PASOJAT E ALEANCËS KRIMINALE LPK-PSSH, PO I VUAN KOSOVA SOT DHE NESËR

0
187
Isa Mustafa - nënshkruan demarkacionin

IDRIZ ZEQIRAJ

Një histori tragjike e shqiptarëve të Shqipërisë londineze, siç i thonë Shqipërisë në kufijtë e përcaktuar në Konferencën Ambasadorëve në Londër, më 1913, do të bartej edhe në Kosovën e fund-shekullit 20-të.

Pas një dekade rezistence aktive, ndaj pushtuesit serbo-sllavë, në pranverën e vitit 1998, në Kosovë, filluan aksionet guerile. Pas masakrës të Prekazit, përmasat e rezistencës u shtrinë në organizime luftarake në disa zona të Kosovës. Tirana zyrtare social-komuniste, nuk e kishte mendjen tek lufta e Kosovës. Përkundrazi, tek përfitimi individual e grupor material dhe sabotimi i luftës. Këtë e thonë edhe kuadrot e hershëm të LPK-së.

Një klan i LPK-së, në Zvicër, i dominuar nga zona e Drenicës, i instruktuar nga Tirana dhe miqtë e saj, bëri puç partiak, shkarkoi kryesinë e vjetër të LPK-së. Në koordinim me krerët pushtetarë të Tiranës, emëruan kryesinë e re të LPK-së. Më dhunë e morën në dorëzim Fondin “Vendlindja thërret”. Ndërsa me shantazh e kërcënime, në emër të UÇK-së, morën milionat nga Fondi i Qeveritar, i shprehur në 3 %-in, të cilët nuk u përdorën për luftën. Përkundrazi, u shpërdoruan privatisht, poshtërësisht dhe kriminalisht, nga disa komandantë qendrorë e lokalë.

“Pushteti merret me dhunë”, – ishte sllogani i Enver Hoxhës me komunistët e tij, gjatës Luftës Dytë Botërore. Kështu vepruan edhe disa “komandantë”, të cilët, realisht, nuk ishin pjesë e luftës ose ishin larg aksioneve luftarake. Enver Hoxha, luftën çlirimtare e konvertoi në luftë civile ndër-shqiptare, e mori pushtetin me dhunë dhe eliminoi kundërshtarët politikë me plumb, burg dhe internime masive. Ndërsa, komandantët e Kosovës, i vrisnin, cubërisht, pas shpine, gjatë dhe pas luftës, kundërshtarët politikë, por edhe brenda llojit, pra, lëvizakët e hershëm, nga frika e rivalitetit për pushtet, në të ardhmen e afërt.

Rrjedhimisht u zhytën në krime, të cilat janë numerike, të bëra me listime emrash të oficerëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, kuadro e veprimtarë të LDK-së, gazetarë reporterë të guximshëm të luftës, kuadro të hershëm të LPK-së. Dhe, e gjithë kjo plojë është “një e fshehtë publike!” Ndërkombëtarët, veçmas, dhe Serbia, hartuan dosjet e krimeve faktike. Këto dosje vazhdojnë të përdorën si shantazh të pushtetarëve të inkriminuar. Prandaj, janë, pikërisht, të shantazhuarit ata që bënë nënshkrime të marrëveshjeve fatale për Kosovën, me rrjedhojat e të cilave po përballët sot Qeveria Kurti.

Kjo ekspoze, absolutisht e saktë, dëshmon për kompleksitetin e sotëm të bisedimeve maratonë Kosovë-Serbi. Dhe, është një mësim i madh edhe për shqiptarët, se njerëzit e shantazhuar, nuk duhet ngritur në pozita vendimmarrëse shtetërore, sepse rrezikojnë shtetin, popullin e vet, duke mos qenë të lirë, të marrin vendime të pavarura, ngaqë janë peng i dosjeve të tyre penalizuese.

Në rastin konkret, ishte porosia e Atit themeltar të Shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, se “Hashim Thaçi nuk duhet lejuar të ngritet në poste, sepse është i dëmshëm për Kosovën!” Dhe, kjo u provua katërcipërisht, gjë që vazhdon ta pykojë, bllokojë edhe sot shtetin e Kosovës.

Formula normalizuese franko-gjermane, një dilemë në pritje?!

