Nga Engjëllushe Sheme Koltraka
T’i shkruaj historitë me taban
Asnjë fjalë të mos shkoj haram
Shqiptaria të gatitet në istikamet
Po thërret Prizereni ilirianët.
Viti njëmijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë
Shënoi Lidhjen Shqiptare të vërtetë
Nish Pervezë u ngrit vala e zjarrtë
Për shqiptari, ngjarja më e artë.
Xhamia e Prizerenit, një vatër e shenjtë
Treqind burra nga Atdheu i shtrenjtë
Lidhën besën e dhanë fjalën
Shpirtin shqiptar aty e ngjallën.
Si gjigand Imer Prizereni
Asnjëherë nuk të harrohet emni
O fjalëartë, zë shqiptarie
Lidhja Shqiptare të pati në krye.
Vrulli shqiptar tronditi Perandorinë
Shqipëria Etnike u mbush me frymë
Doli në pah guximi shqiptar
Me Abdy Frashërin Kryetar.
Ai në Prizeren erdhi me kolonjarë
Dhe Vebi Dibra me treqind dibranë
Të gjithë Kidnakë nga troja e Kastriotit
Si në kohën e Gjergj Kryezotit.
Në krye të Kidnakëve Elez Koltraka
Të gjithë me alltie e pushkë të gjata
Për Lidhjen u bënë mbrojtje e sigurtë
Në një sekond armikut në erë ia hidhnin trutë.
Sulejman Vokshi komandonte këtë gardë
Gjumë në sy nuk vinin as ditë as natë
Ndaj Lidhja zhvillonte punimet në siguri
Ndaj të gjitha vendimet u morën në harmoni.
Lidhja ishte më i rëndësishmi Kuvend
Dhe Przereni më i sigurti vend
Prizereni qyteti më i madh në Iliri
Me kalanë e bukur plot madhështi.
Me vendim të Lidhjes së Prizerenit
Abdy Frashëri do të shkonte në Kongres të Berlinit
Aty do të caktoheshin fatet e kombeve
Në fakt dolën djallëzitë e kobeve.
Kongresin e drejtonte Bismarku
Nuk e shihte tokën shqiptare të skuqur nga gjaku.
Shqipërinë e quajti “shprehje gjeografike”
Kjo ishte më e liga tragjedi komike…
Abdyl Frashëri fort e ngriti zërin…
Bismark, mos e hidh symbyllur zarin!
Padrejtësisht, mos ma copëto vatanin
Që nuk ke në kokë çallmë, falendero shqiptarin!
Se Gjergj Kastrioti mburojë iu bë Krishtërimit
Sulltanëve iu preu hovin e tërbimit
E ti do të ishe sot hoxhë në Kongres të Berlinit
Emri Bismark do shuhej prej harrimit.
Abdyl Frashërit i shkëlqente drita në sy
Për kombin shkriu tri barrë flori
Ata që i hëngrën na kanë tradhëtuar…
Kombin shqiptar e lanë të copëtuar!!!
Edhe trupin ia copëtuan Abdylit
Duke e lënduar në burgjet e qafirit
Sa qe gjallë mbrojti të vërtetën
Për të vërtetën e Kombit fali jetën…
Gjithkush i di këto histori
Por duhen kujtuar përsëri
Lidhja e Prizerenit u mbajt nën Perandori
Shqiptarët me guxim shpalosën trimëri.
Të qëndroje burrëorë nuk ishte kollaj
Shumë trima ranë, lanë nënat në vaj
U lënduan motrat e nuset e reja…
Të shenjta për shqiptarët Atdheu e Feja…
Ruajtën gjuhën, zakone e tradita
Toponime, oronime, hidronime të arta
Ata rrojnë sa të ketë në tokë jetë
Rrojnë po të kalojnë dhe me mijëra vjet.
Pyes më pleqtë, gërmoj në arkiva
Duke studiuar sa netë i gdhiva…
Nuk vdesin tridhjetë e dy fiset ilire
Në dyzet male janë xhevahire.
Më parë thirrej Gadishulli Ilirian
Dyndja sllave e ndryshoi në Gadishull Ballkan
Të shuanin origjinën përpiqeshin satanët
Por gjithmonë do të dështojnë mjeranët.
Ndaj mua nuk më hiqet meraku
Nëpër shekuj toka u skuq nga gjaku
Ndaj po përmend ngjarjet më pikante
Se heroizmi me njëri tjetrin ngjante.
