“Tri Gota” Antologji e poetëve kroatë

0
379
Tri gota - Antologji e poetëve kroatë

Libri ka 180 faqe dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “Fad”, 2022, Prishtinë

Kroacia shquhet për etjen e përhershme për liri, ka luftëtarë trima dhe poetë të mrekullueshëm.

Është tokë e larë në gjak, tokë gurore dhe e pëlleshme në pjesën më të madhe e stërpikur nga uji i njelmët i detit Adriatik. Ka qytete, të cilat vetëm njëherë t’i vizitoi njeriu do të dashurohet në shtëpitë dhe kështjellat prej gurit, brenda të cilave rrah zemra dhe shpirti kroatë. Rrah zemra e poetëve të shquar, ndër të cilët veçohen dhe August Harambashiq, Andrija Palmoviq, Mirko Bogoviq, Antuna Gustava Matosha, Antuna Branka Shimiqa, Tin Ujeviq, Vesne Parun, Silvia Strahimir Kranqeviq, Dragutin Domjaniq, të cilët do t’i gjeni në këtë antologji të përkthyer në gjuhën shqipe.

Antologjia „Tri gota“ ka për qëllim t’i njoh lexuesit e pa informuar shqiptar me krijimtarinë poetike kroate. Nga secili autorë janë përzgjedhur dhe përkthyer nga disa poezi. Në fillim është botuar biografia e secilit autorë, pastaj do të pasojnë poezitë.

Poezitë kanë vlera të larta artistike dhe tematike. Deri më tani të gjithë këta autor janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, ku fjala e kritikës ka qenë e nivelit të lartë, andaj ne kemi zgjedhur që pikërisht këta autor të jenë të prezantuar në gjuhën shqipe.

Një vepër antologji është një histori në vete. Është një kor poetësh që i këndojnë atdheu dhe dashurisë me vargje, të cilat do të jetojnë me kohën. Ta zëmë, kjo antologji do të flasë kulturën dhe traditën e lavdishme të popullit kroatë e cila do të jetë një pasurim i vlerave artistike këtu tek ne. Më këtë projekt do të promovohet letërsia kroate. Libri do të botohet në kuadër të serisë së botimeve “Antologji e poezive të letërsisë botërore”. Përmbledhja “Tri gota” është hartuar me përkushtim nga redaksia e Shtëpisë Botuese “Fad” dhe është përkthyer nga Fatmire Duraku, njohëse e mirë e gjuhës kroate.

Përkthimi i antologjisë “Tri gota” është përkthyer në mënyrë mjeshtërore duke ruajtur përmbajtje e poezive strukturë e vargjeve dhe të strofave. Është përkushtuar mjaftë në ritmin e vargjeve duke ndjekur normat dhe format origjinale të poezive.

Libri hapet me vjershat e poetes Vesna Parun (1922 – 2010), e cila konsiderohet si një nga figurat më të shquara të poezisë kroate në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Ajo e zuri vend në letërsinë kroate falë lulëzimit të shprehjes së saj poetike, pasurisë së temave , motiveve dhe pjellorisë së saj krijuese. Poezia është domeni i vërtetë i Vesna Parunit, por pas librit të, dytë me poezi ajo filloi të shkruaj prozë dhe drama. Ka botuar mbi 60 libra me poezi e prozë. Ishte nxënëse e shkëlqyer dhe që në moshën 14-vjeçare e mbante veten duke dhënë mësim në një shkollë në Vis.

Përmbledhjen e saj të parë me poezi “Zora i Vihori”, e botoi në moshën 25 vjeçare. Që atëherë, ajo jetoi ekskluzivisht nga vepra e saj letrare. Ka përkthyer Rilke, Heine, Gëte, ka përkthyer libra edhe nga frëngjishtja, bullgarishtja, sllovenishtja. Ishte anëtare e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve, Vesna Parun mori çmime dhe mirënjohje të rëndësishme dhe të shumta. Parun ishte vula e cila shënon rendësin e zhvillimit të poezisë së fundit kroate. Librat me poezi u përkthyen në gjuhën angleze, sllovene, italiane, rumune, polake, greke, gjermane dhe maqedonase.

