Në kohën kur në Kosovë helmoheshin nxënësit…

0
Mjekët ndihmojnë të helmuairt

Në foto mjekë e qytetarë duke ndihmuar të helmuarit

Zymer Mehani
Mësimdhënësi që ndihmoi nxënësit

(Kujtime nga prof. Sadri Rexhepi për helmimet e nxënësve në Prishtinë, në vitet ‘90 të shekullit të kaluar)

Vitet nëntëdhjetë të shek. XX, për shqiptarët që jetojnë në Kosovë ishin të rënda, sidomos për mësimdhënësit dhe për nxënësit e studentët e Kosovës, të cilët përballeshin vazhdimisht me policinë serbe që tentonte të fuste nën kontrollë shkollat shqipe. Që kur zuri fill (1887) dhe përgjatë gjithë rrugëtimit, në përgjithësi shkolla shqipe u përball me vështirësi nga më të ndryshmet, dhe fati i saj gjatë histories sikur ishte i pandashëm nga vetë fati i popullit tonë.

Shkolla shqipe në Kosovë në vitet ‘90 të shekullit të kaluar u përball me ngjarjet e asaj kohe, siç ishin: segregacioni, helmimet e nxënësve shqiptarë, mbyllja e shkollave fillore, të mesme dhe e Universitetit të Kosovës nga regjimi shovinist i Millosheviqit. U imponua vazhdimi i procesit edukativo-mësimor në shtëpitë-shkolla, me ç’rast arsimtarë ngelën pa paga dhe rrezikimi i jetës së rreth 30.000 mësimdhënësve ishte real, ngase kishte raste kur ata fyheshin, maltretoheshin, plagoseshin dhe vriteshin. Kjo do të thotë se mësimdhënësit e dinin kur dilnin nga shtëpia të gjallë, por nuk e dinin se a do të ktheheshin të gjallë në gjirin familjar, veçmas ata që udhëtonin…

Dromca kujtese nga prof. Sadri Rexhepi, ish-mdhënës në SHFMU “Asim Vokshi” të Prishtinës.

Në SHFMU “Asim Vokshi” të Prishtinës, ku mbante mësim prof. Sadri Rexhepi, mësimdhënës i historisë, nuk kishte nevojë për segregacion, sepse në atë shkollë të gjithë nxënësit ishin shqiptarë. Aty, helmimit i parapriu një rast lehëtsie, pasi që nxënësit gjatë shkurtit të atij viti (1990) i vizitoi një ekip i mjekëve nga Shtëpia e Shëndetit të Prishtinës (e cila ishte nën masa të dhunshme nga shteti i Serbisë) për t’i vaksinuar, me ç’rast dyshohej se qëllimi kryesor ishte sterilizimi i nxënësve vetëm pse ishin shqiptarë. Mirëpo kur filluan nxënësit të kërcejnë nga dritaret prej katit të dytë dhe të tretë, profesori Sadri Rexhepi pa hezitim ua hapi dyert e shkollës që të dilnin lirisht prej klasave, për të mos i thyer këmbë e duar nga kërcimi prej dritareve, e kjo do të thotë se rasti i sipërcekur ngjalli dyshimin se diçka jo e mirë do të ndodhte për nxënësit shqiptarë.

Në shkollën “Asim Vokshi”, helmimi i nxënësve shqiptarë ka filluar në muajin mars 1990 dhe zgjati deri kah fundi i prillit të atij viti.

Nxënësve të helmuar u dilnin në ndihmë mësimdhënësit e shkollës në fjalë, të cilët bashkëndjenin me vuajtjet e peripetitë e tyre, pa e pasur idenë e shkaktarit. Ai që më shumë e vrau mendjen për shkakun e mundshëm, ishte profesori i historisë Sadri Rexhepi që u angazhua shumë për shpëtimin e jetës së nxënësve.

