POEZIA SI PËRSIATJE

0
585
Namik Selmani

(Më tepër se një Ese bashkëkohore për poezinë)

Nga Namik Selmani, Studiues

Ishim vënë para mikrofonit gati magjik të Radio Tiranës atë mbrëmje pranvere, në atë emision të drejtpërdrejtë të natës së vonë të 21 Marsit që po na dërgonte në kufinjtë e mesnatës. Në atë dhomë transmetimi ku shpesh vendin e fjalës e zinin duart, sytë, stilopapsi i ngritur lart, shenjat e drejtimit për nisjen apo zbutjen e muzikës, të shumë detajeve teknike që ka emisioni i drejtpërdrejtë, unë dhe poeti i njohur në të njëjtën kohë dhe drejtuesi i emisionit të asaj nate i mirënjohuri Agim Xheka po na mundonte fort përgjigjja e saktë, e munguar për atë pyetje të thjeshtë që ai po ua bëntë dëgjuesve të Radio Tiranës. Shtrohej një pyetje e thjeshtë: “Ç’ju kujton Dita e 21 Marsit?”

Profesionalizmi i Agimit në atë përvojë shumëvjeçare dhe me atë zë kaq të bukur e kishte bërë punën e vet që ata, dëgjuesit, të deklaronin sa më shpejt se kjo ishte Dita Ndërkombëtare e Poezisë, po nuk mundëte dot që të ngrinte atë opinion kaq të vakët anemik që ka sot publiku i gjërë për librin, për letërsinë dhe në veçanti për poezinë. Mjaft dëgjues që telefononin nga afër e nga larg, nisën të rreshtonin sa e sa Ditë të ndryshme me karakter social, pagan, politik, fetar.. Hapja me botën, po dhe tradita jo e vogël e përkujtimit të ditëve në formën e një feste apo të një përkujtimi, e ka zgjeruar këtë hartë festash, po gjithsesi përgjigja e festës së poezisë po largohej. Dhimbshurisht. Klithmues gjendja, edhe pse po buzëqeshnim me disa përgjigje deri në naivitet për këtë ditë. Dita e të Verbërve, e Njerëzve në Nevojë, Dita e Hashures, Dita e Pranverës…

Larg përgjigjja. Në kohët që po jetojmë jasht kalendarit zyrtar ku janë dhe ditët e pushimit, njerëzit kanë krijuar edhe festa të veçanta si Festa e Beqarëve pas 14 Shkurtit, kanë krijuar Ditën e Grave të Pamartuara pas 8 Marsit. Veç për poezinë nuk kanë menduar as dhe në ditën zyrtare të saj. Duhej që të lexohej një poezi nga ana ime që i bënte me titull “De Radës” që i bënte homazh poetit tonë kombëtar Jeronim De Rada që të ngacmohej pak dëgjuesi i të gjithë moshave. Para pak kohësh ky poet zëmençur pati dhe 200–vjetorin e lindjes. Më në fund, dikush tha se 21 Marsi ishte Dita Ndërkombëtare e Poezisë dhe emisioni mori rrjedhën e duhur kur kishin kaluar gati gjysëm ore emision.

U kujtuan poetë shqiptarë, botërorë. U recituan shumë vargje. Në atë heshtje në ato përgjigje, shpesh dhe pak komike, edhe pse të sinqerta, mund të meditoje shumë, shumë, për poezinë dhe për vendin që ajo zë sot në jetën kulturore sociale të popullit të lexuesve, aq të moshës së rinisë që duhet të jenë konsumatorët më të mëdhenj në numër për të. Nuk e di se kur e krijoi njeriu poezinë e parë me mendje dhe me shkrim ose me gojë. Para se të bënte një lloj këpuce me lëkurët e kafshëve të egra për të mbrojtur putrat e këmbëve nga rëra e nxehtë, nga guri i dhëmbëzuar që mund ta gjakoste, nga bora që mund ta ngrinte, apo para se të ngrinte në kulmin e tij një çati me kashtë në një kasolle të thjeshtë për të mundur litarët e shiut apo rrezet përvëluese të diellit?