1. Tej një dekade vazhdon një dialog i zvarritur Kosovë-Serbi, për disa çështje të parashikuara qysh në përcaktimet e bëra nga presidenti Ahtisari. Imponimi i disa syrësh, që janë bërë problematike për zbatim sot, janë pasojë se Hashim Thaçi, si kryesues i dhunshëm i UÇK-së, ishte i shantazhuar me dosje krimesh, kryesisht, vrasje të shqiptarëve, kundërshtarë politikë, përmes bandave të tij vrastare, i pranoi pa kundërshti. Kjo formulë shoqërohet me të panjohura dhe dilema. Mungon njohja reciproke e premtuar, fillimisht, nga BEj-a,-por sidomos nga SHBA, duke lansuar krekesën e rrezikshme, deri fatale, themelimin e Asociacionit për serbët e Kosovës!

Rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës sovrane. BE dhe SHBA, për ta shmangur një vatër krize, më saktë, zjarri, kërkon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Për këtë, me kërkesë të BE-së, por edhe me aprovimin e SHBA-së, është hartuar një plan-kornizë franko-gjermane.

Për pranimin e saj ka pasur mëdyshje, herë nga Kosova dhe herë nga Serbia dhe anasjelltas. Së fundi, me presionin e shtuar të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, për t`i vënë sanksione Rusisë, pëndryshe do të përballet me pasoja serioze, së pari, sanksione nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në këto rrethana, Kosova, përkatësisht, Qeveria Kurti e pranoi planin franko-gjerman, por, duke kërkuar, paraprakisht, plotësimin e 6 (gjashtë) pikave, kushteve. E parë e tyre për nga rëndësia: “Jo Asociacion monoetnik!”

Mendoj se është një potez i qëlluar i kryeministrit Kurti, sepse refuzimi i këtij plani, do të thotë bllokim i procesit të mëtejmë të dialogut, gjë që vonesat nuk e favorizojnë shtetin e Kosovës. Kjo kornizë e ka dialogun brenda, përmbajtja e së cilës edhe mund të dialogohet dhe ndryshohet, vartësisht se çfarë përmbanë i gjithë plani franko-gjerman, i cili rezulton të jetë i BE-së dhe i pranuar edhe nga SHBA-ja.

Ndërkohë, pranimi i Asociacionit është përgjegjësi e madhe, sepse pranimi i tij, nuk jep shansë dhe mundësi, për ta dialoguar dhe ndryshuar mëtej, ashtu siç ka ndodhur me Demarkacionin, vepër e tradhtisë faktike të pushtetarëve të atëhershëm, të cilët, dhunshëm dhe aksidentalisht, ishin ngritur në pozita sunduese, duke shkelur mbi kufomat e luftëtarëve dhe të veprimtarëve, të përkushtuar për lirinë e Kosovës.

Akuzat për “besëpremje të shpresës të shqiptarëve”, të bëra në adresë të Kurtit, janë shpifje monstrume, nga ata që tradhtuan, duke qenë të paautorizuar, folën në emër të shqiptarëve, duke e pranuar “blanko” Asociacionin. Opozita, fillimisht, u deklarua se çështja e dialogut, në rastin konkret, e Asociacionit, është përgjegjësi e Qeverisë Kurti dhe, korrektësisht, nuk u prononcuan mëtej. Por, brenda javës, dy nga eksponentët e opozitës, e konsumuan elementin e tradhtisë, duke e kërkuar, madje ngulmërisht, themelimin e Asociacionit!

Intrigimet konspirative të opozitës për Asociacionin, favorizuan Vuçiqin!

2. Vazhdimësia e pritshme të dialogut Kosovë-Serbi, mund të hamendësohet, por jo edhe të parashikohet. Presioni enorme i Rusisë ndaj Serbisë, për të mos pranuar planin franko-gjerman, është ndikues dhe për rrjedhën e dialogut. Si arsyetim Vuçiq mund të ngulmojë “krijimin e Asociacionit, pastaj mund të bisedojmë për çështje tjera”, vetëm për ta zvarritur dialogun. Edhe opozita serbe, me nacionalistët e saj, qëllimshëm, po kundërshton planin e cituar, duke e ndihmuar dhe justifikuar presidentin e tyre, në sytë e ndërkombëtarëve.

Ngulmimi i BE-së, në veçanti i SHBA-së, për themelimin e Asociacionit, pothuajse, pa kushte, ka trimëruar presidentin Vuçiq dhe, si duket, u ka premtuar serbëve fitore. Kjo u vu re, fillimisht, në Bosnjen serbe, në veriun e Kosovës dhe tani edhe në Serbi, se po “lindë një Republika Srpska” edhe në Kosovë.