Antun Branko Shimiq (1898- 1925) ishte poet, eseist, kritik dhe përkthyes kroat. Shimiq u prezantua para lexuesve si një avangardist i dalluar, i cili vargjet e tij i ndërton mbi bazën e habisë ndaj botës dhe pavarësisht nga rregullat e organizimit gjuhësor dhe formal të krijimit të vargjeve të vendosura nga tradita ai i theu atë duke bërë një thyerje në letërsinë kroate. Ky autorë kishte fundin tragjik sikurse Migjen, ai vdiq në moshën njëzet e shtatë vjeçare, por la një krijimtari të pasur pas vetës.

Tin Ujeviq (1891-1955) poet, eseist, kritik, publicist dhe përkthyes kroat i cili njihet si vula e poezisë moderne kroate, ndryshe njihet edhe si poeti më produktiv dhe me vlera të larta artistike. Ai konsiderohej një shkrimtar me arsim të lartë, njohës i gjuhëve të huaja dhe njohës i mirë i letërsisë dhe artit vendor dhe botërorë. Kultura e tij e gjerë dhe interesimi për fusha të ndryshme të krijimit shpirtëror del në pah në prozën poetike, eseistiken dhe vlerësimet kritike. Në veprat e tij voluminoze letrare ka shumë shënime nga filozofia dhe estetika dhe vëzhgime për dukuri të ndryshme të letërsisë moderne.

Emri i tij i plotë ishte Augustin Josip Ujeviq. Autor i mbi shtatëdhjetë veprave letrare.

Dragutin Domjaniq ishte një nga poetët më të respektuar të dialektit kajkavian (Zagorjan). Në vitin 1927 u shpall kryetar i klubit PEN të Zagrebit. Ai gjithashtu mbajti postin të rëndësishëm në “Matica Hrvatska” (Nëna Kroate – revistë letrare)”. Filloi të shkruajë para se të mbaronte universitetin, kështu që poezinë e tij të parë me titull “Dashuria për atdheun” e botoi më 1892 në revistën “Brshljan”.

Në atë kohë ai përdorte pseudonimin Milivoj Seljan. Poezinë e parë të nënshkruar me emrin e tij e botoi në vitin 1895 në Vjenë. Ndonëse sot është një nga poetët më të njohur dhe më të respektuar dialektit kajkavian(Zagorjan). Përmbledhjen e parë ishte me poezi “Këngët” që u botoi në vitin 1909. Përmbledhjet e mëvonshme me vjersha që arritën sukses të madh ishin përmbledhjet e vjershave në dialektin kajkaviane në të cilat përveç motiveve patriotike përdor edhe motive të kulturës popullore.

Librat me poezi: “Statuja dhe vjershat”, “Në vendin e dashur”, “Është e vështirë të plakesh” e të tjera e bën atë të njohur në gjithë hapësirat kroatfolëse. Megjithatë, mund të thuhet se suksesin më të madh e ka arritur me vjershat kajkaviane, përkatësisht “Kam shkruar një këngë” dhe “Faleminderit”, të cilat janë një nga këngët më të njohura në letërsinë kroate. Për shkak të popullaritetit të madh, këngët u muzikuan me aranzhim të Vlaho Paljetak. Këngët e përmendura nuk ranë nga popullaritet, ndaj janë të njohura edhe sot.

Kompozitorë të tjerë kroatë si Igor Kuljeriq, Emil Cossetto dhe Ivana Lang muzikuan disa nga këngët e tij. Ai është shkrimtari i parë i letërsisë kroate që e kuptoi në mënyrë të plotë dhe të pjekur artistikisht melodisë dhe ritmin e dialektit kajkavian. Të gjitha këngët i këndoi në gjuhën letrare kajkaviane. Ai shkroi gjithashtu disa fragmente në prozë dhe një numër të madh paraqitjesh letrare.

