
nga Gjon Marku
- tregim
Gjergji hodhi edhe një herë vështrimin te mbishkrimi që tregonte vendin ku ishte varrosur ai, në mesin e sallës kryesore, të cilën e ndante me dhomën e tij një fije e vetme muri. Dy dritare të vogla si frëngji lejonin aparaturat filmike që, prej shiritit, t’i jepnin publikut filmat e regjistruar në të.
Pikërisht aty ku ai kishte vënë tani krevatin, kishte qenë dikur vendi i meshës, mendoi dhe shpejt e mbylli dritaren e vogël. Rreth e rrotull ndërtesës, varre. Në krye të tyre ngrihej një pemë e madhe e vjetër, ndoshta sa vetë kisha. Brenda saj, në dysheme, i varrosur prifti i nderuar Dom Pali.
Kishte lexuar për të në një dokument të gjetur poshtë shkallëve të kishës, aty ku kishte gjetur edhe shtatoren e Shna Premtes. Që nga ai moment nuk kishte dashur më të flinte atje, por nuk kishte mundur të gjente një zgjidhje tjetër. Dy net kishte fjetur në familje të ndryshme, sidomos pas kthimit nga varrosja e të ëmës, e cila e kishte tronditur pa masë. Kishte mjaftuar ajo pasdite e gjatë pas pune që dyshemeja e dhomës të mbushej me bishta cigaresh.
Shiu nuk kishte pushuar asnjë çast dhe ai nuk kishte mundur të lëvizte, edhe pse nuk donte të flinte vetëm. Po ku të shkonte? Ai vinte nga qyteti dhe pothuajse të gjithë aty ishin vendas e flinin në shtëpitë e tyre. Vetëm ai ishte i huaj.
Jashtë shiu vazhdonte. Deshi një herë të dilte e të shkonte në shtëpinë e njërit prej mësuesve të shkollës së mesme, por ajo ishte disi larg. Kur mendoi se rreth e qark qendrës kulturore gjendeshin varre, trupi iu rrënqeth. Mori një copë hekuri dhe ia vuri derës së jashtme, sikur të ruhej mos ndonjëri prej tyre të vinte natën e t’i futej në krevat. Ndërsa dritareve të vogla u vuri gozhda, i mbylli mirë e mirë dhe ashtu, i trazuar, u ul të flinte.
Statujën e pajtores së kishës, Shna Premtes, ai vetë e kishte gjetur të fshehur nën shkallë, e kishte pastruar me kujdes dhe më pas e kishte vendosur në një cep të dhomës së tij, të mbështjellë me një thes të bardhë bezeje. As vetë s’e kishte kuptuar si kishte mundur të shpëtonte ajo, së bashku me atë tufë librash e shënimesh të vjetra, mes të cilave kishte lexuar edhe për jetën e Dom Palit, e aq më tepër për historinë e asaj kishe.
Ajo kishë e vjetër mes malesh ishte kontrolluar patjetër si gjithë të tjerat. Mbase ata që kishin bërë kontrollin nuk kishin qenë aq të vëmendshëm, pasi aty kishin mbetur pa u zbuluar shumë gjëra të fshehura. Pikërisht aty ai kishte gjetur edhe dokumentin ku shkruhej data dhe ora e varrosjes së Dom Palit në truallin e kishës, që tashmë ishte kthyer në qendër kulturore të zonës së thellë. Leximi i atij dokumenti e kishte tronditur. Ai gjithsesi flinte i rrethuar prej të vdekurish, por kur kishte marrë vesh se brenda ndërtesës gjendej një varr, ishte trazuar së tepërmi. Ai flinte me një të vdekur.
Vetë Dom Pali, mbase për së gjalli, nuk kishte fjetur asnjëherë në kishë. Pak metra më tej gjendej rezidenca e tij dhe s’kishte pasur nevojë të flinte aty. Kishte pritur, përcjellë dhe banuar atje, ndërsa në kishë vinte vetëm për punët e fesë. Po pse të mos kishte edhe për Gjergjin një dhomë atje, në ish-rezidencën e Dom Palit, e Gjergji të vinte këtu vetëm për punët e kulturës? Por rezidenca e moçme tashmë ishte kthyer në zyra administrate Kështu, ndërtesa e vjetër mbante brenda vetëm ata të dy: njëri gjallë e tjetri i vdekur, krejt si në legjendë. Por ata s’i afroheshin dot njëri-tjetrit; ai rrinte në mesin e kishës, ndërsa Gjergji punonte, hante, pinte e flinte larg tij vetëm disa metra.
Ai tjetri jashtë kishte adhuruesit e tij, kishte ata që e kishin dëgjuar të jepte meshë dhjetëra herë. Mbase tani Dom Pali grigjën e tij e kishte ndarë më dysh: disa i kishte dërguar në ferr, sepse për së gjalli s’e kishin dëgjuar dhe kishin lënë udhën e Zotit, e disa të tjerë në parajsë. Të miturit i kishte kthyer në engjëj dhe i kishte dërguar lart në qiell.
U ngrit ngadalë dhe diku në raft gjeti një kuti ilaçesh; prej andej nxori një qese të vogël, nga e cila piu jo një, por tri kokrra të vogla. Ndezi edhe një cigare dhe pastaj u shtri përsëri.
Ora pothuajse kishte kaluar dy pas mesnate. I lodhur sa nuk thuhej, i tronditur sidomos nga vdekja e të ëmës, pastaj me merakun se do të flinte aty vetëm, pa askënd tjetër veç Dom Palit, nën efektin e Valiumit e zuri gjumi.
