Amerika dhe udha pa krye e Albinit

0
364
Fatos Tarifa

Nga Fatos Tarifa17 qershor 2023 – Botuar në DITA

Ka qenë nga fillimi një instinkt politik që më ka bërë ta shoh me dyshim, madje me shqetësim Albin Kurtin si një dukuri politike të rrezikshme për fatet e Kosovës dhe të çështjes shqiptare në Ballkan. Ky instinkt m’u krijua qysh në vitin 2010, kur “Vetvendosja” synonte të afirmohej si një faktor politik në Kosovë dhe Kurti, lideri i saj, deklaronte se “duam që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë”.

Një vit më vonë, mendimi i Kurtit evoluoi. Ai deklaroi: “Duam që Kosova të jetë sovrane dhe të ketë…të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kështu do të bëhemi të barabartë me kombet dhe me shtetet e tjerë të zhvilluar demokratikë e përparimtarë të botës”.

Më 2017, Kurti u thoshte shqiptarëve të Kosovës se dita e bashkimit të dy shteteve shqiptarë “nuk do të ishte e largët”.
Muzikë në veshët e shumicës së shqiptarëve, edhe pse thjesht një deklaratë populiste për interesa elektorale nga një politikan demagog par excellence.

Deklaratat e herëpasherëshme të Kurtit mbi bashkimin kombëtar kanë pasur një qëllim pragmatik, por, pa dyshim, edhe jo pak ndikim në përpjekjet e tij si një individ që, pasi krijoi një organizatë politike, u përpoq të bëhej pjesë e konstelacionit politik në Kosovë dhe, pse jo, të merrte drejtimin e qeverisë në atë vend. Ai është sot, për të dytën herë, kryeministri i republikës së dytë shqiptare në Ballkan.

Nuk ka dyshim se Kurti gëzon një përkrahje të gjerë në radhët e popullsisë së Kosovës, madje edhe te një pjesë e shqiptarëve në vendin tonë. Fanatizmi dhe proselitizmi i shumë prej tyre të lë pa mend. Kur Kurti u ngjit në krye të qeverisë së Kosovës për herë të parë dhe “premtoi” bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dikush prej ndjekësve fanatikë të tij deklaroi me shumë entiziazëm se, “për herë të parë në historinë e shqiptarëve, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, është Albin Kurti ai që po punon për ta ngjallur dëshirën, vullnetin, vizionin dhe ëndrrën e rilindësve tanë që shqiptarët të kenë shtetin e tyre kombëtar të bashkuar”!

Nuk është për t’u çuditur; është për të qeshur! Dhe në dritën e zhvillimeve të fundit në Kosovë është edhe për t’u shqetësuar që shumë njerëz besojnë se Kurti është Ai, Mesia i Kosovës sovrane. Pa Kurtin, me çdo qeveri që mund të formohej nga partitë që sot janë në opozitë, Kosovën do “e merrte lumi”, ose “Serbia”; pavarësia dhe integriteti territorial i saj do të viheshin seriozisht në rrezik. Një demagogji e paskrupullt nga ana Vetvendosjes dhe një naivitet i rrezikshëm i atyre që u besojnë dokrrave të liderit vetvendosës tashmë kryeministër i Kosovës.

Edhe më parë kam argumentuar se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca e Gjermania e përkrahën Kosovën që të jetë e pavarur, jo që t’i bashkohet Shqipërisë, prandaj edhe imponuan në Kushtetutën e Republikës së Kosovës atë nen që e ndalon atë t’i bashkohet një shteti tjetër. Plani për pavarësinë e Kosovës përfshiu idenë se Kosova nuk do të bashkohej—dhe nuk do të lejohej të bashkohej me ndonjë shtet fqinj, ose me ndonjë pjesë të ndonjë shteti fqinj, dhe se neni 1.3 i Kushtetutës së saj synonte që të mbronte Maqedoninë, si dhe Serbinë, dy vende, të cilët, në kufijtë e tyre me Kosovën, kanë territore të banuara në shumicë nga shqiptarë. Ai synonte, gjithashtu, që të parandalonte formimin e Shqipërisë së Madhe.

“Idealizmi” nacionalist i Kurtit nuk mund t’u qëndronte gjatë realiteteve kokëforta. Asnjë fuqi e madhe nuk do të pranonte—në rrethanat e sotme dhe në kontekstin e sotëm gjeopolitik rajonal e global, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë—që për të bashkuar dy shtetet shqiptarë në Ballkan të zhbënte 3-4 shtete ekzistues, pra të prishte ekuilibrat—edhe kështu të brishtë—në marrëdhëniet mes shteteve të këtij rajoni, pa rrezikuar që “fuçia e barutit” të mos mbetej thjesht një metaforë, por të bëhej shkak për t’u kthyer në të kaluarën tragjike të këtij rajoni?

