Isuf B. Bajrami
Poemë mbi lirinë e penguar, kujtesën e Dardanisë dhe këngën e ndërgjegjes njerëzore
I. TRUPI I LIDHUR
Nuk erdha nga tempujt e Heladës, as nga pallatet ku perënditë ndanin fatet e njerëzve. Më lindi një tokë që i ruan plagët nën lëkurë, një vend ku gurët mbartin kujtime.
Malet dëgjojnë heshtjen e shekujve, era përshkon lisat, sikur kërkon të zgjojë zërat e harruar që flenë në thellësitë e kohës.
Nuk kam lirën e Orfeut në duar, nuk kam kurorë mbi ballë, as mbretëri që të më mbrojë nga stuhitë e kohës.
Kam vetëm këtë trup të mbërthyer në litar, këtë fytyrë ku dhimbja ka lënë gjurmët e veta dhe këtë vështrim që ende nuk ka mësuar të përkulet.
Më kanë lidhur për lisin.
Nuk e di nëse më lidhën mua për trungun e tij, apo kohën time për trungun e historisë. Ndoshta të dyja bashkë, ndoshta në të njëjtin çast.
Ndoshta çdo epokë e lidh njeriun që nuk pranon të ecë në drejtimin që ia caktojnë të tjerët, atë që kërkon të mbetet zot i hapit të vet.
Shikoni duart e mia!
Dikur prekën tokën, përshëndetën njerëz, përqafuan të dashurit dhe u zgjatën drejt atyre që kërkonin ndihmë.
Tani litari ua ka kufizuar lëvizjen, por nuk ua ka fshirë kujtesën. Në pëllëmbët e tyre jeton ende mundi, dashuria, puna dhe shpresa.
Aty jeton kujtimi i atyre që deshën ta ndërtonin jetën me duart e veta, pa ia dorëzuar fatin askujt.
Shikoni fytyrën time!
Gjaku që ka prekur lëkurën nuk është bojë për një portret tragjik. Është shenja e një përplasjeje mes trupit të pambrojtur dhe forcës.
Është dëshmia e një pushteti që beson se mund ta nënshtrojë njeriun, duke harruar se edhe trupi i plagosur mund të mbajë një ndërgjegje të lirë.
Çdo plagë është një pyetje drejtuar kohës, një dëshmi që nuk mund të fshihet, një e vërtetë që kërkon të dëgjohet.
Megjithatë, nuk kërkoj mëshirë.
Kërkoj të më shihni si njeri.
Sepse mëshira mund të zgjasë një çast, ndërsa dinjiteti është e drejta që askush nuk duhet të na e marrë.
Dhe nëse më quani Orfe, mos më kërkoni të këndoj vetëm për të bukurën. Kënga ime ka lindur edhe nga dhimbja, nga padrejtësia dhe nga heshtja.
Nga heshtja e atyre që panë, por zgjodhën të mos flisnin; nga sytë që u mbyllën para së vërtetës, kur një zë njerëzor kërkonte ndihmë.
Jam Orfeu i një kohe të thyer, poeti që nuk e ka humbur këngën, por që duhet të këndojë përmes një bote që përpiqet t’ia mbyllë gojën.
Në thellësinë e kësaj kënge jeton edhe Euridika.
E kërkoj në përqafimin e papërfunduar, në zërin që nuk dëgjohet më, në shpresën që pret përtej errësirës, në dashurinë që nuk pranon të shuhet.
Ajo është gjithçka që njeriu rrezikon të humbasë kur dhuna i ndërpret rrugën drejt dashurisë, kur frika ia mbyll portën e shtëpisë dhe dhimbja ia mbulon dritën e ditës.
Por unë nuk dua të zbres në nëntokë për të sfiduar vdekjen.
Dua të shpëtoj atë që ende jeton.
Dashurinë.
Dinjitetin.
Lirinë.
Sepse tragjedia nuk është vetëm të humbasësh atë që do, por të jetosh në një botë ku duhet të luftosh për të drejtën e jetës.
Dhe unë, i lidhur për lisin e kohës, me plagët e mia dhe këngën në gji, nuk kërkoj të sundoj fatin e askujt, por të jetoj si njeri, i lirë në liri.
II. PLISI I KUJTESËS
Mbi kokën time qëndron plisi, i bardhë si një copëz drite e ruajtur nga kohët e largëta, si kujtim që nuk pranon të shuhet.
Nuk është thjesht mbulesë koke.
Në bardhësinë e tij kalojnë hijet e brezave, duart e atyre që kanë punuar tokën, zërat e nënave që kanë rritur fëmijë dhe heshtja e burrave që kanë përcjellë amanetet.
E mbaj mbi ballë siç mbahet një kujtim që nuk dëshiron të plaket, një rrënjë që nuk pranon të thahet.
Në hijen e tij ndiej praninë e atyre që kanë jetuar para meje, të atyre që kanë ndërtuar shtëpitë, kanë ruajtur gjuhën dhe kanë mbjellë shpresën.
Kanë kaluar nëpër kthesat e historisë, pa e ditur se një ditë do të bëheshin kujtesa e dikujt që do të vinte pas tyre.
Por bardhësia nuk është garanci e pastërtisë.
Mund ta kesh plisin të bardhë dhe ndërgjegjen të zezë. Mund të mos kesh asgjë mbi kokë dhe të mbartësh një dritë që nuk shuhet.
Prandaj nuk e mbaj për t’u dukur më i mirë se të tjerët. E mbaj sepse më kujton prej nga vij dhe më pyet çfarë do të bëj me trashëgiminë.
Në ballin tim plisi takohet me qiellin. Poshtë tij, sytë kërkojnë një rrugë përtej mjegullës që mbulon horizontin, përtej dhimbjes që më shoqëron.
Mes bardhësisë dhe gjakut lind një kundërvënie që nuk kërkon shpjegim, sepse vetë pamja e saj flet.
Njëra është ajo që dua të ruaj.
Tjetra është ajo që më është dashur të përballoj.
Nuk dua të jem rob i së kaluarës, as njeriu që e harron atë. Dua t’i nderoj të parët pa u fshehur pas emrave të tyre.
Dua ta dua atdheun pa e kthyer dashurinë në armiqësi, ta bart traditën me respekt, pa ia dorëzuar asaj mendjen time.