Përktheu pjesë të H. Heine, J. W. Goethe, S. Mallarmé, C. Baudelaire, L. N. Tolstoy e të tjerë.

Antun Gustav Matosh ( 1873 – 1914) ishte një poet, romancier, kolumnist, eseist dhe shkrimtar kroat, i cili iu përkushtua plotësisht shkrimit dhe muzikës. Si shkrimtar, Antun Gustav Matosha u shfaq me tregimin “Fuqia e ndërgjegjes” në 1892, i cili së bashku me “Mendimin për përjetësinë e Leskovares”, shpallet modernist dhe ishte figura qendrore e modernitetit kroatë. Si poet u shfaq relativisht vonë, kur tashmë ishte formuar si njeri dhe si shkrimtar. Ai shkroi poezi nën ndikimin e Bodlerit dhe poetëve francezë. Deri sa jetonte në Paris ai u njoh plotësisht me lëvizjet më të fundit artistike dhe përvojat e tij me poezinë e Ch. Baudelaire, Parnassianë dhe simbolistët francezë. Në ato pesë vite ai shkroi edhe një pjesë të madhe të prozës dhe poezisë së tij fiksionale.

Silvije Strahimir Kranjçeviq, poete kroat ( 1865 – 1908). Përmbledhjen e parë “Gratë bullgare” (1885) kjo përmbledhje letrare u shqua si përmbledhja më e mirë e sllavëve të jugut e fund të shekullit të18, në 1898, u botuan poezitë e tij të zgjedhura, të cilat e promovuan atë në një poet kryesor kroat. Ai gjithashtu përktheu disa nga poezitë e Gëtes, Heines dhe Bajronit dhe një fragment nga drama e Shekspirit Jul Cezari. Kranjçeviqi si poet i ri u formua nën ndikimin mbizotërues të A. Shenoas dhe A. Harambashiqit në frymën e poezisë atdhetare të kohës me stil jashtëzakonisht të mirë.

Që në fillim, ai përdori në mënyrë sovrane një numër të madh formash të vargjeve të theksuara rrokjesh që u vendosën në poezinë kroate në vitet 1870. Ai përdori gjithashtu përshtatje moderne (të theksuara) të strofave klasike. Nga poezia kroate e shekullit të nëntëmbëdhjetë, por edhe nga poezia evropiane pararomantike dhe romantike. Poezia e Kranjçeviqit përjetoi një njohje përfundimtare dhe një kuptim më të plotë pas Luftës së Dytë Botërore. Sot, ai konsiderohet si poeti më i madh i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe një urë lidhëse për poezinë moderne, me gamën e tematikës së tij tejkaloi gjithçka që kishte ekzistuar deri atëherë në skenën e poezisë kroate.

August Harambashiq (1861-1911).Krahas letërsisë, Harambashiqi është marrë edhe me gjuhë. Përktheu dhe shumë shkrimtarë të mëdhenj evropianë, si Sofokliu, Shekspiri, Gëte, Gogoli, Pushkini, Tolstoi, Turgenevi e shumë të tjerë. Ai përktheu vepra nga gjuhët bullgare, çeke, polake, ruse, frënge, italiane dhe gjermane. Vepra e veçanta të Harambashiqit ishin shakat-skeçet që i realizoi me gjuhë, e jo me subjekt. Përveç kësaj, ai shkroi shumë poezi dhe tregime për fëmijë dhe të rritur. Më 1889, në „Matica Hrvatska“ botoi „Prozat poetike“, dhe në 1895, një përmbledhje me poezi të zgjedhura. Në kulmin e krijimtarisë së tij poetike, Harambashiq u quajt poeti më i madh kroat në vitet 1880 i cili botoi një numër të konsiderueshëm librash.

