Komunizmi mbylli shumë dyer për Lea Ypin, por u bë shkas që t’i hapen dyert e botës si autorja që po magjeps në 26 gjuhë

0
285
Lea Ypi

Fotografia në ballinë: Leif Tuxen

Era Berisha, 31 dhjetor 2022

Mes dy zjarresh ka qenë i vendosur “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, pas publikimit të tij, por pa marrë parasysh kritikat e lëvdatat nga më të ndryshmet, së shpejti libri pritet të jetë në dispozicion në plot 26 gjuhë.

Autorja, akademikja shqiptare dhe ligjëruesja e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics, Lea Ypi, ka ngjallë reagime të shumta pasi që botoi librin e saj për vitet e fundit të komunizmit, një libër ky që shënoi sukses të jashtëzakonshëm, që në muajin e parë të botimit në nëntor të vitit të kaluar, duke shitur 10,000 kopje.

Në roman, autorja është një 11 vjeçare për të cilën socializmi shqiptar i stilit sovjetik premtonte për një të ardhme të paracaktuar, teksa pamja fëmijërore e regjimit komunist të shembur të Shqipërisë shfaqet lirshëm.

Në fokus vjen tranzicioni i jetës së një vogëlusheje në paralel me tranzicionin politik të një shoqërie komuniste në Shqipëri, por nuk mjafton thjesht me kaq, shkruan KultPlus.

Free’ – (Të lirë – Të rritesh në fund të historisë), fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur Ypi fillonte të shkruante, siç thuhet edhe në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”. Dëshira për të shkruar si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, qe e madhe. Pasi filloi të mendonte për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja e saj po kthehej gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi, në të cilin ajo u rrit.

Të vërtetat në jetën e saj gradualisht i zbuloi vetë. Fillimisht, ndodhi papritmas kur komunizmi në Shqipëri u bë gati të shembej dhe se nuk kishte më kthim prapa. Atëherë, këndvështrimet e shtetit me të cilat ishte mësuar të jetonte nuk përputheshin me ato të familjes së saj. Përkundrazi, ishin në dy qoshet më ekstreme të mundshme. Nga kujtesa e saj, ajo flet për konfuzionin dhe shqetësimin e përjetuar kur të rriturit hezitonin për të folur hapur për politikën, teksa asaj i mbylleshin dyert në heshtje, për të mos dëgjuar se çka flitej prapa tyre.

Gjithë jeta e saj kaloi nëpër një të vërtetë të rreme. Ishte rritur në një familje antikomuniste, pa e ditur. Por, për të pranuar këtë ishte e vështirë, për shkak se deri më aty, Ypi veçse kishte krijuar një besnikëri patriotike, një ndjenjë e fortë që përshkonte në formimin e saj individual. Nuk e kishte përjetuar as pjesërisht shtypjen apo persekutimin, për shkak se prindërit e kishin mbrojtur nga kjo, por pas ndryshimeve drastike, për të u bë shumë e vështirë pranimi i së vërtetës, që prindërit e saj e shpalosnin. Duke qenë e afërt me gjyshen dhe shpjegimet e saj se pse është dashur fshehja e së vërtetës, pas disa muajve, ajo nisi të përshtatej.

Fotografia: Henning Kretschmer/Agentur F

Natyrisht që kjo ndikoi në themelimin e identitetit të Ypit, të cilën ajo vetë e cilëson si njëfarë kultivimi skeptik, për atë se çfarë konsiderohet e vërtetë, teksa tendencat për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga ajo se çfarë duket, ka zgjuar interesin e saj të mëvonshëm për filozofinë.

Detajet kryesore që shpalosen në ditarët e saj, që ajo mbante pas viteve 90’, përshkruhen mbi shqetësime të jetës së përditshme e të zakonshme të saj, siç është fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e saj, e cila u bë viktimë e trafikimit seksual, që mbrëmjeve nuk mund të dilte dot me miqtë, nga frika se mos mund të ngacmohej në rrugë, apo edhe se prindërit e saj vazhdimisht paralajmëronin se do të ishte e rrezikshme për shkak të shpërndarësve të shumtë të drogës.

Falë këtyre përjetimeve dhe mbi të gjitha, falë përjetimit të dorës së parë të valës së emigrimit në Durrës, që kishte lënë gjurmë të shumta të gdhendura rrënjësisht në kujtimet e saj, kuptimi i një shoqërie të lirë ishte perceptuar ndryshe nga gjithsecili asaj kohe. Megjithatë, kjo e shtyu atë që dikur më vonë të bëhej një person më kritik.


