QORRSOKAKU

0
459
Kalosh Çeliku

(Aforizma satirike – politike)

NGA KALOSH ҪELIKU

(PREMTIMET E BABA QIROS)

Ish presidenti i Oazës Paqes të Maqedonisë, Baba Qiro (Tatkoto), që krah për krahu me Haxhi Deputetin Maqedoninë e bëri shtet të pavarur, gjatë udhëtimit për në Amerikë e humbi një sandëk me premtime për shqiptarët e arratisur nëpër poste partiake – politike.

Aktivistët e Nënës Parti e përhapën fjalën në të katër anët e “Bit-Pazarit”, se në atë sandëk me rraqe politike kanë qenë premtimet e Babait (Tatkoto) për zgjidhjen e Ҫështjes Shqiptare.

E, a e gjetën sandëkun me rraçe politike? Jo, nuk e gjetën askund. Shkaku, se: sandëkun e kishte vjedhur Xhadia me pashterkë të kuqe…

(MURI KINEZ)

Baba Qiro, për së gjalli shkoi edhe në Kinë, dhe e vizitoi Murin Kinez. Djali i tij Haxhi Deputeti, tha: Babai e ka ndërmend këto vite t’i ndajë shqiptarët me një mur të tillë politik.

Edhe, iku një ditë pa e ndërtuar atë mur shqiptaro – shqiptar. Gurët, edhe sotekësaj dite, kur bie shi i madh me stuhi rrokullisen rrugëve. Ecin me lumin, por kurrësesi të dalin në det. Rreziten në diellin me rreze.

Shqiptarët, pasmesnate zgjohen nga gjumi dhe e ndërtojnë vetë murin shqiptar…

(RROSPIA)

Demokracia është një nuse me shumë burra. Ditë-natë i ndërron burrat. Herë me mikun, e herë me armikun. Luftë bënë para syve të popullit për liri. E do robërinë.

Prandaj, edhe na delë rrospi…

(PERSPEKTIVA E INTELEKTULËVE)

Gjatë “ndryshimeve” demokratike, shteti i pasuroi hajnat që u morën me politikë “madhore”. Pasuri të patundëshme e të tundshme, brenda dhe jashtë Atdheut. U rrokën fytas me armikun e “padukshëm”. Popullin e mbyllën në burg me masa qeveritare: Mos dilni në rrugë pa maska! Duart, lani me sapun! Dy metra larg, edhe me gruan besnike!

E, në anën tjetër i shpërbleu intelektualët me çaj rusi, dhe pa punë në shtëpi…

(JEMI TEUTA – S’DIMË Ҫ’ËSHTË TUTA)

Dy poete rebele me këngën popullore “Jemi Teuta – s’dimë ç’është tuta”, i dëshirojnë një poeti që këtë vit pushka plastike t’i bëhet top i Mic Sokolit! Ndërsa, municioni, dy oqet, dy vorba katundi! Ndoshta, atëherë vret ndonjë bretkosë që i ka shpëtuar sqepit të lejlekut.

Urimit i bashkohen: Dadusha, bashkë me Dadën Hajri. Dhe, Hojdodolen…

(TREGTI ME SHUMICË)

Për ta shpëtuar arsimin nga Pandemia e Partive Politike, urgjentisht blej me shumicë e pakicë deputetë të popullit e ministra Qeverie!

Shifra: “Pedagogu”

(ҪLIRIMI I ATDHEUT)

Urgjentisht blej rrospia meshkuj dhe xhadia me shumicë dhe pakicë për ta çliruar Atdheun nga patriotët e moralshëm partiak…

Shifra: “Patrioti”

(PATRIOTËT DHE POPULLI)

Për të vlerësuar sot punën e Qeverisë të “vëllazërim-bashkimit”, vetëm dilni te “Ura e Gurit”, dhe do të bindeni se, sa punë kanë bërë këta patriotë për popullin…

(POKER ME BURRA)

Në kohën e komunizmit, burrat luanin poker edhe me gra. Në demokraci, sot gratë luajnë poker me burra…

(PARTALLMENTI)

Kjo Qeveri e “vëllazërim – bahkimit”, e ka lehtë me këtë popull: ia hedh një asht, dhe fle rehat në Partallment…