Se dialogu Kosovë-Serbi është serioz, mjafton t`i referohemi shprehjes të Qendrave të Vendosjes se “palët në dialog i presin kompromise të vështira, të dhimbshme!” Për ta përballuar, me sa më pak dhimbje, këtë dialog, duhej të ishin të bashkuar, unik në mendime dhe veprime pozitë dhe opozitë. Për çudë, ndodhi e kundërta. Ende pa filluar dialogu, ndodhi lëndimi i vrazhdët, opozita e çakorduar, më shumë se kurrë, e pranoi Asociacionin.

Logjikën e çoroditur të opozitës, e ka errësuar dëshira histerike, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. PAN-in e zhytur në krime gjithëfarëshe, e kuptoj, sepse LVV kërkon konsolidimin e drejtësisë, për shtet ligjor. PAN-i, falsifikueshëm, thirret në trinomin: “për Zot, atdhe, shtet”! Sepse hajnat dhe kriminelët nuk kanë as Zot, as atdhe dhe as shtet. Por, nuk e di ku e ka hallin LDK-ja, kur hesht dhe nuk distancohet, edhe atëherë kur një deputet i saj aprovon dhe lobon krijimin e Asociacionit!?

Qendrimet aprovuese, paraprakisht, të Asociacionit, nga opozita, kanë vështirësuar, madje skajshëm, rezistencën e Qeverisë Kurti, për modifikimin apo refuzimin kategorik të Asociacionit. Escobar, triumfalisht ka thënë: “Pavarësisht refuzimit të Kurtit, shqiptarët e kanë pranuar Asociacionin!” Referenca e Kurtit në Kushtetutën e vendit, se nuk lejon themelimin e Asociacionit njëetnik, është një argument domëthënës. Edhe qëndrimi pozitiv i minoriteteve tjera, madje aktivizimi i tyre kundër çfarëdo Asociacionit monoetnik, duhet shfrytëzuar, duke menduar edhe variantin shtesë, për shmangien e Asociacionit aktual të propozuar.

Duke parë predispozicionin e minoriteteve, për të qenë krah popullit dhe kryeministrit të Kosovës, në rastin e bisedimeve për çështjen e Asociacionit, me deklaratat përmbajtësore të Emilija Rexhepit, Elbert Krasniqit, Enis Kervan, nëse nuk arrihet pajtueshmëria me ndërkombëtarët, për të hequr nga agjenda çfarëdo Asociacioni tjetër, përveç atij të Komunave të Kosovës, atëherë Kurti duhet të japë variantin e zgjërimit të Asociacionit serb, për ta ndryshuar opcionin monoetnik, në multietnik, duke ia bashkangjitë dy komunat me shumicë minoritare, të Mamunshës turke dhe të Dragashit boshnjakë e goranë. Kështu do të kishim dy Asociacione identike njëri me tjetrin në Kosovë, pa ndryshim kompetencash.

“Merre ose lëre”,- dajak për Kosovën dhe kulaç për Serbinë! Cinizëm?!

3. Shtrohet pyetja logjike, a mund të penalizohet shteti serb nga SHBA dhe BE, në rast se refuzon planin franko-gjerman? Me sjelljen e saj destruktive dhe agresive, karshi fqinjëve të saj; me aleancën kriminale me Rusinë, edhe pse bëri agresionin fashizoid në Ukrainën sovrane; Serbia ka merituar me kohë penalizimin dhe ndëshkimin, nga Qendrat e Vendosjes.

Serbia është përkdhelur, njësoj si Jugosllavia e Titos dikur, për katër dekada. Pastaj, është vazhduar me tolerimin e Millosheviqit dje dhe të Vuçiqit sot, nga ndërkombëtarët. Ajo ka gëzuar dhe gëzon investime nga Perëndimi, por lidhjen strategjike dhe shpirtërore e ka me Rusinë dhe aleatët e saj të Lindjes, të Azisë. Serbia përdorë çadrën ruse, për ta shantazhuar Perëndimin dhe ka funksionuar papengueshëm.

Mjerisht, kjo lojë e pistë, vazhdon edhe sot, në raportet me Kosovën. Ndërkombëtarët sikur nuk mjaftohen se përgjatë 150 viteve të fundit, Serbia ka gllabëruar gjysmën e trojeve etnike shqiptare, pikërisht, në saje të përkrahjes direkete të Rusisë, duke i përdorur territoret shqiptare, si monedhë kusuritjeje, në pazaret e ndyra të Fuqive të Mëdha të kohës.

Dhe, çuditërisht, edhe sot, pas shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në kufijtë ekzistues, synohet të vazhdohet me grabitjen e tokave shqiptare, përmes dallavereve të Asociacionit!