Intervistë kur ishte në panairin e librit në Tiranë, me Drini Zeqo

Për mendimet e saj mbi përfaqësimin e Shqipërisë nëpërmjet një vepre, për botimin e një shtese “prequel” tjetër, ku trajtohen edhe ngjarjet në Kosovë, për konceptin e lirisë së vërtetë të popullsisë shqiptare, për sukseset e shumta të librit sikurse që është vlerësimi me pesë yje në “Daily Mail” dhe “Daily Telegraph”, emërtimi si libri i vitit në “Sunday Times”, fitimi i çmimit “Lumo Skendo” për vitin 2021, si libri më i mirë dhe fitimin e çmimit ‘mbretëror’ për Letërsi në Britani, pastaj për shpalljen e vetë autores në mesin e 10 mendimtarëve kryesorë botërorë të vitit 2022 nga revista britanike ‘Prospect’, e deri tek zbulimi i pasionit për letërsinë që nga mosha e vogël, një pasion ky që kishte nisur me Homerin, Eskilin, Sofokliun, për të vazhduar tek Dostojevski dhe Tolstoi, e pastaj edhe tek Kanti, Marksi, si dhe natyrisht për magjepsjet e saj më të mëdha nga autorët shqiptarë, siç është me rastin e Kadaresë, do të keni rastin të lexoni më poshtë në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

Fotografia: David Levenson

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni rrugëtimin tuaj personal, që nga nisja e deri tek botimi i romanit “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 26 gjuhë?

Lea Ypi: ‘Free’ fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur fillova të shkruaj, siç them në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”.

Nga një këndvështrim filozofik, një nga bindjet e mia të vjetra ka qenë se, teksa shumë njerëz mendojnë për idetë socialiste si ide të barazisë dhe drejtësisë, kurse për idetë liberale si të përqendruara te liria, tradita socialiste që nga Marksi e këtej në fakt përpiqet të realizojë të njëjtën ide të lirisë, që filozofikisht është në thelb të liberalizmit. Megjithatë, shpesh, veçanërisht në teorinë politike normative, me të cilën kam punuar kryesisht, ne priremi të angazhohemi me idetë si thjesht ide, duke menduar për meritat dhe kufizimet abstrakte të botëkuptimeve të ndryshme vetëm nga ana filozofike.

Por, unë jam gjithashtu e interesuar për historinë e filozofisë dhe për historinë, në përgjithësi, dhe kështu kam qenë gjithmonë kureshtare të shoh se si idetë pasqyrohen në institucione dhe se si institucionet ose tradhtojnë ose largohen nga qëllimet origjinale të ngulitura në promovimin e këtyre ideve. Pra, doja të shkruaja si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë, që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, dhe kur fillova të mendoj për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja ime u kthye gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi ku unë u rrita. Diskutimi i episodeve nga jeta ime m’u duk një mënyrë e frytshme për ta bërë këtë, për aq sa më mundësonte të reflektoja mbi shembuj konkretë.

Pjesa tjetër është historia me të cilën jeni njohur.

KultPlus: Keni deklaruar se romani flet për mënyrën se si zbulohen të vërtetat gradualisht. Por na tregoni se si ju i zbuluat ato?

Lea Ypi: Për mua ishte një zbulim i papritur që ndodhi kur u bë e qartë se komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej dhe se nuk kishte kthim prapa. Vetëm atëherë kuptova se këndvështrimi i shtetit (nga i cili isha ndikuar nërpërmjet sistemit arsimor) dhe ai i familjes sime, në vend që të rreshtoheshin së bashku, gërryenin themelin e njëri-tjetrit.

Ajo që mbaj mend nga ajo kohë është një hutim i përgjithshëm dhe shqetësim se përse të rriturit dukej se hezitonin gjatë gjithë kohës, kuptoja që të afërmit kishin frikë të flisnin hapur për politikën dhe vija re se sapo hyja unë në dhomë, binte heshtja dhe unë izolohesha nga bisedat e tyre. Më pas, në dhjetor, kur i gjithë sistemi u shemb, prindërit e mi zbuluan një të vërtetë që e ndjenin se ishte e vërteta e tyre dhe thanë se ishte edhe e vërteta ime: gjithë jetën time isha rritur në një familje antikomuniste pa e ditur. Ishte e vështirë sepse deri në atë pikë, kisha dashur të isha një qytetare e mirë, një pioniere e mirë dhe ndjehesha besnike ndaj një sistemi që u shemb papritur.

Unë nuk e kisha përjetuar shtypjen dhe persekutimin që ata kishin përjetuar. Nuk e kisha përjetuar atë as pjesërisht, pasi familja ime ishte munduar të fshehtë të vërtetën për të më mbrojtur nga pasojat e luftës së klasave. Ata kishin krijuar këtë strehë që kishte funksionuar ashtu siç donin të funksiononte, por që më pas, për shkak se gjërat ndryshuan kaq shpejt e kaq rrënjësisht, e vështirësoi identifikimin tim me të vërtetën e tyre. Përfundimisht, brenda disa muajve të ardhshëm, u përshtata. Unë i besova ato që më thanë dhe, duke qenë se kisha marrëdhënie shumë të mira me gjyshen, i besova kur ajo më shpjegoi arsyet pse duhej ta fshihnin këtë të vërtetë nga unë.

Por, nuk e di se çfarë i bën kjo identitetit të dikujt në një term afatgjatë. Ndoshta kultivon një lloj skepticizmi për atë që të vërtetat merren si të mirëqena dhe gjithashtu prodhon një tendencë për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga mënyra se si duket; se ekziston ky dualizëm midis dukjes dhe thelbit, i cili mund të ketë luajtur një rol në kureshtjen time të mëvonshme për filozofinë.

KultPlus: Romani është i ndarë në dy pjesë (komunizmi dhe Shqipëria liberale), dhe ju keni mbajtur ditarë pas viteve 90’. A mund të na tregoni disa nga detajet kryesore prej të cilave jeni frymëzuar ju, që t’i publikoni ato?

Lea Ypi: Ajo që bie në sy nga ditarët e mi të këtyre viteve është shqetësimi i jetës së përditshme, të zakonshme: për shembull, fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e mia, që u bë viktimë e trafikut seksual, që mbrëmjeve nuk dilje dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmoheshit në rrugë, ose se prindërit e mi vazhdimisht më paralajmëronin se duhej të kisha kujdes nga shtimi i shpërndarësve të drogës.

Ajo që la gjurmë tek unë ishin valët e emigrimit: jeta e Durrësit kushtëzohej nga ajo e portit të Durrësit, çka do të thoshte se emigrimi ishte një përvojë e përditshme. Të gjithë donin të largoheshin, por pikërisht në çastin kur ata ishin të lirë të largoheshin nga vendi, kufijtë u mbyllën dhe filloi vala e racizmit dhe stereoptipeve ndaj shqiptarëve, që trajtoheshin si popull kriminel. Edhe kur është arritur për të dalë jashtë vendit dhe më në fund ka pasur qasje në të gjitha mallrat nga Perëndimi, që të gjithë i kishin dëshiruar, kupton se të gjitha mallrat janë aty, por në fakt nuk mund t’i blije sepse nuk i ke paratë.

Më kujtohen mijëra shembuj të vegjël si ai, ku ndjeva se diçka nuk ishte në rregull, një lloj zhgënjimi i vazhdueshëm. Por nuk mendoj se në atë kohë unë i perceptoja këto si dështime të një sistemi ose se kisha mjetet intelektuale për t’i zbërthyer nëpërmjet një teorie të ndryshimit shoqëror. Njerëzit rreth meje kishin kuptime të ndryshme për atë që kërkon liria dhe ide të ndryshme se si duhet të jetë një shoqëri e lirë, dhe megjithëse mendoj se të gjithë vrojtonin se diçka nuk po ecte me tranzicionin, ata ishin të bindur se kishin lënë pas më të keqen, dhe çdo gjë tjetër konsiderohej një sakrificë e vogël që ia vlente në rrugëtimin drejt kësaj ëndrre të re lirie.

Përvojat e mia të jetuara më bënin dyshuese, ndoshta sepse i përkisja një brezi tjetër, por këto përvoja më dhanë materialin njerëzor mbi të cilin u ndërtuan reflektimet e mëvonshme.

Fotografia: Marcus Emil Christensen

KultPlus: Libri është bërë i njohur nga shumë medie prestigjioze ndërkombëtare. Sa është e rëndësishme për ju që pavarësisht barrës, të jeni përfaqësuese e një shteti nga vetëm këndvështrimi i juaj?