Era kalon mbi lis.
Plisi nuk lëviz.
Dhe unë mendoj se ndoshta trashëgimia më e rëndësishme nuk është ajo që mbajmë mbi kokë, por ajo që ruajmë brenda shpirtit.
Ajo që nuk lejojmë të prishet, edhe kur koha na vë në provë, edhe kur stuhitë përplasen mbi ne dhe bota na kërkon të harrojmë.
III. LITARI
Rreth trupit tim është mbështjellë litari.
Disa fije të përdredhura, të shtrënguara rreth kyçeve, të zakonshme për syrin e atij që nuk e ndien peshën e tyre.
Por mua më ngjan me një gjarpër që ka harruar se është pa jetë dhe sillet sikur mund të vendosë sa ajër më lejohet të marr.
Nuk ka sy, por më vëzhgon përmes shtrëngimit.
Nuk ka gjuhë, por flet me çdo lëvizje që ma ndalon.
Nuk ka mendime, por është bërë vegël e një mendimi që beson se njeriu sundohet duke ia kufizuar trupin, fjalën dhe vullnetin.
Litari më tregon ku duhet të qëndroj.
Më kujton kur duhet të hesht.
Përpiqet të më bindë se largësia mes dy hapave është kufiri i botës sime, se përtej tij nuk ekziston asgjë.
Por ka litarë që nuk kalojnë nëpër kyçe.
Disa shtrëngojnë mendimin. Disa ndërgjegjen. Disa e bindin njeriun se nuk ia vlen të ngrihet, derisa ai fillon t’i mbajë vetë.
Dhe vjen një ditë kur robërinë e quan zakon, frikën e quan urtësi dhe heshtjen e quan paqe.
O gjarpër i përdredhur rreth trupit tim, ti njeh forcën e muskujve, por nuk njeh rrugët e mendimit, as horizontet ku udhëton ndërgjegjja.
Mund të ma ndalosh hapin.
Nuk mund të vendosësh se ku do të shkojë ndërgjegjja ime.
Mund të më mbash përpara lisit.
Nuk mund të më bindësh se ky trung është kufiri i botës, se këtu përfundon rruga ime.
Dhe nëse një ditë duart e mia çlirohen, nuk dua që çlirimi të më kthejë në dorën që lidh dikë tjetër, në atë që dikur më mbajti peng.
Nuk dua të dal nga ky rreth për të ndërtuar një rreth të ri. Kam parë mjaftueshëm litarë për të mos dëshiruar një tjetër në duart e mia.
Dua një liri që nuk kërkon viktima të reja, një drejtësi që nuk ushqehet me hakmarrje, një botë ku askush nuk duhet ta provojë dhimbjen time për ta kuptuar padrejtësinë.
Litari shtrëngohet.
Unë marr frymë.
Diku, në thellësinë time, një nyjë tjetër nuk pranon të mbyllet.
IV. SHOKA E AMANETIT
Rreth brezit tim kam shokën.
Dikur e shihja si pjesë të veshjes. Sot, nën hijen e lisit, më shfaqet si një fije që lidh kohë të ndryshme të së njëjtës jetë.
E kam amanet të babait.
Në fijet e saj përfytyroj duart e nënës sime, që dikur e përgatiti me kujdes për burrin që donte, për njeriun që kishte zgjedhur për jetë.
Ndoshta e palosi ngadalë, ndoshta e vështroi për herë të fundit përpara se t’ia dhuronte, duke i falur një copëz dashurie.
Nuk e di.
Por sa herë mendimi më kthehet te shtëpia, më duket sikur shoka ruan ende ngrohtësinë e atyre duarve që më deshën përpara se të njihja dhimbjen.
Nuk e kishin bërë për këtë çast.
Ata e kishin menduar për ditët e zakonshme, për rrugët e shtëpisë, për takimet me miqtë dhe për jetën që vazhdon pa pasur nevojë të mendojë për zinxhirët.
Nëna nuk e dinte se një ditë kjo dhuratë do të qëndronte pranë një litari që ma shtrëngon trupin, pranë një lisi që më dëshmon dhimbjen.
Babai nuk e dinte se amaneti i tij do të bëhej dëshmitar i një njeriu të lidhur, i një kohe që nuk pyet për plagët.
Ata kishin menduar për jetën.
Unë jam këtu, duke u përpjekur të mos e humbas atë.
O nënë, nëse diku e ndien dhimbjen time, mos mendo se duart e tua më përgatitën për këtë fat. Ti më dhurove dashurinë, jo dhimbjen, më mësove të jetoj, jo të vuaj.
O baba, nëse amaneti yt ende jeton rreth brezit tim, dije se nuk e mbaj për t’u dukur i fortë, por që të mos harroj prej nga vij.
E mbaj që të mos harroj se kam qenë i dashur përpara se të bëhesha dëshmitar i kësaj kohe.
Litari më lidh kundër vullnetit tim.
Shoka më lidh me ata që më deshën.
Njëri më mban peng.
Tjetra më mban gjallë.
Dhe, ndërsa shiu fillon të bjerë, e kuptoj se jo gjithçka që lidhet është robëri.
Ka nyja që të marrin frymën.
Ka kujtime që të japin forcën për ta rifituar atë, për të qëndruar edhe kur gjithçka duket sikur të shtyn drejt dorëzimit.
Nëse një ditë litari bie përtokë, shoka do të mbetet aty, rreth brezit tim, si një urë mes jetës që më kanë dhënë dhe jetës që ende shpresoj ta ndërtoj.
V. LISl I KOHËS
Pas shpinës sime ngrihet lisi.
Trungu i tij është i rëndë, rrënjët zbresin thellë në tokë dhe degët mbajnë shenjat e stinëve që kanë kaluar mbi të.
Nuk e di sa pranvera kanë ardhur, sa dimra ia kanë ngrirë lëngun, sa stuhi ia kanë përkulur kurorën dhe sa herë era ia ka tundur degët.
Por koha ka lënë gjurmë në trupin e tij.
Unazat e drurit janë rrathë kujtese, njëra brenda tjetrës, si vite që nuk janë zhdukur, por janë mbyllur në heshtjen e trungut.