(HEQJA E FLAMURIT SHQIPTAR)

Flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare Qeveria së pari e ngriti në Parlament me xhaxhin kuqezi, i cili u tha deputetëve të popullit “maqedonas”: mos u trembëni, nuk ju hanë! Ndërsa, të nesërmen me urdhërin e presidentit të shtetit të “përbashkët, me  gishtin e madh teposhtë, duke vrarë dhe masakruar shqiptarët e hoqi me polici speciale në Gostivar…

(POLITIKA E GRAVE)

Serbët i çliruan nga turqit gratë. Edhe Maqedoninë e Veriut nga kriza politike mund ta shpëtojnë vetëm gratë…

(FRIKË NGA LIRIA)

Vitet e fundit i kemi kënduar aq shumë me çifteli besës dhe trimërisë, sa kam frikë se nuk kemi më as besë, as trimëri…

(BASHKIMI I SHQIPTARËVE)

Gjithë bota e festoi bashkimin e dy Gjermanive. Vetëm, se: si duket, problemin më të madh e ka me bashkimin e shqiptarëve…

(OAZA E PAQES)

I nderuari “Zekthi”,

Oazës së paqes kohën e fundit i pëlciti zorra qorre.

“Zekthi”: Bashkimi Evropjan duhet sa më parë ta shtrijë në sallën e operacionit…

(KOUNIZMI DHE DEMOKRACIA)

I nderuari “Zekthi”,

Në sistemin komunist brenda natës vije në funksion, por brenda natës edhe të rrëshqitnin këmbët. Si qëndron puna tash me “demokracinë”!

Zekthi: Në “demokraci” vjen brenda natës në post, por duhet të kalojnë vite e vite derisa të të heqin zvarrë nga karrikja…

(QORRSOKAKU)

Duke shkuar me vite në Evropë pas të verbërve, Maqedonia e Veriut e humbi rrugën në Tanushë dhe u fut në qorrsokak, nga ku mezi e nxorri UҪK -ja me pak shpirt…

(POLITIKA E SHQIPTARËVE)

Shqiptarët më në fund e kuptuan, se: që të bësh pasuri të tundshme dhe të patundshme, patjetër duhet të merresh me politikë “madhore”…

(BESIMTARËT E ZOTIT)

Politikanët tanë, moti i harruan shkollat; filluan të hedhin gurthemele të xhamive…

(KOLLTUKET E QEVERISË)

“Patriotët” tanë, kur ulen nëpër kolltukët e Qeverisë të “vëllazërim – bashkimit”, verbohen dhe nuk e shohin popullin…

(GRABITJA E KURVËS)

Demokracia na doli kurvë. Prandaj, komunistët e vjetër e morën për grua…

(PATRIOTI)

Burri që nuk e do çajin e rusit, Nënën Parti dhe rrospitë meshkuj, nuk është patriot…

(MINI – MODA)

Luli nga Shkupi pyet:

– Më shkatrroi mini – moda. Mini – prodhimi, mini – ushqimi, mini – rroga… Ҫ’të bëj?

Përgjigje: Edhe ti Luli hyr në shpirtin e mini – modës. Ngatrrohu pas mini – fundi të ndonjë skretareje besnike partiake…

(BESNIKËRIA)

Qeveria e “vëllazërim-bashkimit” është një nuse xhadi me pashterkë të kuqe, që të gjithëve ua bënë me sy. Dhe, nuk ta bënë vetëm ty. Shkaku, se: i trembet besnikërisë tënde si burrë në Qytetin e qyqeve. Hidhet, dhe përdridhet nëpër “Bit-Pazar” me trumbetat e Dexhalli. Herë pas here, edhe të vë pusi nën Rrap.

E, në mbrëmje i futet në shtrat vetëm një burri…

(NDIHMË PËR MAQEDONINË E VERIUT)

Politikanë, na ndihmoni ta shpëtojmë Maqedoninë e Veriut! O sot, o kurrë! Braktisni Parlamentin, postet partiake – politike, pasurinë, dhe merruni me tregti! Prodhime bujqësore dhe blegtorale me afete të skaduara përdorimi!…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.