Lea Ypi: Do të ishte shumë fatkeqe nëse një shtet i tërë do të përfaqësohej nga një individ ose një vepër e vetme. Unë nuk mendoj se mund ose do të doja të përfaqësoja një komunitet të tërë: Unë shpreh pikëpamjet e mia për politikën, shoqërinë, artin e kështu me radhë, të cilat të gjitha vijnë nga një këndvështrim filozofik specifik.

Jo të gjithë do ta ndajnë këtë perspektivë, dhe unë jam plotësisht e vetëdijshme për këtë, ashtu siç jam e lumtur të debatoj me këdo që shtjellon një arsyetim të kundërt duke respektuar normat etike. Sigurisht, gëzohem nëse libri im e bën të dojë të lexojë më shumë dhe të zbulojë Shqipërinë, sepse mendoj se në Evropën Perëndimore ka shumë nevojë për të dëgjuar prespektiva dhe pikëpamje të shkrimtarëve nga kultura tradicionalisht të margjinalizuara.

Por libri im nuk është më shumë se kaq: një ftesë për t’u angazhuar me një kulturë shumë më të madhe dhe për të hyrë në debate shumë më komplekse sociale dhe politike. Një autor i vetëm mund të përpiqet të përfaqësojë atë kompleksitet, por dyshoj se ata mund t’ia dalin të vetëm.

KultPlus: “Të lirë” pritet ta ketë edhe një shtesë, ku do të trajtohen ngjarjet në Kosovë. A keni filluar të shkruani diçka për këtë botim?

Lea Ypi: Unë jam duke punuar për një prequel. Libri fokusohet te gjyshja ime dhe diskuton konceptin e dinjitetit si në një person ashtu edhe në një komb në një kohë trazirash sociale dhe politike. Konteksti është kryesisht Shqipëria mes dy luftërave botërore dhe zhvillimi i shtetit modern shqiptar, që nga pavarësia e tij nga Perandoria Osmane deri në fitoren e komunizmit.

Ashtu si tek ‘Të lirë’, është një përpjekje për të përshkruar zhvillimin personal dhe politik dhe për të reflektuar mbi temat e autonomisë, krizës dhe identitetit në kontekstin e përplasjes së projekteve ideologjike.

KultPlus: Keni thënë se ju nuk besoni që popullsia shqiptare jeton në një shoqëri të lirë. A mund të na tregoni më shumë lidhur me këtë konstatim?

Lea Ypi: Mendoj se kemi kaluar nga një gjendje moslirie në të cilën një agjent – shteti, partia, liderë të ndryshëm komunistë – ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi individët, duke i penguar ata të kuptonin vetveten, në atë ku kontrolli social ushtrohet nga struktura anonime, që janë shumë më të vështira për t’u përcaktuar, por tepër të dëmshme për lirinë.

Jetojmë në shoqëri shumë të pabarabarta, në të cilat fuqia ekonomike dhe politike janë të përqendruara në duart e një pakice, si brenda një shteti, ashtu edhe në ndërveprimet ndërmjet shteteve. Jetojmë gjithashtu në një periudhë krizash të shumëfishta, të ndërlidhura, kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat shtetet e dobëta si Shqipëria apo Kosova nuk janë në gjendje të vendosin për të ardhmen e tyre pa ndërhyrjen e lojtarëve më të mëdhenj, të cilët shpesh instrumentalizojnë dobësinë e tyre për të realizuar qëllimet e tyre. Mendoj se liritë standarde që fituam pas rënies së komunizmit, si liria e fjalës, e organizimit, e votës e kështu me radhë, vlejnë relativisht pak, nëse ka asimetri të thella pushteti, që kushtëzojnë aftësitë e njerëzve për të ndikuar në vendimet politike.

Tridhjetë vjet pas ardhjes së demokracisë liberale, ka ardhur koha për të reflektuar mbi dështimet historike si të socializmit shtetëror, ashtu edhe të liberalizmit të tregut të lirë, dhe të kërkojmë për një model të ri. E kaluara është diçka nga e cila nuk duhet të kemi frikë, përkundrazi ne duhet të jemi në gjendje të mësojmë prej saj, në shërbim të një modeli alternativ zhvillimi, që merr parasysh specifikat rajonale dhe historike duke u integruar gjithashtu me një përpjekje më të gjerë, transnacionale për të nxitur drejtësinë globale.