Në to përfytyroj ardhje e largime, lindje e humbje, zëra që dikur mbushnin ajrin dhe emra që sot nuk i shqipton më askush.
Ky lis nuk është më vetëm pemë.
Është koha që ka marrë trup.
Është kujtesa që ka zgjedhur të qëndrojë, dëshmitari që nuk mund të largohet, që nuk mund të mbyllë sytë dhe nuk mund ta mohojë atë që ka parë.
Kur më lidhën për të, më vendosën përballë heshtjes së tij, përballë një dëshmitari të gjallë që nuk mund të flasë, por që qëndron.
O lis i kohës, a e ndien peshën e trupit tim? A e ndien shtrëngimin e litarit, dridhjen e duarve dhe lodhjen mbi supe?
Apo je mësuar aq shumë me stuhitë, sa dhimbja e një njeriu të duket si një gjethe që bie në vjeshtë, si një shenjë që era e merr me vete?
Një degë kërcet mbi kokën time.
Nuk e di nëse është era apo një kujtim i vjetër që lëviz brenda trungut dhe kërkon të zgjohet.
Shikoj rrënjët e tua, të fshehura nën dhe.
Edhe rrënjët e njeriut janë të tilla.
Nuk duken, por e mbajnë në këmbë.
Janë gjuha që flet, dashuria që ka marrë, kujtimet që ruan dhe e vërteta që nuk pranon ta mohojë.
Më mëso, lis, të qëndroj pa u bërë gur.
Të përkulem pa u dorëzuar.
Të ruaj rrënjët pa ia mbyllur vetes qiellin.
Sepse ti nuk jeton ngaqë nuk lëviz kurrë.
Jeton sepse di ta përballosh erën pa i braktisur rrënjët, pa e harruar tokën që të mban.
Dhe unë, me shpinën mbështetur te trungu yt, pres të mësoj të njëjtën gjë.
VI. DODONA
Era kalon nëpër degët e lisit dhe, për një çast, më duket sikur nuk jam më këtu.
Mendimi më çon drejt Dodonës, te lisi i lashtë, ku njerëzit dëgjonin gjethet për të kuptuar atë që fshihej përtej fjalëve.
Përfytyroj degët që preknin qiellin, gjethet që pëshpëritnin dhe njerëzit që prisnin një shenjë, një përgjigje për fatin e tyre.
Mbi ta, bubullima e Zeusit.
Në duart e tyre, pyetjet.
Çfarë kërkon njeriu kur pyet qiellin për fatin e vet?
Ndoshta një përgjigje.
Ndoshta një arsye për të vazhduar.
Ndoshta dikë që t’ia ndajë barrën e vendimit, që t’ia bëjë më të lehtë rrugën.
Unë nuk kërkoj orakull.
Nuk dua të di çfarë më pret.
Litari shtrëngohet rreth kyçeve të mia dhe përgjigjja është këtu, përpara syve.
Një gjethe shkëputet nga dega dhe bie pranë këmbëve të mia.
E shikoj gjatë.
Pastaj ngre sytë nga qielli.
Asnjë zë nuk zbret.
Vetëm era vazhdon të lëvizë gjethet, sikur kërkon të më kujtojë se jo çdo heshtje është zbrazëti, se jo çdo përgjigje vjen nga qielli.
Dhe unë mendoj për ata që presin një shenjë përpara se të bëjnë atë që ndërgjegjja ua ka kërkuar prej kohësh.
Ndoshta edhe Dodona ka pasur ditë kur njerëzit kanë dalë prej saj me të njëjtat pyetje me të cilat kishin hyrë.
Ndoshta gjethet nuk u kanë dhënë përgjigje, por vetëm u kanë kujtuar se bota është më e madhe se frika që mbartin brenda vetes.
Era fryn përsëri.
Për një çast, më duket sikur lisi po më flet.
Nuk i dalloj fjalët.
Dhe ndoshta nuk është e nevojshme.
VII. DARDANIA
Përtej hijes së lisit shtrihet Dardania.
Në mendjen time ajo nuk është vetëm emri i një mbretërie të lashtë, as hija e mbretërve që kanë kaluar nëpër të, si hapat e tretur në udhët e historisë.
Është toka ku koha ka lënë gjurmë, ku breza të tërë kanë lindur, kanë punuar dhe janë larguar, pa e ditur se kujtimet e tyre do të mbeteshin.
Dikush, një ditë, do të përpiqej t’i mblidhte ato në një këngë, t’u jepte zë jetëve të harruara dhe dritë emrave të mbuluar nga heshtja.
Më shfaqen emrat e Bardhylit, Longarit dhe Monunit, të largët si gurë të mbuluar nga dheu, si gjurmë që koha nuk i ka fshirë krejt.
Nuk i thërras për t’u fshehur pas lavdisë së tyre të largët. I lë të kalojnë nëpër mendjen time si hije të një historie që nuk më përket vetëm mua.
Pastaj shikoj duart e mia.
Mendoj për duart e bujkut që ka hapur brazda në tokë, për duart e gruas që ka mbjellë farën dhe të mjeshtrit që ka ngritur një mur.
Mendoj për duart e nënës që ka përkundur fëmijën, duke i kënduar një ninullë të butë, ndërsa nata zbriste mbi shtëpi.
Sa jetë kanë kaluar mbi këtë tokë pa lënë emër në asnjë monument?
Sa këngë janë kënduar dhe sa prej tyre janë harruar?
Sa njerëz kanë jetuar me dinjitet, pa e ditur se një ditë dikush do ta kërkonte dinjitetin e tyre nëpër librat e historisë?
Dardania ime është edhe ata që nuk i njeh askush, ata që kanë mbjellë e korrur, që kanë ndërtuar e rindërtuar.
Ata që kanë ruajtur gjuhën në shtëpi dhe shpresën thellë në zemër, që kanë kaluar stinë të vështira pa e lëshuar nga duart amanetin e jetës.
Nëse dua ta nderoj këtë trashëgimi, nuk më mjafton të përmend mbretërit.
Duhet të shoh njeriun që jeton sot mbi këtë tokë, duhet të dëgjoj zërin e tij dhe të kuptoj çfarë kërkon nga jeta.
Duhet të pyes nëse ndihet i lirë, nëse mund të flasë pa frikë, nëse puna ia mban familjen dhe nëse shpresa i mbetet gjallë.
Duhet të pyes nëse fëmija i tij mund ta përfytyrojë të ardhmen pa qenë i detyruar të largohet, pa e kërkuar lumturinë përtej kufirit.
Rrënjët janë të lashta.
Degët jetojnë në të tashmen.
Dhe asnjë lis nuk mund të mburret me rrënjët e veta, nëse degët e tij nuk arrijnë të prekin dritën.
VIII. ULPIANA
Në largësi shfaqet Ulpiana.
E përfytyroj mes mureve të vjetra, themeleve të zbuluara dhe gurëve që kanë parë të kalojnë breza të tërë njerëzish.
Dikur, nëpër rrugët e saj, kanë ecur udhëtarë, zejtarë, tregtarë dhe fëmijë që nuk e dinin se koha do t’i mbulonte gjurmët e tyre.
Hapat e tyre do të mbeteshin nën dhe, duke pritur duart e atyre që do të vinin shumë shekuj më vonë, për të zbuluar heshtjen e gurëve.
Sot, gurët e saj heshtin.
Por heshtja e tyre nuk është zbrazëti.
Në mendjen time shoh një rrugë të vjetër, një prag të konsumuar nga hapat, një mur ku drita e pasdites ka rënë mijëra herë.
Përfytyroj duart që i kanë vendosur gurët njëri mbi tjetrin, duke ndërtuar një vend ku jeta të mund të vazhdonte.
Ndoshta dikush është kthyer në shtëpi i lodhur.
Ndoshta dikush ka pritur një lajm.
Ndoshta një nënë ka thirrur fëmijën e saj nga pragu i shtëpisë, ndërsa mbrëmja ka shtrirë hijet mbi rrugicat e qytetit.
Gurët nuk i ruajnë emrat e tyre.
Por unë dua t’i përfytyroj.
Dua t’u jap një vend në kujtesën time, jo sepse mund t’i njoh të gjithë, por sepse çdo jetë ka pasur një histori që meriton të mos zhduket krejt.
O Ulpianë, ti nuk ke nevojë të flasësh me zë të lartë.
Ti i ke mbijetuar heshtjes.
Dhe unë, këtu, pranë një lisi që nuk është rrënojë, por ende i gjallë, mendoj për gjithçka që njerëzit ndërtojnë dhe për gjithçka që mund të shkatërrojnë.
Një qytet mund të mbetet në gurë, ndërsa jeta që e mbushi mund të largohet.
Një shtëpi mund të qëndrojë në këmbë, ndërsa zëri i njeriut që e quante të vetën mund të humbasë përgjithmonë.
Çfarë mbetet atëherë?
Ndoshta një prag.
Ndoshta një gur i bardhë.
Ndoshta një pyetje që dikush, shumë më vonë, do t’ia drejtojë kohës.
Shikoj lisin pas shpinës sime.
Ai dhe Ulpiana nuk janë të njëjtë.
Por të dy më kujtojnë se koha nuk i merr të gjitha.
Disa gjëra i lë në heshtje, duke pritur që dikush t’u afrohet pa zhurmë, me respekt dhe me zemrën të hapur ndaj kujtesës.
IX. KËNGA E SIRENAVE
Në mendjen time shfaqet Odiseu.
Anija e tij përshkon detin, ndërsa era fryn mbi vela dhe horizonti tërhiqet gjithnjë e më larg, si një ëndërr që nuk arrihet lehtë.
Ai kërkon rrugën e kthimit, por deti nuk ia premton.
Pastaj dëgjohen sirenat.
Kënga e tyre përhapet mbi ujë, e ëmbël si një kujtim dhe e rrezikshme si një dëshirë që nuk njeh kufi.
Odiseu lidhet pas direkut.
Dëshiron ta dëgjojë këngën, por nuk dëshiron t’i dorëzohet.
Unë jam lidhur për lisin.
Ai u lidh për të mos humbur veten.
Mua më lidhën duke shpresuar se do ta humbja.
Mes nesh shtrihet deti, por dëgjoj të njëjtën këngë.
Edhe koha ime ka sirenat e veta.
Ato këndojnë nga tribunat, nga ekranet, nga gojët e njerëzve që premtojnë një të ardhme të ndritur.
Ndërkohë, përpara syve të tyre, dikush kërkon ndihmë dhe pret një dorë që nuk po zgjatet, një fjalë që nuk po shqiptohet.
Këndojnë për drejtësinë, por kërkojnë heshtje.
Këndojnë për lirinë, por duan bindje.
Këndojnë për dinjitetin, por e matin njeriun me dobinë që u sjell.
Dhe sa e ëmbël është kënga e tyre kur je i lodhur, kur ke pritur gjatë dhe kur një premtim i bukur duket më i lehtë se e vërteta.
Më kujtohet edhe Helena, emri i së cilës u bë pjesë e një lufte që përfshiu një botë të tërë, duke lënë pas gjak, humbje dhe dhimbje.
Sa lehtë e ngarkojnë njerëzit një fytyrë me fajin e një historie, sikur dëshira e një njeriu të mund të shpjegojë vendimet e të gjithëve.
Ndoshta çdo epokë kërkon Helenën e vet, dikë që ta kthejë në simbol dhe pastaj ta lërë të mbajë peshën e asaj që nuk e ka vendosur e vetme.
O Odise, a do t’i njihje sirenat e kohës sime?
A do ta dalloje zërin që të thërret drejt së vërtetës nga ai që të premton gjithçka për të të marrë atë që je?
Unë nuk kam direk anijeje.
Kam trungun e lisit, qiellin që ndryshon ngjyrë dhe ndërgjegjen që duhet ta ruaj nga joshjet e kohës.
Le të këndojnë sirenat.
Unë do t’i dëgjoj.
Por nuk do t’ua dorëzoj ndërgjegjen.
X. ZJARRI DHE GURI
Prometeu vjen nga larg, me zjarrin e fshehur në duar.
Flaka dridhet në errësirë dhe, për një çast, fytyra e tij më duket më pranë se vetë qielli.
Ai e sjell zjarrin te njerëzit.
