Një e dhënë vendimtare në vjedhjen e Bitcoin prej 4.5 miliardë dollarësh: Një kartë dhuratë Walmart prej 500 dollarësh

0
394
Heather Morgan and Ilya Lichtenstein

Heather Morgan dhe Ilya Lichtenstein në një foto të postuar në Facebook vitin e kaluar. Të dy ishin aktivë në rrjetet sociale.

Mjetet gjithnjë e më të sofistikuara dhe disa karta dhuratash, i ndihmuan hetuesit që të akuzojnë një çift të ri, për komplot në pastrimin e miliarda dollarëve

Nga James Fanelli, Ben Foldy dhe Dustin Volz, 15 shkurt 2022 – WSJ.com

Përktheu Arben Çokaj

Hetuesit federalë kaluan vite duke kërkuar të dhëna në hakerimin e këmbimit të kriptomonedhave Bitfinex në vitin 2016, kur hajdutët vodhën bitcoin tani me vlerë 4.5 miliardë dollarë. Në fund, ajo që i ndihmoi ata drejt dy të dyshuarve ishte diçka shumë më e zakonshme: një kartë dhuratë prej 500 dollarësh Walmart.

Ajo kartë dhe më shumë se një duzinë të tjera si ajo, duke përfshirë për Uber, Hotels.com dhe PlayStation, ishin të lidhura me emailet dhe ofruesit e shërbimeve cloud, që i përkisnin një çifti të ri në Manhattan, Ilya “Dutch” Lichtenstein dhe Heather R. Morgan, sipas një kallëzim penal. Autoritetet e arrestuan çiftin pasi konfiskuan 3.6 miliardë dollarë bitcoin, që dyshohet se ishin nën kontrollin e tyre – sekuestrimi më i madh financiar ndonjëherë nga Departamenti i Drejtësisë.

Detaje të reja janë shfaqur që atëherë në lidhje me hetimin, veçanërisht se si ai ka përfituar jo vetëm nga mjetet e avancuara mjeko-ligjore, por edhe nga shtytja në rritje për të frenuar krimin e kriptove, duke përfshirë edhe vetë industrinë. Zbulimet do të kishin më pak gjasa të ndodhnin rreth kohës së hakimit, kur bitcoin ishte shumë jashtë rrjedhës kryesore të botës financiare.

Kriptomonedha ka qenë prej kohësh një opsion i preferuar për kriminelët e mëdhenj dhe të vegjël, duke përfshirë operatorët e ransomware1, trafikantët e drogës dhe bandat e rrugës për shkak të anonimitetit të perceptuar dhe kapacitetit të saj për transferime ndërkombëtare pa fërkime. Pavarësisht nga reputacioni i tij si i vështirë për t’u gjurmuar, analistët thonë se ndonjëherë është më e lehtë për t’u gjurmuar sesa monedhat e forta. Çdo transaksion është publik, duke lënë një gjurmë të përhershme. Truku është t’i lidhni ato para me njerëz të vërtetë.

Z. Lichtenstein, 34 vjeç dhe znj. Morgan, 31 vjeç, u akuzuan për komplot për të pastruar para dhe për të mashtruar qeverinë federale. Akuza më e rëndë parashikon një dënim maksimal prej 20 vitesh burg. Prokurorët federalë nuk kanë pretenduar se z. Lichtenstein dhe znj. Morgan kanë kryer hakimin.

Avokatët e tyre nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Në një memo të dorëzuar në gjykatë, avokatët e tyre thanë: “Akuzat për pastrim parash në ankesën e Qeverisë bazohen në një sërë konkluzionesh dhe supozimesh rrethanore të nxjerra nga një rrjet kompleks i pohimeve të ndërlikuara të gjurmimit të blockchain dhe kriptomonedhave”.

Në një seancë dëgjimore të hënën, një gjykatës urdhëroi z. Lichtenstein të mbahej në burg, por lejoi që zonja Morgan të lirohej për në burg në shtëpi me një paketë obligacioni prej 3 milionë dollarësh, ndërsa ata presin gjyqin.

Dyshja, të cilët kanë qenë së bashku për shtatë vjet, thanë avokatët e tyre, të dy punonin në teknologji. Z. Lichtenstein ishte një introvert që preferonte kodimin dhe prodhimin e tabelave kompjuterike në vend të shoqërimit, thanë miqtë e çiftit. Familja e tij emigroi në SHBA nga Rusia kur ai ishte 6 vjeç për të shmangur persekutimin fetar, thanë avokatët e tij.