Veç kësaj, asnjëri prej vendeve të rajonit nuk do të donte t’i shihte— dhe nuk do i pranonte— Shqipërinë dhe Kosovën të bashkuara në një shtet të vetëm. As Serbia, as Maqedonia e Veriut, as Mali i Zi, as Greqia, as Bullgaria. Kurti nuk mund të ishte krejtësisht i verbër ndaj këtyre realiteteve dhe, dy javë para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë, “idealisti” Kurti u bë një neorealist “waltzian”, duke deklaruar se “nuk kishte ndërmend të niste një luftë për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë”!

Pikëpamjet dhe qëndrimet e Albin Kurtit mbi bashkimin e dy republikave shqiptare në një shtet të vetëm i kam kritikuar gjerësisht në librin tim Një tokë, një popull, një ëndërr: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në BE, ose në një Europë post-BE (Onufri, 2021). Nuk ia vlen të merrem edhe më tej me to, sidomos pasi me qëndrimet e tij mbi këtë çështje ai është sot një flip- flopper.

Kur e shkrova dhe e botova atë libër dy vite më parë, nuk isha i informuar mbi pikëpamjet e Albin Kurtit ndaj Amerikës dhe aleancës mes shqiptarëve të Kosovës dhe fuqisë më të madhe të globit, të shprehura prej tij në vitet 2016-17. Këto i mësova disa ditë më parë, kur në një emision televiziv u njoha me disa deklarata skandaloze të tij. Edhe pse Kurti pohonte se shqiptarët e Kosovës i janë shumë mirënjohës Amerikës, ai deklaronte se aleanca e Kosovës me Shtetet e Bashkuara “nuk është një aleancë për të ardhmen”!!!

Kurti, i cili në atë kohë ishte ende një politikan opozitar që synonte pushtetin, pat deklaruar: “Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët edhe e ngushtëËshtë aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë, që ka ndodhur para 8 vjetëve, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare. Nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë”.

!!!

Këto radhë më shtangën kur i lexova pak ditë më parë, siç ndihem i shtangur edhe tani që i përmend këtu. Nuk e di nëse ka ndonjë shqiptar, këtej ose andej kufirit, që s’do të habitej nga këto fjalë të Albin Kurtit, kryeministrit aktual të Kosovës.

Për Kurtin, aleanca e Kosovës me Shtetet e Bashkuara “nuk është një aleancë për kombëtarizimin e shtetit, por për ndërkombëtarizimin e shtetit”. “Ne jemi thuajse në vitet 1990”, shprehej ai, ndërsa “Kosova ka nevojë për konsolidim të brendshëm e jo vetëm për pranime nga jashtë”.

Mosmirënjohje në variantin më të shëmtuar të saj?
Politikë amatoreske?
Dritshkurtësi politike?
Antiamerikanizëm?
Të gjitha këto së bashku?

You name it.

Si një njohës i politikës së jashtme dhe i Shteteve të Bashkuara, ku kam studjuar e punuar për shumë kohë dhe ku i kam shërbyer vendit tim, Shqipërisë, si ambasador në Uashington, si një studiues dhe autor i shumë vëllimeve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, mbi zhvillimet globale dhe evoluimin e realiteteve gjeopolitike nga shekullit i 18-të e këtej, unë e di përse flas. Dhe unë i quaj ekstremisht skandaloze dhe të rrezikshme pikëapamjet e mësipërme të Albin Kurtit. Njeriut që, fatkeqësisht, sot është në krye të qeverisë së Kosovës.

Nëse Kurti nuk e ka ditur dhe nuk e di, është koha ta mësojë se:

(1Kosova ka dy aleatë të natyrshëm: një aleat të madh—Shtetet e Bashkuara të Amerikës—dhe një të vogël, por shumë të rëndësishëm—Shqipërinë. Duhet të jetosh në një realitet absurd që të mos e kuptosh e të mos e çmosh këtë të vërtetë.

(2Kosovës i duhet aleanca me Amerikës jo si një footnote në librat e historisë së saj, por si një garanci për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Edhe Janusi, perëndia e romakëve, nuk shihte vetëm pas, por edhe përpara.

(3Republika e Kosovës është një krijesë e Amerikës dhe, si e tillë, jo vetëm u bë dhe u njoh si një shtet i pavarur e sovran me ndërhyrjen ushtarake dhe me përkrahjen e gjithashëshme politike e diplomatike të saj, por edhe mund ta garantojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj po për shkak të Amerikës. Duhet të jetosh në një koloni filistinësh që ta mohosh këtë të vërtetë.

