Përsiatje për vëllimin poetik “Në dallgët e jetës” të poetit Xhemkadri Kastrati

0
236

Zymer Mehani

Xhemkadri Kastrati, poet nga Dardana, me vendqëndrim të përkohshëm në Gjermani është një krijues i shquar e vargut, që gjer më tani ka kultivuar kryesisht poezi lirike, si në vendlindje  ashtu edhe në mërgim. Fahu i tij, pra është poezia për të rritur, të cilën e ka pasion dhe e shkruan me përkushtimin më të madh.

Rruga poetike e këtij poeti po shënon një kontinuitet si në planin sasior, ashtu edhe në planin cilësor. Ai tashmë ka formuar individualitetin e vet poetik dhe s’ndalon së renduri drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe.

Poezitë e poetit Kastrati kryesisht janë me motiv të  dashurisë, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por edhe me motivin social dhe të aktualitetit a të përditshmërisë sonë. Këto motive trajtohen me kujdes nga pena e këtij poeti, ngase ai është i vetëdijshëm për misionin që ka si autor e artist, prandaj orvatet të japë maksimumin që krijimet e tij t’i qëndrojnë kohës me strukturën e vargut, me fuqinë shprehëse, me figuracionin  stilistiko-letrar dhe me elemente tjera, që vargjet e tij i bëjnë kuptimplote si në aspektin motivoro-tematik, ashtu edhe në aspektin semantik, artistik dhe estetik.

Poeti Xhemkadri Kastrati në përmbledhjen poetike “Në dallgët e jetës”, na e paraqet botën e tij poetike me rrjedha normale dhe me angazhim krijimtar të sintetizuar, me laryshi tematike dhe me artikulim poetik, të pajisur me motive dhe ide poetike të realizuara estetikisht.

Edhe për poetin Kastrati, botë e madhe dhe temë tejet e veçantë është dashuria për jetën dhe për partnerin (femrën, mashkullin), si ndjenjë më fisnike e njeriut, së cilës i këndon me të gjitha problemet, kujtimet, ëndrrat, takimet e ndarjet. Është kjo një botë poetike dhe një motiv i dashur për poetin, që vazhdimisht na përcjell në shumë poezi të përmbledhjes në fjalë.

Autori do të thotë se jeta është e bukur, sido që të jetë, e hidhur apo e ëmbël, prandaj atë duhet ta jetojmë:

Jeta me sfida është e mbushur plot
E idhët a e ëmbël, është një realitet
Është me rëndësi t’mos jetohet kot
Dikush jeton mirë, dikujt nuk ja pret.

(Poezia (“MË LEJO, TË LUTEM“)

E shtrirë tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë frymëzimi, poezia e poetit Xhemkadri Kastrati do të zërë të kridhet herë-herë edhe në kthim retrospektiv, duke e kujtuar  të kaluarën, kur vetë autori ishte i ri, e duke shpresuar për të ardhmen.

Ai do të kishte dëshirë dhe, siç shprehet edhe vetë:

Më mban vetëm shpresa
Se një ditë unë dhe ti
Të bashkohemi
Si dikur të ri’
Të jetojmë së bashku
Gjerë në përjetësi.

(Poezia «SHPRESË E KOTË»)

Në këto suaza, preokupimi krijues i këtij poeti do të përpiqet që t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit të vargut të tij. Kujtimet, ëndrrat, vetmia, dhembja, dashuria, virtytet etj. etj,. do të bëhen fjalë kyçe të poezisë së autorit.

Në vargjet e poetit Kastrati vërehet qartë preokupimi imagjinativ me të kaluarën dhe të tanishmen  e jetës sonë në tërësinë e saj. Në disa poezi ky preokupim herë-herë merr edhe intonacion nostalgjik, (kur bëhet fjalë për kohën e rinisë etj.) por fatmirësisht asnjëherë nuk përshkohet me pesimizëm.

Derte dhe halle në gëllenjkë rakie
Si djalosh kur isha, i paloja në gotë
I trazoja herë me epshe dashurie
Keq e mirë, si ç’është vetë kjo botë.

T’gjitha n’atë kohë mirë i përballoja
Çka binte në lugë, lehtë e kapërdija
S’më duhej shumë që të dashuroja
Më donin miqtë, por edhe shoqëria.

……

Eh, tani kur mendoj atë rininë time
Po t’i grumbulloja një ditar kujtime
I kam arkivuar edhe i lashë në dollap
Të gjitha i kalova, s’më mbet gjë merak.

(poezia “NJË GOTË RAKIE”)

Edhe pse në jetë ndeshemi me shumë sprova, shqetësime, vuajtje, dhembje, vizioni poetik i poetit Xhemkadri Kastrati ia del që t’ia kthejë jetës dëlirësinë shpërtërore, ta vërë në lëvizje frymën e saj humane për të vazhduar përpara pathyeshmërisht.

Prandaj, autori na porisit:

Ti njeri, ngadalë
Kujdes nëpër jetë
Është stazë e gjatë
Merre butë dhe qetë
Mos u bëj gjaknxehtë

(Poezia “NGADALË NË JETË“ )

Në shtegtimin e tij poetik, poeti Xhemkadri Kastrati i këndon edhe shpresës për një jetë të re dhe ëndrrës së papërfunduar për dashuri, sidomos ndaj njeriut, duke u përpjekur që ta zbulojë e ta pasurojë kuptimin e jetës, duke mohuar vese (te poezitë “TË KEQEN TA PËRMENDIN”, “MOS U BËJ AI QË S’JE”, “NGA NA DOLËN” dhe duke pranuar virtyte (besa, fjala e dhënë, gjakftohtësia etj).

Poezia  e poetit Xhemkadri Kastrati ka rimë, muzikalitet dhe karakterizohet me fjalor dhe me gjuhë të përdorur saktë, që vargut vërtet i jep vlerë. Pra, gjuha e  poezisë së tij është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet janë të thurura bukur dhe të pasura me figuracion poetik.

Zymer Mehani, Besianë, më 31 mars 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.