Zonja Morgan, nga Kalifornia Veriore, ishte shumë më miqësore. Ajo shkroi kolona për Forbes, ku e përshkroi veten si një eksperte e përkushtuar për të luftuar mashtrimin dhe krimin kibernetik. “Kur ajo nuk është duke inxhinieruar tregjet e zeza, për të menduar mënyra më të mira për të luftuar mashtrimin dhe krimin kibernetik, asaj i pëlqen të repojë dhe të dizenjojë modën e veshjeve të rrugës”, sipas biografisë së saj në Forbes.com. Tekstet e saj rap përfshijnë: “phish phish (peshko, peshko) fjalëkalimin tënd/të gjitha fondet e tua të transferuara“.

Vjedhja ndodhi në gusht 2016, kur hakerët përdorën malware për të depërtuar në rrjetin e shkëmbimit të Bitfinex me bazë në Hong Kong dhe e zhvendosën bitcoin-në atë kohë me vlerë rreth 71 milionë dollarë-nëpërmjet më shumë se 2000 transfertave të paautorizuara në një llogari të jashtme. Paratë qëndruan në gjumë për disa muaj. Në janar 2017, shuma të vogla filluan të lëviznin në një sërë transaksionesh komplekse, sipas një ankese penale të paraqitur kundër z. Lichtenstein dhe znj. Morgan.

Pajisjet e ruajtjes dhe një shenjë aksesi në llogarinë financiare
të sekuestruara nga banesa e çiftit nga forcat e rendit.

FOTO: AVOKATI I SHTETEVE TË BASHKUARA PËR RRETHIN E KOLUMBISË

Në fillim, sipas ankesës, bitcoin i vjedhur u kanalizua përmes AlphaBay, një treg në internet që funksionon në ueb-in e errët – një seksion i internetit i aksesueshëm vetëm nga softuerë specialë, ku njerëzit mund të ndërveprojnë në mënyrë anonime. Një pyetje në seksionin FAQ të faqes në internet pyeti “A është i ligjshëm Tregu AlphaBay?” Përgjigja: “Sigurisht që jo“. AlphaBay gjithashtu e reklamoi veten si një “tumbler” i kriptomonedhës, një shërbim që mund të shkëmbejë bitcoin të depozituar për të tjerët për të ndihmuar në parandalimin e gjurmimit.

Në korrik të 2017, autoritetet federale e kapën dhe mbyllën AlphaBay. Goditje të tilla e kanë bërë më të vështirë pastrimin e fondeve të vjedhura të kriptove dhe i kanë ndihmuar hetuesit të gjurmojnë paratë e pista. “Ka vende ku mund të fitosh para në mënyrë anonime dhe pa kontrolle të vendosura, por ato janë shumë të pakta tani,” tha Tom Robinson, bashkëthemelues i firmës së kripto-analitikës Elliptic Enterprises Ltd.

Dokumentet e prokurorit thanë se disa nga bitcoin-et e vjedhura të Bitfinex, që ishin hedhur nga çifti përmes llogarive të AlphaBay u depozituan më pas në llogaritë e krijuara rishtazi në disa shkëmbime të regjistruara në adresat e huaja të emailit të krijuara rreth kohës së hakimit. Depozitat u përplasën shpejt me përpjekjet e pajtueshmërisë kundër pastrimit të parave në shkëmbimet e kriptove, pretendojnë prokurorët.

Disa shkëmbime kërkuan të verifikonin identitetin e disa prej mbajtësve të llogarisë. Kur ata nuk morën asnjë përgjigje, shkëmbimet ngrinë llogaritë, me më shumë se 300,000 dollarë të braktisura.

Autoritetet thanë në dosje, se kriptomonedha e lidhur me hakimin u zhvendos më pas në llogaritë që z. Lichtenstein dhe znj. Morgan kishin krijuar të lidhura me identitetet dhe bizneset e tyre aktuale. Ato përfaqësonin depozitat e tyre të hapjes si të ardhura nga investime të mëparshme, dhurata ose pagesa nga klientët. Ata bënë përfaqësime të ngjashme kur lidhnin fondet nga llogaritë e shkëmbimit të kriptove në institucionet financiare tradicionale.

Në seancat dëgjimore për lirimin me kusht, avokati i zonjës Morgan tha se llogaritë e klientit të tij ishin krijuar për të trajtuar të ardhurat legjitime për biznesin e saj dhe nuk kishte asnjë provë që ajo dinte për ndonjë lidhje nga fondet hyrëse me aktivitetin e paligjshëm.

Në vitin 2016 zoti Lichtenstein dhe znj. Morgan jetonin në zonën e Gjirit të San Franciskos, sipas miqve. Z. Lichtenstein drejtonte një kompani teknologjike të marketingut në internet të quajtur MixRank. Zonja Morgan në moshën 23-vjeçare filloi SalesFolk LLC, e cila specializohej në emailet e marketingut të pakërkuar.

Të dy u nisën për në Nju Jork në 2017-ën, ku themeluan disa startup-e dhe punuan për të forcuar imazhin e tyre si sipërmarrës me njohuri teknologjike. Në vitin e ardhshëm, zonja Morgan u dogj dhe vendosi të ndiqte një pasion tjetër, shkroi ajo në një kolonë të Forbes. Ajo filloi të bënte muzikë rap me emrin Razzlekhan. Ajo i kushtoi një këngë hakerëve dhe sipërmarrësve dhe e përshkroi veten si “Krokodili i Wall Street”.

Heather Morgan e përshkroi veten si “Krokodili i Wall Street”
në një video rap të postuar në YouTube.

“Unë definitivisht nuk po përpiqem të fitoj një Grammy për zërin tim, por jam e varur nga repi”, ka shkruar ajo në rubrikën e saj.

Në qershor 2019, z. Lichtenstein i kërkoi zonjës Morgan të martohej me të. Si pjesë e propozimit, shkroi ai në një postim në Facebook, ai punësoi një agjenci marketingu për të vendosur postera të Razzlekhan në rrugët e qytetit të Nju Jorkut dhe bleu tabela elektronike në Times Square që tregonin foto të fytyrës së saj.

Në gusht 2019, çifti udhëtoi në Ukrainë për një udhëtim njëmujor, sipas dosjeve të prokurorit. Gjatë asaj kohe, z. Lichtenstein, i cili ka nënshtetësi të dyfishtë të SHBA-së dhe Rusisë, përditësoi skedarët në një llogari të ruajtjes së cloud që kishte informacione për pastrim parash dhe dokumente të rreme identiteti me lidhje ukrainase, thanë prokurorët.

Avokatët e çiftit thanë se nuk kishin ndërmend të largoheshin nga vendi, duke theksuar se vezët e ngrira të zonjës Morgan të nevojshme për fekondimin in vitro janë në Nju Jork. “Ata fjalë për fjalë do ta linin pas të ardhmen e tyre nëse do të largoheshin,” tha Samson Enzer, një nga avokatët e çiftit, në seancën e së hënës.

Çdo transaksion i bitcoin regjistrohet në një libër publik për ta parë kushdo – duke rezultuar në vëllime të mëdha të dhënash. Analizimi i modeleve të tyre mund të zbulojë grupe që duket se ndajnë një burim ose lidhje të përbashkët. Dokumentet e gjykatës tregojnë se agjentët federalë përdornin mjete softuerike për të shoshitur të dhënat në kërkim të lidhjeve dhe modeleve, një proces i quajtur analiza e grupimeve.

Një grup adresash bitcoin, i identifikuar në dosjet gjyqësore si 36B6mu, tërhoqi vëmendjen e hetuesve.

Më 3 maj 2020, një pjesë e një bitcoin shkoi nga grupi në një bursë që shet karta dhuratash me parapagesë. Në këmbim, një kartë dhuratë prej 500 dollarësh për Walmart u dërgua në një email të regjistruar në Rusi. Transaksioni, megjithatë, u krye nëpërmjet një adrese IP të lidhur me një ofrues shërbimi cloud në Nju Jork, të cilin hetuesit e lidhën me z. Lichtenstein, sipas agjentëve.

Pjesë të kartës së dhuratës, thanë dosjet, u përdorën më pas përmes aplikacionit telefonik të Walmart. Tre blerje u kryen në internet duke përdorur emrin e zonjës Morgan, duke përdorur një nga emailet e saj dhe adresa e banesës së çiftit u dha për dorëzim.