Thërret Prizereni Ilirian
Sa shumë Frashëri me Fishtën ngjan
Sa shumë ngjajnë të gjitha kalatë
Ndaj secila ka nga një baladë.
Ndaj më shumë më shtohet mërzia
Kur shoh të ndara trojet e mia…
Me origjinë të lashta nga Pellazgjia
Po na e nxinë jetën tragjedia…
Tragjedia rëndon më shumë sot
Me njëri tjetrin nuk komunikojmë dot
Kemi shumë mjete komunikimi, jo si dikur
Atëhere me një zë bashkoheshim për flamur…
Se veç në Dibër ruhet amaneti
Ku mbret është populli e populli mbreti
Në Dibër të Madhe luhet diplomacia
E në Dibër të Vogël luan alltia.
Se tumat e Baramshit ruhen në Kolonjë
E varri i Strikçanit, në Dibrën zonjë.
Historitë ruhen mbi dheun e nëndheun
Siç ruan Dibra e Vogël Skënderbeun.
Të shkruash historinë tamam
Duhet të flasësh për Gadishullin Ilirian
Amanet na e la dhe Napoleon Bonopardi:
-Quhet Gadishull Ilirian,-tha zemërzjarrti.
Shumë figura të shquara botërore
Shqiptarëve u vlerësojnë të mëdhatë fitore
Siç është madhështore Lidhja e Prizerenit
Siç qe Beteja e Trojvogjlit për lirinë e vendit.
Thërret Prizereni Ilrian
Të bëjmë bashkë të shenjtin vatan!
Sllavo komunizmi për ne satan
Na ka ndarë me babë e nanë!
Na ka ndarë me vëlla e motër
Tjetërsu e thërmu tonën votër
Votrën e bekuar nga Perëndia
Votrën që na e ndriçon yjësia.
Lidhja e Prizerenit, një ngjarje madhështore
Ngriti në këmbë shqiptarinë për trojet arbërore
Nish Pervezë mori flakë toka
Nga heroizmi shqiptar u habit bota.
Nën Turqi mbetëm pesëqind vjet
Por gjuha e tradita nuk u tret
Se nënat shqiptare janë heroina
Për atdhe lindin e rritin trima…
Me guxim presin rrufe e vetima
Nga Janina, Shkupi, Ulqini e Prishtina
I ushqejnë me gjuhën e Fishtes e De Radës
Me gjosk përballojnë furinë e dallgës.
Nga Lidhja e Prizerenit kaloi një shekull
E përpiqen të na nxjerrin syrin nën vetull
Por shqiptari ka sytë e shqiponjës
Shumë larg i shikon djallëzitë e botës.
Që kërkojnë të majmen me tonën tragjedi…
Firmë ricopëtimi nuk guxon të vër njeri
Se Lidhja e Przerenit është gjallë përsëri
I djeg, i përvëlon, i bën shkrumb e hi.
Ndaj ju historianë të rinj e pleq
Dikush padrejtësinë duhet ta ndreq
Abdy Frashëri po thërret nga varri
Bëhuni bashkë kush është bir shqiptari.
Në katër vilajete e në diasporë
Të zgjatet karvani si krushqit me dasmorë
Të bëhet dasma me traditë shqiptare
Të tunden fusha e të dridhen male…
Njëqind vjet veç turbullira
U bënë bashkë e keqja dhe e mira
U bënë bashkë liria dhe dhuna
Armikut duhet t’i thyhet hunda.
Duhet mbajtur një Lidhje e Re
Fiset ilire të gëzojnë në hare
Bashkimin e shpejtë po e shoh me sy
Në dyzet malet ilire larë me flori.
Këto të dhëna nuk janë hamendjet e mia
Në faqe të shkruara i ka historia
Në shqip lexohen si të freskëta
T’i mësojnë mirë nipër e mbesa.
Se kanë gjak shqiptar ndaj janë gjeni
Në botë shkëlqejnë me krenari
Për shqiptari ata janë shpresa
Nga shpirti i tyre largohet dënesa.
Ndaj thërret Prizereni Ilirian
Prizereni i bukur rrugët me kalldrëm
Të bashkohemi sot në emër të Zotit
Të bëjmë bashkë trojen e Kastriotit.
Lidhja e Prizerenit si Besëlidhja e Lezhës
Gdhendur fort në memorien e kujtesës
Katër Vilajete të mos ndahen kurrë
Në një Komb e një Flamur.
Tiranë, më 14/03/2026
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar











