Çerkin Bytyçi
(Anton Nikë Berisha, Martesa e gjarprit me Vajzën e mbretit. Botoi “Beqir Musliu”, Gjilan 2026)
Romani për fëmijë Martesa e gjarprit me Vajzën e mbretit i Anton Nikë Berishës mbështetet në traditën e pasur rrëfimore shqiptare, sidomos në atë të përrallës. Vatra e rrëfimit mbështetet në kujtesën e zonjës Dhamira, një grua arbëreshe fisnike në moshë, e cila ia rrëfen autorit një histori të ruajtur ndër breza. Kjo lëndë e traditës, e përpunuar me mjeshtëri artistike, shndërrohet në një roman që, ndonëse i menduar për fëmijë, ka vlera universale dhe komunikon natyrshëm me lexues të çdo moshe.
Në qendër të veprës qëndron historia e jashtëzakonshme e gjarprit dhe Vajzës së mbretit, e cila ngre në plan simbolik fuqinë e dashurisë, të besnikërisë dhe të flijimit. Përmes një rrugëtimi të mbushur me sprova, personazhet dëshmojnë se dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, por edhe përkushtim, durim dhe besim i palëkundur.
Nga veçoritë më të rëndësishme të romanit është mënyra se si Berisha e ruan frymën e rrëfimit të traditës gojore, duke e pasuruar atë me një gjuhë të ngritur poetike. Teksti bart ngrohtësinë e rrëfimeve të llojeve letrare gojore, sidomos të përrallave, që dikur përcilleshin pranë vatrës familjare dhe krijonin ndjesinë e një vazhdimësie të artit të fjalës, gojor dhe të shkruar. Në këtë kuptim, romani mund të vështrohet si një homazh ndaj trashëgimisë së pasur të përrallës shqiptare dhe arbëreshe.
Ndryshe nga formula klasike e përrallës “Na ishte njëherë…”, vepra hapet me një përshkrim të menduar të ambientit dhe të personazhit të Lumbardhës, gruas së vetmuar në moshë, e cila dikur kishte qenë e bukur si E Bukura e Dheut.
Që në faqet e para të romanit krijohet një atmosferë magjepsëse, e cila e fton lexuesin të ndjekë me kureshtje ndërtimin e tekstit poetik dhe shtjellimin (thurjen) e ngjarjeve dramatike dhe tërheqëse.
Prania e gjarprit në jetën e Lumbardhës shfaqet si një element i mistershëm. Ajo e rrit dhe e trajton atë në shtëpi me përkujdesje amësore, pa e ditur prejardhjen e tij. Kur gjarpri shpreh dëshirën për ta kërkuar dorën e vajzës së mbretit, rrëfimi hyn në një fazë të re, ku ndërthuren elementi fantastik dhe ai konkret. Kushtet e vendosura nga mbreti duken të pamundura për t’u përmbushur, por forca e unazës së mrekullueshmes dhe besa e dhënë bëhen faktorë përcaktues në zhvillimin e veprimit në roman.
Njëra nga dukuritë qendrore të romanit është pikërisht besa dhe funksioni i saj në vepër. Mbreti e çmon fjalën e dhënë më të rëndë se vetë jeta, ndërsa vajza e tij, pavarësisht frikës dhe pasigurisë, pranon të nderojë vendimin e të atit. Kështu, romani riafirmon një nga vlerat themelore të kodit zakonor shqiptar, duke e paraqitur atë si një dukuri universale të përgjegjësisë dhe të nderit.
Transformimi i gjarprit gjatë natës në të Bukurin e Dheut i jep veprës një përmasë të veçantë, dinamikë dhe dramatikë.
Mirëpo, lumturia e çiftit vihet në provë kur zbulohet pa dashje fshehtësia: askush nuk duhej ta dinte se ai bëhej i Bukuri i Dheut gjatë natës.
Zhdukja e bashkëshortit e detyron vajzën e mbretit në një udhëtim sa të vështirë aq dhe të rrezikshëm; duhet të përballet, pos të tjerash, dhe me forca të mbinatyrshme. Takimet me nënën e diellit, me të birin e saj, me erën dhe shqiponjën dëshmojnë një strategji të kërkimit, ndërsa përballja me kuçedrën shndërrohet në kulmin dramatik të veprës.
Gjatë rrugëtim protagonistja, vajza e mbretit, dëshmon vendosmëri, guxim dhe qëndrueshmëri shpirtërore dhe fizike; nuk dorëzohet përballë pengesave që i dalin, por vazhdon kërkimin deri në ribashkimin me të dashurin e saj. Pikërisht këtu romani përcjell një nga mesazhet më të rëndësishme: shpresa dhe këmbëngulja janë më të forta se pengesat dhe rrethanat e rënda.
Vlera e veprës qëndron jo vetëm te rrëfimi i pasur me elemente reale e fantastike, por edhe te përmasa estetike që nxit teksti, i cili ndërtohet me gjuhë poetike të pasur. Kjo vërehet edhe në përshkrimet e ngjeshura dhe me një strukturën narrative që e mban vazhdimisht gjallë interesimin e lexuesit.
Në parathënien e romanit të hartuar nga shkrimtari, Ibrahim Kadriu, theksohet me të drejtë se Berisha ka krijuar “një rrëfim poetik, me dinamikë dhe ritëm të veçantë, që e tërheq lexuesin nga një ngjarje në tjetrën dhe e shoqëron deri në fund të veprës”.
Përmes tekstit të romanit autori e afirmon idenë se lumturia ka kuptim të plotë vetëm pasi njeriu ka kaluar nëpër vuajtje dhe sprova. Jeta paraqitet si një proces formësimi i vazhdueshëm, ku çdo përvojë, e gëzueshme apo e dhimbshme, ndihmon në ndërtimin e botës së individit dhe të fatit njerëzor.
Martesa e gjarprit me Vajzën e mbretit është një vepër me vlera të shquara artistike dhe komunikuese. Ajo dëshmon aftësinë krijuese të Anton Nikë Berishës për të ringjallur trashëgiminë tonë letrare gojore përmes një forme moderne letrare dhe për ta bërë atë të kuptueshme e tërheqëse për lexuesin bashkëkohor. Ajo lexohet e rilexohet me kënaqësi dhe mbetet një dëshmi e fuqisë së letërsisë si art dhe e ndikimit estetik.
Me vlerat që ka romani “Martesa e gjarprit me Vajzën e mbretit” meriton të jetë pjesë e lekturës së detyrueshme të shkollave tona nga se përmes shqiptimit poetik të dukurive e të ndërtimit të personazheve, ai e nxit dhe i forcon virtytet: guximin, vendosmërinë, këmbënguljen dhe besimin në vetvete gjatë përmbushjes së qëllimeve jetësore; i nxit lexuesit, veçanërisht të rinjtë, të përsiasin mbi rëndësinë e të qenit vetvetja, të pranimit të dallimeve dhe të ruajtjes së pavarësisë personale. Në një kohë kur konformizmi dhe presioni shoqëror shpesh e largojnë rininë nga burimësia, kjo vepër përcjell një mesazh të fuqishëm për vetëbesimin, tërësinë dhe kurajën për të ndjekur rrugën e vet.
Si tërësi vepra dëshmon për vlera të rëndësishme dhe si e tillë e pasuron letërsinë tonë për fëmijë dhe të rinj, duke ofruar një model të ngritur të ndërthurjes së traditës me rrëfimit poetik modern.
Qershor 2026