Unë shikoj duart e mia të lidhura dhe përfytyroj një flakë të vogël që nuk mund ta prek, por as nuk mund ta harroj.
Sa herë njeriu ka rrezikuar gjithçka për të mos e lënë dritën të bëhet pronë e të fuqishmëve?
Sa herë zjarri që duhej të ngrohte shtëpitë është kthyer në flakë që i djeg ato, duke lënë pas hi, heshtje dhe dhimbje?
Nuk e di nëse Prometeu e kishte përfytyruar gjithë këtë.
Di vetëm se drita, kur bie në duar të gabuara, mund të verbojnë më shumë se errësira.
Pastaj dëgjoj një gur që rrokulliset.
Sizifi e ka nisur përsëri ngjitjen.
Shpatet janë të pjerrëta, fryma i rëndon dhe guri, si gjithmonë, pret çastin kur do t’i ikë nga duart.
E shikoj duke u ngjitur.
Nuk dua ta mëshiroj.
Dua të di pse duhet të fillojë përsëri.
Ndoshta edhe unë kam shtyrë gurë të tillë: fjalë që nuk u dëgjuan, shpresa që ranë dhe ditë që u desh të nisnin nga e para.
Por nuk dua ta quaj vuajtjen fat të shenjtë.
Nuk dua t’i them njeriut se duhet të lodhet përgjithmonë vetëm sepse dikush tjetër e ka vendosur gurin në rrugën e tij.
Guri rrokulliset.
Sizifi ndalet.
Për një çast, nuk lëviz.
Pastaj kthehet për ta marrë përsëri.
Dhe unë e kuptoj se këmbëngulja nuk është gjithmonë të pranosh të njëjtën rrugë.
Ndonjëherë është të pyesësh pse duhet ta ngjitësh përsëri të njëjtin mal, pse duhet të mbash një barrë që nuk e zgjodhe.
Në largësi shfaqet Antigona.
Nuk dëgjoj zërin e saj, por e shoh duke ecur drejt asaj që ndërgjegjja i kërkon, edhe kur pushteti ia ka ndaluar rrugën.
Pas saj vjen Kasandra, me fjalët që askush nuk dëshiron t’i dëgjojë, me të vërtetën që troket në dyer ku frika ka vendosur drynin.
Dhe unë, i lidhur për lisin, i njoh të dyja heshtjet: atë që lind nga frika dhe atë që u imponohet të vërtetave të padëshiruara.
Era përshkon degët.
Flaka e Prometeut shuhet në largësi.
Guri i Sizifit zhduket pas një kthese.
Antigona vazhdon të ecë.
Unë mbetem këtu, duke dëgjuar hapat e tyre në mendjen time.
Asnjëri nuk ma zgjidh litarin.
Por, për një çast, litari nuk është më e vetmja gjë që ndiej.
XI. FILLI NË LABIRINT
Nata ka rënë mbi lis.
Degët janë shndërruar në vija të zeza kundër qiellit, ndërsa hija e trungut zgjatet mbi tokë si një rrugë që nuk di ku përfundon.
Mendimi më çon në labirint.
Muret ngrihen njëri pas tjetrit.
Kthesat përsëriten, korridoret ngushtohen dhe çdo rrugë duket sikur të çon përsëri te vendi prej nga je nisur.
Në zemër të tij pret Minotauri.
Por ajo që më frikëson më shumë nuk është përbindëshi.
Është mundësia që të mësohem me errësirën dhe të mos kërkoj më daljen.
Pastaj shfaqet Ariadna.
Në dorën e saj është filli.
Nuk flet.
Nuk premton se rruga do të jetë e lehtë.
Vetëm ma zgjat fillin, sikur të më kujtojë se edhe në labirintin më të errët mund të mbetet një lidhje me botën përtej tij.
Tezeu hyn në errësirë.
Dedali e ka ndërtuar labirintin, por as mendja që ndërton një burg nuk është gjithmonë në gjendje ta gjejë daljen prej tij.
Dhe Ikari ngrihet drejt qiellit, me krahët prej dylli, duke kërkuar lartësinë që nuk e njeh masën.
Unë i shikoj të gjithë.
Njëri hyn.
Tjetri ndërton.
Njëra zgjat fillin.
Një tjetër fluturon.
Ndërsa unë rri i lidhur për një lis dhe përpiqem të kuptoj se cili është labirinti im.
Ndoshta është frika.
Ndoshta heshtja.
Ndoshta rruga e ngushtë që koha kërkon të ma caktojë.
Ndoshta muret që ngre njeriu brenda vetes, duke harruar se vetë i ka ndërtuar.
Nuk e di.
Por, kur era lëviz një degë mbi kokën time, shoh se edhe nata ka hapësira të vogla ku depërton drita, edhe errësira nuk është e pakufishme.
Dhe filli i Ariadnës më duket papritur si një rreze që nuk premton shpëtim, por nuk më lë ta harroj daljen.
XII. SHQIPONJA DHE SYRI
Mbi kreshtat e maleve, shqiponja hap krahët.
E ndjek me sy, ndërsa trupi më rëndon dhe qafa më dhemb nga qëndrimi i gjatë.
Ajo ngrihet mbi erën, përshkon hapësirën dhe zvogëlohet në largësi, derisa bëhet një pikë e errët në qiell.
Më kujtohet Homeri.
Poeti që, sipas traditës, e humbi shikimin, por jo botët që mbante brenda vetes.
Ai ngriti Trojën me fjalë, mbushi detet me anije dhe u dha zë njerëzve që shekujt nuk arritën t’i heshtnin.
Sa i çuditshëm është shikimi!
Dikush i ka sytë hapur, por nuk sheh njeriun që kërkon ndihmë.
Dikush tjetër nuk e sheh botën me sy, por arrin ta ruajë dritën në fjalë, ta bëjë kujtesën një dritare për ata që vijnë pas tij.
Unë i kam sytë përballë gjithçkaje.
Dhe prapëseprapë pyes veten sa prej asaj që shoh arrij vërtet ta kuptoj.
Ndoshta sytë na japin pamjen, por ndërgjegjja duhet të na zbulojë domethënien, të na mësojë të shohim përtej dukjes dhe të dallojmë njeriun pas saj.
Flamuri kuqezi valon në kujtesën time.
Shqiponja hap krahët mbi të.
Mendoj për brezat që e kanë mbajtur këtë shenjë si dëshmi të një dëshire për liri, për një jetë ku njeriu të mos ketë nevojë të ulë kokën për të ruajtur vendin e vet.
Por flamuri nuk është vetëm pëlhurë.
As shqiponja vetëm një shenjë mbi ndërtesa.
Ato marrin kuptim nga jeta e njerëzve që jetojnë nën hijen e tyre, nga liria që arrijnë të përjetojnë.
Çfarë shoh unë kur shikoj flamurin?
Një nënë që pret djalin e larguar.
Një fëmijë që pyet pse duhet ta kërkojë të ardhmen përtej kufirit.
Një mësues që përpiqet të mbjellë dije në një klasë ku mungon shumëçka.
Një qytetar që dëshiron të flasë pa u frikësuar, pa e peshuar çdo fjalë nga frika se mos ndëshkohet.
O shqiponjë, mos fluturo vetëm mbi flamuj.
Zbrit edhe aty ku një njeri kërkon ndihmë, ku një fëmijë pret përgjigje dhe ku një i moshuar ka mbetur vetëm me kujtimet e veta.
Më mëso të shoh larg.
Por mos më lejo të harroj atë që kam pranë.
Sepse liria që nuk arrin deri te njeriu mbetet vetëm një pamje e bukur në qiell.
XIII. TEATRI I KOHËS
Dhe ja ku është koha ime, me sheshet, rrugët, tribunat dhe dritaret e mbyllura, një kohë që flet shumë për lirinë.
Por jo gjithmonë e dëgjon njeriun që kërkon të jetojë i lirë. Nëpër sheshe shpërndahen premtime si pëllumba të bardhë.
Fjalët ngrihen mbi turmë, përplasen me njëra-tjetrën dhe për një çast krijojnë pamjen e një qielli të pastër.
Dikush flet për drejtësinë. Dikush betohet për dinjitetin. Dikush shpall se populli është zot i fatit të vet.
Pastaj mbaron fjalimi. Dritat fiken. Qytetari kthehet në shtëpi me të njëjtat pyetje.
Ku është drejtësia kur njeriu nuk gjen mbështetje? Ku është dinjiteti kur puna nuk mjafton për të jetuar?
Ku është liria kur njeriu duhet ta peshojë çdo fjalë përpara se ta shqiptojë, nga frika e pasojave?
Ah, çfarë teatri! Aktorët flasin për popullin, publiku pret të shohë vepra dhe perdja ngrihet përsëri.
Mbi të njëjtat fjalë madhështore. Dikush mban drejtësinë si një kurorë të artë, por kthen kokën kur kërkohet ndihmë.
Dikush shqipton lirinë me zë të lartë, por nuk duron një zë që mendon ndryshe. Dikush betohet se i shërben popullit, por harron se pushteti nuk është pronë e përjetshme.
Dhe unë buzëqesh me hidhërim, jo sepse dhimbja është për t’u tallur, por sepse hipokrizia e ka bërë botën groteske.
Kur fjalët vishen si mbretër dhe veprat mbeten lakuriq, satira bëhet pasqyra që askush nuk dëshiron ta shohë.
Megjithatë, nuk dua të bëhem i ngjashëm me atë që kundërshtoj. Nuk dua ta kthej zemërimin në urrejtje, as kritikën në përçmim.
Dua të ruaj aftësinë për ta dalluar njeriun nga veprimi i tij dhe drejtësinë nga hakmarrja.
Nata bie mbi qytet. Nëpër dritare shfaqen drita të vogla. Pas tyre jetojnë njerëzit, me hallet, shpresat dhe frikën e tyre.
Dhe më duket se pikërisht aty, larg tribunave, duhet të provohet liria, jo vetëm në fjalët që thuhen.
Në një shtëpi ku askush nuk ka frikë të flasë. Në një rrugë ku askush nuk duhet të përkulet për të kaluar.
Në një jetë ku dinjiteti nuk është premtim, por mënyrë e të jetuarit, dhe liria bëhet pjesë e përditshmërisë.
XIV. STUHIA
Retë mblidhen mbi horizont. Era përshkon degët e lisit dhe gjethet përplasen me njëra-tjetrën, si zëra që zgjojnë kujtime të vjetra.
Diku larg, deti godet shkëmbinjtë e bardhë, ndërsa malet qëndrojnë nën qiellin e rënduar, duke pritur shpërthimin e stuhisë.
Shkëmbinjtë e vendlindjes sime më duken të lashtë sa kujtesa që kërkoj të prek, sa rrënjët që më mbajnë pranë tokës.
Nuk e di sa stuhi kanë kaluar mbi ta. Nuk e di sa herë dielli i ka ndriçuar dhe sa herë shiu ua ka fshirë pluhurin. Di vetëm se kanë qenë këtu përpara meje.
Dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe kur hapat e mi të mos dëgjohen më në rrugët e kësaj bote.
Pastaj bie shiu. Ai prek plisin, fytyrën e përgjakur, duart e lidhura dhe trungun e lisit.
Uji rrjedh mbi lëkurën time dhe zhduket në tokë. Për një çast dua të besoj se mund ta marrë me vete dhimbjen.
Por shiu mund ta lajë gjakun. Nuk mund ta lajë kujtimin. Një bubullimë trondit qiellin, duke e zgjuar heshtjen e maleve.
Rrufeja ndriçon gjithçka për një çast: litarin, trungun, duart, rrënjët dhe rrugën që humbet përtej horizontit.
Pastaj errësira kthehet. Mendoj se ndoshta edhe e vërteta vepron kështu: nuk e largon gjithmonë errësirën përgjithmonë.
Por, për një çast, na detyron të shohim, të dallojmë atë që fshihet nën hijet e frikës.
Stuhia vazhdon. Nuk mbaron vetëm sepse unë dëshiroj që ajo të mbarojë, as sepse shpresa ime e kërkon.
Por diku pas reve, dielli vazhdon të ekzistojë. Unë pres, me sytë drejtuar nga largësia.
Jo sepse besoj se pritja do ta ndryshojë vetë botën, por sepse duhet të mbledh forcat, të ruaj mendjen dhe të mos dorëzohem.