Unë i shtjelloj këto ide në librat e mi të tjerë akademikë, por në të gjitha rastet thelbi filozofik është një nocion Kantian i lirisë si agjenci morale, e paredaktueshme në interpretimet pozitive apo negative të lirisë, që janë përhapur në sisteme të ndryshme dhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme ideologjike.

Fotografia: Stuart Simpson

KultPlus: Romani mori vlerësime me pesë yje në ‘Daily Mail’ dhe ‘Daily Telegraph’ dhe u emërua libri i vitit në ‘Sunday Times’. Po ashtu fitoi çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë, si dhe çmimin ‘mbretëror’ për Letërsi, në Britani, ndërsa revista britanike ‘Prospect’ ka shpallur 10 mendimtarët kryesorë botërorë të vitit 2022 dhe në mesin e tyre jeni edhe ju. Sa përmbushës është ky sukses?

Lea Ypi: Është një varg në poezinë e Rudyard Kiplingut, “Nëse”, që më pëlqen shumë: “Nëse mund të takohesh me Triumfin dhe Fatkeqësinë /dhe t’i trajtosh ata dy mashtrues po njësoj”.

Sigurisht që është shumë kënaqësi për mua të shoh se sa mirë po ecën libri, por një pjesë e konsiderueshme e imja pajtohet me Kiplingun: suksesi mund të jetë gjithashtu edhe një lloj mashtrimi. Duke qenë se kurrë nuk dihet se sa zgjatë dhe ku shpie, mundohem të përqendrohem tek idetë dhe projektet e ardhshme.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si e zbuluat pasionin për letërsinë dhe ndani me ne disa nga magjepsjet e juaja më të mëdha nga autorë shqiptarë?

Lea Ypi: Kjo ndahet në periudha.

Si brez, ne jemi rritur me shumë pak televizor dhe unë më shumë isha e rrethuar nga librat: përralla popullore arabe, shqiptare, ruse e kështu me radhë. Por të preferuarit e mi ishin grekët: Homeri, Eskili, Sofokliu, të cilët i lexoja si përshtatje për fëmijë. Më tërhiqnin sidomos mitet greke, sepse nuk mund ta kuptoja se si heronjtë grekë ishin kaq të fuqishëm dhe kaq të pafuqishëm në të njëjtën kohë.

Më vonë, më pëlqente veçanërisht letërsia ruse e shekullit të 19-të, sidomos Dostojevski dhe Tolstoi, mbase pasi te këta autorë gjen të njëjtat tema të lirisë dhe domosdoshmërisë që shfaqet në mitet greke. Leximi i “Lufta dhe Paqja” në vitin 1997 luajti një rol kyç në vendimin tim për të studiuar filozofi. Mbase ju kujtohet se si “Lufta dhe Paqja” mbyllet me një kritikë të madhe gjithëpërfshirëse të filozofisë së historisë, në të cilën Tolstoi nënvizon se sa e kotë është të mundohesh t’i gjesh një kuptim historisë duke pasur parasysh konfliktin midis botëkuptimeve të ndryshme dhe pikëpamjet e mijëra protagonistëve të saj.

Ky skepticizëm ndaj narrativave të mëdha ishte pikënisja ime filozofike por e braktisa shumë shpejt në universitet, kur zbulova traditën filozofike gjermane, veçanërisht Kantin dhe Marksin, që për mua janë alternativa më bindëse ndaj nihilizmit filozofik.

Fotografia: Pim Ras

Për sa u përket shkrimtarëve shqiptarë, mendoj se Ismail Kadare është gjiganti, mbi shpatullat e të cilit qëndron e gjithë letërsia bashkëkohore shqiptare. E kam lexuar “Pallati i ëndrrave” kur isha njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç dhe më shpalosi një botë të tërë konceptesh, metaforash dhe simbolikash të panjohura dhe të paimagjinueshme deri aty. E lexova sërish para pak kohe dhe sërish u mrekullova. Vetëm një gjeni i pakrahasueshëm mund të dilte gjallë nga ferri i censurës komuniste pa sakrifikuar asnjë grimcë nga cilësia letrare, siç ka bërë Kadare në të gjitha veprat e tij, pa përjashtim. Kultura shqiptare e gjysmëshekullit të fundit i ka një borxh të pashlyeshëm.

KultPlus: Për fund, kush ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja juaj më e madhe?

Lea Ypi: Familja ime. E di që më thonë gjithnjë të vërtetën edhe kur ajo nuk më pëlqen.

/ KultPlus.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.