Midis shkurtit të vitit 2019 dhe dhjetorit 2020, bitcoin me vlerë rreth 7.8 milionë dollarë sot rrodhi përmes grupit drejt dhe nga llogari në shkëmbime të ndryshme të kriptove që hetuesit thanë në dokumentet e gjykatës se ishin të lidhura me z. Lichtenstein dhe znj. Morgan.

Agjentët hetues në janar 2021 i kërkuan gjykatësit të magjistraturës amerikane Zia Faruqui në Uashington të lëshonte një urdhër për të kërkuar llogaritë e postës elektronike të lidhura me çiftin. Gjykatësi Faruqui e miratoi urdhrin në gusht, duke vënë në dukje se natyra publike e librit blockchain nënkuptonte se ata që e përdornin nuk kishin të drejtë kushtetuese për privatësi. Mbështetja në analizën e grupimeve për të udhëhequr kërkimet, shkroi ai, ishte e ngjashme me mbështetjen në një burim konfidencial që ofron këshilla për hetuesit.

Gjykatësi shkroi se kriptomonedha dhe mjetet analitike të softuerit të lidhur janë “vala e së ardhmes, shoku. Njëqind për qind elektronike”, duke iu referuar një rreshti nga filmi “The Big Lebowski”.

Z. Lichtenstein dhe znj. Morgan mësuan për hetimin në nëntor, kur një ofrues shërbimi interneti u tha atyre se autoritetet kishin kërkuar të dhënat që kishin të bënin me çiftin në një thirrje një vit më parë, thanë avokatët e tyre në dosjet gjyqësore.

Po atë muaj ata bënë një dasmë. Ata folën për krijimin e një familjeje përmes fekondimit in vitro, sipas avokatëve të tyre.

Më 5 janar, agjentët federalë u shfaqën në apartamentin e çiftit në Wall Street me një urdhër kërkimi.

Agjentët e zbatimit të ligjit sekuestruan më shumë se
40,000 dollarë para të gatshme nga apartamenti i çiftit.

FOTO: AVOKATI I SHTETEVE TË BASHKUARA PËR RRETHIN E KOLUMBISË

Në apartament, hetuesit sekuestruan një qese plastike të shënuar “telefon djegës”, më shumë se 40,000 dollarë para në dorë dhe më shumë se 50 pajisje elektronike, thanë prokurorët në dosjet gjyqësore.

Sipas dosjeve të prokurorëve, çifti zgjodhi të largohej nga ambientet ndërsa agjentët kërkonin. Ata kërkuan të sillnin macen e tyre, e cila ishte fshehur nën shtrat.

Ndërsa zonja Morgan u përpoq të largonte macen nga fshehja, ajo mori një telefon nga një komodinë, thanë dosjet. Ajo u përpoq të shtypte në mënyrë të përsëritur butonin e kyçjes, për të cilin prokurorët thanë se dukej se ishte një përpjekje për t’i mbajtur hetuesit në gjendje ta kontrollonin atë dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit iu desh t’i hiqnin telefonin asaj.

Deri atëherë, hetuesit kishin akses në emailin dhe llogarinë cloud të z. Lichtenstein, sipas dosjeve gjyqësore. Më 31 janar, qeveria ishte në gjendje të thyente enkriptimin për disa prej skedarëve. Midis tyre ishte një fletëllogaritëse që listonte llogari të ndryshme, duke përfshirë disa nga ato që ishin braktisur kur shkëmbimet kërkuan verifikimin e identitetit në vitin 2017. Kishte një dosje me emrin “personas” që kishte dokumente identifikimi dhe një tjetër me emrin “passport_ideas”.

Hetuesit thanë gjithashtu se gjetën një skedar që rendit të gjitha adresat brenda portofolit dixhital ku mbahej pjesa më e madhe e bitcoin që ishte vjedhur nga Bitfinex. Monedha, me vlerë 3.6 miliardë dollarë, u sekuestrua. Konfiskimi ishte i dukshëm në librin e bllokut.

—Ian Talley kontribuoi në këtë artikull.
Shkruani James Fanelli në james.fanelli@wsj.com, Ben Foldy në Ben.Foldy@wsj.com dhe Dustin Volz në dustin.volz@wsj.com


1. Ransomware është një formë malware e krijuar për të enkriptuar filet në një pajisje, duke i bërë të papërdorshëm çdo fil dhe sistemet që mbështeten në to. Aktorët keqdashës kërkojnë më pas shpërblim në këmbim të deshifrimit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.