Nuk duhet të lejoj që errësira e çastit të bëhet bindja ime e përhershme, as që stuhia të më vjedhë shpresën.
Në trungun e lisit, një pikë uji rrëshqet ngadalë. Ndalet në një të çarë të lëvores, pastaj bie.
Dhe për një çast, më duket sikur koha ka marrë frymë.
XV. NJERIU BRENDA ORFEUT
Kur mendimi më kthehet te vetja, kuptoj se nuk jam vetëm njeriu që shihni përpara lisit, as trupi që litari mban peng.
Brenda meje jetojnë shumë zëra: Orfeu që kërkon të këndojë, Prometeu që ruan zjarrin, Odiseu që kërkon kthimin.
Sizifi që shtyn gurin, Antigona që ecën drejt asaj që ndërgjegjja i kërkon, Kasandra që flet edhe kur askush nuk dëgjon.
Por brenda meje jeton edhe fëmija që kam qenë dikur, ai që besonte se bota duhej të ishte një vend ku njeriu nuk kishte frikë.
Një vend ku njeriu mund të ishte vetvetja, ku fjala nuk dënohej me heshtje, ku ëndrrat nuk mbeteshin peng i frikës dhe i padrejtësisë.
Jeton zëri i nënës, kujtimi i babait, rruga e vendlindjes dhe duart që më kanë përqafuar.
Jetojnë fjalët që më kanë mësuar se dashuria nuk është dobësi, se dinjiteti nuk blihet me frikë dhe se njeriu nuk matet me pushtetin.
Unë nuk jam hero pa frikë. Frika më prek, dhimbja më lodh, dhe heshtja e botës më rëndon.
Ka çaste kur litari më duket më i lehtë se pesha e mendimeve, kur dua të mos mendoj, të mos kujtoj, të mos pyes më.
Pastaj vështrimi më bie mbi shokën, dhe kujtoj se përpara se të bëhesha dëshmitar i një kohe të lidhur, kam qenë njeri i dashur për të tjerët.
Nuk dua ta shndërroj vuajtjen në lavdi, as të mësohem me plagën, sikur ajo të jetë e vetmja dëshmi se kam jetuar në këtë botë.
Dua të çlirohem prej saj, por nuk dua të harroj atë që më mësoi për brishtësinë e njeriut.
Nëse një ditë do të flas për këtë kohë, dua të flas pa e zbukuruar dhimbjen, pa e fshehur të vërtetën dhe pa e shndërruar plagën në stoli.
Dua të them se pati duar që lidhën, sy që nuk deshën të shihnin dhe gojë që heshtën përballë padrejtësisë.
Por pati edhe njerëz që nuk e humbën aftësinë për ta ndier dhimbjen e tjetrit dhe për të mos e braktisur ndërgjegjen.
Nëse kënga ime do të mbijetojë, nuk dua të mbijetojë vetëm si këngë e një njeriu të lënduar, por të bëhet një pyetje për të gjithë.
Çfarë bëjmë ne kur liria e tjetrit vihet në provë? A heshtim përballë padrejtësisë, apo guxojmë ta mbrojmë dinjitetin njerëzor?
Era kalon mbi lis. Mbyll sytë. Dhe për herë të parë, nuk përpiqem të dëgjoj përgjigjen.
Përpiqem të dëgjoj nëse dikush tjetër po thërret.
XVI. DITA QË AFROHET
Mbi lisin e kohës, gjethet kanë nisur të lëkunden më butë. Stuhia po largohet, por qielli ende nuk ka premtuar qetësi.
Nuk e di nëse dita do të jetë e qetë. Ndoshta një re tjetër do të vijë, ndoshta rruga drejt lirisë do të jetë më e gjatë se sa mund ta përfytyroj.
Por në horizont shfaqet një vijë e hollë drite. Dielli prek majat e maleve, zbret mbi shkëmbinjtë e bardhë.
Pastaj depërton mes degëve dhe, më në fund, drita prek fytyrën time, si një përshëndetje nga largësia.
Litari nuk zgjidhet. Plagët nuk zhduken. Megjithatë, diçka ndryshon në mënyrën si e shoh këtë mëngjes.
Drita nuk më premton shpëtim. Nuk më thotë se gjithçka ka mbaruar. Më kujton vetëm se errësira nuk është e vetmja gjendje e botës.
Shikoj duart e mia. Janë ende të lidhura. Shikoj trungun, që qëndron aty me rrënjët në tokë.
Degët e tij ngrihen drejt qiellit, duke kërkuar dritën e mëngjesit. Dhe unë përfytyroj Dodonën, me lisin e saj të lashtë.
Mendoj për gurët e Ulpianës, që vazhdojnë të ruajnë heshtjen, për Dardaninë që jeton në kujtesë dhe për brezat që do të vijnë.
Ata nuk kanë asnjë detyrim ta përsërisin dhimbjen tonë, as të trashëgojnë urrejtjen që koha mund të lërë pas.
Historia mund të na japë kujtesën, por ajo nuk mund të vendosë në vendin tonë. Natyra mund të na japë shpresën, por nuk mund ta ndërtojë drejtësinë për ne.
Mitet mund të na japin fytyra e zëra, por kuptimin duhet ta gjejmë në jetën që jetojmë dhe në zgjedhjet që bëjmë çdo ditë.
Nuk kërkoj një agim që të më shpallë fitues mbi të tjerët. Kërkoj një agim ku askush të mos ketë nevojë të lidhet për ta kuptuar lirinë.
Një ditë, ndoshta, fëmijët do të kalojnë pranë këtij lisi. Do të pyesin për njeriun që dikur qëndronte i lidhur aty.
Dikush do t’u tregojë për plisin, për fytyrën e plagosur dhe për shokën e trashëguar nga prindërit e tij.
Por unë shpresoj që ata të mos më shohin vetëm si viktimë. Dua që të pyesin jo vetëm kush më lidhi, por edhe si mund të pengohet përsëritja e kësaj dhimbjeje.
Era fryn. Një gjethe e re lëviz në majë të degës. Nuk është ende pranverë e plotë, por pema ka nisur të zgjohet.
XVII. KËNGA QË NUK LIDHET
Tani, kur e shikoj lisin, nuk shoh vetëm trungun që më mban të lidhur, por kohën që kalon.
