20.6 C
Tirana
E martë, 16 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Mundi i Rukës dhe lavdi i Qamkës

Mundi i Rukës dhe lavdi i Qamkës

0
Isuf B. Bajrami

Isuf B. Bajrami

Ka kujtime që mbeten të ngulitura në mendje jo pse kanë qenë ngjarje të mëdha, por sepse me kalimin e viteve zbulojmë se brenda tyre fshihet një urtësi e tërë për jetën. Një kujtim i tillë më rikthehet shpesh nga fëmijëria ime në fshat.

Në atë kohë, në fshatin tonë vinin dy lypëse nga qyteti. Të gjithë i njihnin. Njëra quhej Rukije, por askush nuk e thërriste me emrin e plotë. Për ne ajo ishte thjesht Ruka. Tjetra ishte Qamilja, të cilën e quanin Qamka.

Sa herë shfaqeshin në rrugicat e fshatit, ne fëmijët i vështronim me kureshtje. Na dukej sikur sillnin me vete një botë tjetër, të ndryshme nga ajo e përditshmja jonë. Por me kalimin e kohës filluam të vërenim diçka që na bënte përshtypje.

Ruka ishte më e madhe, më e gjatë dhe më e fortë. Fytyra e saj dukej e lodhur nga jeta, por rrallëherë e dëgjoje të ankohej. Kur vinte koha të largoheshin nga fshati, ajo përkulej, ngrinte mbi shpinë thasët e mbushur me miell, bukë, misër e çfarëdo që u kishin dhënë njerëzit. Barrën e mbante ajo. Hapat e saj bëheshin më të rëndë, por nuk e lëshonte ngarkesën.

Qamka ishte ndryshe. Më e shkurtër në shtat, por më e shpejtë në gjuhë. Ajo fliste pa pushim. Kudo që ndalej, gjente fjalë. Tregonte histori, bënte shaka, ankohej, lavdëronte e komentonte gjithçka. Dukej sikur e kishte më të lehtë të fitonte vëmendjen e njerëzve.

Një ditë, ne fëmijët e vumë re këtë dallim dhe, me atë zgjuarsinë e pafajshme që shpesh kanë fëmijët, krijuam një shprehje që na bëri të qeshnim:
“Mundi i Rukës dhe lavdi i Qamkës.”

E thoshim si lojë. E thoshim pa e kuptuar se po përmblidhnim në pak fjalë një të vërtetë që do ta kuptonim vetëm shumë vite më vonë.
Koha kaloi. Fëmijëria mbeti pas. Rrugicat e fshatit ndryshuan, shumë njerëz u larguan nga kjo botë dhe shumë kujtime u zbehën. Por ajo shprehje mbeti diku në thellësinë e mendjes sime.

Sot, sa herë shoh skenën publike, sa herë dëgjoj fjalime të mëdha, premtime të shumta dhe vetëlavdërime pa fund, më kujtohen Ruka dhe Qamka.

Shoh njerëz që flasin shumë për veten, që e paraqesin veten si autorë të çdo suksesi, si shpëtimtarë të çdo situate dhe si qendra e çdo arritjeje. Fjalët e tyre janë të bukura, të stolisura dhe të zhurmshme. Por shpesh, pas atyre fjalëve, qëndrojnë njerëz të tjerë që nuk shihen.

Janë ata që kanë punuar në heshtje. Ata që kanë sakrifikuar kohën, mundin dhe jetën e tyre. Ata që kanë bartur barrën kur të tjerët kanë kërkuar duartrokitje. Janë “Rukat” e çdo kohe.

Historia njerëzore është plot me Ruka. Janë prindërit që sakrifikojnë gjithçka për fëmijët e tyre, ndërsa rrallëherë përmenden. Janë punëtorët që ndërtojnë ura, rrugë e institucione, ndërsa dikush tjetër pret shiritin e inaugurimit. Janë ushtarët, mësuesit, bujqit dhe njerëzit e zakonshëm që mbajnë peshën e jetës mbi supe, pa kërkuar lavdi.

Dhe po aq e vërtetë është se ka pasur gjithmonë edhe Qamka. Njerëz që e kanë kuptuar se fjala shpesh dëgjohet më larg se puna. Njerëz që dinë të dalin përpara, të flasin bukur dhe të mbledhin meritën që nuk u takon plotësisht.

Megjithatë, jeta ka një drejtësi të heshtur. Fjala mund të mashtrojë për një kohë, por jo përgjithmonë. Lavdia e marrë pa meritë zbehet si tymi në erë. Ndërsa puna e ndershme, edhe kur mbetet pa duartrokitje, lë gjurmë që nuk fshihen lehtë.

Sot, kur e kujtoj Rukën, më duket sikur shoh simbolin e të gjithë atyre njerëzve që kanë bartur barrën e jetës pa zhurmë. Ndoshta ajo vetë nuk e dinte se po na mësonte një mësim të madh. Ndoshta as nuk e mendonte se disa fëmijë po e vështronin nga larg dhe po nxirrnin përfundime nga ecja e saj e rënduar.

Ndërsa Qamka më kujton një të vërtetë tjetër: se jo gjithmonë ai që flet më shumë është ai që ka bërë më shumë.

Kur kujtoj ato ditë të largëta, më duket sikur ende i shoh duke u larguar në rrugën e fshatit. Ruka përpara, e përkulur nën peshën e thesit. Qamka pas saj, duke folur pa pushim.

Dhe zëri i fëmijërisë sime më vjen nga larg, i pastër si atëherë:
“Mundi i Rukës dhe lavdi i Qamkës.”

Sa pak fjalë. Sa shumë jetë brenda tyre.

Vendi i Lekës, 15.06.2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.