(4) U pëlqen apo s’u pëlqen Albin Kurtit dhe atyre që mendojnë si ai, shqiptarët, kudo që jetojnë në Ballkan, pra edhe në Kosovë, ndiejnë dhe mendojnë ndryshe nga ai për Amerikën dhe e çmojnë ndryshe nga ai aleancën e tyre me fuqinë më të madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake të globit. Ky nuk është një lajm i mirë vetëm për një nihilist si ai.

(5) Të mos kuptosh se fati dhe interesat e Kosovës dhe interesat e të gjithë shqiptarëve në Ballkan janë të lidhura ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe me politikën e këtij vendi në rajonin tonë do të thotë të jesh injorant në gjeopolitikë dhe, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, i padenjë—madje edhe njeriu i gabuar—për të qenë në krye të qeverisë së Kosovës.

(6Albin Kurti nuk është e s’mund të jetë ai që mendon ai vetë se është—mbrojtësi i vetëm Republikës Kosovare. E gjithë klasa politike e Kosovës dhe, sidomos, vetë qytetarët e Kosovës janë mbrojtësit më të mëdhenj të republikës së tyre. Kurti nuk është as më i miri, as më i rëndësishmi. Mbi të gjitha, interesat dhe fati i tij politik nuk qëndrojnë mbi interesat dhe fatin e Kosovës.

(7) Nëse Kurti beson se është Europa (Bashkimi Europian) dhe jo Amerika ajo që do u gjejë zgjidhje problemeve të saj, ai do të ishte një Elisë e vogël në botën çudirave. Edhe pse e ndarë nga Europa me një oqean në mes, Amerika është një Fuqi e Madhe Europiane, ndërkohë që Europa vazhdon, të jetë, siç thoshte i ndjeri Brzezinski, “de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara”. Kosova, po ashtu, është një protektort ushtarak i Shteteve të Bashkuara.

(8) Në udhëkryqin e sotëm të historisë, Kurtit do i duhet të vendosë nëse dëshiron të mbetet një aleat i Shteteve të Bashkuara, ose jo. Dhe, përderisa të mos jesh aleat i demokracisë më të madhe dhe i vendit më të fuqishëm në botë nuk është një opsion i mençur, Kurtit i duhet të jetë një aleat i mirë dhe besnik. Nëse me deklaratat dhe veprimet e tij ai i zhgënjen, i bezdis, i indinjon aleatët tanë amerikanë, ai nuk do të ishte i denjë për përkrahjen dhe aleancën e tyre.

(9) Kurti duhet të jetë i njohur me diktumin e famshëm të Lordit Palmerston, kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Britanisë në mes të shekullin të 19-të se “kombet nuk kanë miq apo aleatë të përhershëm; ata kanë vetëm interesa të përhershme”. Kjo është e vërtetë për çdo komb dhe për çdo shtet, pra edhe për amerikanët dhe Amerikën. Përderisa perceptimet që ka çdo komb për interesat e veta nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ato ndryshojnë bashkë me ndryshimin e perceptimeve mbi fuqinë e tij, duke ua lënë vendin ose ambicjeve të reja, ose duke u kthyer në ambicjet e vjetra. Nisur nga një konceptim i tillë dialektik i marrëdhënieve mes shteteve, është tërësisht e jusitifikuar të pohojmë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vende të tjera, pra edhe me Kosovën, mund të rikalibrohen nëse këtë e kërkojnë interesat e tyre.

Qëndrimet që do të mbajë dhe vendimet që do të marrë qeveria e Albin Kurtit në këto kohë të vështira për Kosovën dhe për rajonin do të kenë një impakt të madh mbi të ardhmen e marrëdhënieve mesh Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe mbi fatet e rajonit tonë.

Kurti mund të zgjedhë të vazhdojnë të jetë joprudent në marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara. Por, pavarësisht miqësisë dhe aleancës që na ka ofruar Amerika ne shqiptarëve në këtë rajon, askush nuk do të mund ta fajësonte Amerikën, hiperfuqinë e planetit, nëse ajo do të shohë punët dhe interesat e saj, pa u preokupuar shumë për Kosovën dhe interesat e saj dhe t’i thotë asaj, në fjalët e këngëtarit Bob Dylan, “You go your way, and I’ll go mine”. (Ti në punën tënde dhe unë në timen).

Kjo mund edhe të mos ndodhë. Por, nëse ndodh vërtet kështu, cila do të ishte udha e Albin Kurtit, nëse jo një udhë pa krye?


©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.