Asnjë nuk mund të quhet mëkatar nëse thotë të dyja përgjigjet. Veç një gjë është e qartë: Që kur njeriu i parë Adam bëri bashkë me Evën mëkatin e dashurisë dhe të rebelimit ndaj Urdhërave të prerë që vinin nga lart, ka lindur dhe poezia. Poezia u bë bashkëudhëtare e njeriut. Atëherë dhe sot. Pavarësisht se në cilën gjuhë është artikuluar ajo, pavarësisht se në cilin auditor apo vend është publikuar. Shumë herë është fshehur pas anonimatit të egër, por dhe kaq të bukur, për një lavdi që është më e bukur kështu me këtë autor mister.. Poezia u bë mjalti i mjaltit i shpirtit, si themi sot për fëmijët e fëmijëve tanë që vetëm ata që e kanë jetuar mund ta provojnë se sa poezi ka në shpirtin e tyre.

Mori përsipër poezia që të fliste për luftrat, për paqen. Për dhimbjet e për dashuritë. Për gratë lehona e për vdekjet tragjike. Mori përsipër që të bashkonte kombe me miliona njerëz në atë tekst sado të shkurtër të Himnit Kombëtar.

Mori përsipër që të shkruante për perandorë mbretër (të ngrinte piramida shkronjash për to shumë më të larta se ato të Keopsit në Egjipt). Mori përsipër poezia që të shkruante për mbretër, intrigën, satirën, mjegullat, tryezat, furkat e leshit, tokën, qiellin, diellin, burgjet, shirat, perëndimet e lindjet e përflakura, për lulet, këmbanat e kishave dhe të manastirëve plagët e luftrave e puthjet e të dashuruarëve…

E ja, tani ne jemi ballë saj. Ose më saktë, ajo është sërish ballë nesh. Herë si vajzë e sapodashuruar, herë e mëkatuar me vetveten dhe nga ne që nuk ia dimë vlerën e vërtetë këtij misteri që ka krijuar bota dhe vetë njeriu për lumturinë e shpirtit të tij. Nuk ka rëndësi gjithsesi se cila është Dita e Poezisë, 21 Marsi, apo një datë tjetër. Do të thoja se është një ditë e bukur. Është një simbolikë e ndërrimit jo të stinëve të natyrës sidomos në Evropë ku duket se kufinjtë e stinëve janë shumë të qartë si të ndarë me thikë të mprehtë, por dhe të stinëve të jetës njerëzore që nuk mund të ndahen kaq prerë e nuk mund të jetohen pa Stinën e Poezisë, pavarësisht se në cilën gjuhë shkruhet apo ngjitet në skenë.

ÇDO NJERI ËSHTË POET I MADH BRENDA VETES

Loti i derdhur, emocioni, urrejtja, dhimbja, revolta, lumturia, ankthi, izolimi, që shpesh na kaplon të gjithëve që nga fëmijëria, emocioni i dashurisë dhe trishtimi i largimit të të afërmëve nga jeta, i një provimi, i një feste, dhimbja që na jep mërgimi dhe malli që na ndez trupin dhe gjumin, janë pjesët e poezisë që pikëlohen pak nga pak brenda një shpirti, brenda shpirtërave të trupave tanë, shpesh të lodhur dhe pa punuar fare.

Ne, shqiptarët, e nisëm pak vonë poezinë. Ajo e kultivuara pati një pararendëse të fortë si poezia folklorike si legjenda, kënga e kreshnikëve që gjithsesi edhe ato i përkasin shekullit XIII. Më vonë kurorën e kryepopoetit Pjetër Budit. Shumë fajtorë na bënë ne mëkatarë ndaj vetes. Në vërshimin e qindra librave me poezi në të gjithë trojet tona e në Diasporë, duke ndjekur poezinë në tribunat e panumërta që shohim nga muaji në muaj, nga viti në vit, nga televizioni në televizion, nuk duhet të themi sot se kemi shumë poezi e pak poetë. Po ajo na vë sot përballë një lloj dyzimi për cilësinë e saj.

Shumë libra poetikë, qoftë dhe dukshëm cilësorë nuk njihen në vende të ndyshme, në qytete të ndryshme, larg vendbanimit të autorit. Kështu një libër i mirë poetik i botuar në Durrës, Korçë, Sarandë, Berat ( shpesh dhe të botuar në disa shtëpi botuese në këto qytete që, për arsye të “kursimit“ të parave, nuk vënë as ISBN) as që bëhet fjalë të njihet në Tiranë, Prizren pa le në Tetovë. Ky fakt na bën të mendojmë se dhe gara, nëse bëhet me një dozë zyrtarizmi, është fare e pasaktë. Ajo bëhet në një rreth të mbyllur poetësh dhe po aty mbaron.