Jashtë shiu vazhdonte të binte me kokrra të mëdha. Shkrepëtimat e rrufeve trandnin dheun. U end në një ëndërr të keqe.
Dy dritaret frëngji të sallës së kinooperatorit u hapën njëherësh. Salla kryesore e Qendrës Kulturore u ndriçua si prej prozhektorëve të fuqishëm. Pastaj ndërtesa filloi të dridhej e tëra. Në mes të saj u hapën kanatat e një dere të madhe, prej nga Gjergji mundi të shihte një kuvend të madh rreth e rreth pemës së vjetër, ku burrat nuk ishin ulur sipas moshës, por në një mënyrë që ai nuk mund ta kuptonte.
Dom Pali, veshur me veladonin e tij, e kaloi derën, e cila menjëherë u mbyll, dhe filloi të ecte në këmbë nëpër kishën e vjetër. Vështroi në të katër anët e Qendrës Kulturore, stendat. Bëri pastaj disa herë kryq dhe u drejtua drejt altarit. E afroi kokën aty te dritarja e vogël frëngji dhe, me një tronditje të dukshme, nisi ta pyesë Gjergjin:
– Po ju, – zëri i tij ishte i trashë, sikur dilte prej zemrës së tokës, – mos jeni prifti i ri?!
Gjergji heshti.
– Dëgjo, biri im! Jo mirë! Aspak mirë! Ju nuk keni pse të flini këtu kur qela ja ku është. Ç’ka ndodhur? Pse e keni sakatuar kështu kishën e vjetër? Ç’janë këto gjëra që keni vënë në altar? Po këmbanën e vjetër ku e keni çuar, biri im? Atë e kemi blerë përtej detit, në Udine, e ju e keni hequr prej kishës!
– Dom Pal, këtu nuk është më kishë. Këtu, si të të them, ne bëjmë gjëra të tjera. Këtu tani është Qendra e Kulturës, ne vijmë çdo natë, mblidhemi të gjithë.
– Po pse çdo natë, biri im?! Mesha jepet paradite, ç’doni natën?!
– Ne këtu nuk bëjmë meshë, Dom Pal. Këtu bëjmë mbrëmje, bëjmë festivale, bëjmë kulturë masive.
– Kulturë, bir, kemi bërë të gjithë. Ata që e ndërtuan këtë kishë, ata që gdhendën qoshet e saj, gurët e çdo cepi, ata që vendosën ikonat e vjetra, ne që e restauruam. Të gjithë hodhëm në libra historinë e të parëve. Por jo kështu…
– Ku i keni çuar ikonat, biri im?
– Dom Pal, – ndërhyri sërish Gjergji, – këtu nuk është kishë.
– Përse, biri im? Ku e keni bërë kishën? Kjo ka tash një mijë vjet kishë. Përse e keni ndryshuar? Ç’janë këto tabela? Ku e keni kryqin, biri im? Ku e keni veladonin? Pse jeni veshur kështu? Ku janë ikonat? Përse këmbanën e keni varur në atë kumbull të thatë?
– Dom… këtu është Qendra Kulturore.
– Ç’qendër kulturore, i bekuar?! Shtatoren e keni rrëzuar përtokë… e keni futur në thes? – zëri i Dom Palit kumbonte i ashpër e urdhërues.
– Unë jam drejtori i saj. Këto janë aparaturat filmike dhe ato tabela janë kënde veprimtarish.
Këto fjalë Dom Palit i ranë si bombë. Ai u bë tjetër njeri. Filloi të vërtitej nëpër kishë. Veladoni i tij fryhej e hapej si një krah i madh i bardhë. Edhe dera e madhe ishte hapur e tëra. Ashtu, si duke fluturuar, kaloi varr më varr duke thirrur:
– Ngrihuni! Ngrihuni!
Pastaj njëri pas tjetrit u ngritën të gjithë, të veshur me veladonë të bardhë. E mbushën plot kishën e vjetër, por ajo nuk i nxinte as gjysmën e tyre, kështu që sheshi përpara saj u mbush plot. Pema e vjetër shekullore sikur u zgjat edhe më.
Të gjithë kërkonin që ai të largohej prej aty, bashkë me filmat e tij.
Kodrave përreth vraponin të rinjtë e fshatit, të cilët kërkonin që ai të mos dilte. Aty tashmë ishte vendi i tyre. Aty do të bënin mbrëmjet e tyre të vallëzimit.
Moria e qenieve të sapongritura nga ajo copë toke afër kishës, me kryqe në duar, zuri vend dhe nuk lëvizte asnjë grimë. Të rinjtë e fshatit vinin grupe-grupe dhe kërkonin zhvillimin e mbrëmjes së radhës.
Dom Pali, në krye të tyre, urdhëronte lirimin e kishës së vjetër.
Gjergji, në krye të të rinjve të fshatit, nuk dinte ç’të bënte. Ndjeu se fryma po i ngecte në kraharor.
Fantazma e priftit vinte e shkonte sërish nëpër kishë, pastaj me një kryq të madh në dorë u nis drejt tij.
Shtatorja e lënë përdhe sikur u drodh. Dom Pali u ul në gjunjë përpara saj dhe nisi të bënte kryq.
Një shkreptimë e fortë rrufeje bëri që Gjergji të brofte në këmbë. Dritat ishin shuar dhe ai e pati të vështirë të orientohej për disa sekonda.
– Dom Pal… Dom Pal… – mërmëriti pa e kuptuar as vetë.
Pastaj mblodhi veten, u ngrit dhe në tavolinë kërkoi shkrepsen. Ndezi një kunj, pastaj një tjetër.
Nëpër dritaret frëngji po hynte zbehtë drita e parë e agimit.