Pse u dashkan eksperimente shtesë, siç është – themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe -, kur rasti identik tragjik i Bosnjes dhe Hervegovinës, ka paralizuar shtetin dhe mbanë në ethet e luftës, të vdekjes, popullin e martirizuar boshnjak, për tri dekada radhazi?! Mjafton ky shembull morbid, për t`i thënë njëmijë herë -jo-, krijesës fantazmë, Asociacionit, parathënëse të ndarjes të Kosovës, rrëmbimit, në tavolinë, të veriut të Mitrovicës.

Presidenti Rugova, në gjallje të Tij, kërkoi që dialogu me Serbinë, për çështje të padefinuara, të jetë i kufizuar në kohë. Kjo porosi e artë u anashkalua, qëllimshëm, u humb shansi dhe dialogu u ra për hise, pushtetarëve të shantazhuar, pikërisht, nga Serbia, me dosjen e begatë të krimeve, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, nga disa komandantë kriminelë, të etur për pushtet dhe pasuri. Janë ky soj bastardësh, të cilët, për të shpëtuar nga akuzat bazike, vunë në ankand interesat kombëtare, për interesa personale të tyre. Dhe, gatuan çorbën e sotme të thartuar, të cilën shqiptarët nuk po e kapërdjnë dot!

Së fundi, rrethanat gjeostrategjike, rreziku i eskalimit të një konflikti në Ballkan, e mbi të gjitha, mbajtja pezull e një konflikti të ngrirë, siç është ai i Kosovës me Serbinë, që e dyzon vëmendjen e Qendra të Vendosjes, veç agresionit rus në Ukrainë, nuk mund të tolerohet mëtej. Andaj, BE dhe SHBA ultimatuan, njëherësh Serbinë dhe Kosovën, për një normalizim, të ngutshëm, të marrëdhënieve ndërshtetërore, mbi bazën e platformës franko-gjermane.

Presidenti Vuçiq iu drejtua popullit serb, se nëse nuk e pranojmë këtë plan të ndërkombëtarëve, Serbia do të përballet me sanksione fatale. Reagimet e brendshme ndyshonin, por në raport me Kosovën ishin unik, në ngulmimin për Asociacionin.

Përkundër, në Kosovë, disa opozitarë i “zhveshën brekët”, sabotuan rezistencën në mbrojtjen e veriu të Kosovës, përkatësisht, e pranuan Asociacionin serb! Pra, njësoj siç e sabotuan luftën, me prishjen e Marrëveshjes në Osllo të Norvegjisë, mos unifikimin e faktorit ushtarak; me vrasjen e Ministrit të Luftës; me sabotimin dhe moslejimin e hyrjes në luftë të “UÇK-së të LPK-së”, duke e strehuar atë të mrizonte nën pishnajat e “Bllokut të Zi”, të Tiranës; me vrasjet serike të luftëtarëve të FARK-ut dhe të kundërshtarëve politikë.

Lë të shpresojmë se do të dominojë aryeja, në mendjet e ftohta të zyrtarëve të Qendrave të Vendosjes. Lë të dëgjohet edhe zëri i arsyes, të një grupimi të madh: senatorësh, kongresmenësh, profesorësh, akademikësh dhe të intelektualëve të shquar të Amerikës. Kuadro të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane, gazetarët e medieve prestigjioze, të cilët nuk pajtohen me presionin paradoksal, që i bëhet Kosovës, për ta pranuar Asociacionin fatal njëetnik.

Ky model Asociacioni, është parathënie e ndarjes të Kosovës, grabitjes së heshtur të Kosovës Veriore. Barrikadimin një mujor të veriut të Kosovës, nga banditët e Beogradit, e konsiderojnë si turp të madh të EULEX-it dhe KFOR-it, përkatësisht, të Evropës dhe të Amerikës. Prandaj, ka ardhur koha të stopohet Serbia agresore, në pretendimet e saja të çmendura, për ta bërë Serbinë e Madhe, në kurriz të Kosovës, të Bosnjes, të Malit tëalbulena Zi, të Maqedonisë.

Emisarët evropianë dhe amerikanë, duhet të mësojnë më shumë, për historinë tragjike të Ballkanit, që nga shekulli 19 e deri sot, grabitjet e bëra nga Serbia, të territoreve të fqinjëve të saj, duke përfituar nga konjukturat politike dhe mbështetja direkte, dikur e Rusisë cariste, e pasuar nga Rusia Sovjetike dhe sot nga Rusia e tkurrur, por, gjithnjë, me ambicje perandorake.

Gjithnjë aktuale thirrja e poetit çek, Julius Fuçik, para skuadrës ekzekutuese fashiste:
Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.