Sot, pas tridhjetë e tre vjetësh, profesori kujton me modesti se si ishte maltretuar nga policia serbe duke i dërguar nxënësit në spital. Fillimisht, ai nxënësit e helmuar i dërgoi në Emërgjencë, por pas këshillimit me motra dhe mjekë, kthehet dhe i dërgon TE BARAKAT (ku gjendeshin ambulanvat spitalore), ku ishin vendosur edhe nxënësit e tjerë të helmuar e që ishin nga Podujeva dhe Ferizaj, shumica prej të cilëve ishin femra. “Ditari i asaj kohe me emrat e të helmuarve dhe shënime tjera, mjerisht më është zhdukur në luftë, pasi që biblioteka familjare më është djegur nga forcat serbe”, thotë professor Sadriu.

Sa për t’çua rikujtuar lexuesve, po e theksojmë se simptomat e nxënësve të helmuar ishin: marramendja, dhimbjet e kokës, shtangiet (ngërçet), vështirësitë në frymëmarrje, dhimbjet e gjoksit, skuqjet e syve dhe dobësimi në të shikuar. “Unë si profesor i histories, me aq sa kisha njohuri për helmet kimike dhe nga përvoja ime ushtarake, i përcillja reagimet e të helmuarve, që nga klasa ku ndodhte helmimi e deri në ambulancë. Shikoja mos kishte gjurmë (ngjyrë, erë, apo ndonjë tjetër mbetje) në bankat shkollore të klasës. Duke studiuar gjendjen e të helmuarve dhe sjelljen e tyre erdha në përfundim se helmi hudhej kryesisht në hapësira te mbyllura (klasa).

Përqëndrimi i substancës helmuese ka qenë jo i madh, sepse nëpër kasa helmoheshin disa nxënës, e jo krejt klasa. Zakonisht, nxënësit që uleshin në bankat e para apo të fundit pësonin më shumë nga helmimi në fjalë. Rastet ndodhnin kryesisht në orët mësimore dhe pas pushimeve të gjata”, rikujton prof. Sadri Rexhepi. Ai konstaton se helmi kishte një erë të lehtë karakteristike, vështirë të identifikueshme. Substanca helmuese duhet të ketë qenë në gjendje të ngurtë, pa ngjyrë dhe me veti të sublimimit (kur substanca kalon nga gjendja agregate e ngurtë në gjendje të gaztë, pa kaluar në gjendje të lëngët). Ne bazë të këtyre vetive kimike dhe fizike të helmit, erdha në përfundim se substanca ishte helm kimik nervor, “Taban” dhe “Sarin”.

“Në bazë të këtyre të dhënave dhe për t’i ndihmuar nxënësit e helmuar, atajalë trajtoheshin te mjekët e Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”, e cila fatmirësisht gjendej në lagjen, ku jetonin nxënësit e helmuar”.

Për përpjekjet maksimale të prof. Sadriut për t’i bartur nxënësit e helmuar në pikat ambulantore-mjekësore, ai ka marrë falënderime prej nxënësve dhe prindërve të tyre, dhe sot, pas kaq shumë vitesh, ndihet shumë mirë për atë kontribut modest, që ai e quan edhe obligim.

Veprat e mira duhet përmendur. Prandaj meqë edhe vetë isha dëshmitar i asaj ngjarjeje të pazakontë të helmimit masiv të nxënësve shqiptarë, si student në Prishtinë, ua solla lexuesve në rikujtesë ca dromca të asaj ngjarjeje të rëndë, të shkaktuar nga shovinizmi serb.

P.S:
Prof. Dr. Sadri Rexhepi u lind në Tenezhdoll të Prishtinës, më 1959. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen në Prishtinë. Studimet për histori i kreu në Prishtinë. Në Shkollën e Tërrnavës punoi prej 5. X. 1983 deri më 12. XI. 1985. Është autor i disa librave nga lëmi i historisë. Prej vitit 1985 punon në SHFMU “Asim Vokshi” të Prishtinës, pastaj në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë e Gjilan. Jeton në Prishtinë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.