EDHE KOMUNIST EDHE PRIVAT

0
653
Filip Çakuli - Mitro Çela

Mitro Çela

Cikli: Personazhë në rrugë

Restorant “Pilo Lala”
Fund shtatori 2022. Ezmerka vendosi të shkojmë në Gjirokastër.
– Ti zgjodhe qytetin. Unë restorantin:
“Pilo Lala” në periferi të Lushnjës.
– Byrek me kos deleje. – I thashë kamarierit. – Është Pilo në guzhinë?
– Ka ikur në Greqi! Turist.
– Të të tregoj një histori për Pilo Lalën? – I thashë Ezmerkës. –
Viti 1986.
Me Filipin nisëm punë në gazetën “Bashkimi”.
Herë pas here na binte rruga nga Lushnja.
Drekën na e përgatiste Pilo Lala. Guzhinieri me nam në gjithë Myzeqenë.
Korrik 1990. Astrit Nuri, gazetar tek “ZP” boton shkrimin me titull:
Edhe komunist, edhe privat”.
Shenim i detyruar.
Kur ishte në pushtet Partia e Punës ( Enver Hoxha) prona private u nxorr jashtë ligjit.
Në fshat.
1. Në vitet e para të çlirimit pronarëve ju morën tokat dhe bagëtitë.
Kush i dorëzoi me të mirë- u shpall kulak.
Kush bëri naze, përfundoi në burg ose në internim.
2. Tokat dhe bagëtitë e fshatarëve, u bashkuan në kooperativa. Tip i lartë ose tip i ulët.
3. Në vitet ‘80 fshatarët u ndaluan të mbajnë lopë, dele, dhi, pula, bletë.
Në qytet.
Në vitin 1966 u ndaluan makinat private. Berberët, rrobaqepësit, kallaxhijtë, samarxhijtë, orë ndreqësit u futën në komunale.
Në vitin 1988, Ramiz Alia hodhi idenë që edhe mund të ketë dyqane private.
Por ideja ishte e pa shkruar. Nuk u kuptua.
Idenë nuk e kishte përtypur as gazetari i “ZP”.
Kthehimi në Lushnjë.
Pilo i qau hallin Filipit.
– Më thirri në zyrë shoqja Themie Thomai. Sekrerare e parë e partisë. Më tha:
– E lexove gazetën? E rëndë për ty. E rëndë për partinë. Zgjidh e merr:
A.
Dorëzo dyqanin.
B.
Dorëzo teserën e partisë.
– Dua përgjigje pas një jave. – Tha shoqja Themie dhe më rrahu shpatullat. –
– Po dëgjove mua, – i tha Filipi-dorëzo testerën.
Dyqani të “pjell” para për kalamanët.
Mund të jetosh edhe pa teserën.
– Filip! Fjalë e hata. Po dorëzova teserën më pret burgu ose internimi!
Më bën derman t’i mbaj të dyja?
Në gazetë bashkë me ne punonte edhe Genc Kondi, djali i Pirro Kondit.
Në atë mot anëtar i Byrosë Politike të Partisë së punës. Kuadër me peshë.
Bëmë një plan dhe u futëm në zyrën e Themie Thomait.
Mua me Filipin nuk na e vari. Gencin e përqafoi dhe e pyeti për babain.
Bisedën e hapi Filipi:
– Kemi ardhur me porosi të shokut Pirro Kondi:
Pilo Lala duhet të mbajë të dyja: dyqanin dhe teserën.
Sekretarja pa nga Genci. Ai tundi kokën.
– Bile bile, – vazhdoi Filipi, – Pilo Lala duhet të përgëzohet sepse po zbaton idenë e shokut Ramiz për pronën private.
Po nuk na besuat, mund ti telefononi shokut Pirro.
Sekretarja pa nga Genci. Ai tundi kokën.
– Filip! Nuk kam pse e shqetësoj shokun Piro…
Dhe Piro Lala, mbase ishte komunisti i parë me dyqan privat në Shqipëri…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.