëllimet e mëhershme të saj.

Vëllimi poetik “Rrugëve të mia” është edhe një paralajmërim se kemi të bëjmë me një poete me preokupime dhe synime për t’i arritur majat më të larta të qiellit poetik kombëtar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.