Nga Grid Rroji
Të mërkurën, më 27 Nëntor 2024, pushoi së rrahuri zemra shqiptare e prof. Sami Repishtit, një intelektual shqiptar humanist, dhe njëra nga figurat më të shquara të shqiptarëve të Amerikës.
Prof. Repishti ishte intelektual i mendimit bashkohor, figurë qendrore e promovimit të Çështjes Kombëtare Shqiptare në Uashington e nëpër botë, por edhe i vlerave demokratike dhe lirisë së mendimit në të gjitha trojet shqiptare. E gjithë vepra e tij publike ju kushtua shqiptarëve dhe përparimit të tyre.
Prof. Sami Repishti ishte kushëriri i babës tim, dhe unë kam nder që ai më thirrte nip e unë atë axhë. Ndaj dhe në këto radhë, dua t’a kujtoj Axhin Sami, siç e kam thirrë përherë, jo vetëm nëpërmjet veprimtarisë së tij publike, e cila ju duhet bërë e njohur shumë më tepër brezave të ardhshëm, por edhe nëpërmjet copëzave të jetës që pata fatin dhe nderin ti ndaj me të.
Veprimtaria e Sami Repishtit shtrihet përmbi 5 dekada dhe përfshin shumë çështje, por mbi të gjitha ai ja dedikoi jetën e vet publike Çështjes Kombëtare Shqiptare dhe Kosovës. Sami Repishti ishte një vlerë e çmuar për kombin shqiptar dhe humbja e tij e varfëron mendimin intelektual shqiptar.
Qysh në rini, Sami Repishti u shqua për idealizmin e tij dhe dashurinë për kombin e vet, të cilin e desh me përkushtim e pa kushte deri në ditën e fundit të jetës.
Sami Repishti kishte bindje social demokrate, ishte ithtar i demokracisë, fjalës dhe mendimit të lirë, dhe I paqes nëpër botë. Por Sami Repishti nuk ju largua betejave dhe sfidave, përkundrazi, i luftoi ato ashtu siç dinte ai, me konsekuencë mendimi dhe mospërkulje ndaj padrejtësisë por edhe me një humanizëm të pashoq. Kombi shqiptar do të prodhojë bij e bija të denja në të ardhmen, por askush nuk do mundet me qenë më i denjë se Sami Repishti.
Sami Repishti ishte antifashist i hershëm.Ai mori pjesë në shumë demonstrata dhe veprimtari antifashiste gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Në një nga bisedat me të para disa vitesh, më tregonte se si ishte angazhuar në Lëvizjen Antifashiste në qytetin e Shkodrës por kishte pësuar zhgënjim të thellë kur ish shokët e tij të aktivitetit antifashist, ishin kthyer në xhelatë të popullit të vet. “Kjo nuk asht ajo për çka luftuem e u përpoqëm”- i kishte thënë shokut të vet i cili kish shkuar për ta futur në strukturat komuniste.
Për shkak të bindjeve të tija anti-komuniste dhe mospërkuljes ndaj të keqes, regjimi i Enver Hoxhës e burgosi për 11 vjet. Pas daljes nga burgu, Sami Repishti mori vendimin e vështirë të largimit nga atdheu i dashur ku e përndiqnin komunistët dhe ishte i bindur se do t’a fusnin në burg sërish me sebepe gjithfarësh.
Në mërgim, Sami Repishti, edhe pse në moshë jo të fort të re, ju dedikua studimeve dhe kreu doktoraturën në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut dhe të Sorbonës në Paris.
Temën e disertacionit ja përkushtoi veprës së Andre Malrosë, një intelektual antifashist francez i cili kishte luftuar me armë kundër nazistëve, dhe më pas u angazhua në politikë si ministër kulture në qeverinë De Gol. Temat kryesore që trajton Malroja në librat e vet-studimi i brendisë së njeriut përkundrejt padrejtësisë, shtypjes dhe lirisë – jo rastësisht e tërhoqën profesor Repishtin. AI vetë e kishte provuar në kurriz dërrmimin e një shteti të padrejtë e terrorist, burgosjen politike dhe e kishte gjetur lirinë vetëm pasi kishte emigruar dhe ishte vendosur në sistemin demokratik amerikan.
Ashtu si Malroja, edhe Sami Repishti e shihte sistemin demokratik Perëndimor si pikë referimi për demokracinë kudo në botë dhe për këtë arsye ju përkushtua me shumë forcë aleancës së shqiptarëve me SHBA-të.
Midis viteve 80të dhe 90të Sami Repishti ishte njeriu i vetëm që udhëhoqi me maturi dhe inteligjencë veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës duke u kthyer në pikë referimi për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Uashington e më gjerë. Ai u kthye në fanarin e dijes dhe veprimit kombëtar atëherë kur komuniteti kishte me bollek financues dhe dëshirëmirë, por pak vizionarë e njerëz të përgatitur për t’’u përballur me sfidat e mëdha të kohës.
Vizioni i Sami Repishtit për nji Shqipni t’lirë, t’bashkueme e t’ begatë por mbi të gjitha demokratike ishte për dekada kumti i shqiptarëve të Amerikës. Ishte bashkëkrijues i Këshillit Kombëtar Shqiptar Amerikan (NAAC), dhe Rinisë Shqiptare në Botën e Lirë, të cilat i shndërroi në organizata referuese për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, për shtetin amerikan dhe organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut. Pa Sami Repishtin, e vërteta e terrorit serb nuk do kishte marrë vëmendjen e duhur dhe imazhi i shqiptarëve në Perëndim, e për rrjedhojë, qasja e Perëndimit ndaj tyre do ishte shumë më e pafavorshme.
Falë punës dhe intelektit të tij, Sami Repishti ja doli për me e kushtëzue pozitivisht opinionin e ligjbërësve në SHBA e më gjerë, në mënyrë që çështja shqiptare të trajtohej në kontekstin e duhur dhe bazuar mbi faktet reale e jo mbi trillimet serbe. Për këtë, kombi shqiptar do t’i jetë përherë mirënjohës birit të vet të denjë Sami Repishti. Për këtë qëllim ai organizoi dhjetëra takime, konferenca, simpoziume dhe seminare ku diskutohej çështja shqiptare bazuar në faktet historike e jo në mashtrimet e lobeve antishqiptare në Uashington.
Ndër shumë arritjet e tij, ma e randsishmja ishte përfaqësimi i çështjes së Kosovës përpara opinionit publik dhe shtetit amerikan me një vizion të qartë, të mirëargumentuar dhe të drejtë. Ishte koha kur Jugosllavia post-Titiste ishte “bija e dashur” e Perëndimit, lobi serb kishte dominuar skenën publike dhe çështja e Kosovës pengohej edhe nga imazhi negativ në Përëndim i regjimit komunist të Tiranës. Konferenca shkencore e organizuar bashkë me Profesor Arshi Pipën në vitin 1982, e cila prodhoi një përmbledhje të mendimit shqiptar në Perëndim mbi Çështjen Shqiptare dhe raportet e shqiptarëve me serbët, për shumë kohë u shndërrua në material udhërrëfyes për elitat Perëndimore.
Sami Repishti,dhe pak të tjerë, ja dolën që ti përfaqësojë shqiptarët dhe Kosovën denjësisht. Ata I treguan botës të vërtetën, vuajtjet e popullit të Kosovës nën regjimin e Milosheviçit, ju kujtuan padrejtësitë historike të bëra ndaj shqiptarëve, pahnxorrën shkeljen sistematike të të drejtave themelore të shqiptarëve në Kosovë, përkundër përpjekjes serbe për të na denigruar si të pazhvilluar e të paaftë për me krijue shtet. Ai i qëndroi gjithmonë besnik të vërtetës dhe kurrë nuk krijoi fakte thjesht për përfitim të çastit. Për këtë arsye, ai u kthye në një za të fuqishëm dhe të besueshëm në Uashington pa të cilin shumëçka nuk do ishte arritë në Kosovë e Shqipëri.
Memorandumet e tij të përvitshme Organizatës së Kombeve të Bashkuara paraqitnin një tablo të qartë të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe historikut të diskriminit të shqiptarëve nga serbët. Duke ja paraqitur të vërtetën botës, ai u kthye në një burim të çmuar i të dhënave mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Ndërhymja e NATO-s dhe mbështetja ndërkombëtare për Kosovën kundër regjimit gjakatar të Millosheviçit nuk do kishin qenë të mundura nëse nuk do ishin hedhur themelet shumë vite përpara, dhe ato themele i hodhi Sami Repishti bashkë me miqtë e tij. Kosova, toka martire e kombit shqiptar do t’i jetë mirënjohës përjetë Sami Repishtit për kontributin e tij.
Mbas rënies së komunizmit në vitet 90të, dhe pavarësimit të Kosovës, Sami Repishti e drejtoi vëmendjen drejt promovimit të vlerave demokratike dhe humaniste në trojet shqiptare. Megjithëse kishte vuajtur burgun politik në sistemin komunist, Sami Repishti nuk kërkoi kurrë shpagim. Dashuria e pamasë për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e lejonte me ra në gabime të tilla. Sami Repishti ishte humanist, por donte mbi të gjitha popullin shqiptar dhe punoi deri në fund për të arritur lirinë e tij dhe një regjim demokratik.
Ai i qëndroi bindjes së tij, se e keqja duhet pranuar botërisht dhe krimet e komunizmit duhen dokumentuar dhe mësuar brezave të rinj në mënyrë që mynxyra të mos përsëritet. Kujtimet e tij i la të shkrueme për të dokumentuar ferrin e burgjeve të komunizmit dhe humbjen e njerëzillëkut të xhelatëve të tij. “Pika Loti” do të mbetet dëshmi për brezat e ardhshëm si udhërrëfyes mbi tmerrin e shtypjes së njeriut nga një shtet terrorist. Ndërsa “Nën Hijen e Rozafës” është vepra ku ai trajtoi ashtu si Malroi, temën madhore të humbjes së ndjeshmërisë njerëzore nga xhelatët nën thundrën e një ideologjie shtypëse si ajo që mbante regjimi komunist. Në të dyja veprat, Sami Repishti shpalosi qasjen e tij humaniste ndaj shtypjes dhe cënimit të lirisë njerëzore dhe dashurinë për vendin dhe popullin e vet.
Por ai kurrë nuk e humbi njerëzillekun dhe as arsyen e shëndoshë, as kur pësoi zhgënjime të mëdha nga personazhe të politikës postkomuniste, të cilat i kishte parë me shpresë. Shkrimet e tij në mediat e Tiranës nuk tregonin as cinizëm e as madhështi. Përkundrazi, Sami Repishti jepte propozime për zgjidhje konkrete të problemeve shqiptare, një nga të paktët të cilit petkat e intelektualit kombëtar i rrinin shumë mirë.
Vitet e fundit, në bisedat me të, shprehte zhgënjimin e thellë për mosnjohjen e të keqes në shoqërinë shqiptare, mosndamjen e sistemit të tanishëm politik me të kaluarën diktatoriale, dhe mbi të gjitha rrjedhjen drejt diktaturës që po kaplon sërish Shqipërinë. Por ai nuk ndaloi kurrë së punuari për t’a nxjerrë Shqipërinë nga bataku.
Në një letër konfidenciale dërguar Ambasadores amerikane Juri Kim pasi kishte marrë emërimin por para se të akreditohej në TIranë, Prof. Repishti ja parashtronte me shumë takt e maturi historinë politike të tranzicionit. Ai i drejtohej me shumë shqetësim për fatin e demokracisë, mungesën e një opozite reale e të shëndoshë dhe i kërkonte që të luante rolin e saj si Ambasadore për të forcuar institucionet demokratike në Shqipëri. Deri në ditën e fundit, Sami Repishti mendoi për shqiptarët, jetoi për shqiptarët dhe punoi pa u lodhur për ta.
Sami Repishti ishte Axhi im, por përtej asaj, ishte burri ma i njerëzishëm dhe i matur që kam njoftë. Kushdo që ka dëgjue fjalën “zotnillek” në Shkodër e përtej, e kishte të qartë përkufizimin e këtij koncepti kur takonte Sami Repishtin.
Kur sapo kishim mbërritur në SHBA, në vitin e largët 1995, ishte ai që me shumë takt e njohje të psikologjisë njerëzore më drejtoi në përzgjedhjen e Universitetit. Më kujtohet se sa me krenari më prezantoi me Kryebashkiakun e atëhershëm të Nju Jorkut Rudi Xhuliani, në rezidencën Gracie Mansion, ku u krye dasma e Avës, vajzës së tij:-“Ky asht nipi jem, ka mbarue për Shkenca Politike”.
Më tej, pas përfundimit të studimeve me njerëzillekun e vet të pafund, më trajtonte si koleg. Kur më kërkoi me shumë edukatë që të bëj një paraqitje të mendimit të tij politik në një Simpozium për 90-vjetorin e lindjes të mbajtur në Universitetin e Kolumbias, ishte nderimi më i madh që mund të kisha imagjinuar. E megjithatë, ai u soll sikur po i bëja unë nder atij. Falemnderës Axha Sami që më dhe mundësinë me kontribue diçka të vogël për me e evidentue punën tande të madhe për kombin shqiptar.
Në vitet e fundit, kur diskutonim për Shqipërinë, Axhi Sami ma tepër pyeste e ndigjonte se jepte leksione. Gjithmonë idealist por me këmbë në tokë, kërkonte me ditë për strukturat politike, marrëdhaniet midis palëve, dhe nivelin e propagandës. Jo rrallëherë, atij i kërkonin mendim shtetarë amerikanë nga ata që edhe kur dalin në pension ju peshon mendimi. I kthjellët deri në fund, Axhi Sami kishte aftësinë e rrallë që e kuptonte Shqipërinë me rranjë, por edhe nuk i shterrte dashuria për të. Asnjëherë nuk mendoi për interesat e veta të ngushta, Shqipëria ishte gjithmonë e para.
Për mua, humbja e tij është personale dhe shpirtërore. Ndaj dhe në përfundim, dëshiroj t’ja them dy fjalë zemre, pa filtra profesionalë, sikur ai e meritonte dhe do e meritojë gjithmonë.
Pushofsh n’amshimin e Zotit, Axha Sami. E deshe Shqipninë e Kosovën ma shumë se gjithçka tjetër dhe ju dedikove pjesën ma t’randsishme të qenies tande. Ishe drita e komunitetit shqiptar të Amerikës si intelektual i mirëfilltë edhe pse shpeshherë nuk ta dijshin vlerën e vërtetë. Askush ma shumë se ti nuk ka kontribue pêr çështjen shqiptare në ato kohë e në veçanti për Kosovën tande fort të dashur.
Kurr nuk kërkove asgjë, edhe pse të respektonin e të mbështesnin senatorë e shtetarë amerikanë me peshë.
Për mue, ti ishe shumë ma tepër se familje, ishe nga t’paktit me t’cilin kisha vërtet kënaqësi me bisedue. Kam nderin që më quajte nip e unë ty axhë.
Jetove me nder e përcolle dritë kudo që shkele. Pate nji grua të rrallë që rrallëkush e ka ma zonjë. Zonja Diana ishte dhe mbetet grueja ma e denjë që kam njoftë. Darren dhe Ava, bashkë me nipër e mbesa që le mbrapa janë trashëgimi e çmuar që ke lanë pas. Ata do t’a mbajnë lart emrin e Repishtëve në Amerikë e kudo.
Nuk ka fjalë që munden me e shprehë mirënjohjen time për ty. Unë qeshë me fat që jetët tona përkitën dhe munda me të njoftë nga afër. Falemnderit që ma pasurove jetën me prezencën tande.
Pusho në paqe axha Sami, jetove me nder e dinjitet. Le mbrapa veç dritë e mirësi. Marrshim të gjithë nga drita jote dhe u baftë Shqipnija ashtu siç e andrrove ti!
Nuk do kishte fat ma t’madh për ne.
I nderuari z. Grid Rroji!
Me kujdes e lexova shkrimin e juaj kushtuar “axhit Sami”dhe si Shqiptar dhe si “kosovar” më bëre që të jap koment.
Nga shkrimi veçova këto fjalë, po citoj:
“Memorandumet e tij të përvitshme Organizatës së Kombeve të Bashkuara paraqitnin një tablo të qartë të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe historikut të diskriminit të shqiptarëve nga serbët. Duke ja paraqitur të vërtetën botës, ai u kthye në një burim të çmuar i të dhënave mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
*
Pranoni NGUSHLLIMET E MIA!
Komentin po e përfundoj me këtë mendim:
Nga një vend i vogël dalin njerëz që me veprat e tyre bëhën të mëdhenj e të njohur, po edhe vendin dhe popullin e atij vendi i bëjnë të mëdhenj e të njohur.
I tillë ishte prof. dr. Sami Repishti.
prsh, nga
Ismet M. Hasani, Suedi