Shoh kujtesën që mbetet dhe jetën që kërkon rrugën e vet drejt dritës që ende e pret, përtej hijes së këtij trungu.
Dodona pëshpërit diku në largësi. Ulpiana hesht mes gurëve. Dardania shtrihet nën qiellin e kujtimeve, duke ruajtur gjurmët e brezave.
Odiseu vazhdon të kërkojë kthimin, Prometeu ruan zjarrin, Sizifi i afrohet përsëri gurit dhe Antigona ecën në errësirën e ndërgjegjes.
Sirenat këndojnë. Retë kalojnë. Era lëviz degët. Litari shtrëngohet rreth trupit tim.
Por unë nuk jam vetëm ky trup. Shoka ime, amaneti i nënës dhe i babait, më kujton se përpara se të bëhesha simbol i një kohe të lidhur,
kam qenë njeri i dashur nga njerëz të tjerë. Dhe kjo e vërtetë nuk ka nevojë për dëshmitarë.
O lis i kohës, ti që ke qëndruar nën stuhi dhe ke pritur përsëri pranverën, mos e ruaj vetëm kujtimin e lidhjes sime.
Ruaje edhe heshtjen që pason britmën, ruaje pyetjen që mbetet pasi largohen ata që më lidhën.
Mos lejo që trungu yt të bëhet dëshmitar i një dhimbjeje që përsëritet pa fund, duke u trashëguar nga një brez te tjetri.
Le të vijë një ditë kur fëmijët të kalojnë pranë teje pa e ulur zërin, pa e mësuar frikën si gjuhë të jetës.
Kur duart e tyre të prekin lëvoren jo për të kërkuar gjurmët e një njeriu të lidhur, por për të numëruar vitet që i kanë mbijetuar stuhive.
Dhe nëse dikush pyet se kush ishte ai njeri që qëndronte përpara lisit, mos i thoni vetëm se ishte i lidhur.
Thoni se mbante mbi kokë një plis të bardhë dhe rreth brezit shokën e trashëguar nga prindërit.
Thoni se kishte një fytyrë të plagosur, por nuk kishte harruar të shihte përtej dhimbjes dhe përtej errësirës së kohës.
Se në mendjen e tij udhëtonin mite të lashta, ndërsa në zemër ruante një tokë që nuk dëshironte ta kthente në kufi mes njerëzve.
Thoni se e kishte parë hipokrizinë e kohës, por nuk kishte pranuar ta kthente zemërimin në urrejtje dhe dhimbjen në dëshirë për hakmarrje.
Se kishte kërkuar drejtësi pa ëndërruar hakmarrjen, se kishte dashur lirinë jo vetëm për veten, por edhe për atë që nuk kishte zë.
Dhe, mbi të gjitha, thoni se nuk dëshironte të mbetej i lidhur përgjithmonë, as të bëhej rob i dhimbjes së vet.
Sepse unë jam Orfeu i kësaj kohe, por nuk dua të jem kënga e një burgu të përjetshëm, as jehona e një dhimbjeje pa fund.
Jam zëri që kërkon të dalë nga heshtja. Jam njeriu që dëshiron të rifitojë lëvizjen. Jam ndërgjegjja që nuk pranon të kthehet në gur.
Ndoshta litari do të bjerë nesër. Ndoshta do të më duhet të pres më gjatë se sa mund ta durojë shpresa ime e lodhur.
Por çlirimi ka nisur që kur nuk pranova ta quaj të drejtë atë që më poshtëron dhe atë që më mohon dinjitetin.
Dhe kur të vijë agimi, dua të ngrihem pa e marrë me vete urrejtjen e natës, pa ia kaluar dikujt tjetër barrën e dhimbjes.
Të eci drejt dritës pa kërkuar që dikush tjetër të mbetet në errësirë, pa e kthyer lirinë në privilegj të njërit.
Të këndoj për lirinë pa harruar se liria e njërit nuk duhet të ndërtohet mbi robërinë e tjetrit.
Atëherë, ndoshta, lisi do të nxjerrë gjethe të reja, era do të përshkojë degët dhe dielli do të prekë trungun.
Shkëmbinjtë e bardhë do të vazhdojnë të qëndrojnë mbi breg. Dodona do të mbetet në largësinë e shekujve.
Ulpiana do të ruajë gurët e saj. Dardania do të jetojë në kujtesën e njerëzve, si një rrënjë që nuk e harron tokën.
Por unë nuk do të jem më vetëm njeriu i lidhur për lisin. Do të jem zëri që u dëgjua, pyetja që nuk u harrua.
Dëshmia se liria nuk është vetëm një fjalë që shqiptohet, por një jetë që duhet mbrojtur me guxim dhe përgjegjësi.
Sepse mund të lidhet një trup, mund të plagoset një fytyrë, mund të shtrëngohen duart dhe të rëndohet një kohë e tërë.
Por, për sa kohë njeriu ruan aftësinë për të menduar, për të dashur dhe për të kërkuar drejtësi, diçka brenda tij vazhdon të qëndrojë.
Diçka që nuk i bindet plotësisht dhunës, që nuk dorëzohet para frikës dhe nuk e humbet krejtësisht dritën, edhe kur bota përreth hesht.
Aty, në atë hapësirë të padukshme, kënga ime vazhdon. Nuk kërkon më një tempull, as një fron ku të shpallet madhështia.
Nuk kërkon as që dikush të më shpallë hero. Kërkon vetëm një njeri që të ndalet, të shohë dhe të mos e kthejë kokën.
Unë jam Orfeu. Jam njeriu që koha e lidhi për lisin e saj, por nuk jam kënga që koha mund ta shuajë.
Jam rrënja që nuk e harron tokën, dega që kërkon qiellin, zëri që vazhdon të dëshmojë edhe kur gjithçka përreth hesht.
Dhe kur ndërgjegjja zgjohet, kënga nuk i përket më vetëm një njeriu. Ajo kalon nga një zemër në tjetrën, si një dritë që nuk ka nevojë të bërtasë për të mos u shuar.
Sepse liria mund të lidhet për një lis, por nuk mund të mbahet përgjithmonë peng prej tij.
Vendi i Lekës, 19.10.2026