Me që jemi te ky argument, do të thonim një fakt tejet të dhimbshëm. Nëse një poeti merr mundimin që të vijnë në Tiranë (ose dhe vetë ai i Tiranës, e të shkojë në dy libraritë që merren me shpërndarjen e librit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për të sjellë librat e tyre poetikë, për të cilët, me be e rrufe, thonë se e kanë shumë cilësor, menjëherë gjejnë një gardian të fortë për të mos e marrë përsipër shpërndarjen e librit pa i lexuar asnjë varg a radhë parathënieje. Argumenti??? Nuk e do njeri poezinë!!!! Nuk e marrin librarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Pa koment!!!

Edhe bibliotekat e qyeteve ku banojnë poetët e atij qyteti, nuk i marrin librat e tyre, sepse nuk ka para për t’i blerë dhe se fondet, sipas tyre, janë të pakta. A mund të kuptohet misioni i një biblioteke pa vënë në arkivin e saj të gjithë krijuesit e veprat që botohen në atë qytet? Besoj se duhet bërë sa më parë dhe drejtuesit e kulturës së atij qyteti ta ndjekin botimin, autorët made dhe ata që janë larg këtij qyteti, por që kanë botuar libra të mrë e të rëndësishëm për arkiv, për brezat. Në këtë pikë do të thonim se do të ishte një përrrallë e bukur, nëse këtë gjë ta bënte Shtëpia Botuese që e ka marrë përsipër botimin e tij. Pa folur me emra, do të thonim se Shtëpitë Botuese që kërkojnë të bëjnë një punë pak më të ndryshme nga ajo traditë e keqe, kanë nisur të bëjnë këtë gjë vetëm si njoftim në rrjetet e tyre internetike. Edhe këtu kuptohet me superlativa fjalësh për atë x botim që kanë bërë (ose më saktë kanë marrë paratë).

Atëherë logjika e administrimit sa më të mirë masiv të librit na dërgon tek promovimi i tyre që do të ishte problem më i mprehtë. Për të bërë një marrëveshje fjale me këto ceremoni duhet ta ndërrojmë termin “promovim” me atë “Përurim”. E në të gjihë përurimet e botës ku është dhe Shqiptaria jonë, në to ka vetëm buzëqeshje, hosanara, pak recitime nëse është menduar (se edhe këto mungojnë). Sipas xhepit dhe ndonjë koktej, ca libra që ndahen falas ose qëndrojnë atje si ushtarët që presin të ndërrojnë duart dhe aspak më shumë. A ka dikush që në këtë Promovim (lexo: përurim) të ngrihet e të thotë hapataz, publikisht disa të meta të dukshme, qoftë dhe gjuhësore, për librin e marrë në duar ose që diskutohet shpesh pa e lexuar atë masivisht? Askush nuk e merr këtë mision që nuk është dashakeq, por i domosdoshëm për t’u bërë qoftë për autorin e vëllimit, qoftë dhe për letërsinë shqiptare të dy krahëve të kufirit në përgjithësi.

Sërish në këtë argument do të doja të kisha ballë meje miqësisht një opozitar mendimi që të më thoshte se këtë gjë e bëjnë pak mirë Klubet e Shkrimtarëve në rrethe ose në Tiranë. Në kohët që jetojmë është e vërtetë që, të paktën në Shqipëri, ka disa Klube letrare në disa rrethe. Ato i ka ngritur vetëm shpirti poetik dhe dëshira e madhe për t’u organizuar dhe shkrimtarët në një botë me kaq ritëm ku jo të gjithë mendojnë për t’i ngrohur ata në misionin e madh të fisnikërimit të kombit. Duhet thënë se jo të gjithë, për të mos thënë se janë të pakët ato Klube që kanë të atën një zyrë të thjeshtë për të bërë atë punë kaq të bukur. Mungojnë fondet se Ministria nuk planifikon për ta disa fonde administrative, për konkurset që ata mund të organizojnë për ditë të caktuara poetike.

Edhe porta e tyre është e mbyllur. Në ndonjë promovim që bëjnë thërrasin miq nga Tirana, nga rrethet e heshtje, këtu mbyllet. Nuk ka në to një arkiv të plotë të librave të autorëve pjesëmarrës. Problemi shkon më tej nëse në to më shumë i mëshohet poezisë e jo prozës se mungon një ngrohtësi e tillë për ta. Edhe Klubet e ngritura në Diasporë nuk kanë forcë që të ngrihen në shkallë kombëtare, po e mbyllin punën e tyre në atë qytet të vogël ku ata janë ngritur falë dhe mirëkuptimit të një shteti të caktuar që jo rrallë edhe i mbështet në aktivitetin e tyre kombëtar.