Andrija Palmoviq ishte prift dhe poet kroat, të cilin Branko Vodnik e quajti poetin më të madh lirik të kohës. Ai shkroi rreth pesëdhjetë këngë, gjithashtu shkroi balada dhe romanca që u botuan në disa revista. Ai ishte pjesë e një grupi shkrimtarësh kroatë të shekullit të 19-të, në veprat e të cilëve shfaqen motive për arabët. Në vitin 1873, së bashku me Gjuro Arnoldin dhe Rikard Jorgovaniq, Palmoviq ishte pjesë e redaksisë së revistës “Matica Hrvatska” dhe “Vienca”. Ai shkroi nën ndikimin e Shenoas, Preradoviq-it, por edhe Mickiewicz-it dhe të poezisë gjermane. Është i njohur për realizimin e mirë të “Kurorës Sonetike” të vitit 1874, i kënduar në rrëfimi poetik elegjiak ” Agimi i Veronika” e vitit 1878 dhe i ciklit trepjesësh “Elegjia e Zagorskut ” e vitit 1877.

Në mënyrë të çuditshme ai u cilësua si letrar klasik, trajtonte romantizmin evropiane të kohës dhe këngët popullore. Ishte një poet i shquar romantik kroat, vepra e të cilit përbëhet nga poema patriotike dhe fetare. Në krijimtarinë e tij, si autor i baladave, elegjive, soneteve, këngëve, romancave, përkujtimoreve dhe romaneve, ai e provoi dorën e tij në zhanre të shumta letrare. Me dëshirën për të përsosur formalisht vargjet e tij, ai provoi edhe risitë e tij metrike. Në veprat e tij mbizotërojnë motivet patriotike dhe dashuria ku i përshkruan pothuajse të gjitha në hapësirën kombëtare kroate.

Mirko Bogoviq (1816 – 1893 ), poet dhe politikan kroat i cili la pas vepra të pasura letrare. Në letërsi u shfaq me poezi në gjuhën gjermane dhe i botoi në revistën “Croatia” nga viti 1839 deri në 1842.

Poezia e tij e parë në gjuhën kroate u shtyp në “Danica Ilirska” në vitin 1841. Librat me poezi: “Dashuria”, “Buzëqeshje” dhe “Zërat e Atdheut” i përshtaten standardit ilir siç është cilësuar nga kritika letrare kroate. Poezitë u botua ne shumë revista të kohës dhe u përkthyen në gjermanisht e frëngjish dhe hungarisht. Dramat e tij “Frankopan”, “Stjefani, mbreti i fundit i Bosnjës” dhe “Matija Gubec, mbreti i fshatarëve” janë tematikash të përqendruara në ngjarje nga historia kroate dhe janë krijuar të gjitha gjatë epokës së absolutizmit dhe të situatën aktuale politike të asaj kohe. Të shkruar nën ndikimin e dukshëm të Friedrich Schiller dhe William Shakespeare – në parime dhe në një frymë sentimentale-romantike.

Romanet “Festa e Dashurisë” dhe “Fyelli i zjarrtë”, të veshura me materie nga jeta bashkëkohore të Bogoviqit janë të përfaqësuara dhe kanë zënë vend në Leksikun e Shkrimtarëve Kroatë dhe në Leksikun Biografik.

Të gjithë këta poetë janë varrosur në arkadën Ilire në Mirogoj në Zagreb, ku varrosen vetëm figurat e shquara Kroate.

Poetët që janë përfshirë në këtë antologji ishin njohës të mirë të disa gjuhëve rajonale dhe botërore, andaj dhe ishin njohës të mirë të letërsisë evropiane dhe pasuruan letërsinë kroate e cila ishte e avancuar nga kulturat e letërsisë së rajonit.

Është mirë që autorët në fjalë vijnë në gjuhën shqipe dhe lexuesi ynë të ketë qasje në poezinë e shekujve të kaluar të poetëve kroatë të cilët janë emblemat e poezisë kroate(dhe jo vetëm këta por dhe shumë të tjerë) të cilët me veprat e tyre krijuan historinë e letërsisë moderne kroate.

Libri ka 186 faqe dhe do të jetë një pasurim i letërsisë së huaj në bibliotekat tona.

Redaktore e librit
Eluizë Lumi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.