E për ta bërë gati më alarmant këtë gjë, ende ne nuk kemi një organizëm kombëtar në shtetin administrativ shqiptar si ka sot Kosova. Përplasjet e shumta që u bënë para disa vitesh e goditën keqaz këtë organizim. Degët e Korçës, Elbasanit, Gjirokastrës, Durrësit shpesh kanë uljengritje dhe brenda vetes. Nuk ka një Lidhje të Shkrimtarëve të Kosovës. Me projektet që ka bërë kjo Lidhje ku dhe unë kam qenë disa herë i pranishëm, ka një fare rregullsie, po gjithsesi edhe atje mund të bëhet më shumë, pa folur shpesh për në frymë pak sa konfliktuale që ka mes këtyre klubeve shoqatave me njëra-tjetrën për probleme të ndryshme.

As që bëhet fjalë për një organizëm letrar që të mbledhë në një listë projekte afatgjatë për zhvillimin e poezisë në shkallë kombëtare e në atë ndërkombëtare. Në një klimë të harmonizuar të paktën në pamje mes bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, të gjenden mekanizmat, njerëzit, fondet, mënyrat që të bëhet dhe një bashkim, një organizim me rregulla të forta për krijuesit shqitarë e mandej të mendohet dhe për botime letrare për promovime, për konkurse të sakta e gjithëpërfshirëse?? Pa dyshim që duhet bërë po kur, si ??????? Të mos monologojmë me Sheksprin “Fjalë, imzot, fjalë!!!”

E kam thënë dhe po e përsëris që të më falni për mëkatin e përsiatjes, po përvoja e librave të mia poetikë dhe të redaktimit të mjaft librave poetikë të miqve të mi në të gjithë kontinentet, më jep pak të drejtë morale që të bëj disa përfundime që lidhen me të. Me rrugën e bërë dhe me atë që do të prekim afër e larg. Nuk dua të bie në grackën e moralistit, Gjithsesi dua të që jap disa mendime. Përballë një cilësie të dobët të poezive tona që janë shuar në kujtesë sapo ato botohen mund të pyesim ose të kritikojmë dhe rolin e redaktorit. Për këtë pyesim: “A duhet roli i redaktorit në këto libra? Pse duhet që redaktori (gjykohet se është një poet me përvojë letrare dhe një specialist i kësaj fushe) të marrë mëkatin e një poezie shumë të dobët në artin e rrëfimit poetik?“

Në figuracionin e dobët letrar e në të gjithë përbërësit e një poezie që mbetet e duhet të mbetet në kujtesën e brezave e jo si uji që thahet sa bie në një tokë të shkretëtirtë. Për të shkuar te qindra e mijëra gabime drejtshkrimore duke dëmtuar emrin e poetit që quhet në popull si njeri që flet bukur që shkruan bukur. Ndoshta në një periudhë shumë fillestare të poezisë, redaktori edhe mund që të jetë bashkëpunëtor i një poeti fillestar e pastaj le ta mbajë lavdinë e mëkatin vetë poeti e askush tjetër. Edhe për këtë mëdyshje, udhërrrëfyes do të jetë ballsami dhe gjykatësi i prolemit që për poezinë është i mprehtë.

POEZIA, INTERNET APO LIBËR?

Edhe këtu e di që nuk do marr përgjigjen e saktë të pyetjes. Po dua të pyes që të jap më tej argumentet e mia. Në kohët që jetojmë ka faqe personale në internet për një njeri që quhet ose vetëquhet POET ose POETE, ndryshe quhet dhe Kohështrirje. Veç publikimeve vë këtë faqe shumë poetë shkruajnë dhe hedhin poezitë e tyre dhe në disa portale elementare që kryesisht promovojnë poezi të mdryshme. Hedhin aty poezi që nga fëmijët e vegjël, adoleshentët, ata që nuk kanë bërë asnjë rresht libri (ndoshta dhe që nuk kanë lexuar libra të poetëve shqiptarë dhe botërorë) deri te ata që kanë bërë mbi 20 libra poetikë.)

Të gjithë me zë të lartë e themi se poezia ka zënë të gjithë faqet e internetit. Më e begata në komunikim. Një lloj që sipas tyre nuk do shumë mundim. Një lloj letrar që ka dhe pak personalizim? Të gjitha mund të jenë brenda këtij pohimi, po pas asaj mbetet jetim tregimi, proza poetike, mbetet romani, pale që të thuash se do të lexosh diku një pjesë dramatike të shkruar në kohët e fundit, të një drame a komedie. Mungon ndjeshëm reportazhi, mungon fejtoni dhe garën pa asnjë mëdyshje në masë e ka fituar POEZIA.

Autorët që kanë marrë përsipër që të ngrejnë faqet portuale të letërsisë e ato të poezisë në veçanti, duhet të jenë porta më e madhe e gabimeve që bëhen në shkrimin e gjuhës amtare. Ata kanë marrë përsipër në disa herë që të shmangin ofendimet e mundshme që bëhen në këto rrjete internetike, por me këtë ashpërsi dhe obligim njerëzor dhe kombëtar të merren dhe me gabimet gjuhësore. Për shembull, nuk faket që miqtë tanë nga Kosova, me qindra herë në vend të shkronjës “ç” të vënë shkronjën “q”.

Ose të vënë masivisht poezi pa “ë”. Le të jemi seriozë. Ta shkruajmë më parë poezinë e pastaj ta hedhim të rregullt atë në një portal letrar ose social. Edhe këtu mungon një garë. Mungon fantazia për të nxitur pjesëmarrësit krijues që do të ishte temë më vete e një diskutimi masiv, por që shpesh as nuk kërkohet si ide nga drejtuesit e portalit. Janë bërë mirë takimet e atyre që janë në një grup social ku ka valle, këngë, pije po nuk bëhet kjo vetëm me krijuesit e tij.

Po të falim cilësinë që është e dobët dhe nuk mund ta kufizosh, por jo, jo gjuhën. Po media elektronike a e bën si duhet një promovim të botimeve poetike? Hesht më mirë për këtë!!!!! Një rubrikë e një ose dy televizioneve kombëtarë me tre tituj librash ku gati asnjë nuk është vëllim me poezi, është pak gati dhe një pamje komike të misiont të reklamimit të librit. Mungojnë në to emisione për fjalën artistike në ekran Të tilla konkurse dhe në shkollat nuk planifikohen më. Nuk kërkohet që të ketë një konkurs masiv kombëtar të fjalës artistike. Ashtu si kërkohen konkurse për dëmin e drogës, të konfliktit, të duhanit, të Sidës etj. Mungojnë njerëzit, idetë, paratë? Të gjitha.

Edhe kritika letrare do rizgjuar. Shpesh flasin për mungesën e saj të gjithë, po pak e marrin lapsin që të shkruajnë . Edhe klubet ta nxisin këto mendime e të mos bëhen vetëm qaramanë e moralizues. Me dhjetra televizione në Tiranë e në rrethe nuk e marrin këtë gjë. Nuk shfaqin ne ekranet e tyre pjesë teatrale ashtu si bëhen me filmat më të rinj që të promovohet krijimtaria e autorëve tanë gjë që nuk është e mirë. Edhe Radiotelevizioni shqiptar duhet të bëjë shumë për këtë gjë.

Në këtë përsiatje më shkoi në mendje aktiviteti letrar që ka marrë përsipër që të promovojë një Klub Letrar MUZA që ndodhet në Tiranë, vetëm pak metra larg qendrës së qytetit i drejuar nga një piktor i talentuar . Duket se janë në miniaturë idetë e bukura e aspak të parealizueshme për të ngritur dhe më shumë këtë punë të bukur. Mjeshtri i Artit nuk nuk mund të “mundë” këtë frymë shpesh të egër për artin e shkronjës, po gjithsesi ai është një dallandyshe e mirë e pranverës së artit shqiptar jo vetëm në Tiranë, por dhe në bashkëpunim me shkrimtarë të trojeve tona në Kosovë, Maqedoni e më gjërë.

Po afronte mesnata. Duheshin vetëm disa minuta e poezia e bukur, mendimet e mjaft dëgjuesve që flisnin me shumë dashuri për poezinë atë 21 Mars, na ngrohën dhe na shtuan bindjen që mos qoftë ëndërr, se poezia nuk e humb kurrë shtratin e shpirtit njerëzor prej nga ka dalë dhe ku e ka stacionin e fundit të saj. Mjafton ta gjejmë atë, ta ngrohim dhe më shumë atë përballë një mjedisi që shpesh është vrastar jo vetëm për poezinë, por dhe për shumë e shumë gjëra të tjera të domosdoshme të njeriut.

(Mars, 2015)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.